Marrja dhe Dhënia e Ndihmës për Shëndetin Mendor
Kur vjen puna te shëndeti mendor, ti mund të kërkosh ndihmë dhe t’ua ofrosh edhe të tjerëve.
Çfarë duhet të bësh kur ndien trishtim, shkurajim, ankth, shqetësim ose dëshpërim?
Mund të presësh që përgjigjja të jetë diçka e tillë si: Jetoje ungjillin. Lutu. Lexoji shkrimet e shenjta. Merre sakramentin. Vazhdimësia në bërjen e atyre gjërave është e mirë dhe e nevojshme dhe vërtet zgjidh (dhe parandalon) shumë probleme. Por disa probleme duan përpjekje shtesë.
Sigurisht, gjithkush ndihet i shqetësuar ose i trishtuar ndonjëherë. Ajo është pjesë e jetës. Ka shumë mënyra të shëndetshme se si të përballesh me këto gjëra. Por nëse ankthi ose depresioni është aq i rëndë ose afatgjatë sa po të pengon në jetën tënde dhe po të pengon të ndiesh Shpirtin, atëherë mund të jesh në fazën ku nuk është realiste të presësh që të përmirësohet pa ndihmë shtesë.
Shëndeti mendor është shëndet fizik (shih te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 29). Kimikatet në trurin tonë ndihmojnë për rregullimin e emocioneve tona dhe truri është pjesë e trupit. Kushdo që thotë se depresioni ose ankthi është “i gjithi në kokën tënde” ka të drejtë vetëm në kuptimin e fjalëpërfjalshëm: koka jote është, në fakt, vendi ku gjendet truri yt. Por problemet nuk janë më imagjinare sesa thyerja e këmbës apo mahisja e apendicitit.
Kërko Ndihmë
Libri i Mormonit thotë që nefitët u bekuan nga “cilësi[a] jashtëzakonisht [e] mirë [e] shumë bimëve dhe rrënjëve që Perëndia kishte përgatitur për të zhdukur shkakun e sëmundjeve” (Alma 46:40). Sot, ne mund t’i quajmë këto gjëra mjekime.
Sot, Perëndia ka përgatitur edhe më shumë mënyra për të luftuar sëmundjet dhe lëndimet, përfshirë dhembjet mendore dhe emocionale. Tani kemi trajtime që nefitët, përfshirë dhe gjyshërit tanë, mundën veçse t’i ëndërronin. Ne jetojmë në një epokë mrekullish! Dhe Ati Qiellor dëshiron që ne t’i përdorim ato.
Kjo nuk do të thotë që çdokush që vuan nga depresioni apo ankthi, ka nevojë për mjekime apo terapi. Gjithsecili është i ndryshëm. Por pavarësisht nga situata jote, një gjë është e sigurt: Nuk ka arsye për të vuajtur i/e vetëm/me. Ati yt Qiellor mezi pret të të ndihmojë.
Ati yt Qiellor e di se çfarë do të të ndihmojë ty. Nëse betejat e tua mund të zgjidhen nëpërmjet lutjes dhe besimit, apo nëse duhet të kërkosh bekimet e Tij edhe nëpërmjet një ndërthurjeje të mjekimeve, terapistëve, prindërve, miqve, peshkopëve, udhëheqësve të të rinjve/rejave, mësuesve, ajrit të pastër dhe ushtrimeve fizike për të kaluar kohët e vështira, kërkoje ndihmën e Tij. Mos u shqetëso shumë se si i zgjidhën të tjerët probleme të ngjashme. Ati Qiellor do të të ndihmojë të gjesh zgjidhje të përshtatshme për rrethanat e tua.
Ji i/e Dobishëm/me
Ungjilli në tërësi ka të bëjë me ndihmën ndaj të tjerëve, duke pasqyruar mënyrën se si Shpëtimtari na ndihmoi nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Ti duhet të përpiqesh gjithmonë të ndjekësh këshillën: “Shkojuni në ndihmë atyre që ndihen të vetmuar, të veçuar ose të pafuqishëm. Ndihmojini ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor përmes jush” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 12). Mund të mos jesh doktor ose terapist, por je një dishepull/e i/e Krishtit dhe dishepujt e Krishtit “vajtoj[në] me ata që vajtojnë; po, dhe … ngushëlloj[në] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9).
Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bësh kur dikush që e do po lufton me depresionin, ankthin apo probleme të tjera të shëndetit mendor, është të dëgjosh.
Shpesh, gjithçka që dëshiron dikush, i cili po lufton me shëndetin emocional, është që ta mirëkuptosh dhe t’i tregosh dashuri. Ai ose ajo nuk pret që ti të kesh një përgjigje magjike që do të zgjidhë gjithçka. Thjesht mund të ketë nevojë të shfryhet. Ai ose ajo do që dikush t’i qëndrojë pranë, ta dëgjojë dhe të tregojë mirëkuptim, të thotë: “Jam dakord, ajo që po kalon duket shumë e keqe. Më vjen keq. Sa do të doja ta rregulloja këtë punë. Të lutem më thuaj se si mund të ndihmoj.”
Dhe Mbaj Mend …
Pavarësisht nëse je ti personi që jep ndihmë ose personi që ka nevojë për ndihmë, mbaje mend se ka disa gjëra që vetëm Perëndia mund t’i bëjë. Lëre Atë t’i bëjë. Ndërkohë, bëj atë që ti mundesh për t’u kujdesur për veten dhe njerëzit përreth.