Për Forcën e Rinisë
Po Ti, a do të Mbash Vesh?
Shtator 2024


Eja, Më Ndiq

Helamani 13–16; 3 Nefi 1

Po Ti, a do të Mbash Vesh?

Udhërrëfimi i profetëve mund të na mbrojë, të na bekojë dhe të na ndihmojë, nëse e lejojmë atë.

i ri në një turmë njerëzish duke parë drejt një muri ku në majë është Samuel Lamaniti

Ilustrimi nga Alyssa Talent

“Shkatërrimin po afron!”

Kjo do të thotë të marrësh një mesazh të trishtuar. Por përfytyroni sikur të jeni personi që është thirrur për ta dhënë atë!

Samuel Lamaniti u thirr nga Zoti për t’i paralajmëruar nefitët për ligësinë e tyre. Duke qëndruar në mur, Samueli deklaroi se një ditë “shkatërrim … [i] plotë … do të ndodhë me siguri në qoftë se ju nuk pendoheni” (Helamani 13:10).

Samueli profetizoi gjithashtu se pas pesë vjetësh do të kishte një natë pa errësirë dhe një yll të ri në qiell për të shenjuar lindjen e Shpëtimtarit (shih te Helamani 14:2–5).

Si u përgjigjën nefitët ndaj mesazhit të Samuelit?

Ata refuzuan ta dëgjonin. “Hodhën gurë kundër [Samuelit] … dhe qëlluan me shigjeta, ndërsa ai qëndronte mbi mur” (Helamani 16:2). Fatmirësisht, njerëzit sot nuk i gjuajnë me gurë profetit apo nuk hedhin shigjeta mbi të, por shumë ende i refuzojnë dhe tallen me fjalët e tij ndërsa ai jep mësim të vërtetat e përjetshme të ungjillit të Shpëtimtarit.

Kur flet profeti, si do të përgjigjesh ti? Po Ti, a do të mbash vesh?

Ja tre kujtues të bekimeve që vijnë nga pasja e një profeti në tokë dhe vënia e veshit ndaj tij.

Profeti na Do dhe Lutet për Ne

Në shumë fjalime të konferencave të përgjithshme, Presidenti Rasëll M. Nelson na ka thënë:

“Ju dua”. “Ju keni qenë vazhdimisht në mendjen time dhe në lutjet e mia.”

Çfarë bekimi është të dimë se profeti na do dhe lutet për ne!

Pothuajse pesë vjet pas profecive të Samuel Lamanitit, disa nefitë thanë se kishte kaluar koha që fjalët e tij të përmbusheshin. Ata u tallën me ata që besonin, madje zgjodhën dhe një ditë për t’i vrarë besimtarët nëse nuk do të realizoheshin shenjat e lindjes së Shpëtimtarit (shih tek 3 Nefi 1:6–9). Gjatë kësaj kohe të tmerrshme, profeti Nefi u lut gjithë ditën “në emër të popullit të tij … që ishin për t’u shkatërruar për shkak të besimit të tyre” (3 Nefi 1:11).

Sot, lutjet e profetëve na ndihmojnë në mënyra më të shumta nga sa mund ta kuptojmë. Udhërrëfimi shpirtëror që ai merr përmes lutjes, e bekon të gjithë botën.

Profeti na Udhëheq drejt Shpëtimtarit

“Ngrije kokën dhe mos e humb kurajën”, – i tha Zoti Nefit. “Koha është afër dhe në këtë natë shenja do të jepet dhe nesër unë do të vij në këtë botë” (3 Nefi 1:13).

Kur dielli perëndoi, nuk u errësua. Shenja ishte realizuar! (Shih tek 3 Nefi 1:15.) Të nesërmen në mëngjes, të gjithë e dinin se ishte dita që do të lindte Shpëtimtari, dhe një yll i ri u shfaq (shih tek 3 Nefi 1:19, 21). Çdo gjë që Zoti e kishte profetizuar nëpërmjet Samuelit rreth lindjes së Shpëtimtarit, ishte përmbushur ashtu siç Zoti e kishte thënë se do të ndodhte.

Ardhja e Shpëtimtarit në botë i shpëtoi menjëherë ata besimtarë nga vdekja. Por nuk shpëtoi vetëm ata. Jezu Krishti erdhi të na shpëtojë të gjithë ne nga mëkati dhe vdekja, të na japë forcë në kohë nevoje dhe të na sjellë shpresë e gëzim përmes Shlyerjes së Tij. Ky ka qenë mesazhi kryesor i çdo profeti “që ka profetizuar, që kur bota filloi” (Mosia 13:33). Profetët na udhëheqin drejt Shpëtimtarit, i cili është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Profeti Shpall të Vërtetën

Herën e parë kur e lexova Librin e Mormonit në shkollë të mesme, më ra në sy një mësim nga Samuel Lamaniti. Ai u tha nefitëve se nëse do të vazhdonin ta shtynin pendimin e tyre, do të vinte koha kur do të ishte “pafundësisht tepër vonë”. Ai tha: “Ju keni kërkuar gjithë ditët e jetës suaj atë që nuk mund ta kishit dot; … ju keni kërkuar lumturi duke bërë paudhësi”, e cila është në kundërshtim me natyrën e Atit tonë Qiellor (Helamani 13:38).

Në kohën tonë, Presidenti Nelson ka dhënë mësim në mënyrë të ngjashme:

“Ndërkohë që bota këmbëngul se pushteti, pasuritë, popullariteti dhe kënaqësitë e mishit të sjellin lumturi, ato nuk ta sjellin! Nuk munden ta sjellin. …

E vërteta është se është shumë më rraskapitëse që ta kërkoni lumturinë atje ku nuk mund ta gjeni kurrë! … Jezu Krishti …, vetëm Ai, e ka fuqinë t’ju ngrejë mbi ndikimin e kësaj bote.”

Disa nefitë zgjodhën t’ua vinin veshin fjalëve të Samuelit dhe të besonin në fjalët e tij; shumë të tjerë nuk e bënë këtë (shih te Helamani 16:1–8). Në shumë mënyra, sot nuk është ndryshe.

Çfarë do të zgjidhni të bëni ju? A do t’ia vini veshin profetit?

Presidenti Nelson ka dhënë mësim:

“[Profetët, shikuesit dhe zbuluesit] mund të mos u th[onë] njerëzve gjithnjë atë që duan të dëgjojnë. Profetët rrallëherë admirohen në masë. Por ne gjithmonë do të japim mësim të vërtetën!”

Ndërsa ia vini veshin profetit dhe veproni sipas fjalëve të tij, do të zbuloni se udhëheqja e tij profetike do t’ju mbrojë, bekojë dhe ndihmojë gjatë gjithë jetës suaj.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, konferenca e përgjithshme e prillit 2022 (Liahona, maj 2022, f. 97).

  2. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, konferenca e përgjithshme e prillit 2023 (Liahona, maj 2023, f. 98).

  3. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2022 (Liahona, nëntor 2022, f. 97).

  4. Russell M. Nelson, “The Love and Laws of God” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shtator 2019), f. 3, speeches.byu.edu.