Takime Shpirtërore 2021
Udhëtimi i Institutit: Ta Çoni Veten në Institut apo T’Ju Çojë Instituti?


Udhëtimi i Institutit: Ta Çoni Veten në Institut apo T’Ju Çojë Instituti?

Nga një fjalim i mbajtur në Takimin Shpirtëror për të Rinjtë në Moshë Madhore të Zonave të Europës dhe Afrikës më 7 mars 2021.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, të rinj e të reja në moshë madhore, atje në këtë publik të gjerë virtual, është një privilegj shumë vetjak për mua që t’ju flas juve sonte në këtë mjedis të takimit shpirtëror. Një arsye përse jam kaq i kënaqur, është sepse veprimtaria e kësaj mbrëmjeje është financuar nga programi i Institutit të Fesë të Kishës e i kushtohet atij dhe është diçka “e para fare e këtij lloji”. Sonte, ne po bëjmë një përpjekje që të arrijmë shumë më përtej kufijve të mëparshëm.

Në të kaluarën, ishte zakon që një nga Autoritetet e Përgjithshme ose Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës të shkonte vetëm në një vendndodhje të institutit dhe t’ia përcillte mesazhin e tij apo të saj vetëm atij publiku. Epo, ajo mënyrë ishte e mirë kur Kisha ishte e vogël dhe institutet ishin të pakta. Por teksa Kisha dhe popullata jonë e Të Rinjve në Moshë Madhore janë rritur, na është dashur ta përdorim më efektshëm kohën e vëllezërve dhe motrave tona. Kështu, sonte, ne po japim mësim dhe po dëshmojmë jo vetëm për një vendndodhje të institutit, por duke përfituar prej teknologjisë, ne po transmetojmë ndoshta për një nga auditorët më të mëdhenj shuminstitutësh që kemi pasur ndonjëherë – nga Njukasëlli deri në Novosibirsk, nga Kopenhaga deri në Kejptaun. Të jesh pjesë e kësaj është emocionuese vërtet. Ju po shkruani historinë sonte.

Një tjetër privilegj vetjak sonte, është mundësia për të qenë me Peshkopin Zherald Kosé, Motrën Boni Kordën dhe Vëllanë Çad Ueb. Juve jua kanë paraqitur ata si udhëheqës në Kishë, por unë jua paraqit si miqtë e mi të dashur dhe shumë vetjakë.

Dhe së fundi, ky takim shpirtëror është i veçantë për mua për shkak se 55 vjet më parë unë mora diplomën në UBJ dhe fillova punën time të parë të vërtetë, të mirëfilltë dhe me kohë të plotë. Me atë që ishte ndoshta një hap mjaft i gabuar nga ana e tyre, administratorët në Sistemin Arsimor të Kishës më punësuan mua si mësues dhe drejtor instituti. E doja atë përvojë dhe i kam dashur programin e institutit dhe studentët e institutit që nga ajo kohë.

Tani, pikërisht që në nisje, dëshiroj ta bëj të qartë se që të katër ne nuk do t’ju shtyjmë me forcë që ju “të vini në institut” ose, siç thonë disa studentë “për ta frekuentuar institutin”. Ne nuk jemi rekrutues për atë program dhe të rinjtë në moshë madhore nuk kanë nevojë të ndiejnë se mbushja e klasave të institutit është qëllimi i këtij takimi shpirtëror, apo, po ashtu, qëllimi i vetë programit të institutit. Ju nuk ekzistoni që instituti të mund të bëhet një program i suksesshëm i Kishës. Jo, është e kundërta. Instituti ekziston që ju të mund të bëheni shenjtor i ditëve të mëvonshme i suksesshëm. Kështu që ne nuk do t’ju themi juve që ta çoni veten në institut, por do t’ju ftojmë ta lini institutin t’ju çojë. Vërtet, titulli i bisedës sime sonte është “Udhëtimi i Institutit: Ta Çoni Veten në Institut apo T’ju Çojë Instituti?” Dhe ku duhet t’ju çojë ai?

Epo, së pari dhe mbi të gjitha, ne duam që ai t’ju çojë më pranë Atit tuaj në Qiell, më pranë Birit të Tij, Jezu Krishtit, më pranë Frymës së Shenjtë. Nga përvoja jonë në detyra të ndryshme në mbarë botën, kemi ndjesinë se disa prej jush ndihen larg nga Perëndia, të shkëputur nga një ndjenjë vetjake për misionin dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të huaj në përvojat e përditshme me Frymën e Shenjtë dhe udhërrëfimin e Tij në jetën e tyre. Jo të gjithë ju ndiheni në këtë mënyrë, qartazi, por shumë prej jush po. Ky është një shqetësim për të gjithë ne sepse Vetë Shpëtimtari tha në deklaratën e Tij të shkëlqyer e plot lutje: “Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin [mua] që ti ke dërguar”1.

Pra udhëtimi i institutit nuk është thjesht një përvojë e këndshme shpirtërore apo një ngushëllim i vogël për një ditë shkurajuese. Jo, njohuria jonë për anëtarët e Kreut-Perëndi dhe marrëdhënia jonë me Ta është në thelb të kërkimit tonë për jetë të përjetshme. Kështu që një prej vendmbërritjeve ku mund t’ju çojë instituti, është ndërgjegjësimi i thellë, i fuqishëm, mahnitës që lumturia juaj, siguria juaj, paqja juaj e mendjes dhe përfundimisht shpëtimi juaj është në thelbin e çdo gjëje që bëjnë këto qenie të Perëndishme. Tani, nuk dua të them thjesht disa gjëra që ata bëjnë, dua të them gjithçka që ata bëjnë. Gjithçka që bëjnë Perëndia, Krishti dhe Fryma e Shenjtë, pa përmendur engjëjt e qiellit [që janë] nën urdhrat e tyre, ka të bëjë diçka me dhënien ndaj jush të shpresave dhe ëndrrave tuaja dhe jetës suaj të përjetshme. Nëse diçka nuk kontribuon për lumturinë dhe përparimin tuaj, ata nuk e bëjnë. Si mund ta dini atë? Epo, ju do ta dini atë në një orë mësimore instituti që “ju çon” te fjala e Perëndisë. Në këtë rast, ndoshta mund t’ju çojë te Libri i Mormonit.

Teksa Profeti Nefi shkoi gjithnjë e më pranë fundit të jetës së tij, predikimet dhe mësimet e tij u bënë më të guximshme dhe, për mua, më të bukura. Shkrimet e tij përbëjnë 117 faqet e para të Librit të Mormonit, siç e kemi tani në botimin anglisht, por ju lutem vini re 20 faqet përmbyllëse të atij materiali, faqet që përbëjnë dëshminë e tij të fundit. Atje ai shkruan për ne këtë të vërtetë të thjeshtë, që është në thelb të besimit të tij: “Unë po ju them se Zoti Perëndi … nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës2.

Çfarë deklarimi i thjeshtë fare, por çfarë ngushëllimi i fuqishëm kur ne e kuptojmë që ju dhe unë jemi bota e Tij! Ai varg, bashkë me shumë fragmente të tjera nga shkrimi i shenjtë, më thotë mua që ne jemi përparësia më e lartë e Perëndisë, që vetë qëllimi i Tij – puna e Tij – është të na bekojë. Si i tillë, Ai tani nuk na ka braktisur, as harruar dhe as ka hequr dorë nga ne dhe as do ta bëjë ndonjëherë. Dhe kjo dashuri, ky kujdes për ne, është i pafund. Mormoni dha mësim: “Ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë3. Përherë. Pavarësisht nga fakti se Ai ka një univers për ta administruar – planetët për t’i mbajtur në orbitat e tyre, sistemet diellore për t’i mbajtur që të mos digjen, yjet pa numër që Ai megjithatë i numëron dhe emrat e të cilëve Ai i njeh, dhe të gjitha ato lule për t’i rritur në pranverë – a ka nevojë të vazhdoj më tej? A ka nevojë që të përvijoj gjithë punën dhe përgjegjësitë, dhe detyrat që ka Perëndia, me qëllim që të tregoj se e gjitha ajo është e drejtuar ndaj nesh, por dytësore ndaj nesh, fëmijët tanë, fëmijët e Tij – dhe që tërheqja, nxitja e dashurisë së Tij për të mirën tonë, lumturinë tonë, shpëtimin tonë – është e vazhdueshme?

“Kjo është vepra ime dhe lavdia ime”, tha Ai, “të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”4

“Ai nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e [fëmijëve të Tij].”5

“Ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë.”6

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin.”7

Epo, mund të vazhdonim. Programi i institutit i kushtohet sjelljes suaj më pranë një të kuptuari të atij lloji besnik, të besueshëm, të pandryshueshëm Perëndie.

Këta shembuj që sapo përdora nga shkrimet e shenjta, sugjerojnë një udhëtim të këndshëm në të cilin mund t’ju çojë një orë mësimore instituti. Është që të udhëtoni nëpër shkrimet e shenjta dhe të gjeni mrekullinë që është atje. Një nga përvojat e mia të shumta shpirtërore me shkrimet e shenjta ishte ditën kur studiova seksionin 5 te Doktrina e Besëlidhje në një orë mësimore në UBJ. (Ndodh që Doktrina e Besëlidhje të jetë kursi i programit Eja Më Ndiq që po ndjekim këtë vit.)

Në këtë seksion të shkrimit të shenjtë, Zoti po i jep udhëzim Jozef Smithit për nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit ndaj publikut. Jozefi është vetëm 23 vjeç, pikërisht në moshën e disave prej jush. Ai i kishte pasur në zotërim fletët e arta për pothuajse 18 muaj, por ai kishte qenë i rrethuar me kaq shumë sfida dhe kishte hasur kaq shumë pengesa, saqë nuk kishte qenë në gjendje të bënte ndonjë përkthim të rëndësishëm.

Për më tepër, ai duhet të ketë pasur kaq shumë gjëra në mendje të cilat e dinte se ende pritej që t’i bënte. Thjesht mendoni se çfarë përfshihej në rivendosjen e çdo gjëje që i përkiste Mbretërisë së Perëndisë. Ai duhej të ishte vepruesi për rivendosjen e vetë Kishës me apostujt e saj dhe profetët, drejtuesit dhe priftëritë. Ai do të merrte zbulesë lidhur me të dhjetën dhe misionet, Fjalën e Urtësisë dhe qeverisjen e Kishës. Atij i duhej të jepte mësim parimet e mbështetjes te vetja, të organizonte Shoqatën e Ndihmës, të ndërtonte tempuj. Atij i duhej të bënte plane për Jerusalemin e Ri dhe për të dërguar misionarë në të katër anët e tokës. Ai kishte gjithë këtë për të bërë dhe, siç rezulton, nuk do të jetonte për shumë kohë gjatë përpjekjes për ta bërë atë. Por sidoqoftë, të gjitha këto dhe shumë të tjera shtriheshin para tij në pranverën e vitit 1829.

Por ja çfarë tha Zoti:

“[Jozef] ti ke dhunti për të përkthyer fletët; dhe kjo është dhuntia e parë që të dhurova; dhe unë të kam urdhëruar që ti duhet të mos kërkosh asnjë dhunti tjetër derisa qëllimi im të përmbushet lidhur me këtë; pasi unë nuk do të të jap asnjë dhunti tjetër derisa ajo të mbarohet”8.

Mund ta kujtoj kur e studiuam atë varg të shkrimit të shenjtë në orën time të mësimit të fesë. E kuptova, pothuajse për herë të parë, se sa me të vërtetë thelbësor ishte shkrimi i shenjtë për Atin tonë në Qiell dhe për Rivendosjen e ungjillit, dhe për ne në jetën tonë të përditshme. Mesazhi i seksionit 5 është se, pavarësisht nga gjithçka që shtrihej përpara Jozefit për ta përmbushur, ai nuk duhej të bënte asgjë – ai nuk duhej të ndiqte asnjë dhunti tjetër – derisa mbaroi përkthimin e Librit të Mormonit dhe ia ofroi botës atë dëshmi madhështore të shkrimit të shenjtë për Krishtin. Gjërat parësore duhet të ishin në fillim dhe shkrimet e shenjta duhet të ishin të parat nga detyrat e Jozefit. Atëherë dhe vetëm atëherë ai duhej të ndërmerrte detyrat e tjera që e prisnin. Nuk mund të kishte pasur Rivendosje të suksesshme ose organizim të Kishës pa themelin e këtij shkrimi të shenjtë të zbuluar. Me po atë frymë, jeta jonë nuk mund të shkojë përpara në kursin e këshilluar pa një themel të shkrimit të shenjtë mbi të cilin të përparohet dhe të ndërtohet. Kjo është ajo çfarë mund të japë një orë mësimore instituti. Ky është vendi ku ajo mund “t’ju çojë”.

Studimi i shkrimeve të shenjta siguron një përgatitje vendimtare për një udhëtim tjetër të rëndësishëm që shumë prej jush duhet të ndërmarrin. Ne shpresojmë që çdo djalë i ri, i aftë, në moshë madhore dhe po aq gra në moshë madhore sa zgjedhin, do të shërbejnë në një mision kohëplotë. Por përpara se të bëni [misionin], ju nevojitet – ju duhet – t’i studioni dhe t’i doni shkrimet e shenjta. Kjo është çfarë i mësoi Zoti Hajrëm Smithit kur ai dëshironte të shkonte në mision, madje përpara se Kisha të organizohej zyrtarisht. Vetëm dy muaj pasi Zoti i tha Jozefit t’ia jepte përparësinë e tij më të lartë përkthimit të Librit të Mormonit, Ai i dha këtë zbulesë vëllait më të madh, të mrekullueshëm e besnik të Profetit. Vini re rolin që luajnë shkrimet e shenjta në sjelljen e fuqisë te mësimdhënia e një misionari.

Dhe unë citoj: “Vër re, fusha është e bardhë gati për t’u korrur; si rrjedhim, kushdo që dëshiron të korrë le ta shtyjë drapërin e tij me gjithë fuqinë e tij …. dhe [të] kërko[jë] të sjellë… e të ngre[jë] kauzën e Sionit. Vër re, unë të urdhëroj që ti nuk ke nevojë të mendosh se je thirrur të predikosh [ende]. Prit pak më gjatë, derisa të kesh fjalën time, shkëmbin tim … dhe ungjillin tim, që të dish me siguri doktrinën time.”

“Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit.”9

Më kujtohet historia e Presidentit Hju B. Braun që po vizitonte një mision dikur. Gjatë kohës së konferencës, ai dëshironte të zhvillonin një mbledhje dëshmish. Njëri pas tjetrit, misionar pas misionari u ngritën dhe thanë: “Unë e di se ungjilli është i vërtetë”. Në mbyllje të mbledhjes, Presidenti Braun u ngrit dhe tha: “Jam mirënjohës që ju të gjithë ‘e dini se ungjilli është i vërtetë’, por jam duke pritur që një prej jush të thotë ‘unë e di ungjillin’. Atëherë do të më kishte lënë më tepër mbresë sesa kur ju thoni që e dini se është i vërtetë.”10

Sigurisht, ai po përpiqej t’u mësonte diçka atyre misionarëve. Ai po luante pjesën e një kërkuesi që po i dëgjonte mësimet e misionarëve për herë të parë. Ai donte që pleqtë [eldërat] dhe motrat [misionare] ta dinin se u duhej të kishin njëfarë zotërimi të arsyeshëm të doktrinës së Kishës përpara se dëshmia e tyre për doktrinën të mund të kishte shumë ndikim. Kjo është ende po aq e vërtetë sot për të gjithë ju misionarë dhe misionarë të ardhshëm sa ishte për Hajrëm Smithin. Njihini shkrimet e shenjta. Atëherë Shpirti do t’ju ndihmojë në dhënien mësim me “fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit”11. Çfarë formule e shkëlqyer për sukses misionar! Dhe për të gjithë ju që tashmë keni shërbyer në misionet tuaja, vazhdoni të mbani një mendësi si misionar. Zhytuni në shkrimet e shenjta. Qëndroni në formë për zotërimin e tyre në një klasë instituti. Ne kemi nevojë që ju t’i jepni mësim dhe të dëshmoni për to gjithë pjesën e mbetur të jetës suaj.

Më lejoni t’ju tregoj një udhëtim përmbyllës në të cilin mund t’ju çojnë veprat standarde dhe një klasë instituti. Është një udhëtim për të dëgjuar zërin e Zotit, një përvojë për të cilën ne të gjithë sigurisht që jemi të etur. Dëgjojeni këtë doktrinë.

Pas një zbulese të hershme që do të bëhej seksioni 18 te Doktrina e Besëlidhje, dhënë pikërisht përpara se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni të vinin për të rivendosur Priftërinë Melkizedeke, Zoti thotë për këto zbulesa që tani po shkruheshin dhe po përmblidheshin:

“Këto fjalë nuk janë prej njerëzve, as prej njeriut, por prej meje; …

Pasi është zëri im që jua thotë ato; pasi ato ju jepen me anë të Shpirtit tim dhe me anë të fuqisë sime ju mund t’ia lexoni ato njëri‑tjetrit; dhe nëse nuk është me anë të fuqisë sime, ju nuk mund t’i keni ato;

Prandaj”, – tani dëgjoni, “Prandaj, ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia.”12

T’ia lexoni shkrimet e shenjta “njëri‑tjetrit”? Mua më duket si një klasë instituti. Por qoftë nëse është një orë mësimore ose një mbledhje sakramenti, një konferencë kunji ose kohë studimi vetjak, kur i lexojmë ose dëgjojmë shkrimet e shenjta, ne po dëgjojmë zërin e Perëndisë dhe ajo është një gjë e veçantë, e shenjtë. Ai është një udhëtim që ia vlen ta ndërmarrim.

Lejoni që një klasë instituti të ndihmojë për ta siguruar atë. Tani, miqtë e mi të dashur e të rinj në moshë, ju keni një punë të madhe për të bërë. Ju, ashtu si Esteri, keni lindur pikërisht për një kohë të tillë si kjo. Mos kini frikë dhe mos u shkurajoni. Perëndia do të jetë me ju në udhëtimin tuaj gjithmonë. Thjesht sigurohuni që ta merrni Atë dhe fjalën e Tij me vete. Lutuni gjithmonë që ta dëgjoni zërin e Tij në ato shkrime të shenjta.

Unë do të kem një mundësi për të dhënë dëshminë time teksa e mbyllim këtë mbledhje, por më lejoni ta them këtu që unë i dua shkrimet e shenjta dhe vras mendjen se ku do të më kishte çuar pa to udhëtimi im në jetë. Unë e di se Jezusi është Krishti dhe unë e di se ungjilli është i vërtetë – e di të paktën pjesërisht për shkak të shkrimeve të shenjta dhe për shkak të përvojave në orët mësimore si ato të ofruara nga institutet e fesë. Mund të them: “Unë e di se Jezusi është Krishti dhe ungjilli është i vërtetë”, sepse mund të them “unë e njoh Jezu Krishtin dhe unë e njoh ungjillin” – të paktën po filloj t’i njoh dhe ai është privilegji i një jete të tërë. Ju ftoj të ndërmerrni të njëjtin udhëtim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.