“Mos Dyshoni, por Jini Besues”
Takimi Shpirtëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 13 janar 2019 • Universiteti “Brigam Jang”, Havai
Plaku Dejll G. Renland: Ju falënderojmë që jeni bashkuar me ne sot. Ne e dimë që të gjithë ju kishit të tjera gjëra për të bërë. Ne lutemi që Perëndia t’ju bekojë për sakrificën tuaj. Ju falënderoj në emër të Zotit dhe të Kishës së Tij për besimin dhe besnikërinë tuaj.
Motra Ruth L. Renland: Është gjë e bukur të jesh këtu. Kori ishte i mrekullueshëm dhe e shtoi Shpirtin në këtë mbledhje. Jemi mirënjohës për ata që janë ulur në podium dhe e kuptojnë rolin që kanë në jetën tuaj dhe tonën. Ne e admirojmë shembullin e tyre të dishepullimit.
Ne ndihemi të nxitur për të diskutuar një temë që e kemi pasur në mendje për shumë muaj: besimin dhe dyshimin. Vitin e kaluar, në qershor, ne treguam një shëmbëlltyrë në transmetimin e trajnimit vjetor për mësuesit në Seminaret dhe Institutet e Fesë. Teksa fillojmë sot, ne duam t’ju tregojmë juve po këtë shëmbëlltyrë.
Plaku Dejll G. Plaku Renland: Përfytyroni sikur t’ju jetë përmbysur barka ndërkohë që lundroni në oqean. Keni veshur një jelek shpëtimi dhe keni notuar me orë të tëra drejt atij që besoni se është bregu më i afërt, por nuk mund të jeni i sigurt. I keni humbur lëngjet në maksimum, kështu që çdo herë që filloni të notoni, jeni si i trullosur dhe i rraskapitur. Sipas asaj që mund ta llogaritni, në rastin më të mirë, bregu është 30 kilometra ose 18 milje larg. Keni frikë se do të humbni jetën ngaqë nuk mund të notoni aq larg. Në largësi dëgjoni një motor të vogël. Tingulli duket sikur vjen drejt jush; shpresa juaj për shpëtim merr krahë. Teksa vështroni, ju shihni të afrohet një barkë e vogël peshkimi.
Motra Ruth L. Renland: “Oh, falë qiellit”, mendoni ju, “kapiteni më sheh!” Barka ndalon dhe një peshkatar i mirë, i rrahur nga moti, ju ndihmon të hipni në të. Me mirënjohje, ju zvarriteni deri te një ndenjëse në barkë, duke nxjerrë një psherëtimë lehtësimi. Peshkatari ju jep një pagur me ujë dhe disa biskota të kripura. Ju i hani me babëzi. Uji dhe biskotat e kripura ju ngopin mjaftueshëm aq sa të merrni fuqitë. Jeni kaq shumë i lehtësuar dhe i lumtur. Ju jeni rrugës për në shtëpi.
Teksa filloni të gjallëroheni dhe të ndiheni më mirë, ju filloni t’u kushtoni vëmendje disa gjërave që nuk para i vutë re më parë. Uji i pagurit është pak i ndenjur dhe jo ai që do të kishit parapëlqyer, si ai i një marke të shtrenjtë. Biskotat e kripura ishin të shijshme por ajo që do të dëshironit vërtet të kishit, është një pjesë mishi e zgjedhur e pasuar nga një kruasan me çokollatë. Ju vini re gjithashtu se peshkatari i mirë ka veshur çizme e pantallona xhins të vjetruara. Rripi i kapelës së tij është me njolla dhe ai duket se mezi dëgjon nga veshët.
Plaku Dejll G. Renland: Ju vini re se barka është shumë e përdorur dhe se ka dëmtime nga ana e djathtë e bashit. Një pjesë e bojës është ciflosur dhe hequr. Ju shihni se, kur peshkatari e liron nga shtrëngimi timonin, barka anohet djathtas. Ju filloni të shqetësoheni se kjo barkë dhe ky kapiten nuk mund t’ju sigurojnë shpëtimin që ju nevojitet. Ju e pyetni peshkatarin për dëmtimet dhe timonin. Ai thotë se nuk shqetësohet shumë për këto gjëra sepse e ka drejtuar barkën për te vendet e peshkimit dhe në kthim, nëpër të njëjtën rrugë, nga mëngjesi në darkë, për dekada të tëra. Barka gjithmonë e ka çuar atë pa problem dhe me siguri atje ku dëshironte të shkonte.
Ju shushateni! Si është e mundur që ai të mos shqetësohet për dëmtimet dhe drejtimin e timonit? Dhe pse ushqimet të mos ishin më të ngjashme me atë që ju pëlqen juve? Sa më shumë që përqendroheni te barka dhe peshkatari, aq më shumë shqetësoheni. Ju filloni ta vini në dyshim edhe vendimin tuaj fillestar për të hipur në barkë. Ankthi juaj fillon të rritet. Së fundi, ju i kërkoni peshkatarit që ta ndalojë barkën dhe t’ju lëshojë sërish në ujë. Edhe pse jeni ende më shumë se 20 kilometra apo 12 milje larg bregut, ju nuk mund ta duroni idenë që të qëndroni në barkë. Me pak trishtim, peshkatari e ndalon barkën dhe ju ndihmon të ktheheni sërish në oqean. Ju mbetët sërish të vetëm.
Motra Ruth L. Renland: Shqyrtojeni këtë histori si një shëmbëlltyrë në të cilën barka përfaqëson Kishën dhe peshkatari përfaqëson ata që shërbejnë në Kishë.1Qëllimi i vetëm i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është t’i ndihmojë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për punën e Tyre që të bëjnë të ndodhë jeta e përjetshme e fëmijëve të Perëndisë.2Ajo na mundëson shtegun e besëlidhjes, udhën për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Ata që shërbejnë në Kishë, ndonëse nuk janë të përsosur, janë thelbësorë për të na ndihmuar dhe nxitur përgjatë shtegut të besëlidhjes.
Çfarë na mësojnë për Kishën barka dhe peshkatari? A e ndryshojnë dëmtimet dhe boja e hequr në Kishë aftësinë e saj që të sigurojë ordinancat e autorizuara shpëtuese dhe ekzaltuese për të na ndihmuar që të bëhemi si Ati Ynë në Qiell? Nëse peshkatari duhet ta mbajë fort timonin me të dyja duart, që ta mbajë barkën në drejtimin e duhur, a e mohon kjo aftësinë e tij dhe të barkës që të na çojë pa problem dhe me siguri atje ku duam të shkojmë? Juve nuk ju duhet të jeni një shikues i shuguruar, ashtu si bashkëshorti im, që ta dini se të lëshoheni sërish në ujë në vend që të qëndroni në barkë, është me rrezik. Por edhe kur nuk i shohim faktet më të rëndësishme të një situate, dëmtimet e vogla dhe boja e hequr mund të zmadhohen në mendjen tonë.
Çdo anëtar ka nevojë për dëshminë e vet për vërtetësinë e Kishës së Rivendosur. Pa një kthim të vërtetë në besim, përfshirë një ndryshim të madh në zemër, ju mund të filloni të përqendroheni te biskotat me kripë dhe boja e ciflosur metaforike.
Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme të prillit 2018 tha: “Nuk keni përse ta pyesni veten se çfarë është e vërtetë [shihMoroni 10:5]. Nuk keni përse ta pyesni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë.”3Kjo dëshmi është më vendimtare tani se kurrë më parë.
Plaku Dejll G. Renland: Dëshmia ime zuri fill kur jetoja në Gëteborg të Suedisë. Isha 11 vjeç. Presidenti i misionit u bëri një ftesë të gjithë të rinjve e të rejave që ta lexonin Librin e Mormonit. E pranova atë sfidë dhe fillova ta lexoja. Në ato kohë gjatë leximit tim, një nga këshilltarët e presidentit të misionit na tha se duhej të luteshim për atë që lexonim. Më kujtohet shumë mirë mbrëmja kur veprova sipas asaj ftese. U gjunjëzova pranë shtratit, dhe fillova një lutje shumë të thjeshtë për ta ditur a është i vërtetë Libri i Mormonit.
Nuk dëgjova zë, por ishte sikur Perëndia të më kishte thënë: “Ta kam thënë gjatë gjithë kohës që është i vërtetë”. Ajo përvojë më ndryshoi, ma ndryshoi jetën. Ajo filloi një proces besimi, një proces të të qenit në shtegun e besëlidhjes dhe të përpjekjes për të bërë më shumë dhe për të bërë më mirë. Ndodhi në Gëteborg, që unë mësova se si të pendohem. Ndodhi në Gëteborg që unë arrita në njohurinë e Shëlbuesit tim. Ndodhi në Gëteborg, që unë fillova t’i kem si shembull individët të cilët i lartësojnë thirrjet e tyre dhe që punojnë shumë për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Gëteborgu u bë si “ujërat [e mia] të Mormonit”4.
Motra Ruth L. Renland: Ku arritët në një njohuri për Shëlbuesin tuaj? Si u ndiet? Nëse e keni harruar, ju nxitim të bëni diçka për ta zotëruar sërish atë ndjenjë. Kjo njohuri dhe këto ndjenja janë fillimet e besimit.
Besimi është një zgjedhje që duhet ta bëjë çdo person. Besimi nuk është dëshira për të trilluar që diçka të jetë e vërtetë dhe që ta bindni veten në mënyrë imagjinare se është e vërtetë. Besimi është siguria e ekzistencës së gjërave që ne nuk i kemi parë në mish. Besimi është gjithashtu një parim veprimi.
“Besimi duhet të përqendrohet në Jezu Krishtin [që] ai ta çojë një person drejt shpëtimit. … Besimi nxitet duke dëgjuar ungjillin të na mësohet prej [mësuesve] të autorizuar, të dërguar nga Perëndia [shihRomakëve 10:14–17]. Mrekullitë nuk prodhojnë besim, por besimi i fortë zhvillohet nëpërmjet bindjes ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Me fjalë të tjera, besimi vjen nëpërmjet drejtësisë [shihAlma 32:40–43].”5Besimi nuk vjen duke kërkuar shenja nga Perëndia, por duke iu bindur dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.
Plaku Dejll G. Renland: Perëndia dëshiron që ne të kemi besim që Ai të mund të na bekojë.6Besimi është çelësi që e shkyç mëshirën e Perëndisë. Njeriu ka nevojë të vendosë a dëshiron ai ose ajo të ketë besim dhe pastaj të veprojë me besim përpara se besimi të mund të rritet. Alma dha mësim: “Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia”7. Që besimi të rritet, njeriu duhet të zgjedhë që të ketë besim dhe të veprojë sipas tij.
Motra Ruth L. Renland:Dëshira e dikujt për besimin duhet të sjellë veprim. Në shumë mënyra, ne e shprehim besimin tonë nëpërmjet këmbëve tona.
Ky parim është thënë në premtimin e Librit të Mormonit, që bashkëshorti im e ndoqi kur ishte 11 vjeç. “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”8.
Kur ju e filloni me pyetjen: “A mundet që këto gjëra të mos jenë të vërteta?” kjo çon drejt fillimit të besimit që nëse ushqehet rritet. “A mundet që këto gjëra të mos jenë të vërteta?” është një pyetje nga e cila merret me mend se janë të vërteta. Për shembull, nëse unë them: “A nuk do të udhëtojmë nga Honoluluja për në bregdetin e veriut”? nga kjo merret me mend se do të nisemi me makinë. Pyetja e nxitur nga Moroni që ne e bëjmë në lidhje me Librin e Mormonit është e frymëzuar nga besimi dhe si rrjedhim të çon në besim më të madh.
Nëse në vend të kësaj e fillojmë me pyetjen: “A mundet që këto gjëra të mos jenë të rreme?”, kjo çon drejt dyshimit. Dhe dyshimi kurrë nuk të çon drejt besimit.
Plaku Dejll G. Renland: Në një rast, kur po merrja pjesë në një konferencë kunji, një president kunji më kërkoi të takoja një burrë që po e quaj Stiven. Stiveni kishte qenë anëtar besnik i Kishës. Ai kishte shërbyer në mision dhe ishte martuar në tempull. Ai kishte shërbyer me besnikëri për shumë vite, por filloi të kishte dyshime mbi Kishën. Teksa e takova Stivenin, ai tha se kishte shqetësime me faktin që Jozef Smithi përmendi katër variante të Vegimit të Parë. Ai mendoi se kjo mund të kishte kuptimin që Jozef Smithi e sajoi përvojën e tij.
Unë e vura në kontakt Stivenin me një burrë i cili kishte bërë hulumtime për këto katër variante disa dekada më parë. Stiveni e takoi studiuesin. Herën tjetër që fola me Stivenin, i thashë: “Pra, si ndihesh për Vegimin e Parë?”
Ai tha: “Epo, ndihem shumë mirë për atë sepse kam marrë përgjigje për pyetjet e mia. Ajo nuk më shqetëson më. Por tani jam vërtet i shqetësuar për poligaminë që u ushtrua në Navu dhe pas Manifestit në vitin 1890. Kjo po më trazon vërtet.”
I kërkova Stivenit të takohej me dikë që kishte hulumtuar për këto tema në burime kryesore të besueshme. Pas atij diskutimi, u vura në kontakt me Stivenin dhe e pyeta si po ia kalonte.
Ai tha: “Epo, ajo nuk më shqetëson më. E kuptova se çfarë ka ndodhur dhe shqetësimet e mia u tretën. Por tani jam vërtet i shqetësuar që për një kohë priftëria nuk iu dha njerëzve me prejardhje afrikane.”
Motra Ruth L. Renland: Për fat të keq Stiveni kishte zgjedhur të ishte një dyshues i përhershëm. Atë e kënaqte më shumë dyshimi sesa njohuria9dhe ai po gërmonte me dyshim atë që kishte mbjellë me besim.10Me kalimin e kohës, teksa një shqetësim tretej, ai gjente një tjetër. Pavarësisht se sa shumë cilido të përpiqej t’i shtjellonte dhe t’u përgjigjej këtyre pyetjeve, ai gjente një temë tjetër për të cilën ishte në ankth. Ai përqendrohej te dëmtimet e barkës në vend të kapacitetit të barkës për ta çuar atë drejt bekimeve të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ajo çfarë po bënte Stiveni, ishte një formë e lojës “godite urithin në historinë e Kishës”. Ju e dini, si loja e fëmijëve, kur një urith del prej fushës me vrima dhe sa e godet atë një tjetër del në një vrimë tjetër të fushës.
Ndërsa një informacion intelektual i mëtejshëm mund ta zgjidhë përkohësisht një shqetësim intelektual, informacioni i mëtejshëm nuk është zgjidhje e plotë sepse, siç u shkroi Pali korintasve: “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”11Nevojitet gjithashtu besimi në Jezu Krisht dhe një dëshmi që vjen nga Shpirti.
Shumë njerëz që kanë pasur pyetje, që kanë pasur dyshime në mendjen e tyre dhe kanë pasur vështirësi për ta gjetur forcën e tyre shpirtërore, prapëseprapë kanë qëndruar besnikë dhe në shtegun e besëlidhjes. Shpesh, ndërsa janë lutur, ata kanë marrë një përgjigje që Plaku Nill L. Andersoni e mori dekada më parë kur e pyeti veten a ishte i përgatitur siç duhej për të hyrë në fushën e misionit. Ndërsa përgatitej, i erdhi ndjesia: “Ti nuk di çdo gjë, por ti di mjaftueshëm!”12Herë-herë – në fakt shpesh – përgjigja e Zotit do të jetë: “Ti di mjaftueshëm aq sa të qëndrosh në shtegun e besëlidhjes dhe të zbatosh urdhërimet e Mia.”
Kur Nefin e pyetën nëse e dinte se cili ishte denjimi i Perëndisë, ai tha: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave”13. Ai dinte mjaftueshëm. Në këtë jetë, nuk do ta dimë kurrë kuptimin e të gjitha gjërave, por ne dimë mjaftueshëm. Fatet tona varen nga ushtrimi i besimit embrional që do të rritet ndërsa veprojmë me besim.
Plaku Dejll G. Renland: Dyshimi nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pararendësi i besimit ashtu siç drita nuk varet nga errësira për t’u krijuar. Teksa Pjetri po fundosej në ujë pasi u përpoq të ecte mbi të, atij nuk i thanë: “Oh Pjetër, ah sikur të kishe më shumë dyshim!” Jo, atij i thanë: “O njeri besimpak, pse dyshove?”14
Në librin Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin], shpjegohen ndryshimet mes besimit dhe dyshimit: “Atje ku janë dyshimi dhe pasiguria … besimi nuk është dhe as mund të jetë. Sepse dyshimi dhe besimi nuk ekzistojnë në të njëjtin njeri në të njëjtën kohë; … njerëzit, mendja e të cilëve është me dyshime dhe frikë, nuk mund të kenë vetëbesim të patundur; dhe atje ku nuk është vetëbesimi i patundur, atje besimi është i dobët; dhe atje ku besimi është i dobët, njerëzit nuk do të jenë në gjendje të luftojnë kundër gjithë kundërshtimeve, vuajtjeve dhe mundimeve të cilat do t’ju duhet t’i hasin në mënyrë që të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin Jezus; dhe ata do të bëhen të dobët në mendjen e tyre dhe kundërshtari do të ketë fuqi mbi ta dhe do t’i shkatërrojë ata”15.
Kjo është ajo që i ndodhi Stivenit. Ai i la dyshimin dhe pasigurinë që t’ia pushtonin mendjen. Teksa koha kalonte, ai nuk e kishte forcën të përballej me sfidat që has individi si anëtar i Kishës. Ai u bë i dobët në mendjen e tij dhe besimi i tij u zhduk.
Motra Ruth L. Renland: Të kesh pyetje mbi Kishën dhe doktrinat e saj është normale dhe rrënja e të mësuarit të ungjillit. Jozef Smithi e kuptoi këtë kur lexoi: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”16.
Por fragmenti vazhdon: “Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar”17.
Me fjalë të tjera, pyeteni Perëndinë, pa dyshuar që Ai mund t’ju japë përgjigje. Fragmenti vazhdon: “Sepse ai që dyshon [ose lëkundet] i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta”18.
Për ta marrë atë lloj përgjigjeje që kërkoi Jozef Smithi, për ta marrë atë lloj përgjigjeje që e dëshirojmë fort, na duhet t’i qasemi Perëndisë me një zemër besuese dhe një mendje që dëshiron që gjërat e Perëndisë të na bëhen të njohura neve.
Plaku Dejll G. Renland: E kemi për zemër një pohim të bërë nga Plaku Xhon A. Uidsou, një Apostull i hershëm në këtë periudhë ungjillore. Do ta perifrazoj atë që ai e tha. Dyshimi, po të mos shndërrohet në kërkim nga burimet e sakta e të besueshme, nuk ka vlerë ose të mirë në botë. Dyshuesi i amullt, dikush i kënaqur me veten, jo i gatshëm për ta bërë përpjekjen e duhur, për ta paguar çmimin e zbulimit hyjnor, në mënyrë të pashmangshme arrin te mosbesimi dhe errësira. Dyshimet e tij rriten si kërpudha helmuese në hijet e errëta të dhomave të tij mendore dhe shpirtërore. Së fundi, i verbër ashtu si urithi në strofkën e vet, ai zakonisht e zëvendëson arsyen me qesharaken, përtacinë me punën dhe bëhet një studiues dembel. Dyshimi nuk është gabim po të mos bëhet një qëllim në vetvete. Ai dyshim që e ushqen veten dhe rritet me veten, dhe shton më shumë dyshim, është i lig”19.
Fjalët e Plakut Uidsou janë ende të vërteta. Dyshimi i amullt nuk çon drejt njohjes së realitetit të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij; ai nuk çon te njohja vërtet se ne kemi një Atë të mirë e të dashur Qiellor që krijoi planin e madh të shpëtimit. Ne mund të arrijmë ta dimë të vërtetën e kësaj pune të ditëve të mëvonshme, por për këtë duhet që të zgjedhim besim, jo dyshim, dhe që të shkojmë te burimet e sakta e të besueshme për përgjigjet tona.
Motra Ruth L. Renland: Edhe Alma foli për këtë parim. Ai tha: “Dhe prandaj, ai që do të ngurtësojë zemrën e tij, po, ai do të marrë pjesën më të vogël të fjalës; dhe ai që nuk do ta ngurtësojë zemrën, atij i jepet pjesa më e madhe e fjalës, derisa t’i jepet të dijë misteret e Perëndisë, derisa t’i dijë plotësisht. Dhe ata që do të ngurtësojnë zemrat e tyre, atyre do t’u jepet pjesa më e vogël e fjalës, derisa ata të mos dinë asgjë në lidhje me misteret e tij; dhe atëherë do të bëhen robër të djallit dhe do të udhëhiqen nga vullneti i tij deri në shkatërrim”20.
A do të kërkonit këshillë financiare nga dikush që është trokë dhe me borxhe?
Plaku Dejll G. Renland: A do të kërkonit këshillë mjekësore nga një matrapaz që jua shet helmin për melhem?
Motra Ruth L. Renland: Nga kush do të merrnit këshillë për mënyrën se si të përmirësoni goditjet ballore në tenis – nga një amator apo nga Roxher Federeri?
Plaku Dejll G. Renland: Kështu që përse do t’ia besonit mirëqenien tuaj të përjetshme atyre që janë të shteruar shpirtërisht për shkak se e kanë shkulur me dyshim atë që dikur e mbollën në besim21ose të cilët, siç tha Jeremia, e “ka[në] braktisur [Krishtin], burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin?”22Këta individë janë larguar nga burimi i ujit të gjallë dhe duan që ju t’i mirëbesoni diçkaje që nuk mban ujë.
Motra Ruth L. Renland: Motra dhe vëllezër, ju mund ta dini se ka një Krisht të Gjallë.23Leximi në faqet vetjake në internet nuk mund ta zëvendësojë studimin e shkrimeve të shenjta dhe leximin e fjalëve të profetëve dhe apostujve. Kujdesuni për besimin tuaj duke kërkuar burime të besueshme për të gjetur përgjigje për pyetjet tuaja.
Plaku Dejll G. Renland: Kur përpiqemi të përcaktojmë a është e vërtetë diçka ose jo, profeti Mormon na jep një model për ta ndjekur:
“Prandaj, të gjitha gjërat që janë të mira vijnë nga Perëndia dhe ajo që është e ligë vjen nga djalli; …
Por vini re, ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë; prandaj çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia.
… ju është dhënë juve të gjykoni, kështu që mund të dini të mirën nga e liga; dhe mënyra për të gjykuar, që të mund të dini me njohuri të përkryer, është aq e qartë, sa është të dallosh dritën e ditës nga errësira e natës.
“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia.
Por, çdo gjë që i bind njerëzit të bëjnë keq dhe të mos besojnë në Krisht, dhe ta mohojnë atë, dhe të mos i shërbejnë Perëndisë, atëherë ju mund ta dini me një njohuri të përsosur se ajo është e djallit.”24
Pra, është e thjeshtë. Nëse një zgjedhje ju çon të bëni mirë dhe të besoni në Krisht, ajo është nga Perëndia. Nëse zgjedhja ju nxit të bëni të ligën dhe ta mohoni Krishtin, ajo është nga djalli. Teksa shkoni në shtegun e besëlidhjes, ju mund ta dini se ato gjëra që ju shpërqendrojnë nga ai shteg, që ju bindin të mos besoni në Krisht, janë të gabuara. Ato gjëra që ju bindin të besoni në Perëndi, ta doni Atë dhe t’i mbani urdhërimet e Tij, janë nga Perëndia. Ju do të humbisni ngjarje shpirtërisht të rëndësishme nëse zgjidhni dyshimin këmbëngulës, të ushqyer me përgjigje nga burime laike dhe jo besnike.25
Motra Ruth L. Renland: Duke u kthyer te shëmbëlltyra jonë, ata që zgjedhin të qëndrojnë në barkën shumë të përdorur, me dëmtime, me bojën e hequr, janë ata që e kuptojnë se barka i shpëtoi nga mbytja dhe që mund t’i çojë të sigurt në breg. Me fjalë të tjera ata futen në shtegun e besëlidhjeve dhe qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Pastaj, teksa durojnë deri në fund, shtrihet premtimi i jetës së përjetshme. Kjo është dhurata më e madhe që mund të japë Perëndia. Nëpërmjet këtij procesi ndodh që ne arrijmë ta njohim Jezu Krishtin, të dimë për realitetin e Tij të gjallë dhe të dimë për dashurinë dhe dhembshurinë e Tij.
Doktrina e Besëlidhje thotë: “Disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës. Të tjerëve u jepet të besojnë në fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë”26. Vini re se shpërblimi është i njëjtë qoftë nëse e dini apo e besoni – jeta e përjetshme për besnikët.
Plaku Dejll G. Renland: Në prill të vitit 2009, unë u mbështeta si Autoritet i Përgjithshëm në Kishë. Në tetor të vitit 2009, më kërkuan të flas në konferencën e përgjithshme. Isha në ankth nëse im atë do të ishte në gjendje ta dëgjonte konferencën. Ai kishte punuar shumë si marangoz dhe ndërtues gjatë gjithë jetës së tij dhe, në moshën 92 vjeç, kishte probleme të rënda me shpinën. Ai nuk ishte në gjendje të vinte në Qendrën e Konferencave. Kështu, një nga motrat e mia siguroi që ai të mund ta shihte sesionin në televizor në shtëpinë e tij në Solt‑Lejk‑Siti.
Pas konferencës, shkova në shtëpinë e tij që ta shihja se çfarë mendonte për bisedën time. Ai ishte një burrë që kishte shumë pak fjalë dhe nuk i jepte lehtë përgëzimet.
I thashë: “Babi, a e pe konferencën?”
Ai tha: “Po”.
I thashë: “Babi, a e dëgjove bisedën time?”
Ai tha: “Po”.
I thashë: “Epo, babi, si mendon?”
Ai tha: “Oh, ishte mirë. Unë isha thuajse krenar.”
Por më pas mësova se ai ishte pak i shpërqendruar atë mbrëmje sepse dëshpërimisht dëshironte të më tregonte një ëndërr që e kishte parë një natë më parë. Ai nuk ishte njeri ëndërrimtar. Ai nuk kishte pasur asnjëherë mendime të çuditshme. Nuk kam mësuar kurrë që ai të ketë thënë një gënjeshtër. Ai gjithmonë kishte qenë i ndershëm në mënyrë të vrazhdë dhe pa takt. Ai tha: “Pashë ëndërr që vdiqa dhe pashë Shpëtimtarin, Jezu Krishtin. Ai më mori në krahët e Tij dhe më tha se mëkatet e mia më ishin falur. Dhe Dejll, u ndjeva kaq mirë.” Kjo ishte gjithçka që ai tha dhe u përmbajta e nuk pyeta më tej. Ai vdiq dy muaj më vonë ndërsa Ruthi dhe unë ishim në Madagaskar.
Babi im, pas bashkimit me Kishën në Larsmo të Finlandës, në moshën 24 vjeç, e jetoi të gjithë jetën e tij në përputhje me dritën dhe njohurinë që kishte marrë. Ai bëri gjithmonë gjithçka që iu kërkua të bënte. Ai u bë njëri që u kualifikua për atë dhuratë të Shpirtit që ta dinte se Jezusi është Krishti dhe se u kryqëzua për mëkatet e botës dhe për mëkatet e atij vetë. Kualifikimi për këtë dhuratë nuk varet nga gjinia dhe nuk varet nga detyra në priftëri. Është premtimi shpërblyes ngaqë kemi zgjedhur besimin dhe kemi zgjedhur shtegun e besëlidhjes.27
Motra Ruth L. Renland: Pra, si mund ta zhvillojmë besimin dhe ta mbajmë të fortë atë? Kërkon pak mundim. A keni qenë ndonjëherë në orën e matematikës – le të themi algjebër – dhe shikuat se si profesori/esha e zgjidhi një problemë? A kaloi njohuria e tij apo e saj automatikisht te ju për shkak se e patë profesorin/eshën tek e gjente përgjigjen? Jo, fatkeqësisht. Për ta marrë njohurinë – të njëjtën njohuri që ka profesori/esha – ju nevojitet të punoni vetë me një problemë në algjebër, ju nevojitet të studioni dhe të punoni ushtrimet me problema derisa t’ia merrni dorën procesit, ekuacioneve dhe simboleve.
Në mënyrë të ngjashme, gjetja e besimit dhe forcimi i besimit kërkon punë. Ne mund të frymëzohemi nga dikush që ka besim të madh, por besimi i dikujt tjetër nuk na kalon neve gjatë procesit. Duhet t’i studiojmë vetë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Duhet të lutemi, të punojmë vërtet për komunikim me Atin Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit. Thelbësore janë marrja e sakramentit me denjësi çdo javë dhe të kujtuarit se sa i mëshirshëm ka qenë Perëndia me ne që na dha Birin e Tij për të shlyer për mëkatet tona. Këto vepra individuale, vetjake përkushtimi e ndërtojnë dhe e ruajnë besimin.
Plaku Dejll G. Renland: Përgjegjësia e parë që pata si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ishte që të shkoja e t’i thosha Sektorit të Historisë së Kishës se unë do ta zëvendësoja Plakun Xhefri R. Holland në rolin e këshilltarit në sektorin e tyre. Siç mund ta përfytyroni, pati “qarje dhe vajtime dhe kërcëllimë dhëmbësh”28 teksa morën vesh se këshilltari i tyre i dashur do të zëvendësohej. Menjëherë mbaruan shamitë prej letre.
Si pjesë e caktimit tim si këshilltar për Sektorin e Historisë së Kishës, i kam lexuar të gjitha vëllimet e materialit The Joseph Smith Papers.E kam lexuar gjithashtu vëllimin e parë dhe pjesën e parë të vëllimit të dytë të historisë së re treguese të Kishës, të titulluar Shenjtorët 29. Leximi i gjithçkaje që Jozef Smithi shkroi ndonjëherë ose që është raportuar se e ka thënë, thjesht e ka forcuar dëshminë time për rolin e tij si profet i zgjedhur nga Perëndia për ta rivendosur veprën e Tij në tokë.
Jozef Smithi ishte gjithnjë i vërtetë ndaj dëshmisë së tij. Ishte i qëndrueshëm. Ai u soll gjithnjë si dikush që vërtet i kishte parë Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin; Moronin; Gjon Pagëzorin, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin; Moisiun; Eliasin dhe Elijan. Ai veproi si dikush që i kishte zotëruar fletët e arta dhe i kishte përkthyer tekstet e lashta me anë të dhuratës dhe Fuqisë së Perëndisë. Ai veproi si dikush që kishte marrë zbulesë nga Jezu Krishti Vetë. Ai veproi si dikush që i kishte marrë autoritetin e priftërisë dhe çelësat e Apostullimit të shenjtë.
Unë e di me mënyra më të fuqishme dhe më të sigurta nga sa mund të dallojnë dhe shprehin pesë shqisat e mia, që Jozef Smithi e pa atë që ai tha se e pa, e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe se e mori priftërinë me çelësat e saj shoqëruese për shpëtimin e njerëzimit. E di se kjo është e vërtetë. E di se ata çelësa janë në tokë sot dhe se Presidenti Nelson është pasuesi legjitim i Jozef Smithit në tokë.
Ato që ne i konsiderojmë dëmtime dhe bojë të hequr në barkën shumë të përdorur, mund të dalë se janë sanksionuar hyjnisht dhe drejtuar hyjnisht nga një këndvështrim i përjetshëm. Zoti ose ka pasur gisht në dëmtimet dhe bojën e hequr, ose Ai i përdor ato për vetë qëllimet e Tij. Unë e di vetë se Zoti, Jezu Krishti, drejton punën e Tij në tokë sot. Shërbëtorët e Tij sot e njohin mirë Atë.
Motra Ruth L. Renland: Jam mirënjohëse të shtoj dëshminë time që e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Kur ne ushtrojmë besim, jo dyshim, në flijimin e Tij shlyes dhe në frytet e Shlyerjes së Tij jeta jonë bekohet përjetësisht. Jam mirënjohëse, që Ai rivendosi Kishën e Tij sot me të gjitha bekimet në dispozicion për fëmijët e Perëndisë në tokë.
Plaku Dejll G. Renland: Jezu Krishti jeton dhe është Shpëtimtari i botës. Unë dëshmoj për dhembshurinë, dashurinë dhe shqetësimin përkujdesës për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Dëshmoj për flijimin e Tij të pakrahasueshëm shlyes për ju dhe për mua. Teksa kam arritur ta njoh Shpëtimtarin, kam mësuar për dëshirën e Tij të madhe që të ndihmojë të shërohen plagë dhe të ndreqen zemra të thyera.
Unë lutem që bekimet më të çmuara të Perëndisë të jenë tuajat. Lutem që ju të zhvilloni besim në Jezu Krisht, që të “mos dyshoni, por [të] jini besues”30. Unë ju ftoj që ta rritni besimin tuaj në Krisht duke studiuar shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, duke u lutur dhe duke komunikuar me Atin Qiellor dhe duke u përgatitur vazhdimisht për sakramentin e për ta marrë atë denjësisht çdo javë. Perëndia do t’ju bekojë ndërsa përfshiheni në këto vepra individuale e vetjake përkushtimi dhe u shërbeni dhe u jepni shërbesë të tjerëve. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Varianti: 10/18. Përkthimi i “‘Doubt Not, but Be Believing.’” Albanian PD60007608 101