Për Forcën e Rinisë
Si ta Bësh Konferencën që të Ketë më Shumë Kuptim për Ty
Shtator 2024


Si ta Bësh Konferencën që të Ketë më Shumë Kuptim për Ty

Provoji këto tri ide për një përvojë konference më tepër domethënëse.

foltore

Ilustrimet nga Jarom Vogel

Konferenca e përgjithshme po afron dhe ka për synim të ketë një ndikim që zgjat përtej fundjavës së konferencës! Këto tri këshilla mund ta bëjnë konferencën më domethënëse për ty.

vajzë me shkrimet e shenjta

1. Përgatitu Shpirtërisht

Përpara konferencës së përgjithshme, ti mund ta përgatitësh shpirtin tënd përmes gjërave të thjeshta, të tilla si studimi i shkrimeve të shenjta dhe lutja e çiltër. Ti madje mund të bësh një agjërim nga media shoqërore apo të bësh një udhëtim të veçantë për në tempull. Përgatitja shpirtërisht do të të ndihmojë që të ndiesh ndikimin udhërrëfyes të Frymës së Shenjtë.

djalë me pyetje

2. Ki një Pyetje në Mendje

Çfarë ke pasur në mendje kohët e fundit? Ti mund të kesh një vendim të rëndësishëm për të bërë, një shqetësim familjar apo një pyetje për ungjillin. Lutju Atit Qiellor për të dhe mbaj vesh për udhërrëfim gjatë konferencës së përgjithshme.

Shikoje përvojën që pati Xhejmsi vitin e kaluar!

Kur erdhi konferenca, unë doja të dija se si mund ta përdorja më mirë fuqinë e Shlyerjes së Krishtit në jetën time. I kërkova plot lutje Atit Qiellor që të më ndihmonte ta dëgjoja Shpirtin, të dija se si të bëja zgjedhje më të mira dhe të kisha falje për zgjedhjet e mia të gabuara.

Ndërkohë që foli Plaku Diter F. Uhtdorf, kjo më ngeli në mendje:

“Në çastin që vendosni të ktheheni dhe ecni në udhën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, fuqia e Tij do të hyjë në jetën tuaj dhe do ta shndërrojë atë”.

E dija se kjo ishte ajo që Zoti dëshironte që unë të dëgjoja, dhe munda ta ndieja Shpirtin të më dëshmonte për vërtetësinë e saj. Duke u përgatitur me një pyetje në mendje, isha në gjendje të merrja një përgjigje vetjake për lutjet e mia.

Xhejms M., 16 vjeç, Dakota e Veriut, SHBA

vajzë me ditar

3. Vëre në Zbatim një Parim apo Ftesë

Mbaj vesh për një mësim apo parim që të bën më shumë përshtypje. Më pas vendos një synim që ta vësh në zbatim në jetën tënde. Ti gjithashtu mund të dëgjosh me kujdes ftesat e drejtpërdrejta nga profetët dhe apostujt. Shkruaje të paktën një nga ato ftesa dhe puno për të. Të vepruarit me besim do të të ndihmojë të ndiesh të vërtetën dhe fuqinë e mësimeve profetike.