Konferenca e Përgjithshme
Plëngprishësi dhe Rruga që të Çon në Shtëpi
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


14:32

Plëngprishësi dhe Rruga që të Çon në Shtëpi

Ndonëse zgjedhjet mund t’ju kenë larguar nga Shpëtimtari dhe Kisha e Tij, Shëruesi Mjeshtër qëndron te rruga që të çon në shtëpi, duke ju mirëpritur.

Një Njeri Kishte Dy Bij

Disa e kanë quajtur historia e shkurtër më e madhërishme që është treguar ndonjëherë.1 Qëkurse është përkthyer në mijëra gjuhë nëpër botë, është krejt e mundur që gjatë këtyre dy mijë vjetëve të fundit, të mos ketë kaluar ndonjë ditë pa u përmendur kjo histori diku në botë.

U tregua nga Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, që erdhi në tokë “të shpëtojë atë që kishte humbur”2. Ai e fillon me këto fjalë të thjeshta: “Një njeri kishte dy bij”3.

Menjëherë ne mësojmë për një konflikt zemërthyes. Një bir4 i thotë të atit se po i jep fund jetës në shtëpi. Ai dëshiron lirinë e tij. Ai dëshiron t’i lërë pas kulturën dhe mësimet e prindërve të tij. Ai kërkon pjesën e tij të trashëgimisë – tani.5

A e përfytyroni se çfarë ndjeu ati kur e dëgjoi këtë? Kur e kuptoi se ajo që i biri dëshironte më shumë se gjithçka tjetër, ishte ta linte familjen dhe ndoshta të mos kthehej më kurrë?

Aventura e Madhe

Biri duhet të ketë ndier një dridhmë aventure dhe entuziazmi. Më në fund, ai ishte i pavarur. I lirë nga parimet dhe rregullat e kulturës së rinisë së tij, ai më në fund mund të bënte zgjedhjet e veta pa u ndikuar nga prindërit e tij. Jo më ndjesi faji. Ai mund të kënaqej nga pranimi prej njerëzve me të njëjtën mendje dhe ta jetonte jetën siç donte vetë.

Pasi mbërriti në një vend të largët, ai shpejt zuri shokë të rinj dhe filloi të bënte jetën që kishte ëndërruar gjithmonë. Ai duhet të ketë qenë njeriu i parapëlqyer për shumë veta, pasi shpenzonte para pa kursim. Miqtë e tij të rinj, përfitues nga dorëlëshimi i tij, nuk e gjykuan. Ata i kremtuan, duartrokitën dhe përkrahën zgjedhjet e tij.6

Po të kishte media shoqërore në atë kohë, sigurisht që ai do t’i kishte mbushur faqet me fotografi gazmore të miqve të qeshur: #Jetaefundit! #Nukkamqenëkurrëmëilumtur! #Duhejtakishabërëkëtëshumëkohëmëparë!

Zia e Bukës

Por festa nuk zgjati shumë – rrallë zgjat. Ndodhën dy gjëra: së pari, ai mbeti pa para dhe së dyti, një zi buke e përfshiu vendin.7

Teksa problemet u përkeqësuan, atë e zuri paniku. Dorëshpuari dikur i shfrenuar e gjithë hare, tani nuk mund të siguronte as një vakt të vetëm, le më një vend ku të fuste kokën. Si do të mbijetonte ai?

Ai kishte qenë bujar me miqtë e tij – a do ta ndihmonin ata tani? Mund ta shoh atë duke kërkuar pak përkrahje – vetëm për tani – sa të mëkëmbej sërish.

Shkrimet e shenjta na tregojnë: “Askush nuk ia jepte”8.

Me dëshpërimin për të mbetur gjallë, ai gjeti një fermer të atij vendi që e punësoi për t’i ruajtur derrat.9

Jashtëzakonisht i uritur tani, i braktisur dhe në vetmi, i riu duhet të ketë vrarë mendjen se si gjërat mundën të shkonin kaq tmerrësisht, llahtarshëm keq.

Nuk ishte thjesht një bark bosh që e shqetësonte atë. Ishte një shpirt bosh. Kishte qenë kaq shumë i sigurt se kënaqja e dëshirave të tij sipas botës do ta bënte të lumtur, se ligjet morale ishin pengesa për atë lumturi. Tani e dinte më mirë. Dhe oh, çfarë çmimi i ishte dashur të paguante për atë njohuri!10

Teksa uria fizike dhe shpirtërore u shtuan, mendimet iu kthyen tek i ati. A do ta ndihmonte ai pas gjithë asaj që kishte ndodhur? Edhe më i përuluri i shërbëtorëve të të atit kishte ushqim për të ngrënë dhe strehë nga stuhitë.

Por të kthehej tek i ati?

Kurrë.

T’ia rrëfente fshatit se e kishte shpenzuar pa hesap trashëgiminë e tij?

E pamundur.

Të përballej me fqinjët që sigurisht e kishin paralajmëruar se po e turpëronte familjen dhe po ua thyente zemrën prindërve? Të kthehej te miqtë e tij të vjetër pasi ishte mburrur se si po bëhej i pavarur?

E padurueshme.

Por uria, vetmia dhe brejtja e ndërgjegjes thjesht nuk do të largoheshin, derisa “erdhi në vete”11.

E dinte se çfarë nevojitej të bënte.

Kthimi

Tani le të kthehemi pas tek ati, i zoti zemërthyer i shtëpisë. Sa qindra e qindra apo ndoshta mijëra orë kishte kaluar ai duke u shqetësuar për të birin?

Sa herë e kishte vështruar të njëjtën rrugë që kishte marrë i biri, dhe e kishte ripërjetuar humbjen therëse që kishte ndier teksa i biri u largua? Sa lutje kishte bërë në zemër të natës, duke iu përgjëruar Perëndisë që i biri të ishte shëndoshë e mirë, që ta zbulonte të vërtetën, që të kthehej?

Dhe pastaj një ditë, ati vështron atë rrugë të shkretë, rrugën që çon për në shtëpi, dhe sheh një figurë të largët që ecën drejt tij.

A është e mundur?

Ndonëse njeriu është goxha larg, ati e dallon në çast që është i biri.

Ai lëshohet vrap drejt tij, e rrëmben në krahë dhe e puth.12

“O atë”, thërret i biri, me fjalët që duhet t’i ketë përsëritur një mijë herë, “mëkatova si kundër qiellit edhe kundër teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Gjithë çfarë kërkoj është të më marrësh si një mëditës.”13

Por ati as nuk e lë të mbarojë. Me lot në sy, ai i urdhëron shërbëtorët: “Sillni këtu rrobën më të bukur në shtëpi dhe ia vini birit tim mbi supe. I vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Bëni një gosti që të kremtojmë. Biri im u kthye!”14

Kremtimi

Në zyrën time varet një pikturë e artistit gjerman Rihard Burde. Mua dhe Harietës na pëlqen shumë kjo pikturë. Ajo paraqet një skenë të dhembshur nga shëmbëlltyra e Shpëtimtarit në një këndvështrim më të thellë.

The Return of the Prodigal Son [Kthimi i Birit Plëngprishës], nga Richard Burde.

Ndërsa thuajse të gjithë janë gëzuar tej mase nga rikthimi i birit, njëri nuk është, vëllai i tij më i madh.15

Ai po mbart ca ngarkesë emocionale.

Ai ishte atje kur i vëllai kërkoi trashëgiminë e tij. Ai ishte dëshmitar okular i peshës së stërmadhe të hidhërimit të të atit.

Që kur i vëllai u largua, ai është përpjekur t’ia lehtësojë barrën të atit. Çdo ditë, ai ka punuar që t’ia shërojë të atit zemrën e thyer.

Dhe tani fëmija i pakujdesshëm kthehet, dhe njerëzit nuk mund të mos ta mbulojnë me vëmendje vëllanë e tij rebel.

“Gjithë këto vite”, i thotë ai të atit, “kurrë ndonjëherë s’kam kundërshtuar të bëj një gjë të vetme që ke kërkuar. Megjithatë, në gjithë atë kohë, ti kurrë nuk kremtove për mua.”16

Ati i dashur përgjigjet: “Bir i dashur, çdo gjë që kam është jotja! Kjo nuk ka të bëjë me krahasimin e shpërblimeve ose kremtimeve. Kjo ka të bëjë me shërimin. Ky është çasti për të cilin kemi shpresuar gjithë këto vite. Vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë! Kishte humbur, por tani u gjet përsëri!”17

Një Shëmbëlltyrë për Kohën Tonë

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miq të shtrenjtë, ashtu si të gjitha shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit, kjo nuk është thjesht për njerëzit që jetonin shumë kohë më parë. Ajo është për ju dhe mua, sot.

Cili prej nesh nuk është larguar nga shtegu i shenjtërisë, duke menduar marrëzisht se mund të gjenim më shumë lumturi duke shkuar në vetë udhën tonë të përqendruar te vetja?

Cili prej nesh nuk është ndier i përulur, zemërthyer dhe i etur për falje dhe mëshirë?

Ndoshta disa madje mund ta kenë pyetur veten: “A është madje e mundur të kthehesh pas? A do të më etiketojnë përgjithmonë, përjashtojnë dhe shmangin miqtë e mi të mëparshëm? A është më mirë që thjesht të mbetem i humbur? Si do të reagojë Perëndia nëse përpiqem të kthehem?”

Kjo shëmbëlltyrë na e jep përgjigjen.

Ati ynë Qiellor do të vrapojë drejt nesh, me zemrën të gufuar me dashuri dhe dhembshuri. Ai do të na përqafojë, do të na vërë një rrobë mbi supe, një unazë në gisht dhe sandale në këmbë dhe do të shpallë: “Sot ne kremtojmë! Sepse fëmija im, që dikur kishte vdekur, u kthye në jetë!”

Qielli do të ngazëllehet kur të kthehemi.

Hare e Patregueshme dhe e Lavdishme

A mund të ndalem një çast tani dhe t’ju flas juve individualisht?

Pavarësisht se çfarë mund të ketë ndodhur në jetën tuaj, unë u bëj jehonë dhe i shpall fjalët e bashkapostullit dhe mikut tim të dashur, Plakut Xhefri R. Holland: “Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se[sa shkëlqen] drita e pafundme e [flijimit shlyes të] Krishtit”18.

Ndonëse zgjedhjet mund t’ju kenë larguar shumë nga Shpëtimtari dhe Kisha e Tij, Shëruesi Mjeshtër qëndron te rruga që të çon në shtëpi, duke ju mirëpritur. Dhe ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, kërkojmë ta ndjekim shembullin e Tij dhe ju përqafojmë si vëllezërit dhe motrat tona, si miqtë tanë. Ne ngazëllejmë dhe kremtojmë me ju.

Kthimi juaj nuk do t’i pakësojë bekimet e të tjerëve. Sepse bollëku i Atit është i pafundmë dhe ajo që i jepet njërit, nuk e pakëson asfare të drejtën e parabirnisë së të tjerëve.19

Nuk pretendoj se rikthimi është një gjë që bëhet lehtë. Mund të dëshmoj për këtë. Në fakt, mund të jetë zgjedhja më e vështirë që do të bëni ndonjëherë.

Por unë jap dëshmi se, në çastin që vendosni të ktheheni dhe ecni në udhën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, fuqia e Tij do të hyjë në jetën tuaj dhe do ta shndërrojë atë.20

Engjëjt në qiell do të ngazëllojnë.

Dhe po kështu edhe ne, familja juaj në Krisht. Në fund të fundit, ne e dimë se si është të jesh një plëngprishës. Ne të gjithë mbështetemi përditë në të njëjtën fuqi shlyese të Krishtit. Ne e njohim këtë shteg dhe do të ecim bashkë me ju.

Jo, shtegu ynë nuk do të jetë pa hidhërim, pikëllim ose trishtim. Por ne erdhëm kaq larg “me anë të fjalës së Krishtit, me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”. Dhe së bashku ne do të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”21. Së bashku ne do të “ngazëll[ehemi] nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme”22, sepse Jezu Krishti është forca jonë!23

Është lutja ime që secili prej nesh të mund të dëgjojë, në këtë shëmbëlltyrë të thellë, zërin e Atit që na thërret të hyjmë në rrugën që të çon në shtëpi, që ne të mund të kemi guximin për t’u penduar, për të marrë falje dhe për ta ndjekur shtegun që të çon sërish te Perëndia ynë i dhembshur dhe i mëshirshëm. Për këtë unë jap dëshmi dhe ju lë bekimin tim në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. E gjendur te Lluka 15, shëmbëlltyra është një nga të trija (delja e humbur, monedha e humbur dhe biri i humbur) që ilustrojnë vlerën e gjërave të humbura dhe kremtimin që ndodh kur ajo që ishte e humbur, gjendet.

  2. Lluka 19:10.

  3. Lluka 15:11.

  4. Ky bir ndoshta ishte i ri. Ai ishte i pamartuar, gjë që mund të jetë një tregues i moshës së tij të re, por jo aq i ri sa të mos ishte në gjendje ta kërkonte trashëgiminë e tij dhe të largohej nga shtëpia pasi ta kishte marrë atë.

  5. Sipas ligjit dhe traditës judease, më i madhi nga të dy bijtë kishte të drejtën për pjesën prej dy të tretash të trashëgimisë së atit. Biri më i vogël, si rrjedhim, kishte të drejtën për një pjesë sa një e treta. (Shihni te Ligji i Përtërirë 21:17.)

  6. Shihni te Lluka 15:13.

  7. Shihni te Lluka 15:14.

  8. Lluka 15:16.

  9. Për judenjtë, derrat konsideroheshin të “papastër” (shihni te Ligji i Përtërirë 14:8) dhe ishin fyes. Judenjtë praktikues nuk do të kishin rritur derra, gjë që tregon se mbikëqyrësi ishte johebre. Mund të sugjerojë gjithashtu se sa larg kishte udhëtuar biri [më] i vogël për të qenë larg prej judenjve praktikues.

  10. Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Sigurisht, është më mirë nëse ne përulemi ‘për shkak të fjalës’ në vend që të [përulemi] nga rrethanat, ndonëse [edhe] kjo e fundit mund të mjaftojë! (Shihni tek Alma 32:13–14). Zia e bukës mund të shkaktojë uri shpirtërore” (“The Tugs and Pulls of the World”, Liahona, janar 2001, f. 45).

  11. Lluka 15:17.

  12. Shihni te Lluka 15:20.

  13. Shihni te Lluka 15:18–19, 21.

  14. Shihni te Lluka 15:22–24.

  15. Kujtoni, biri më i vogël e kishte marrë tashmë trashëgiminë e tij. Për të madhin, kjo do të thoshte se gjithçka tjetër i përkiste atij. T’i jepnin çfarëdo qoftë birit më të vogël, do të thoshte t’ia merrnin atë birit që qëndroi.

  16. Shihni te Lluka 15:29.

  17. Shihni te Lluka 15:31–32.

  18. Xhefri R. Holland, “Punëtorët në Vresht”, Liahona, maj 2012, f. 33.

  19. Ajo që i jepet njërit, nuk e pakëson asfare të drejtën e parabirnisë së të tjerëve. Shpëtimtari e dha mësim këtë doktrinë kur Ai ofroi shëmbëlltyrën e punëtorëve te Mateu 20:1–16.

  20. Shihni tek Alma 34:31.

  21. 2 Nefi 31:19–20.

  22. 1 Pjetër 1:8.

  23. Shihni te Psalmeve 28:7.