Eja, Më Ndiq
Rroki Ditët e Tua
A dëshiron që të kishe jetuar në të kaluarën? Epo, mos e bëj këtë.
A e ke menduar ndonjëherë se jeta jote do të ishte më e lehtë ose më e mirë nëse do të kishe lindur në një kohë më të hershme? Të tjerë janë ndier kështu më parë, madje dikur edhe një profet.
Profeti Nefi (në librin e Helamanit) e pa ligësinë e popullit të tij kokëfortë dhe bëri thirrje: “Oh, sikur të kisha patur ditët e mia në ditët kur ati im, Nefi doli së pari nga toka e Jeruzalemit … – … atëherë shpirti im do të ishte gëzuar” (Helamani 7:7–8).
Ai e kishte të vështirë të jetonte në kohën e tij. Në fund, natyrisht, atij iu desh të përballej me realitetin: “Por … këto … j[a]në ditët e mia” (Helamani 7:9).
Ditët e Tua
Këto janë ditët e tua. Ato mund të paraqesin sfida, por ofrojnë edhe mundësi. Për shembull, në ditët e tua, ti mund:
-
Të mbledhësh Izraelin në të dyja anët e velit. Kjo është “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”. Ke mënyra të shumta për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i ftuar të tjerët që t’i afrohen më tepër Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij. Mund të ndihmosh të zbulohen paraardhës në mënyra të mahnitshme dhe t’i ndihmosh ata që kanë ndërruar jetë, të marrin ordinancat në tempull.
-
Ta përdorësh teknologjinë në mënyra pozitive. Ti je i/e pajisur posaçërisht për t’i treguar botës se si mund të përdoret teknologjia moderne për mirë.
-
T’i rezistosh urrejtjes, përbuzjes dhe përçarjes. Ndërsa këto të liga e mundojnë botën tonë, ti mund të tregosh një mënyrë më të mirë – mënyrën e mirësisë, dhembshurisë, paqebërjes dhe dashurisë së Shpëtimtarit.
-
Të kesh qëndrueshmëri në një botë që ndryshon. Ndërsa je besnik/e ndaj Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij, Zoti do të të bekojë dhe të tjerët do të të marrin si shembull në stuhitë e jetës.
Mrekullitë e Tua
Nuk ishte gjithmonë e lehtë për Nefin, por ai ishte atje ku (dhe kur) Zoti kishte nevojë që ai të ishte. Ai ishte besnik. Si rrjedhojë, ai pa mrekulli dhe çudi në ditët e tij dhe u përkrah nga Zoti. (Shih te Helamani 7–16.)
Mund të shohësh vetë mrekullitë dhe çudi kur ti je besnik/e në ditët e tua.