“Patriarkët: Kush Ishin Ata dhe Përse Kjo Ka Rëndësi”, Për Forcën e Rinisë, Shkurt 2022
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Shkurt 2022
Patriarkët
Kush Ishin Ata dhe Përse Kjo Ka Rëndësi
Ndofta keni dëgjuar për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Lexojmë shpesh për ta në Librin e Mormonit dhe me siguri do të dëgjoni më shumë rreth tyre ndërsa studioni Dhiatën e Vjetër këtë vit. Me kaq shumë rëndësi që u kushtohet atyre, duhet të jenë mjaft të rëndësishëm, apo jo? Por mund të jeni duke pyetur veten: “Përse tre burra që jetuan mijëra vjet më parë, kanë rëndësi sot?” Epo, çelësi për atë përgjigje qëndron te besëlidhjet e përjetshme dhe bekimet e premtuara që Perëndia u dha atyre.
Abrahami
Abrahami ishte një profet i madh. Ai ishte i drejtë dhe i bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë.
Ai u pagëzua, mori priftërinë dhe u vulos për përjetësinë me bashkëshorten e tij, Sarën.
Perëndia bëri një besëlidhje me Abrahamin se pasardhësit e tij do të ishin të madhërishëm dhe do të kishin të njëjtat bekimet që kishte marrë ai.
Ata do ta çonin plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit te kombet e tokës.
Isaku
Isaku ishte biri i Abrahamit dhe Sarës.
Perëndia i tha Abrahamit që ta sakrifikonte Isakun. Abrahami e donte Isakun, por zgjodhi që t’i bindej Perëndisë. Pikërisht para se Abrahami ta flijonte Isakun, një engjëll i tha Abrahamit të ndalonte. Gatishmëria e Abrahamit dhe Isakut për t’iu bindur Perëndisë është simbolikë e Shlyerjes së Birit të Vetëmlindur të Perëndisë.
Isakut iu premtuan po ato bekime si Abrahamit.
Jakobi
Ashtu si babai dhe gjyshi i tij, Jakobi ishte besnik ndaj Perëndisë.
Për shkak të besnikërisë së tij, Zoti e ndryshoi emrin e Jakobit në Izrael, që do të thotë “dikush që triumfon me Perëndinë” ose “Perëndia le të triumfojë” (shih Bible Dictionary, “Israel”).
Jakobi pati 12 bij. Këta bij dhe familjet e tyre u njohën si fiset e Izraelit.
Besëlidhja që Perëndia bëri me Abrahamin, u ripërtëri me Jakobin dhe fëmijët e tij.
Patriarkët dhe Ti
Si anëtar/e i/e Kishës, je pjesë e pasardhësve të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Besëlidhja që ata bënë me Perëndinë, gjen zbatim edhe për ty!
Ti ke bekimin dhe përgjegjësinë për të dhënë dëshminë tënde për Shpëtimtarin dhe për ta përhapur ungjillin.
Ti gjithashtu je thirrur për t’i ftuar të gjithë që t’i bëjnë dhe mbajnë besëlidhjet dhe të marrin ordinancat e priftërisë. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë se e gjitha kjo është pjesë e mbledhjes së Izraelit, që “është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot” (“Shpresa e Izraelit”, [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], f. 4, ChurchofJesusChrist.org).
© 2022 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, February 2022. Albanian. 18344 101