Përshtatje për të Forcuar Rininë
Më shumë të rinj e të reja do t’i përgjigjen kësaj sfide dhe do të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve për shkak të këtij përqendrimi që ka pikërisht në qendër rininë tonë.
Faleminderit, i dashur Presidenti Nelson, për atë udhëzim të gëzueshëm e zbulues për sa u përket dëshmitarëve të pagëzimeve dhe drejtimit për të cilin na keni kërkuar të flasim, që të ndihmojmë për t’i forcuar të rinjtë e të rejat dhe për të zhvilluar potencialin e tyre të shenjtë.
Përpara se të flas për ato përshtatje, ne shprehim vlerësimin tonë të sinqertë për mënyrën e jashtëzakonshme se si anëtarët u janë përgjigjur zhvillimeve në Rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit. Sikurse sugjeroi Presidenti Nelson vitin e shkuar, ju i keni marrë vitaminat tuaja!
Ju studioni plot gëzim programin Eja, Më Ndiq në shtëpi. Ju gjithashtu u jeni përgjigjur përshtatjeve në kishë. Anëtarët e kuorumit të pleqve dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës së bashku po kryejnë punën e shpëtimit.
Nuk ka fjalë që ta shprehin mirënjohjen tonë. Jemi veçanërisht mirënjohës që rinia jonë vazhdon të mbetet e fortë dhe besnike.
Rinia jonë jeton në një kohë emocionuese, por edhe sfiduese. Zgjedhjet e mundshme kurrë nuk kanë qenë më të skajshme. Një shembull: telefoni inteligjent bashkëkohor siguron përdorim të informacionit jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe lartësues, përfshirë historinë familjare dhe shkrimet e shenjta. Nga ana tjetër, ai përmban marrëzi, pamoralshmëri dhe ligësi që nuk ishin lehtësisht në dispozicion në të shkuarën.
Që ta ndihmojmë rininë tonë të gjejë udhën nëpër këtë labirint zgjedhjesh, Kisha ka përgatitur tri nisma domethënëse dhe gjithëpërfshirëse. Së pari, programi mësimor është forcuar e zgjeruar në shtëpi. Së dyti, një program për fëmijët dhe rininë që përfshin veprimtari emocionuese dhe zhvillim vetjak, u paraqit pikërisht të dielën e shkuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson, Presidenti M. Rasëll Ballard dhe Drejtuesit e Përgjithshëm. Një nismë e tretë janë ndryshimet organizative për ta bërë rininë një përqendrim më të rëndësishëm për peshkopët dhe udhëheqësit tanë të tjerë. Ky përqendrim duhet të jetë i fuqishëm shpirtërisht dhe ta ndihmojë rininë tonë që të bëhet batalioni i rinisë që Presidenti Nelson i ka kërkuar të bëhet.
Modelet Ndërthurëse
Këto përpjekje, së bashku me ato të shpallura gjatë disa viteve të fundit, nuk janë ndryshime të veçuara. Secila nga përshtatjet është pjesë përbërëse e një modeli ndërthurës për t’i bekuar shenjtorët dhe për t’i përgatitur ata që të takohen me Perëndinë.
Një pjesë e modelit lidhet me brezin e ri. Rinisë sonë po i kërkohet të ndërmarrë më shumë përgjegjësi individuale në mosha më të vogla – pa prindërit dhe udhëheqësit duke marrë përsipër atë që të rinjtë e të rejat mund ta bëjnë vetë.
Njoftim
Sot ne njoftojmë ndryshime organizative për rininë në nivelet e lagjeve dhe të kunjeve. Siç shpjegoi Presidenti Nelson, Motra Boni H. Kordën do të diskutojë ndryshimet për të rejat këtë mbrëmje. Një qëllim për ndryshimet që do ta diskutoj tani, është që të forcohen mbajtësit e Priftërisë Aarone, kuorumet dhe presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone. Këto ndryshime e përputhin praktikën tonë me vargun te Doktrina e Besëlidhje 107:15 që thotë: “Këshilli i peshkopit është presidencia e kësaj priftërie [Aarone] dhe mban çelësat ose autoritetin e saj”.
Një nga detyrat e peshkopit në shkrimet e shenjta është që të kryesojë mbi priftërinjtë dhe të ulet në këshill me ta, duke ua mësuar detyrat e thirrjes së tyre. Përveç kësaj, këshilltari i parë në peshkopatë do të ketë përgjegjësi të veçantë për mësuesit dhe këshilltari i dytë për dhjakët.
Sipas kësaj, për t’u përputhur me këtë zbulesë te Doktrina e Besëlidhje, do të ndërpriten presidencat e Të Rinjve në nivel lagjeje. Këta vëllezër besnikë kanë bërë shumë gjëra të mira dhe ne u shprehim atyre mirënjohje.
Është shpresa jonë që peshkopatat do t’u vënë theks dhe përqendrim më të madh përgjegjësive të priftërisë për të rinjtë dhe do t’i ndihmojnë ata për detyrat e kuorumeve të tyre. Këshillues për Të Rinjtë, të aftë dhe në moshë madhore, do të thirren për t’i ndihmuar presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe peshkopatën në detyrat e tyre. Kemi besim se më shumë të rinj e të reja do t’i përgjigjen kësaj sfide dhe do të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve për shkak të këtij përqendrimi që ka pikërisht në qendër rininë tonë.
Në planin e frymëzuar të Zotit, peshkopi ka përgjegjësi për çdo njeri në lagje. Ai bekon prindërit e të rinjve dhe të rejave, si edhe rininë vetë. Një peshkop zbuloi se teksa këshillonte një të ri që po ndeshej me pornografinë, ai mund ta ndihmonte të riun në pendimin e tij vetëm teksa i ndihmoi prindërit që të reagonin me dashuri e mirëkuptim. Shërimi i të riut ishte një shërim për familjen e tij dhe ishte i mundur nëpërmjet peshkopit që po punonte me të gjithë familjen. I riu është bërë tani mbajtës i denjë i Priftërisë Melkizedeke dhe misionar kohëplotë.
Siç sugjeron ky tregim, këto përshtatje do t’i:
-
Ndihmojnë peshkopët dhe këshilltarët e tyre që të përqendrohen te përgjegjësitë e tyre thelbësore për rininë dhe fëmijët e Fillores.
-
Vendosin fuqinë dhe detyrat e Priftërisë Aarone në qendër të jetës dhe synimeve vetjake të çdo të riu.
Këto përshtatje gjithashtu:
-
Theksojnë përgjegjësitë e presidencave të kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe linjën e tyre të drejtpërdrejtë të raportimit te peshkopata.
-
I nxitin udhëheqësit e rritur që t’i ndihmojnë dhe këshillojnë presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone për të lartësuar fuqinë dhe autoritetin e detyrës së tyre.
Siç u përmend, këto përshtatje nuk e pakësojnë përgjegjësinë e peshkopatës për të rejat. Siç dha mësim Presidenti Nelson pak më parë: “Përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishme e [peshkopit] është që të kujdeset për të rinjtë dhe të rejat në lagjen e tij”.
Si do ta përmbushin këtë përgjegjësi peshkopët tanë të dashur dhe shumë punëtorë? Siç ju kujtohet, në vitin 2018 kuorumet e Priftërisë Melkizedeke u përshtatën për të punuar edhe më ngushtësisht me Shoqatat e Ndihmës, me qëllim që kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës, nën drejtimin e peshkopit, të mund të ndihmojnë për mbajtjen e përgjegjësive të rëndësishme që më parë merrnin shumë prej kohës së tij. Këto përgjegjësi përfshijnë punën misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje – si edhe shumë prej dhënies së shërbesës për anëtarët e lagjes.
Peshkopi nuk mund të delegojë disa përgjegjësi, të tilla si forcimi i rinisë, të qenit një gjykatës i përbashkët, përkujdesja për njerëzit në nevojë dhe mbikëqyrja e financave dhe e çështjeve materiale. Gjithsesi, këto janë më pak nga ç’mund ta kemi kuptuar në të shkuarën. Siç e shpjegoi Plaku Xhefri R. Holland vitin e kaluar kur u shpallën përshtatjet e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke: “Peshkopi mbetet, sigurisht, prifti i lartë kryesues i lagjes. Ky bashkërendim i ri [i kuorumeve të pleqve dhe Shoqatave të Ndihmës] duhet ta lejojë atë që të kryesojë mbi punën e Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatës së Ndihmës pa kërkuar prej tij që ai të bëjë punën e asnjërit prej këtyre trupave.”
Për shembull, një presidente e Shoqatës së Ndihmës dhe një president i kuorumit të pleqve, sipas caktimit, mund të ndërmarrin një rol më të madh në këshillimin me të rriturit – siç mund të ndërmarrë një presidente e Të Rejave në këshillimin me të rejat. Ndërkohë që vetëm peshkopi mund të shërbejë si gjykatës i përbashkët, këta udhëheqës të tjerë gjithashtu kanë të drejtën për të marrë zbulesë nga qielli që të ndihmojnë lidhur me sfidat që nuk kërkojnë një gjykatës të përbashkët ose që nuk përfshijnë keqtrajtim të çfarëdo lloji.
Kjo nuk do të thotë që një e re nuk mund ose nuk duhet të flasë me peshkopin ose prindërit e saj. Përqendrimi i tyre është rinia! Por do të thotë që një udhëheqëse e Të Rejave mund t’i plotësojë më së miri nevojat e një të reje të veçantë. Peshkopata është po aq e interesuar për të rejat sa është për të rinjtë, por ne e vëmë në dukje forcën që vjen nga pasja e udhëheqëseve të forta, të përfshira dhe të përqendruara për Të Rejat, të cilat i duan dhe i këshillojnë, duke mos i marrë përsipër rolet e presidencave të klasave, por duke e ndihmuar rininë që të ketë sukses në ato role.
Sonte Motra Kordën do të flasë për ndryshime të tjera emocionuese për të rejat. Sidoqoftë, unë shpall se presidentet e Të Rejave të lagjeve tani do t’i raportojnë dhe do të këshillohen drejtpërsëdrejti me peshkopin e lagjes. Në të shkuarën, kjo detyrë mund t’i caktohej një këshilltari, por tani e tutje, të rejat do të jenë një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e dikujt që mban çelësat e kryesimit për lagjen. Presidentja e Shoqatës së Ndihmës do të vazhdojë t’i raportojë drejtpërsëdrejti peshkopit.
Në nivelet e drejtuesve të përgjithshëm dhe të kunjit, ne do të vazhdojmë të kemi presidenca të Të Rinjve. Në nivelin e kunjit, një këshilltar i lartë do të jetë presidenti i Të Rinjve dhe, së bashku me këshilltarët e lartë të caktuar për Të Rejat dhe Filloren, do të jetë pjesë e komitetit të kunjit për Priftërinë Aarone dhe Të Rejat. Këta vëllezër do të punojnë me presidencën e Të Rejave të kunjit në këtë komitet. Me një këshilltar të presidentit të kunjit si kryetar, ky komitet do të ketë rëndësi të shtuar ngaqë shumë prej programeve dhe veprimtarive në nismën e re për Fëmijët dhe Rininë do të jenë në nivelin e kunjit.
Këta këshilltarë të lartë, nën drejtimin e presidencës së kunjit, mund të shërbejnë si burim për peshkopin dhe kuorumet e Priftërisë Aarone në mënyrë të ngjashme me shërbimin e dhënë nga këshilltarët e lartë për kuorumet e pleqve të lagjeve.
Si një çështje që lidhet me këtë, një tjetër këshilltar i lartë do të shërbejë si presidenti i Shkollës të së Dielës për kunjin dhe, sipas nevojës, mund të shërbejë në komitetin e kunjit për Priftërinë Aarone dhe Të Rejat.
Ndryshime organizative shtesë do të shpjegohen më tej në informacionin e dërguar udhëheqësve. Këto ndryshime përfshijnë:
-
Mbledhja e komitetit të peshkopatës për rininë do të zëvendësohet nga një këshill i lagjes për rininë.
-
Termi “Aktivitete të Përbashkëta” do të ndërpritet dhe do të bëhet “aktivitete të Të Rejave”, “aktivitete të kuorumeve të Priftërisë Aarone” ose “aktivitete të rinisë” të cilat do të mbahen çdo javë atje ku është e mundur.
-
Buxheti i lagjes për aktivitetet e rinisë do të ndahet në mënyrë të drejtë midis organizatave të të rinjve dhe të rejave në përputhje me numrin e të rinjve dhe të rejave në secilën organizatë. Një shumë e mjaftueshme do të sigurohet për aktivitetet e Fillores.
-
Në të gjitha nivelet – e lagjes, të kunjit dhe të përgjithshme – ne do të përdorim termin “organizatë” në vend të termit “organizatë ndihmëse”. Ata që udhëheqin organizatat e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave, të Të Rinjve, Fillores dhe Shkollës të së Dielës do të njihen si “Drejtues të Përgjithshëm”. Ata që udhëheqin organizata në nivelet e lagjeve dhe të kunjeve do të njihen si “drejtues lagjeje” dhe “drejtues kunji”.
Përshtatjet e shpallura sot mund të fillojnë sapo të jenë gati degët, lagjet, distriktet dhe kunjet, por duhet të jenë në funksionim më 1 janar 2020. Këto përshtatje, kur ndërthuren dhe gërshetohen me përshtatjet e mëparshme, përfaqësojnë një përpjekje shpirtërore dhe organizative në përputhje me doktrinën për të bekuar e forcuar çdo burrë, grua, të ri, të re dhe fëmijë, duke e ndihmuar secilin që të ndjekë shembullin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, teksa përparojmë në shtegun e besëlidhjeve.
Të dashur vëllezër e motra, unë premtoj dhe dëshmoj se këto përshtatje gjithëpërfshirëse, nën drejtimin e një presidenti dhe profeti të frymëzuar, Rasëll M. Nelsonit, do ta fuqizojnë dhe forcojnë çdo anëtar të Kishës. Rinia jonë do të zhvillojë besim më të madh te Shpëtimtari, do të jetë më e mbrojtur nga tundimet e kundërshtarit dhe do të qëndrojë e përgatitur për t’u bërë ballë sfidave të jetës. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.