Për Forcën e Rinisë
Cili Është Qëndrimi Yt?
Shtator 2024


Jezu Krishti Është Forca Jote

Cili Është Qëndrimi Yt?

Qëndrimi yt kundrejt parimeve që gjenden tek udhëzuesi Për Forcën e Rinisë mund të të ndihmojnë që të arrish maja më të larta.

aeroplani

Pilotët i referohen pozicionit të një aeroplani në ajër si qëndrim. A është aeroplani me pjesën ballore lart apo poshtë? Duke u kthyer apo duke ruajtur drejtimin dhe pa u lëkundur? Në anglisht, një qëndrim mund të nënkuptojë gjithashtu një mendësi për përballjen me uljet dhe ngritjet e jetës. Një thënie e vjetër si për fluturimin dhe jetën është kjo: “Qëndrimi ynë përcakton lartësinë tonë mbi nivelin e detit”.

Cili do të jetë qëndrimi ynë ndërsa lexojmë broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve? Qëndrimi ynë në lidhje me parimet tek udhëzuesi mund të jetë jetëndryshues dhe mund të ndikojë te fakti a do të ngjitemi në lartësi të reja apo do të zhytemi në një nivel më të ulët.

Shpëtimtari na dha një pikënisje të shkëlqyer. Ai tha: “Lum ata që janë zemërbutë” (Mateu 5:5). Ne mund të ushtrohemi që të kemi një qëndrim zemërbutë duke qenë të drejtë, të përulur dhe të gatshëm për të ndjekur mësimet e ungjillit. Ja tri pyetje që shprehin qëndrimet e ndryshme që mund të kemi në lidhje me parimet që na janë dhënë.

Qëndrimi 1: Sa i/e Keq/e Mund të Jem?

Njerëzit me këtë lloj qëndrimi thonë: “Cili është kufiri? Dua të jetoj sa më pranë tij që të jetë e mundur, por pa e kaluar atë.” Është po aq e rrezikshme sa një parashutist që pyet: “Sa afër tokës duhet të jem që ta hap parashutën?”

Qëndrimi 2: Sa i/e Mirë Duhet të Jem?

Ky qëndrim po kërkon përpjekjen më të paktë të mundshme. Kjo është si të pyesësh një mësues/e: “Cila është më e pakta që mund të bëj dhe prapëseprapë ta kaloj klasën?” Është njësoj sikur parashutisti të thotë: “Dua ta mbledh mirë parashutën, por jo dhe aq mirë”.

Qëndrimi 3: Sa Trim/e Mund të Jem?

Dikur një djalë më tha se shkonte në seminar në 5:00 të mëngjesit. Thashë: “Po kjo është shumë herët. Pse shkon?” Ai thjesht u përgjigj: “Sepse dua. Më pëlqen shumë. Seminari është pjesa më e mirë e ditës sime.” Qëndrimi i tij ishte: “Dua të jem trim”. Për të, bindja ishte një synim, jo një acarim.

Kjo është si të thotë parashutisti: “E mbledh parashutën me kujdes dhe e hap shumë kohë përpara se të prek tokën, ngaqë më pëlqen shumë të hidhem me parashutë dhe dua të vazhdoj ta bëj”. Ky lloj qëndrimi do të na ndihmojë të ngrihemi lart e më lart.

Në Librin e Mormonit, babai i mbretit Lamoni ofroi një lutje të bukur që shpreh në mënyrë të përsosur atë qëndrim të tretë:

“O Perëndi … a do të më shfaqesh dhe unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur” (Alma 22:18).

Mbreti nuk tha: “Sa i keq mund të jem dhe të të njoh ty?” ose “Saktësisht sa i mirë duhet të jem që të të njoh ty?” Jo, qëndrimi i tij ishte: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”.

Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve

Zakone më të Larta e më të Shenjta

Zoti po na mirëbeson jo që të kërkojmë anashkalime, por në vend të kësaj të kërkojmë zakone më të larta dhe më të shenjta. Nëse diçka nuk është e shkruar aq qartë tek udhëzuesi siç prisnim, le të mos bëjmë pyetjen: “Çfarë do të lejojë Perëndia?” por “Çfarë do të parapëlqente Perëndia?” Pyetja e dytë zbulon zemrën e gatshme që Zoti dëshiron që secili prej nesh ta zhvillojë ndërsa Ai na mëson të jemi zemërbutë.

Nëse futem në një avion, nuk dua që piloti/ja të pyesë: “Sa i keq mund të jem?” apo edhe “Sa i/e mirë duhet të jem?” Dua që ai ose ajo të pyesë: “Sa trim/e mund të jem?” Në fluturim dhe në jetë, qëndrimi do të përcaktojë lartësinë tonë mbi nivelin e detit. Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë nuk u shkrua për të shpjeguar normën më të ulët të pranuar të sjelljes, por doktrinën e dishepullimit. Është me të vërtetë niveli tjetër.