Për Forcën e Rinisë
Ndërprerja e Ciklit të Pornografisë
Shtator 2024


Ndërprerja e Ciklit të Pornografisë

Ndihesha e vetmuar dhe e pashpresë. Por peshkopi më solli ndërmend disa gjëra kyç se si të gjeja shpresë dhe ndihmë.

të reja duke u përqafuar

Ilustrimi nga Sue Teodoro

U ekspozova për herë të parë ndaj pornografisë në moshën 13‑vjeçare. E ndesha rastësisht në mediat shoqërore, duke mos e ditur se çfarë ishte dhe duke mos e kuptuar atë. Kalova nga një ekspozim dhe kureshtje e paqëllimshme te kërkimi i saj i qëllimshëm.

Në atë kohë, mesazhet e udhëheqësve të mi rreth pornografisë dukeshin të thoshin se ishte diçka e cila mundonte vetëm djemtë. Kjo më la me një ndjesi turpi të madh. Mendova se nuk do të isha kurrë në gjendje t’i tregoja dikujt për betejën time. Kisha njohuri për Shlyerjen e Jezu Krishtit, por ngaqë mendoja se isha e vetmja vajzë me këtë betejë, ndjeva sikur situata ime ishte jashtë mundësive të Shpëtimtarit. Ndjeva se isha një përjashtim.

Zyra e Peshkopit

Gjatë atyre viteve, në vende si seminari apo takimet shpirtërore – kudo ku Shpirti ishte i pranishëm – shpesh ndihesha e nxitur të lija një takim me peshkopin tim. Për kaq shumë kohë, ajo që më pengoi ta bëja këtë, ishte ideja se kisha një reputacion për të ruajtur, si një fëmijë i mirë nga një familje aktive. Mendova se ai do të më shihte për atë që isha, dhe nuk besoja se personi që isha, ishte një person që të tjerët mund ta donin. Mendova se do të përballesha me dënim të menjëhershëm.

Kur më në fund e lashë atë takim, shkoi shumë ndryshe nga sa e prisja. Në vend që të jepte dënimin, peshkopi më tha: “Ti je ende një bijë e Perëndisë. Ty të duan po njësoj dhe je akoma po aq e çmuar.”

Më kujtohet që u tejmbusha me dashuri. Ajo ishte hera e parë që e kisha ndier fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit kaq fort në jetën time. Duke e kthyer vështrimin pas, e kuptoj se përse ato fjalë që tha peshkopi im, ishin shumë të rëndësishme.

Bijë e Perëndisë

Kur ti lufton me pornografinë, kalon një cikël turpi. Për mua, unë nuk ndihesha në kontakt me vetë identitetin tim dhe pastaj e përdorja pornografinë për t’u përballur me ato emocione negative. Më pas do të ndieja turp dhe e izoloja veten nga të tjerët dhe cikli përsëritej.

Për shumë kohë, u përpoqa të mbështetesha te vullneti im vetjak që “thjesht të ndaloja”. Por nuk mund ta bëja e vetme. Peshkopi më ndihmoi të kujtoj identitetin tim, që unë jam një bijë e dashur e Perëndisë. Kur u takova me të dhe m’u kujtua ajo e vërtetë, fillova të përparoja vërtet.

e re duke u ngjitur në një mal

Fotografitë me mirësinë e Medlinit dhe familjes së saj

Medlini e di se pornografia nuk do të jetë mali i vetëm që ajo do të ngjitë. Me ndihmën e Shpëtimtarit dhe mjeteve të duhura, ajo vazhdon të gjejë forcë për t’i kapërcyer sfidat e jetës. Kjo fotografi u bë pikërisht përpara se ajo të ngjitej në një akullnajë në Alaska të SHBA‑së!

E Vërteta rreth Perëndisë dhe Shpëtimtarit

Fillimisht, kisha frikë të lutesha. E shikoja Atin Qiellor si një Perëndi drejtësie dhe zemërimi. Por kalimi përmes procesit të pendimit të vazhdueshëm më ka ndihmuar të kuptoj natyrën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Dijenia se të penduarit një herë të vetme nuk më jep imunitet në këtë betejë, më ka lejuar të vazhdoj të mbështetem te ndihma e Tyre hyjnore. Ati Qiellor i dinte tashmë sprovat e mia dhe i kuptonte ato; thjesht më nevojitej që t’i drejtohesha Atij.

Mësova se të dy, edhe Ati Qiellor edhe Jezu Krishti, janë të mëshirshëm dhe mirëkuptues. Kur u drejtoheni Atyre, Ata do të ecin përkrah jush dhe do t’ua mbajnë dorën në çdo hap të udhës.

e re me Librin e Mormonit

Luftimi i Taktikave të Satanit

Të kuptuarit e natyrës së Perëndisë më ndihmoi gjithashtu të kuptoj Satanin dhe mjetet e tij dhe mënyrën se si ato funksionojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Perëndinë. Një nga mjetet më të fuqishme të Satanit është turpi, i cili ndryshon nga faji apo “trishtimi sipas Perëndisë” (2 Korintasve 7:10). Kur ndiheni fajtorë, e kuptoni se keni bërë një gabim. Por turpi i lidh ndjenjat negative që keni për veten kur mëkatoni me identitetin tuaj, sikur ju jeni ato ndjenja.

Satani donte që unë të besoja se mund ta kapërceja vetë këtë sfidë. Kjo gënjeshtër ishte diçka që më frenoi nga të biseduarit me peshkopin tim rreth betejës sime me pornografinë. Ndjeva se nuk mund të takohesha me të derisa të mund të thosha se ishte diçka me të cilën kisha pasur vështirësi në të kaluarën. Satani i përdor dobësitë tuaja individuale që ju të ndiheni të padenjë për të kërkuar fuqinë shëruese të Shpëtimtarit.

Mësova se Satani vepron te ne kur jemi të izoluar, kështu që mbrojtja jonë më e mirë është lidhja. Nganjëherë është po aq e thjeshtë sa të afroheni me të tjerë dhe të kaloni kohë domethënëse me miq të mirë. Lidhja me Atin Qiellor, veten dhe të tjerët (veçanërisht me ata që ju shohin ashtu siç ju sheh Ati Qiellor) është mënyra më e mirë për të kujtuar identitetin tuaj të vërtetë: një fëmijë me vlerë i Perëndisë.

e re

Një Qëllim më i Lartë

Përfundimisht fillova të merrja nxitje për të ndihmuar të reja të tjera që gjithashtu kanë vështirësi me pornografinë. Ndjeva një qëllim më të lartë. Vendosa të kujdesesha më shumë për atë që mendon Ati Qiellor, sesa çfarë mund të mendojnë të tjerët përreth meje, kështu që fillova të flisja hapur për përvojat e mia.

Kur e ndieni gëzimin e pamohueshëm të pendimit të vazhdueshëm, ju dëshironi t’ua tregoni atë të tjerëve. Tani vazhdoj ta shpreh këtë gëzim ndërsa shërbej si misionare kohëplotë.

e re me një flamur të Singaporit

Medi u caktua të punonte si misionare kohëplotë në Misionin e Singaporit, duke folur malajisht.

Mesazhi Im

Nuk jeni kurrë të vetëm dhe ka gjithmonë shpresë.

Kjo betejë është diçka që mund ta kapërceni me ndihmën e Shpëtimtarit, njerëzve tuaj të dashur dhe udhëheqësve të besuar dhe mjeteve të duhura. Dilni nga izolimi dhe drejtojuni dikujt që ju sheh me sytë e Perëndisë. Pyetini ata se çfarë shohin te ju!

Pavarësisht se cila është beteja juaj, ju nuk jeni kurrë përtej mundësive të Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij. Ati Qiellor ju do plotësisht dhe ia vlen të vazhdoni të pendoheni.

e re