Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Gusht 2024
Një Marrëdhënie e Fuqishme
Një besëlidhje është më shumë se një kontratë; ajo është një marrëdhënie.
Ende kam një fotografi të karrigeve të gjelbra ku u ulën Plaku Pistone dhe Plaku Morasko ndërkohë që i jepnin mësim familjes sime në shtëpinë tonë në Argjentinë. Ata dhanë mësim me aq shumë fuqi shpirtërore sa motra ime 10‑vjeçare dhe unë (në moshën 9‑vjeçare) vrapuam për të prekur karriget pasi ata ikën, duke shpresuar se fuqia do të na ngjitej pas trupit.
Shpejt mësova se fuqia nuk vinte nga karriget e gjelbra, por nga pasja e një marrëdhënieje besëlidhëse me Perëndinë dhe Jezu Krishtin.
Përvoja e Pagëzimit Tim
Unë e bëra besëlidhjen time të parë më 13 nëntor 1977. Nuk mbaj mend shumë rreth pagëzimit tim, por më kujtohet që Plaku Pistone më ndihmoi të futesha në ujë dhe Plaku Morasko më konfirmoi ndërkohë që i kisha flokët ende të lagur. Më kujtohet edhe gëzimi që ndjeva kur miqtë e rinj të lagjes më dhanë përqafime dhe puthje sipas mënyrës argjentinase dhe dëshira e madhe që ndjeva për të qenë një bijë besnike e Atit Qiellor.
Më vonë e kuptova se gëzimi që ndjeva vinte nga dhurata e Frymës së Shenjtë. Mësova se, teksa i mbaja besnikërisht besëlidhjet e mia me Perëndinë, Shpirti do të ishte me mua. Fryma e Shenjtë është vetëm një nga bekimet e fuqishme që vijnë nga një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë dhe Jezu Krishtin.
Tani, edhe kur shtysat, mendimet dhe veprimet e mia nuk janë aty ku duhet, kam shpresën të vazhdoj të përpiqem. Përse? Sepse marrja e sakramentit e bën të mundur që unë të përtërij besëlidhjet dhe të bëj besëlidhje të reja çdo javë. Jam tejet mirënjohëse për atë bekim.
Një Marrëdhënie e Ngrohtë Besëlidhëse
Ne shpesh dëgjojmë se besëlidhjet janë premtime dypalëshe mes nesh dhe Perëndisë. Ndërkohë që kjo është e vërtetë, kjo nuk është e gjitha. Në realitet, “mbajtja e besëlidhjeve nuk është një marrëveshje e ftohtë pune, por një marrëdhënie e ngrohtë”.
Atëherë, si krijohet një marrëdhënie besëlidhëse me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin? Ata tashmë të duan përsosurisht dhe duan të të bekojnë (shih tek 3 Nefi 14:11). Por çdo marrëdhënie dypalëshe do kohë dhe dashuri nga të dyja anët.
A dëshiron të shpenzosh më tepër kohë me Ta? Kur bën gjërat që Ata do t’i bënin, je duke ecur me Ta! Kjo mund të jetë po aq e thjeshtë sa të dëgjosh një shok ose shoqe gjatë një periudhe të vështirë, të gjesh kohë për të luajtur me motrën ose vëllanë, ose të përfshish dikë që ndihet i/e përjashtuar. Kohët e fundit, shpenzova kohë duke ecur me Perëndinë me anë të regjistrimit të mesazheve zanore dhe dërgimit të tyre e të mesazheve të shkruara me celular te një shoqe në Argjentinë që po ndihej e vetmuar. Kam vendosur gjithashtu që ta mbaj gjithmonë aktiv rekomandimin tim të tempullit në mënyrë që të mund të shpenzoj kohë me Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë. Ti mund të lutesh për ide që do të të ndihmojnë të shpenzosh kohë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tënd.
A dëshiron t’u tregosh Atyre se ke vërtet interes? Trajtoji urdhërimet, për të cilat ke bërë besëlidhje se do t’i mbash, si një mënyrë për të shprehur dashurinë tënde, jo si një listë rregullash. Për shembull, për të jetuar Fjalën e Urtësisë, unë mësova si të gatuaj vakte të shëndetshme. Tani po u mësoj bijave të mia të bëjnë të njëjtën gjë. Ndërsa i mban me vullnet të plotë urdhërimet e Perëndisë, dashuria jote për Të dhe Shpëtimtarin do të shtohet.
Marrëdhëniet tona besëlidhëse me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin do të na ndihmojnë t’i njohim më mirë Ata dhe të kemi më tepër qasje te fuqia e Tyre në jetën tonë, pafundësisht më shumë sesa çfarëdo që kanë për të ofruar një palë karrige të gjelbra. Ajo fuqi na ndryshon përgjithmonë!
© 2024 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, August 2024. Albanian 19342 101