Për Forcën e Rinisë
Dishepulli Dishepullit
Janar 2024


“Dishepulli Dishepullit”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.

Tema e Rinisë për Vitin 2024

Dishepulli Dishepullit

Si mund të jesh një dishepull i Jezu Krishtit? Është më e thjeshtë nga sa mund ta mendosh. Hidhu një sy këtyre shembujve që të rinjtë tregojnë për dishepujt në jetën e tyre.

të rinj

Kajlër C., 13 vjeç

Nga Guajasi, Ekuador. I pëlqen të luajë basketboll dhe t’i bjerë violinës.

Dy nga shokët e mi nga kisha, Eriku dhe Majku, më kanë mësuar për rëndësinë e të qenit një dishepull i Jezu Krishtit. Shembulli i tyre më ka ndihmuar të kem më shumë dëshirë për të shërbyer në një mision. Tani jam i ngazëllyer që të flas rreth Jezu Krishtit me njerëzit në nevojë.

Shokët e mi janë gjithashtu shembuj të mirë të Krishtit nga mënyra se si flasin. Ata më kanë treguar shumë përvoja rreth ndjekjes së Jezu Krishtit, gjë që më ka nxitur të afrohem më pranë Tij. Për shembull, shoku im më ka mësuar se kur kemi një pyetje, mund të pyesim Perëndinë. Dhe si ta dimë se kur Ai është përgjigjur? Do ta dimë brenda në zemër. Ai është Shpirti që na thotë se Perëndia po na flet dhe se po zgjedhim shtegun e duhur. 

e re dhe i ri

Ajotunde Rafael A., 15 vjeç

Nga Ojo, Nigeri. I pëlqen vallëzimi, sportet dhe të japë mësim bashkë me misionarët.

Shoqja ime Eva (shkurtim i Evalua) është për mua një shembull i dishepullit të Krishtit. Një herë me fyeu dhe u inatosa me të. Më pas më kërkoi falje. Përmes atij procesi mësova përulësinë dhe faljen. Ajo ishte kaq e përulur kur kërkoi falje dhe e fala.

Për mua, të jesh dishepull i Jezu Krishtit është të zbatosh urdhërimet e Atit Qiellor, të duash Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të kujdesesh më shumë për të tjerët.

i ri

Gabriel A., 12 vjeç

Nga Ojo, Nigeri. I pëlqen të luajë futboll.

Njihja një djalë nga Kisha që më parë ishte bullizues, por një ditë krejt papritur ndryshoi. Vendosa ta pyes: “Përse ndryshove?” Më tha se u lut, kishte lexuar shkrimet e tij të shenjta, kishte besim dhe kishte punuar fort për ta ndryshuar sjelljen e tij. Ajo më ndihmoi, sepse tani kur dua të marr një vendim, nga ana akademike ose shpirtërore, zakonisht lutem që Perëndia të më udhërrëfejë.

Shoku im mund të mos jetë i përsosur, por sjellja e tij më preku në zemër. Tani zakonisht lexoj shkrimet e shenjta përpara se të marr ndonjë hap në jetën time. Shembulli i shokut tim më ka afruar më pranë Krishtit, sepse sa herë që mëkatoj, mund të kthehem te Zoti në lutje dhe pendim. Vajtja te Zoti më ka ndihmuar t’i lë mënjanë barrët e mia.