Për Forcën e Rinisë
Ecni në Dritën e Shpëtimtarit
Shtator 2024


Ecni në Dritën e Shpëtimtarit

Ndërsa vini te Jezu Krishti dhe pendoheni, fuqia e Tij shëruese dhe forcuese do t’ju nxjerrë nga errësira.

aeroplan prej letre

Në një fluturim të gjatë që bëra si kapiten i linjës ajrore, do të nisesha nga Gjermania në orën 11:00 në mëngjes dhe do të zbrisja në Kaliforni në orën 13:00 pasdite në të njëjtën ditë. Duke krahasuar oraret e nisjes dhe mbërritjes, mund të dukej se fluturimi përmes Oqeanit Atlantik dhe kontinentit të Amerikës Veriore zgjaste vetëm dy orë.

Aroplani Boeing 747 ishte i shpejtë, por jo aq i shpejtë! Në të vërtetë, fluturimi zgjati rreth 11 orë, në varësi të erës, për të përshkuar distancën prej 9 000 km.

Për shkak se po fluturonim drejt perëndimit, dielli kurrë nuk perëndoi gjatë fluturimit tonë. E shijuam dritën e plotë të diellit që nga Gjermania e deri në Kaliforni. Rikthimi në Gjermani, sidoqoftë, ishte një histori krejt tjetër. Teksa fluturonim drejt lindjes, perëndimi erdhi më shpejt se normalisht dhe si pa e kuptuar, na zuri nata.

Edhe ndërkohë që po fluturoja natën, në errësirë të plotë, e dija me siguri se dielli mbetej i pandryshueshëm, i palëkundur dhe i besueshëm. E dija me siguri se dielli do të lindte sërish, se drita e shndritshme do të kthehej për t’i sjellë ngrohtësi dhe jetë një dite të re përpara fundit të rrugëtimit tonë.

Ndonjëherë gjërat rreth nesh mund të duken të paqëndrueshme, të paparashikueshme dhe të errëta. Sa mirënjohës jam për Jezu Krishtin! Ai është drita dhe jeta e botës. Për shkak të Tij, ne kemi shpresë për të ardhmen, qasje te drita e Tij hyjnore dhe premtimin e fitores përfundimtare mbi mëkatin dhe vdekjen.

Dashuria dhe Fuqia e Shpëtimtarit

Nga dashuria për ne, Jezu Krishti dha jetën e Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe hapi derën drejt pavdekësisë dhe jetës së përjetshme.

Pavarësisht nga ajo që Satani do të donte që ju të besoni, ju nuk jeni përtej aftësisë së Shpëtimtarit për t’ju shpëtuar. Nuk jeni kurrë përtej të qenit të “rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij” (2 Nefi 1:15).

Kjo dhuratë, më e madhja nga të gjitha, vjen nga fuqia mundësuese dhe shëlbuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Për shkak të vuajtjeve të Shpëtimtarit në Gjetseman e Golgotë, Ai e di se si t’ju ndihmojë në çdo dhe të gjitha sfidat me të cilat përballeni (shihni tek Alma 7:11–12).

Jezu Krishti është forca juaj!

Jezu Krishti duke përqafuar një burrë

Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Kur Shpëtimtari [e dha këtë flijim shlyes] për të gjithë njerëzimin, Ai hapi një udhë që ata të cilët e ndjekin Atë, të mund të kenë të drejtën e shërimit, forcimit dhe fuqisë së Tij shëlbuese”.

Ajo fuqi, ashtu si dielli, është gjithmonë atje. Nuk luhatet kurrë. Ndjekja e gjurmëve të Shpëtimtarit është si të dilni nga hija dhe të shkoni drejt dritës së diellit, ku ju mund të merrni bekimet e dritës, ngrohtësisë dhe dashurisë së Perëndisë.

Një Fillim i Ri, i Ndritur

Libri i Mormonit tregon se si nefitët kaluan tri ditë në errësirën më të thellë pas Kryqëzimit të Shpëtimtarit. Errësira fizike rreth tyre simbolizonte errësirën shpirtërore që përjetojmë për shkak të mëkatit. Pastaj ata e dëgjuan zërin e Krishtit që i ftoi të dilnin nga errësira dhe të hynin në dritën e Tij:

“A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?” (3 Nefi 9:13.)

“Më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:20).

“Pendoh[uni] dhe ktheh[uni] tek unë, me qëllim të plotë të zemrës” (3 Nefi 10:6).

Shpëtimtari ju bën të njëjtat ftesa kur e gjeni veten të përhumbur në errësirë. Ashtu si çdo agim i diellit shënon fillimin e një dite të re, sa herë që pendoheni, ju përjetoni një fillim të ri, një fillim të ri të ndritur.

Nëpërmjet pendimit tuaj të çiltër, Jezu Krishti “do ta zëvendësojë fajin tuaj me paqe dhe gëzim. Ai nuk do t’i kujtojë më mëkatet tuaja. Në forcën e Tij, dëshira juaj për t’i zbatuar urdhërimet e Tij do të rritet.”

Sapo të hidhni hapin e parë drejt pendimit, Shpëtimtari do të fillojë të “ndryshojë zemrën dhe jetën tuaj. Pak nga pak, ju do të rriteni dhe do të bëheni më shumë si Ai” dhe Ai “do t’ju sjellë të drejtë përdorimi më të madhe të fuqisë së Tij”.

Gjeni Shërim të Përhershëm

Shpëtimtari është Shëruesi Mjeshtër. Një nga shfaqjet më të bukura të fuqisë së Tij shëruese gjendet në shërbesën e Tij vetjake në Librin e Mormonit:

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë?”, pyeti Ai. “A ka ndonjë që është … i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju. …

Dhe ndodhi që pasi u foli kështu, e gjithë turma, të gjithë së bashku, shkuan para …; dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij” (3 Nefi 17:7, 9).

Sa herë që Shpëtimtari shëronte dikë, si përpara ashtu edhe pas Ringjalljes së Tij, Ai dëshmonte për fuqinë e Tij përfundimtare për të shëruar shpirtrat tanë. Çdo shërim i mrekullueshëm theksonte premtimin e Tij për shërimin e qëndrueshëm fizik dhe emocional që do të na vijë në Ringjallje.

Ndonjëherë, lutjet tuaja për shërim mund të mos marrin përgjigje në mënyrën që shpresoni, por ato nuk shpërfillen kurrë. Koha për shërim do të vijë përfundimisht në mënyrën dhe kohën e vetë Atit Qiellor, ashtu si errësira e natës i lë gjithmonë vendin lindjes së lavdishme të diellit.

Miku/ja im/e i/e dashur, unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shëruesi në këtë jetë dhe në përjetësi. Mëshira e Tij është e mjaftueshme për të shëruar plagët e tua, për të të pastruar nga mëkati, për të të forcuar gjatë sprovave dhe për të të bekuar me shpresë, urtësi e paqe. Fuqia e Tij është gjithmonë pranë, e vazhdueshme dhe e besueshme, edhe kur ti, për njëfarë kohe, ndihesh larg nga dashuria, drita dhe ngrohtësia e Tij.

i ri duke parë perëndimin e diellit

Mos e humbsh kurrë ndjesinë tënde të mahnitjes dhe mirënjohjes së thellë për gjithçka që Jezu Krishti ka bërë për ty! Të lutem, dije se Ai të do me një dashuri të përsosur. Kujtoje atë që të është premtuar përjetësisht. Dhe “dhëntë Perëndia që barrat tuaja të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të tij”, Jezu Krishtit (Alma 33:23).