2022
Këngët dhe Flluskat e Sapunit
Janar/Shkurt 2022


Këngët dhe Flluskat e Sapunit

Elisa qeshi nën hundë kur mendoi rreth Presidentit Kimball duke kënduar me një lopë.

girl washing dishes

Elisa derdhi një lugë të madhe me makarona në tasin e vëllait të saj. I donte vëllezërit dhe motrat e saj më të vogla – që të pestë! Ndihej mirë kur i ndihmonte. Por nganjëherë qe e vështirë të ishte më e madhja. Që kur foshnja e sapolindur erdhi në shtëpi, asaj i duhej të ndihmonte edhe më shumë. Sa shumë gjëra po ndodhnin në shtëpinë e saj!

“Çfarë mësuat sot në kishë?” – pyeti babi.

“Jezusin!” – tha Sara, motra e vogël e Elisës. Ajo e leu me reçel molle pjatën e vet.

Elisa buzëqeshi. Sara ishte mjaft e këndshme. Por edhe shumë e çrregullt.

“Unë mësova rreth Presidentit Kimball … , - filloi të thotë Elisa. Por pastaj mami thirri nga dhoma tjetër. I nevojitej ndihma e babit me foshnjën.

“Më falni”, – tha babi. “Kthehem shpejt.”

Ndërkohë që babi ndihmonte mamin, Elisa ndihmoi gjithë të tjerët. Eriku derdhi gotën me qumësht. Elisa e pastroi. Sara filloi të qante. Elisa e përqafoi. Klara donte prapë makarona. Elisa ia dha.

Edhe kur u kthye babi, kuzhina ishte akoma plot zhurmë dhe rrëmujë. Elisa dëshironte që të ishte më e lehtë për t’u ndier në paqe.

Më në fund dreka mbaroi. Elisa i ndihmoi vëllanë dhe motrat që t’i çonin pjatat në lavaman. Elisa ishte aq e madhe sa të mos i thyente gjërat. Prandaj kishte si detyrë të lante enët. E mbushi lavamanin me ujë me sapun.

Sikur të mos më duhej kurrë të bëja punë shtëpie, - mendoi Elisa. Atëherë iu kujtua ajo që kishte mësuar në Fillore rreth Presidentit Spenser W. Kimball. Kur ishte i vogël, edhe atij i duhej të bënte punë shtëpie. Ai këndonte himne kur milte lopën.

Elisa përfytyroi Presidentin Kimball duke kënduar një duet me një lopë. Qeshi nën hundë.

Atëherë pati një ide. Mund të ishte si profeti! Mori librin e himneve dhe e hapi te himni i parë.

I duhej ta mbante të hapur disi. Elisa e vendosi librin te parvazi i dritares. E futi njërin cep të librit prapa një vazoje lulesh. Pastaj e futi cepin tjetër prapa një gote të rëndë. Tani mund ta shihte teksa punonte.

hymnbook propped up on windowsill

Ndërkohë që fërkonte tasat, gotat dhe lugët, ajo këndonte himnin. Flluskat e ngrohta të sapunit i jepnin një ndjesi të mirë në duar. Dhe kënga ia lumturoi zemrën.

Të nesërmen Elisa këndoi sërish. Dhe ditën më pas. Ajo përpiqej të kujtonte fjalët e secilit himn. Më pas vazhdonte me himnin tjetër. Elisa mësoi edhe dy himne të reja. Ajo kishte marrë mësime pianoje për pak vite. Kur nuk e dinte një himn, ajo i mësonte notat në piano.

Shpejt Elisa nuk mërzitej që po lante kaq shumë enë. Nganjëherë madje i pëlqente disi! Ishte e këndshme të këndonte dhe të mendonte rreth Jezusit. Të mësuarit e secilit himn të ri ishte sikur të bënte një shok të ri. Pavarësisht se sa e zhurmshme bëhej jeta përreth saj, himnet e ndihmonin të ndiente paqe.

Page from the January 2022 Friend Magazine.

Ilustrimet nga Erin Tayjlor