Transmetimet e Trajnimeve
Kthimi në Besim i Fëmijëve të Perëndisë


21:42

Kthimi në Besim i Fëmijëve të Perëndisë

Transmetimi i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 13 Qershor 2017

Jam i ngazëllyer që sot marr pjesë në këtë transmetim takimi shpirtëror me ju që udhëhiqni dhe jepni mësim në Seminaret dhe Institutet tona të Fesë dhe me shoqëruesit/et tuaj/a të dashur/a. Ne i kemi takuar shumë prej jush anembanë botës dhe ju jeni të mrekullueshëm. Besoj se ka disa arsye për këtë. Së pari, Kisha punëson vetëm individë të kualifikuar që janë të denjë për një rekomandim tempulli, që kanë një aftësi të provuar për të dhënë mësim dhe që janë rekomanduar e miratuar në nivele të ndryshme, përfshirë nga Bordi për Arsimin. Ju mësues të thirrur mund të mos keni pasur pothuaj të njëjtin shqyrtim të hollësishëm si personeli i punësuar por, nga përvoja ime, udhëheqësit vendorë thërrasin më të mirët për të dhënë mësim në seminar e institut. Së dyti, ju jeni zhytur në doktrinën e Krishtit, të cilën Nefi e shpall si “e vetmja doktrinë e vërtetë e Atit dhe e Birit dhe e Frymës së Shenjtë”.1 Mësimdhënia e kësaj doktrine siguron nxitje të vazhdueshme për ta jetuar këtë doktrinë dhe kjo është arsyeja përse ju jeni kaq të mirë. Qëndroni siç jeni!

Ne jemi një familje seminari! Unë u thirra si president i Kunjit të Honololusë në Havai 32 vite më parë. Fëmija ynë më i vogël ishte 18 muajsh dhe më i madhi i katër fëmijëve tanë ishte 11 vjeç. Isha i angazhuar në një profesion kërkues dhe dukej sikur kishim arritur në caqet tona. Më pas, ata që bashkërendonin seminarin në kunjin tonë, m’u afruan dhe më pyetën, me njëfarë pasigurie për shkak të rrethanave të familjes sonë të re: “A mendon se mund, ë, të jetë e mundur, ë, që Motra Hallstrom, të mund, ë, të japë mësim në seminar?” Epo, ne nuk ishim mësuar që të mos i pranonim thirrjet, kështu që morëm frymë thellë dhe thamë: “Natyrisht”.

Kjo filloi një periudhë të vështirë, por shumë shpërblyese për familjen tonë. Bashkëshortja ime, Dajana, ngrihej në orën 4:30 të mëngjesit çdo ditë të javës që të përgatitej për seminarin në orën 6:00. Kjo kërkonte gjithashtu që unë t’i zgjoja fëmijët, t’i ndihmoja që të laheshin e të visheshin, të përgatitja mëngjesin dhe ta kisha çdo gjë në rregull që, kur Dajana të futej në rruginën para garazhit në orën 7:00, unë të mund të nisesha për në punë dhe ajo të mund t’i çonte në shkollë ata që ishin mjaftueshëm të mëdhenj.

Kjo ishte rutina jonë për tetë vite, derisa Dajana u thirr si presidente e Të Rejave. Pas pesë vitesh, bashkërenduesi i seminarit erdhi sërish duke trokitur në derën tonë me përgjërimin: “Kemi një klasë shumë të vështirë maturantësh; a mundet që motra Hallstrom të japë mësim sërish në seminar?” Kështu, një tjetër trevjeçar iu shtua tetë viteve, dhe u desh një thirrje nga Presidenti Hinkli që ajo të lirohej. Unë u thirra si Autoritet i Përgjithshëm dhe ne na dërguan në Japoni për detyrën tonë të parë. Pra, ju mësues të thirrur, kini kujdes kur shpresoni të liroheni – ju nuk e dini kurrë se ku mund të përfundoni!

Epo, ne e kthejmë vështrimin pas tek ajo kohë e vështirë, plot tension dhe e mbingarkuar, me mall dhe mirënjohje. Dajana absolutisht i donte shumë studentët e saj të seminarit (dhe ata e deshën atë). Ajo gjithashtu i dha mësim secilit prej fëmijëve tanë në seminar, si dhe nipërve e mbesave tona, njëri prej të cilëve tani është drejtor instituti dhe, shpresoj, po merr pjesë në këtë transmetim. Përveç kësaj, kjo mësimdhënie e dendur e thelloi diturinë dhe dëshminë ungjillore të Dajanës – diçka që ka qenë pafundësisht e dobishme për mua dhe familjen tonë. Kjo gjithashtu “më lejoi” të jem me fëmijët tanë në të vetmen kohë të ditës që unë isha vazhdimisht në dispozicion – në ato orë të hershme të mëngjesit, çdo ditë pune. Ai ishte një bekim domethënës për mua dhe, besoj, edhe për ata. Pra, siç e shihni, disa nga barrët tona më të mëdha bëhen me të vërtetë bekimet tona më të mëdha.

Jam i kënaqur që sot jam në shoqërinë e kolegëve të cilët i respektoj shumë. Si anëtar i Bordit për Arsimin dhe i Komitetit Ekzekutiv të Bordit, unë takohem dy herë në muaj me Plakun Kim B. Klark, Komisionerin tonë të mrekullueshëm dhe Çad H. Uebin, administratorin e jashtëzakonshëm të Seminareve dhe Instituteve të Fesë. Ju që jeni të punësuar apo shërbeni në seminare dhe institute, keni udhëheqje të mirë. Siç shumë prej jush e dinë, Bordi i Kishës për Arsimin kryesohet nga Presidenti Tomas S. Monson dhe përfshin Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf. Plaku Dallin H. Ouks është gjithashtu anëtar i Bordit dhe kryeson Komitetin Ekzekutiv. Anëtarë të tjerë të Bordit dhe Komitetit Ekzekutiv janë Plaku Xhefri R. Holland, Motra Xhin B. Bingham dhe Motra Boni L. Oskarson. Jam vazhdimisht i mahnitur nga përparësia dhe burimet që i jepen arsimimit në Kishë.

Tani, me lejoni të ndaj disa mendime me ju që keni një rol kaq jetik në arsimimin shpirtëror të rinisë së Kishës. E kam përmendur tashmë doktrinën e thellë të Krishtit. Si i ndihmon kjo Kishë anëtarët e saj që ta kuptojnë dhe jetojnë këtë doktrinë? Një mënyrë tjetër për ta bërë këtë pyetje është: “Cilat janë përparësitë apostolike të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?”

Një mënyrë për t’i mësuar këto përparësi është të kuptojmë “punën për shpëtim”. Përkufizimi më i përmbledhur i punës për shpëtim gjendet te Manuali 2. Kujtoni se manuali i Kishës miratohet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ai deklaron: “Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit dërgohen ‘për të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve’ (DeB 138:56). Kjo punë për shpëtim përfshin punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit.”2

Një tjetër ide për këto përparësi është thënia në manualin e Kishës nën titullin “Qëllimi i Kishës”. Ajo thotë: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua nga Perëndia për të ndihmuar në veprën e Tij, që të bëjë të ndodhë shpëtimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Tij. Kisha i fton të gjithë që të ‘[vijnë] te Krishti dhe [të përsosen] në të’ (Moroni 10:32; shih edhe DeB 20:59). Ftesa për të ardhur te Krishti u përket të gjithëve që kanë jetuar ose do të jetojnë ndonjëherë mbi tokë.”3

Ky citim nga manuali shpreh më tej: “Në përmbushje të qëllimit të saj për t’i ndihmuar individët dhe familjet që të kualifikohen për ekzaltim, Kisha përqendrohet në përgjegjësi të caktuara hyjnisht. Këto përfshijnë ndihmën për anëtarët që të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, mbledhjen e Izraelit nëpërmjet punës misionare, përkujdesje[n] për të varfrit e nevojtarët dhe mundësimin e shpëtimit për të vdekurit duke ndërtuar tempuj dhe duke kryer ordinanca mëkëmbëse.”4

Pra, “puna për shpëtim” dhe këto “përgjegjësi të caktuara hyjnisht” janë në thelb të njëjta dhe duhet të udhëheqin çdo gjë që ne bëjmë në Kishë, përfshirë (ndoshta veçanërisht) mësimdhënien ndaj rinisë sonë.

Përfundimisht, çdo gjë që bëjmë – për veten tonë, familjet tona dhe në pozicionet tuaja të tanishme – është që të japim mësim “punën për shpëtim” dhe “përgjegjësi[të e] caktuara hyjnisht”, për të ndihmuar në kthimin në besim të bijve dhe bijave të Perëndisë. Është që të japim mësim si Aaroni dhe vëllezërit e tij, Amoni, Omneri e Himni – të japim mësim “sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë”, në mënyrë që po aq sa besojnë “në predikimin [tuaj] dhe [bëhen të] kthye[r] në besim te Zoti, nuk [do të] h[eqin] dorë kurrë nga besimi i tyre”5.

Ashtu siç Presidenca e Parë u tha prindërve dhe udhëheqësve të të rinjve: “Ju jeni thirrur nga Zoti për t’i ndihmuar të rinjtë të bëhen të kthyer në besim tek ungjilli”.6 Duke e imituar mënyrën se si dha mësim Shpëtimtari, ne kemi besim se të rinjtë tanë do të mësojnë në një mënyrë shumë më të thellë, e cila do të çojë drejt kthimit në besim.

Pra, të arsimojmë rininë tonë nuk do të thotë që thjesht t’u mësojmë atyre histori, [por] do të thotë që t’u mësojmë atyre doktrinë që i frymëzon të veprojnë. Roli ynë është të “[jemi] një mjet në duart e Perëndisë”7 që ata jo vetëm të mund të dëgjojnë, por të mund të ndiejnë dhe më pas, në këtë mënyrë do të mund të bëjnë. Roli ynë është që ta “udhëzo[jmë] dhe lartëso[jmë] njëri-tjetrin”8 në mënyrë që ta “detyro[jmë] veten t[onë] për të vepruar gjithë shenjtëri”.9 Roli ynë është që të japim mësim “besim deri në pendim”10.

Si arrihet më mirë kjo lloj mësimdhënieje? Modeli i krijuar në Kishën e Zotit është që ne angazhohemi plotësisht në adhurimin publik, adhurimin familjar dhe adhurimin vetjak. Më lejoni ta shtjelloj më tej secilin element.

Adhurimi Publik

Adhurimi publik ndodh kur ne mblidhemi si fëmijë të Perëndisë, si vëllezër e motra, si një komunitet shenjtorësh. Këto mbledhje ndonjëherë janë të mëdha, të tilla si konferencë kunji apo edhe konferencë e përgjithshme, ose ndonjëherë janë të vogla, të tilla si një mbledhje e një kuorumi apo e Të Rejave ose e Shoqatës së Ndihmës, apo një klasë seminari ose instituti. Asambleja jonë shpirtërore sot është një formë e adhurimit publik. Në secilën prej këtyre mbledhjeve, ne lutemi, ne japim mësim, ne dëshmojmë dhe ne lartësojmë – e gjitha me qëllimin që ta rritim kuptueshmërinë tonë për Atin tonë në Qiell, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë. Më pas ne kemi përgjegjësinë që ta përkthejmë në urtësi atë njohuri që është gjithnjë në rritje – të vazhdojmë ta zvogëlojmë boshllëkun midis asaj që dimë dhe mënyrës se si jetojmë.

Adhurimi në tempull është një formë e shenjtë e adhurimit publik ngaqë ai përfshin drejtpërsëdrejti ordinancat dhe besëlidhjet që na lidhin me Hyjninë. Sa të lidhur jeni ju me tempullin dhe besëlidhjet tuaja? A po e përdorni rregullisht këtë formë të shenjtë të adhurimit publik për ta forcuar njohurinë tuaj dhe urtësinë tuaj? A po i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim që të jenë të lidhur me tempullin? A po e nxitni rininë tonë që të jenë të denjë e të mbajnë një rekomandim tempulli me përdorim të kufizuar dhe ta përdorin atë atje ku është e mundur gjeografikisht? Pjesëmarrja në punën për shpëtim me anë të kërkimit të emrave të familjes dhe vajtja në tempull për t’u pagëzuar e konfirmuar për paraardhësit e tyre siguron mundësi që të marrin udhëheqje shpirtërore.

Mbledhja më e rëndësishme e adhurimit tonë publik, të paktën jashtë tempullit, është mbledhja e sakramentit. Përveç veprimtarive adhuruese që janë pjesë e shumicës së mbledhjeve në Kishë, ky shërbim përqendrohet tek ordinanca e gjallë e sakramentit. Ndërsa e fillojmë dhe e mbarojmë mbledhjen, dhe veçanërisht në përgatitje për ta marrë sakramentin e shenjtë, ne këndojmë e lutemi. A jemi pjesëmarrës të plotë? A janë mendjet dhe zemrat tona atje apo janë diku tjetër? A janë të fikur celularët tanë apo dërgojmë SMS dhe mesazhe në Twitter (ose për ne më të moshuarit, dërgojmë mesazhe elektronike) gjatë ordinancës apo gjatë çfarëdolloj pjese të mbledhjes? Kur folësit flasin, veçanërisht nëse janë më pak gojëtarë, a shkëputemi ne me arrogancë, duke menduar: “E kam dëgjuar të gjithë këtë edhe më parë”?

Nëse jemi me faj për ndonjërin prej këtyre gabimeve, ajo që po bëjmë është zvogëlimi – ndoshta asgjësimi – i aftësisë së Shpirtit për të komunikuar me ne. Dhe pastaj pyesim veten se përse nuk po lartësohemi nga shërbesat e sakramentit dhe mbledhjet e tjera të Kishës!

Adhurimi publik është një mundësi e shkëlqyer për të na ndihmuar të gjithëve ne, përfshirë rininë, përgjatë shtegut të kthimit në besim.

Adhurimi Familjar

Adhurimi publik duhet të nxitë adhurimin familjar. Në vitin 1999, Presidenca e Parë i këshilloi prindërit dhe fëmijët që t’i “japin përparësinë më të lartë lutjes familjare, mbrëmjes familjare, studimit të ungjillit dhe udhëzimit për të, dhe veprimtarive të shëndetshme familjare. Gjithsesi, sado të denja dhe me vend të jenë nevojat apo veprimtaritë e tjera, ato nuk duhet të lejohen që t’i zhvendosin përgjegjësitë e caktuara hyjnisht, që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë në mënyrë të përshtatshme.”11 Natyrisht, po të njëjtat parime janë dhënë mësim vazhdimisht nga shumë udhëheqës të Kishës në mënyra të panumërta për shumë vite.

Ne jetojmë në një botë të zënë me punë. Kur udhëtoj anembanë Kishës, nganjëherë i pyes jo zyrtarisht udhëheqësit vendorë – dhe këta janë shenjtorë të mirë të ditëve të mëvonshme – “A po e bëni lutjen familjare dhe mbrëmjen familjare? A po e studioni ungjillin si familje?” Shpesh, marr një vështrim të zënë ngushtë dhe shpjegimin: “Jemi kaq të zënë. Veprimtaritë shkollore dhe jashtëkurrikulare të fëmijëve tanë, mësimet e muzikës dhe të tjera, programet shoqërore dhe funksionet e Kishës, i mbajnë ata pothuaj plotësisht të zënë. Unë dhe bashkëshortja ime jemi të zënë deri në fyt me punën, Kishën dhe zotime të tjera. Ne rrallëherë jemi së bashku si familje.” Fryma e këshillës së Presidencës së Parë është që, nëse jemi kaq të zënë duke bërë gjëra të mira sa nuk kemi kohë të bëjmë gjërat thelbësore, atëherë ne duhet të gjejmë zgjidhje.

Kur fëmijët rriten nga prindër të kthyer në besim, të cilët kanë krijuar një model për adhurimin familjar, ata kanë më shumë gjasa që ta ndiejnë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë ndërkohë që janë të vegjël, dhe më pas ta ndjekin këtë shembull të drejtë përgjithmonë. Atëherë mësimdhënia jonë në mjediset e Kishës zë vendin e saj të duhur si një sistem përkrahës ndaj mësimdhënies që ndodh në familje.

Përveç adhurimit të vazhdueshëm dhe të efektshëm në familjet tona, mësuesit e rinisë duhet të nxitin adhurimin e duhur dhe me ndjeshmëri në familjet e studentëve tanë. Disa vijnë nga familje ku praktika të tilla kanë zënë vend tashmë dhe ju thjesht mund të qëndroni mënjanë e të gëzoheni në heshtje. Për të tjerët kjo nuk po ndodh për një larmi arsyesh – nga studenti, i cili është i vetmi anëtar i Kishës në familjen e tij apo të saj (ose i vetmi anëtar aktiv) deri tek ata që janë pjesë e një familjeje që merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Kishës, por nuk e ka kuptuar ende largpamësinë e rëndësisë së adhurimit familjar. Pa marrë përsipër autoritetin dhe përgjegjësinë e udhëheqësve fetarë dhe të prindërve, thjesht jepni shembullin dhe u mësoni modele të drejta dhe ndihmojeni rininë tonë që të zbulojë mënyra se si mund të jenë një burim frymëzimi për familjet e tyre në zhvillimin e zakoneve të adhurimit të vazhdueshëm familjar.

Adhurimi Vetjak

Përfundimisht, kthimi në besim është një çështje vetjake. Adhurimi publik na çon drejt adhurimit familjar, i cili na çon drejt adhurimit vetjak. Kjo përfshin lutjen vetjake, studimin vetjak të ungjillit dhe përsiatjen vetjake të marrëdhënies së dikujt me Hyjninë. “Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin … që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?”12

Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Rëndësia e të pasurit të ndjesisë së të shenjtës është thjesht kjo – nëse dikush nuk i vlerëson gjërat e shenjta, ai do t’i humbasë ato. Kur mungon ndjenja e nderimit, ai do të bëhet gjithnjë e më shumë rastësor në qëndrim dhe i shkujdesur në sjellje. Ai do të largohet nga spirancat që mund të sigurojnë besëlidhjet e tij me Perëndinë. Ndjenja e tij e përgjegjshmërisë ndaj Perëndisë do të zvogëlohet dhe më pas do të harrohet. Pas kësaj, ai do të kujdeset vetëm për rehatinë e tij dhe që të kënaqë orekset e tij të pakontrolluara. Së fundi, ai do të arrijë t’i përçmojë gjërat e shenjta, madje Perëndinë, dhe më pas do ta përçmojë veten e tij.”13

Ne kemi arritur të kuptojmë se parashikuesi më i madh i suksesit shpirtëror (i matur me anë të shugurimit në Priftërinë Melkizedeke, marrjes së indaumentit [dhurimit], shërbimit në mision, martesës në tempull dhe rritjes së një familjeje të drejtë) është që një i ri apo e re të ketë përvoja vetjake shpirtërore në rininë e tij/saj – që ata ta ndiejnë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Do të thotë më shumë sesa të jesh aktiv në Kishë; do të thotë të jesh aktiv në ungjill!

Synimi juaj në çdo orë që jepni mësim, në çdo diskutim që drejtoni, në çdo ndërveprim që bëni në korridor, është që Shpirti i Shenjtë të jetë mësuesi i vërtetë. Ashtu siç dha mësim Shpëtimtari: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha”.14 Fryma e Shenjtë ka aftësinë për ta individualizuar mesazhin për çdo individ që të “ndriç[ohet] nga Shpirti i së vërtetës”15. Pra, ndërsa japim mësim mbi punën për shpëtim dhe përgjegjësitë e caktuara hyjnisht, ne e bëjmë këtë në një mënyrë që të lartëson, të ngre moralisht, të frymëzon, që i udhëheq ata të cilëve u japim mësim, drejt një besimi të forcuar në Atin Qiellor e në Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij.

Juve, mësuesve të mrekullueshëm të fesë, ne ju themi: Ju faleminderit! Ju faleminderit! Ju faleminderit! Në emër të udhëheqjes së Kishës: “Ju faleminderit!” Jetoni jetë të denja vetjake, kujdesuni për familjet tuaja dhe shërbejini Zotit – veçanërisht kujdesuni për brezin e çmuar që po rritet. Të qenit të angazhuar në punën për shpëtim dhe në përgjegjësitë e caktuara hyjnisht, nën drejtimin dhe çelësat apostolikë, do të na lartësojë e do të na nxitë.

Unë shpall madhështinë e trashëgimisë sonë qiellore dhe aftësinë tonë për të marrë “jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”.16 Dëshmoj për Jehovën e madhërishëm, i lindur Jezus, i titulluar Jezusi, Krishti, i “vajosuri”.17 Dëshmoj për Shlyerjen e Tij të pakrahasueshme, e cila bën të mundur për secilin prej nesh dhe për secilin prej atyre që u japim mësim, që ta mposhtim botën – që t’ia dalim përmes rrethanave më të vështira tokësore me “një ndriçim të përkryer të shpresës”.18 Me bekimet e një ungjilli të rivendosur dhe të një kishe të rivendosur, ne kemi gjithçka që na nevojitet për të na ndihmuar të dëgjojmë, të ndiejmë dhe të bëjmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.