Konferenca e Përgjithshme
Padrejtësia Ndërkryese
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


14:51

Padrejtësia Ndërkryese

Jezu Krishti e kupton padrejtësinë, si dhe ka fuqinë për të gjetur një kurë për të.

Në vitin 1994, një gjenocid ndodhi në shtetin e Ruandës të Afrikës Lindore, që ishte pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të këqija fisnore, të ngulitura thellë. Përllogaritet se u vranë më shumë se gjysmë milion njerëz.1 Në mënyrë mbresëlënëse, njerëzit në Ruanda, në pjesën më të madhe, janë pajtuar2, por këto ngjarje vazhdojnë të ndikojnë.

Një dekadë më parë, teksa vizitonim Ruandën, bashkëshortja ime dhe unë filluam një bashkëbisedim me një pasagjer tjetër në aeroportin e Kigalit. Ai vajtoi për padrejtësinë e gjenocidit dhe në mënyrë prekëse pyeti: “Nëse do të kishte një Perëndi, a nuk do të kishte bërë Ai diçka rreth kësaj?” Për këtë burrë – dhe për shumë prej nesh – vuajtja dhe padrejtësia brutale mund të duken të papajtueshme me realitetin e një Ati të mirë dhe të dashur Qiellor. Prapëseprapë Ai është i vërtetë, Ai është i mirë dhe Ai e do secilin prej fëmijëve të Tij në mënyrë të përsosur. Kjo bashkëjetesë e dy ndasive kundërshtuese është po aq e vjetër sa njerëzimi dhe nuk mund të shpjegohet si në një njoftim të thjeshtë lajmesh apo në një afishe të ngjitur prapa makinës.

Që të fillojmë t’i japim ca kuptim kësaj, le të shqyrtojmë lloje të ndryshme padrejtësish. Merreni parasysh një familje në të cilën çdo fëmijë merrte një shumë javore monetare për bërjen e punëve të zakonshme të shtëpisë. Njëri nga bijtë, Xhoni, bleu karamele; njëra nga bijat, Ana, i ruajti paratë e saj. Më së fundi, Ana bleu për vete një biçikletë. Xhoni mendoi se ishte tërësisht e padrejtë që Ana mori një biçikletë kurse ai nuk mori, por pabarazia u krijua nga zgjedhjet e Xhonit, jo nga veprimet prindërore. Vendimi i Anës për të hequr dorë nga kënaqësia e menjëhershme e ngrënies së karameleve, nuk imponoi ndonjë padrejtësi ndaj Xhonit, sepse ai pati të njëjtën mundësi sikurse motra e tij.

Po kështu, vendimet tona prodhojnë situata të favorshme ose të pafavorshme afatgjata. Sikurse zbuloi Zoti: “Në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen”3. Kur të tjerët marrin përfitime për shkak të zgjedhjeve të tyre të zellshme, ne nuk mund të arrijmë me drejtësi në përfundimin se jemi trajtuar padrejtësisht kur ne e kemi pasur të njëjtën mundësi.

Një shembull tjetër i padrejtësisë rrjedh nga një situatë që bashkëshortja ime, Ruthi, e hasi kur ishte fëmijë. Një ditë, Ruthi, mësoi se nëna e saj po shkonte me motrën më të vogël, Merlën, për të blerë këpucë të reja. Ruthi u ankua: “Mami, sa e padrejtë është kjo! Merla ishte e fundit që bleu këpucë të reja.”

Nëna e Ruthit u përgjigj: “Ruthi, a të bëjnë këpucët?”

Ruthi u përgjigj: “Epo, po”.

Më pas nëna e Ruthit tha: “Merlës nuk i bëjnë më këpucët”.

Ruthi ra dakord që çdo fëmijë në familje duhej të kishte këpucë që i bënin. Ndonëse Ruthit do t’i kishin pëlqyer këpucët e reja, perceptimi i saj se po trajtohej padrejtësisht u davarit kur ajo i pa rrethanat nëpërmjet syve të nënës së vet.

Disa lloje padrejtësish nuk mund të shpjegohen; padrejtësia e pashpjegueshme është ndërkryese. Padrejtësia vjen ngaqë jetojmë me trupa që janë të papërsosur, të dëmtuar ose të sëmurë. Jeta në vdekshmëri në mënyrë të natyrshme është e padrejtë. Disa njerëz lindin në kamje; të tjerë jo. Disa kanë prindër që i duan; të tjerë jo. Disa jetojnë për shumë vjet; të tjerë për pak. E kështu me radhë. Disa individë bëjnë gabime që lëndojnë edhe kur përpiqen të bëjnë mirë. Disa zgjedhin të mos e lehtësojnë padrejtësinë kur munden. Në mënyrë shqetësuese, disa individë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes, të dhënë nga Perëndia, për t’i dëmtuar të tjerët kur nuk duhet ta bëjnë asnjëherë këtë gjë.

Mund të shfaqen lloje të ndryshme padrejtësish, duke krijuar një cunam padrejtësie që mbizotëron. Për shembull, pandemia nga COVID‑19 në mënyrë të pabarabartë ndikon tek ata që tashmë kanë gjendje të pafavorshme, shumëfaktoriale dhe themelore. Zemra më dhemb për ata që përballen me padrejtësi të tillë, por unë ju shpall me gjithë zemrën time plot dhembje se Jezu Krishti e kupton padrejtësinë, si dhe ka fuqinë për të gjetur një kurë për të. Asgjë nuk krahasohet me padrejtësinë që duroi Ai. Nuk ishte e drejtë që Ai i përjetoi të gjitha dhembjet dhe pikëllimet e njerëzimit. Nuk ishte e drejtë që Ai vuajti për mëkatet dhe gabimet e mia dhe për tuajat por Ai zgjodhi ta bënte këtë për shkak të dashurisë së Tij për ne dhe për Atin Qiellor. Ai e kupton në mënyrë të përsosur se çfarë po përjetojmë.4

Shkrimi i shenjtë shënon se izraelitët e lashtë u ankuan që Perëndia po i trajtonte padrejtësisht. Si përgjigje, Jehova pyeti: “A mund të harrojë një grua foshnjën e gjirit, që ajo të mos ketë mëshirë për birin e barkut të saj?” Po aq e pamundur sa është që një nënë e dashur të harrojë foshnjën e saj, Jehova shpalli se përkushtimi i Tij ishte edhe më i palëkundur. Ai pohoi: “Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj. … Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua janë vazhdimisht përpara meje.”5 Për shkak se Jezu Krishti duroi flijimin e pafundmë shlyes, Ai i kupton përsosurisht ndjenjat tona.6 Ai është gjithmonë i vetëdijshëm për ne dhe rrethanat tona.

Në vdekshmëri, ne mund “t’i afrohemi … me guxim” Shpëtimtarit dhe të marrim dhembshuri, shërim e ndihmë.7 Madje edhe kur vuajmë në mënyrë të pashpjegueshme, Perëndia mund të na bekojë në mënyra të thjeshta, të zakonshme dhe të rëndësishme. Teksa mësojmë t’i dallojmë këto bekime, mirëbesimi ynë te Perëndia do të rritet. Në përjetësi, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i japin zgjidhje të gjithë padrejtësisë. Është e arsyeshme që ne dëshirojmë të dimë se si dhe kur do ta bëjnë. Si do ta bëjnë Ata këtë gjë? Kur do ta bëjnë Ata këtë gjë? Me sa di unë, Ata nuk e kanë zbuluar mënyrën se si ose kohën kur.8 Gjëja që vërtet e di, është se Ata do ta bëjnë këtë.

Në situata të padrejta, njëra nga detyrat tona është që të mirëbesojmë se “gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit”9. Jezu Krishti e mundi botën dhe e “përthithi” gjithë padrejtësinë. Për shkak të Tij, ne mund të kemi paqe në këtë botë dhe mund të marrim zemër.10 Nëse e lejojmë Atë, Jezu Krishti do ta shenjtërojë padrejtësinë për të mirën tonë.11 Ai jo vetëm do të na ngushëllojë dhe do të rivendosë atë që humbëm12; Ai do ta përdorë padrejtësinë për përfitimin tonë. Kur vjen puna te mënyra se si dhe koha kur [do ta bëjë këtë], ne kemi nevojë të kuptojmë dhe pranojmë, sikurse bëri Alma, që “nuk ka[në] rëndësi; pasi Perëndia i di të gjitha këto gjëra; dhe mua më mjafton të di se është kështu”13.

Mund të përpiqemi t’i mbajmë për më vonë pyetjet tona rreth mënyrës se si e kohës kur dhe të përqendrohemi në zhvillimin e besimit te Jezu Krishti, që Ai edhe ka fuqinë për ta bërë të drejtë gjithçka, edhe dëshiron me gjithë zemër për ta bërë këtë gjë.14 Të këmbëngulim nga ana jonë që të dimë se si ose kur, është diçka e pafrytshme dhe, në fund të fundit, miope.15

Teksa zhvillojmë besim te Jezu Krishti, ne gjithashtu duhet të përpiqemi fort që të bëhemi si Ai. Më pas, u afrohemi të tjerëve me dhembshuri dhe përpiqemi ta lehtësojmë padrejtësinë atje ku e gjejmë16; ne mund të përpiqemi t’i bëjmë të drejta gjërat brenda sferës sonë të ndikimit. Me të vërtetë, Shpëtimtari udhëzoi se ne “duhet të përfshihe[mi] me zell në një kauzë të mirë dhe të bëj[m]ë shumë gjëra me vullnetin [tonë] të lirë e të shkaktoj[m]ë shumë drejtësi”17.

Dikush që ka qenë i përfshirë me zell në luftën kundër padrejtësisë, është avokati Brajën Stivenson. Zyra e tij e avokatisë në Shtetet e Bashkuara i është përkushtuar mbrojtjes së atyre që janë akuzuar pa të drejtë, moslejimit të ndëshkimit të tepruar dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore bazë. Disa vjet më parë, z. Stivenson ishte avokati mbrojtës i një burri që e kishin akuzuar pa të drejtë për vrasje dhe e dënuan me vdekje. Z. Stivenson kërkoi përkrahje nga kisha vendore e krishterë e atij burri, ndonëse burri nuk ishte aktiv në kishën e vet dhe përçmohej në komunitet për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore që dihej gjerësisht.

Për ta përqendruar bashkësinë tek ajo që kishte vërtet rëndësi, z. Stivenson i foli rreth gruas së akuzuar për shkelje kurore, të cilën e sollën te Jezusi. Akuzuesit donin ta vrisnin me gurë, por Jezusi tha: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”18. Akuzuesit e gruas u tërhoqën prapa. Jezusi nuk e dënoi gruan, por e urdhëroi të mos mëkatonte më.19

Pasi ua tregoi këtë episod, z. Stivenson vërejti se drejtësia e vetëshpallur, frika dhe zemërimi kanë bërë që edhe të krishterët t’u hedhin gurë njerëzve që gabojnë. Më pas ai tha: “Ne thjesht nuk mund ta shohim këtë gjë të ndodhë” dhe i nxiti pjesëmarrësit e asaj bashkësie të bëheshin “kapës të gurëve”20. Vëllezër e motra, të mos hedhim gurë është hapi i parë në trajtimin e të tjerëve me dhembshuri. Hapi i dytë është të përpiqemi të kapim gurët e hedhur nga të tjerët.

Mënyra se si i trajtojmë situatat e favorshme ose të pafavorshme është pjesë e provës së jetës. Ne do të gjykohemi jo dhe aq nga ajo që themi, por nga mënyra se si i trajtojmë njerëzit që janë të cenueshëm dhe në situatë të pafavorshme.21 Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne kërkojmë të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, për ta përshkuar vendin duke bërë mirë.22 Ne e shprehim dashurinë tonë për të afërmit tanë duke punuar që të sigurojmë dinjitetin e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor.

Me vetë situatat tona të favorshme ose të pafavorshme në mendje, reflektimi është i dobishëm. Për Xhonin ishte zbulim kur kuptoi përse Ana e mori biçikletën. Për Ruthin ishte diçka ndriçuese që ta shihte nevojën e Merlës për këpucë nëpërmjet syve të nënës së saj. Përpjekja për t’i parë gjërat me një këndvështrim të përjetshëm, mund të jetë qartësuese. Teksa bëhemi më shumë si Shpëtimtari, ne zhvillojmë më shumë dashamirësi, kuptueshmëri dhe dashuri hyjnore.

Kthehem sërish te pyetja që shtroi bashkudhëtari ynë në Kigali, i cili vajtoi për padrejtësinë e gjenocidit në Ruanda dhe pyeti: “Nëse do të kishte një Perëndi, a nuk do të kishte bërë Ai diçka rreth kësaj?”

Pa e nënvlerësuar vuajtjen e shkaktuar nga gjenocidi dhe pasi e vumë në dukje paaftësinë tonë për ta kuptuar një vuajtje të tillë, ne u përgjigjëm se Jezu Krishti ka bërë diçka rreth padrejtësisë ndërkryese.23 Ne shpjeguam shumë parime të ungjillit lidhur me Jezu Krishtin dhe Rivendosjen e Kishës së Tij.24

Më pas, i njohuri ynë pyeti, me lot në sy: “Doni të thoni se ka diçka që unë mund të bëj për prindërit dhe ungjin tim të vdekur?”

Ne thamë: “O, po!” Atëherë ne dëshmuam se gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe se nëpërmjet autoritetit të Tij familjet mund të bashkohen së bashku përgjithmonë.

Kur përballemi me padrejtësinë, ne mund ta largojmë vetveten nga Perëndia, ose mund të drejtohemi tek Ai për ndihmë e përkrahje. Për shembull, lufta e gjatë midis nefitëve dhe lamanitëve ndikoi ndryshe te njerëzit. Mormoni vërejti se “shumë u ashpërsuan” ndërkohë që të tjerët “u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre, aq sa u përulën para Perëndisë”25.

Mos e lejoni padrejtësinë t’ju ngurtësojë apo ta gërryejë besimin tuaj te Perëndia. Në vend të kësaj, kërkojini ndihmë Perëndisë. Rriteni vlerësimin tuaj për Shpëtimtarin dhe mbështetjen tuaj tek Ai. Në vend që të bëheni të hidhur, lëreni Atë që t’ju ndihmojë të bëheni më të mirë.26 Lejojeni Atë t’ju ndihmojë të këmbëngulni, që t’i lini mundimet tuaja të “përfshihe[n] vetëm në gëzimin për Krishtin”27. Bashkohuni me Të në misionin e Tij “për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer”28, përpiquni fort që të zbutet padrejtësia dhe bëhuni një kapës i gurëve.29

Unë dëshmoj se Shpëtimtari jeton. Ai e kupton padrejtësinë. Shenjat në pëllëmbët e duarve të Tij vazhdimisht e kujtojnë Atë për ju dhe rrethanat tuaja. Ai ju jep shërbesë gjatë gjithë shqetësimit tuaj. Për ata që vijnë tek Ai, një kurorë bukurie do të zëvendësojë thëngjijtë e zisë; gëzimi dhe hareja do të zëvendësojnë brengosjen dhe hidhërimin; vlerësimi dhe kremtimi do të zëvendësojnë shkurajimin dhe dëshpërimin.30 Besimi juaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të shpërblehen më shumë nga ç’mund ta përfytyroni. Gjithë padrejtësia – veçanërisht padrejtësia ndërkryese – do të shenjtërohet për të mirën tuaj. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih John Reader, Africa: A Biography of the Continent (1999), f. 635–636, 673–679.

  2. Ndonëse shpresëdhënës, pajtimi në Ruandë është i ndërlikuar. Disa e vënë në dyshim thellësinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Shih, për shembull, “The Great Rwanda Debate: Paragon or Prison?”, Economist, 27 mars 2021, f. 41–43.

  3. Doktrina e Besëlidhje 130:19; theksimi i shtuar.

  4. Shih Hebrenjve 4:15.

  5. 1 Nefi 21:15–16.

  6. Shih Alma 7:11–13.

  7. Shih Hebrenjve 4:16; shih edhe Isaia 41:10; 43:2; 46:4; 61:1–3.

  8. Një fjalë paralajmërimi: Ne duhet t’i bëjmë ballë tundimit për të krijuar teoritë tona vetjake lidhur me mënyrën si dhe kohën kur, pavarësisht nga sa të arsyeshme apo të mundshme na duken ato. Ne nuk mund ta mbushim në mënyrë të justifikueshme vendin e lënë bosh për atë që Perëndia ende nuk e ka zbuluar.

  9. Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service (2018), f. 52; shih edhe Isaia 61:2–3; Zbulesa 21:4. Fraza “Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet” ka mundësi që të nënkuptojë se pasojat e padrejtësisë ndaj nesh do të zgjidhen, zbuten apo hiqen. Në bisedën e tij të fundit në konferencën e përgjithshme, “Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Plaku Xhozef B. Uirthlin tha: “Çdo lot i sotëm do të kthehet përfundimisht njëqindfish me lot gëzimi dhe mirënjohjeje. … Parimi i kompensimit triumfon” (Liahona, nëntor 2008, f. 28).

  10. Shih Gjoni 16:33.

  11. Shih 2 Nefi 2:2.

  12. Shih Jobit 42:10, 12–13; Jakobi [LiM] 3:1.

  13. Alma 40:5.

  14. Shih Mosia 4:9.

  15. Shih Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 93. Miope do të thotë dritëshkurtër.

  16. Për shembull, kapiten Moroni pohoi se është gabim që individët të qëndrojnë pa ndërhyrë dhe të “mos bë[jnë] gjë” kur ata mund t’i ndihmojnë njerëzit e tjerë (shih Alma 60:9–11); shih edhe 2 Korintasve 1:3–4).

  17. Doktrina e Besëlidhje 58:27; shih edhe vargjet 26, 28–29.

  18. Gjoni 8:7.

  19. Shih Gjoni 8:10–11; Përkthimi prej Joseph Smith-it [në anglisht] i vargut 11 përfshin: “Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë dhe besoi në emrin e tij”, duke sugjeruar që mungesa e dënimit nga Shpëtimtari dhe urdhërimi i Tij për të “mos mëk[atuar] më”, ndikoi në pjesën në vazhdim të jetës së gruas.

  20. Bryan Stevenson, Just Mercy: A Story of Justice and Redemption (2015), f. 308–309.

  21. Shih Mateu 25:31–46.

  22. Shih Veprat e Apostujve 10:38; shih edhe Rasëll M. Nelson, “Urdhërimi i Dytë i Madh”, Liahona, nëntor 2019, f. 96–100.

  23. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:17, 22–23.

  24. Këto parime janë formuluar qartësisht te proklamata “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.

  25. Alma 62:41.

  26. Shih Amos C. Brown, në Boyd Matheson, “‘It Can Be Well with This Nation’ If We Lock Arms as Children of God”, Church News, 25 korrik 2019, thechurchnews.com.

  27. Alma 31:38.

  28. Shih Lluka 4:16–19. Të shërosh zemërthyerit do të thotë të rivendosësh ata njerëz, mendja, vullneti, intelekti dhe brendësia e të cilëve është thërrmuar ose copëtuar (shih James Strong, The New Strong’s Expanded Exhaustive Concordance of the Bible [2010], pjesa e fjalorit hebreas, f. 139 dhe 271).

  29. Shih, për shembull, Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94; Dallin H. Ouks, “Duajini Armiqtë Tuaj”, Liahona, nëntor 2020, f. 26–29. Presidenti Nelson këshilloi: “Sot u bëj thirrje anëtarëve tanë kudo, që të prijnë udhën në braktisjen e qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese. Ju lutem që të nxitni respekt për të gjithë fëmijët e Perëndisë.” Kjo është më shumë sesa thjesht të jemi kundër qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese. Presidenti Ouks citoi kleriken Tereza A. Dir: “Racizmi lulëzon në urrejtje, shtypje, mosveprim, mospërfillje dhe heshtje”. Më pas ai shtoi: “Si qytetarë dhe si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të veprojmë më mirë për të ndihmuar në çrrënjosjen e racizmit”.

  30. Shih Isaia 61:3. Të marrësh një diademë [kurorë bukurie] do të thotë të bëhesh bashkëtrashëgimtar me Jezu Krishtin në mbretërinë e Perëndisë. Shih edhe Donald W. Parry, Jay A. Parry dhe Tina M. Peterson, Understanding Isaiah (1998), f. 541–543.