Zëra të Rinisë
Çrregullimi Im i të Ngrënit përkundrejt Identitetit Tim të Vërtetë
Për një kohë të gjatë kam luftuar me një çrregullim të të ngrënit të quajtur anoreksi nervosa, ku njeriu ha gjithnjë e më pak dhe shqetësohet se mos shton në peshë. Ajo ndikon tek ti mendërisht, fillon të ndihesh në faj që ha dhe nuk i kupton nevojat e trupit tënd. Nuk më ndihmonte fakti që shihja vazhdimisht standardet joreale në internet ose në shkollë dhe e krahasoja veten me familjarët e mi dhe të tjerët përreth.
Çrregullimi i të ngrënit ishte padyshim diçka që e fshihja. Por mami i vuri re ndryshimet në zakonet e mia të të ngrënit. U ul me mua dhe më dha aq kohë sa më duhej për t’i treguar se çfarë po ndodhte. U derdhën shumë lot, por mendoj se Shpirti ndihmoi për ta udhërrëfyer që të kuptonte se kisha nevojë për ndihmë. Së bashku, bëmë një plan dhe filluam të punonim ngadalë sipas tij.
Gjatë asaj kohe, vendosa të marr edhe bekimin tim patriarkal. Doja të dija se si mund të ishte jeta ime jashtë errësirës që po përjetoja. U futa në këtë proces duke e pyetur Zotin: “Kush jam unë?”, “A më do?” dhe “Pse jam këtu?” Gjëja e parë që tha patriarku, ishte një përgjigje për këto pyetje. Bekimi më ndihmon të mësoj për identitetin tim të vërtetë dhe për atë që Perëndia ka në ruajtje për mua. Sa herë që e lexoj, ndiej dashurinë e Shpëtimtarit për mua dhe kujtoj se çfarë mund të bëhem me Të.
Edhe me përkrahjen e bekimit tim patriarkal, familjes sime, Atit tim Qiellor dhe Shpëtimtarit tim, m’u desh një kohë e gjatë për të kuptuar ndjenjat që kisha për trupin tim. E kam ende të vështirë ndonjëherë ta pranoj veten për atë që jam dhe mënyrën se si dukem. Por për shkak të kohës të zymtë që kam kaluar, po filloj ta vlerësoj rritjen dhe dritën që vijnë nga të kuptuarit e identitetit tim të vërtetë. Jam një bijë e Atit Qiellor. Jam një dishepulle e Jezu Krishtit. Ata më shohin me dashuri dhe inkurajim dhe kjo ka më tepër rëndësi se mendimi i gjithkujt tjetër.
Analiza B., mosha 17 vjeçe, Xhorxhia, SHBA
I pëlqen të punojë në praktikën e saj në spital dhe të krijojë vepra arti e muzikore për të nderuar Perëndinë dhe krijimet e Tij.