Për Forcën e Rinisë
5 Këshilla për një Shëndet më të Mirë Emocional
Shtator 2024


5 Këshilla për një Shëndet më të Mirë Emocional

Ne qëndrojmë më të fortë së bashku.

duar që mbajnë një top të verdhë me një fytyrë të buzëqeshur

Unë dhe bashkëshorti im, Skoti, shërbyem si udhëheqës misioni në Misionin e Australisë, Sidnei nga viti 2018 deri në vitin 2021. Kurdoherë që dokumentet e një misionari/eje të ri/e tregonin se ai ose ajo luftonte me shëndetin emocional, ia bëja të ditur menjëherë se kam kaluar periudha depresioni gjatë gjithë jetës sime si e rritur në moshë madhore. Doja që ata të kuptonin se ne jemi në të njëjtin skuadër, kështu që nuk duhej ta përballonin këtë vetëm.

Dua të të jap të njëjtin mesazh edhe ty! Kaq shumë njerëz përballen me sfida të shëndetit emocional, prapëseprapë ne të gjithë mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin. Për të qenë e qartë, unë nuk jam një profesioniste e shëndetit emocional. Por do të doja të tregoja disa këshilla praktike dhe shpirtërore për një shëndet më të mirë emocional që më kanë ndihmuar mua, si dhe ata që njoh e dua.

Krishti Duke Ringjallur Bijën e Jairit

Christ Raising the Daughter of Jairus [Krishti Duke Ringjallur Bijën e Jairit], nga Greg K. Olsen

Këshilla 1: Le ta Mbajmë Krishtin në Qendër

U rrita pranë San‑Franciskos, në Kaliforni të SHBA‑së dhe mbaj mend që më pëlqente shumë të hipja në një nga lodrat në një park zbavitës buzë plazhit! Ajo përbëhej nga një disk i madh prej druri mbi të cilin njerëzit uleshin dhe përpiqeshin të mbaheshin te disku teksa ai rrotullohej më shpejt. Ata që uleshin në pjesën e jashtme, zakonisht rrëzoheshin të parët. Megjithatë, ata që e kuptonin forcën qendërsynuese, uleshin pranë qendrës.

Mendoj se kjo është një analogji e shkëlqyer për ta mbajtur Krishtin në qendër ndërsa po kalojmë disa nga këto situata të vështira – qofshin ankthi, depresioni, çrregullimi obsesiv‑kompulsiv ose diçka të ngjashme. Kemi nevojë që Krishti të jetë në qendër të jetës sonë.

Në kohë kur shëndeti i trurit vuan, mund të mos lidhemi dot me qiellin ose mund ta kemi të vështirë të ndihemi pranë Shpëtimtarit. Kjo nuk do të thotë se po ndëshkohemi ose se nuk jemi të denjë për dashurinë e Perëndisë. Për mua, ia vlen të mirëbesoj se Ai është aty, ndërsa pres që lidhja të rivendoset! Vazhdo të lutesh, t’i ruash si thesar fjalët e Shpëtimtarit, të mirëbesosh te premtimet e Tij, të marrësh sakramentin dhe të bësh gjithçka që të mban të përqendruar tek Ai.

i ri duke u lutur

Këshilla 2: Le të Mbështetemi te Zoti Çdo Ditë

Bijtë e Izraelit në shkretëtirë duhej të mbështeteshin te Zoti për manën çdo ditë. Ndonjëherë, kur kemi të bëjmë me gjëra aq të thella si sulmet e panikut apo dhembje të tjera emocionale, duam që ato të largohen përgjithmonë. Dhe ndoshta do të ndodhë, por mbase jo në mënyrën ose në harkun kohor që ne duam. Kjo nuk do të thotë se shpresa ka humbur. Kemi nevojë të mbështetemi çdo ditë te Perëndia ndërsa punojmë dhe presim me padurim për kohë më të ndritshme në të ardhmen.

Një qasje është të kërkosh ndihmën e Atit Qiellor dhe të provosh strategji të ndryshme për të gjetur atë që funksionon për ty. Më pas Ai mund të të ndihmojë të kujtosh, gjatë çasteve kur ndihesh keq apo gjatë një sulmi paniku, se si muzika qetësuese dukej se të ndihmoi në një situatë të ngjashme ose se si lidhja me dikë që i beson, të bëri të ndihesh i/e sigurt dikur. Kjo të lejon të grumbullosh një grup mjetesh të vërtetuara për t’i provuar herën tjetër që do të kesh vështirësi. Çfarëdo që të bësh, kërkoje ndihmën e Zotit çdo ditë.

Madje mund të themi me zë të lartë: “Kur mbështetem te Zoti çdo ditë, do të ngrihem dhe do të gjej forcën që nuk e dija se e kisha!”

shishe uji që mbahet lart në ajër

Këshilla 3: Ti Mund të Kujdesesh për Trupin Tënd

Truri është pjesë e trupit tonë të vdekshëm dhe si rrjedhojë është i ndjeshëm ndaj luhatjeve dhe papërsosurive të shumta të jetës në tokë. Por ka një lajm të mirë: ka hapa të vërtetuar që mund t’i ndërmarrim për ta forcuar trurin tonë, gjë e cila mund ta përmirësojë shëndetin tonë emocional gjithashtu. Ja disa hapa të tillë:

  • Përjetimi i dritës së diellit apo dritës artificiale të fortë në mëngjes

  • Dalja në natyrë, lidhja me tokën

  • Bërja e ushtrimeve rregullisht

  • Ngrënia e ushqimeve të shëndetshme

  • Pirja e sasive të mëdha të ujit

  • Fjetja mjaftueshëm çdo natë

Teknikat e frymëmarrjes mund të jenë të fuqishme gjithashtu. Provoje të marrësh frymë thellë me hundë dhe më pas edhe një herë tjetër. Mbaje frymën për disa sekonda dhe, në fund, nxirre të gjithë frymën përmes gojës.

E bëj këtë disa herë kur zgjohem në mëngjes, gjatë çasteve të ndjenjave të forta (për shembull, pak përpara se të jap një fjalim në konferencën e përgjithshme!) dhe thjesht përpara se të shkoj në shtrat.

dy njerëz që i zgjatin dhe i mbajnë dorën njëri‑tjetrit

Këshilla 4: Ne Mund të Kërkojmë Ndihmë

Nëse do të humbje gjatë ngjitjes në mal dhe do të ndeshje një udhërrëfyes, a do të të vinte turp t’i kërkoje orientim drejt një vendi të sigurt? Nuk mendoj kështu. Të kërkosh ndihmë nuk është shenjë dobësie. Ne shpesh e bëjmë këtë në fusha të tjera të jetës sonë.

Ndihmo të hiqet turpi kur vjen puna te kërkimi i ndihmës për sfidat emocionale.

Nëse ke nevojë për ndihmë nga Perëndia, miqtë, familja apo mjekët profesionistë, nuk je njeri më i dobët ngaqë po kërkon ndihmë të mëtejshme e cila të nevojitet. Në fakt, po tregon guxim!

një varg njerëzish me krahët rreth supeve të njëri-tjetrit

Këshilla 5: Le të Qëndrojmë të Lidhur

Lidhja me Atin tënd Qiellor në lutje të përditshme është jetike.

Mendoj se është gjithashtu thelbësore të qëndrojmë të lidhur me njerëz me të cilët mund të ndihemi të sigurt dhe u mirëbesojmë. Merre në telefon mamin. Bisedo me një shok/shoqe ballë për ballë. Fol me një motër apo vëlla tëndin. Jemi më të fortë kur e ndihmojmë njëri‑tjetrin. Ajo forcë vlen për të dyja palët. Të gjithë kanë nevojë për dikë. Izolimi dhe depresioni shpesh e rëndojnë njëri-tjetrin. Lidhja me ata që duam e me të cilët jetojmë dhe të cilët mund t’i shohim e të na japin një përqafim, është një kundërhelm i shkëlqyer për aq shumë dhembje që përjetojmë.

Ne Mund të Qëndrojmë në Furrë me Të!

Ndonjëherë na duhet thjesht të kujtojmë se Perëndia është me ne.

Në Dhiatën e Vjetër, mbreti Nebukadnetsari i hodhi Shadrakun, Meshakun dhe Abed‑negon në një furrë aq të nxehtë saqë edhe rojat jashtë nuk mund t’i rezistonin nxehtësisë.

Pra, si mbijetuan ata të tre?

Shkrimet e shenjta na mësojnë se një figurë e katërt mund të shihej në flakë me ta, figurë e cila “i përngjan[te] asaj të një biri të Perëndisë” (Daniel 3:25).

Besoj se kjo do të thotë se Krishti është me ne gjatë nxehtësisë së sprovave tona, veçanërisht ndërsa po i durojmë ato. Betejat për shëndetin e trurit sigurisht që mund të na duken si një furrë përvëluese. Krishti është Emanueli, që fjalë për fjalë do të thotë “Perëndia me ne”.

Mos harro, Jezu Krishti është forca jonë, jo vetëm në fund të rrugës, kur jemi të lirë nga përvoja e emocioneve që nuk i kemi kërkuar. Ai është në fakt me ne gjatë gjithë rrugëtimit tonë. Ai është forca dhe lehtësimi ynë pikërisht tani.

Le të qëndrojmë më të fortë së bashku!