Konferenca e Përgjithshme
Triumfi i Shpresës
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


13:32

Triumfi i Shpresës

Shpresa është një dhuratë e gjallë, një dhuratë që shumëfishohet ndërsa ne e rritim besimin te Jezu Krishti.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura anembanë botës, ndërsa fillojmë këtë kohë shumë të veçantë të konferencës së përgjithshme, sytë e qiellit do të jenë patjetër të ngulitur te ne. Ne do ta dëgjojmë zërin e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij; ne do të ndiejmë ndikimin “udhërrëfyes, drejtues [dhe] ngushëllues” të Frymës së Shenjtë dhe besimi ynë do të forcohet.

Tre vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson e filloi konferencën e përgjithshme me këto fjalë: “Zbulesa e kulluar për pyetjet në zemrën tuaj, do ta bëjë këtë konferencë shpërblyese dhe të paharrueshme. Në qoftë se nuk e keni kërkuar ende shërbesën e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë për të dëgjuar atë që Zoti do t’ju vinte të dëgjonit gjatë këtyre dy ditëve, unë ju ftoj ta bëni këtë tani. Ju lutem, bëjeni këtë konferencë një kohë ushqyerjeje me bollëk me mesazhet e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.”

Shkrimet e shenjta i lidhin tri fjalë fuqimisht së bashku: besim, shpresë, dashuri hyjnore. Dhurata e shpresës është një dhurim i paçmuar nga Perëndia.

Fjalët shpresë ose shpresoj përdoren për shumë gjëra që duam të ndodhin. Për shembull: “Shpresoj të mos bjerë shi” ose “Shpresoj që ekipi ynë të fitojë”. Synimi im është të flas për shpresat tona të shenjta dhe të përjetshme, të përqendruara te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i rivendosur dhe për “pritjet me besim për … bekimet e premtuara të drejtësisë”.

Shpresa Jonë për Jetën e Përjetshme

Shpresa jonë për jetën e përjetshme sigurohet nëpërmjet hirit të Krishtit dhe zgjedhjeve tona, duke na lejuar bekimin e jashtëzakonshëm të kthimit në shtëpinë tonë qiellore dhe të të jetuarit përgjithmonë në paqe dhe lumturi me Atin tonë Qiellor, Birin e Tij të Dashur, familjen tonë besnike, miqtë e vyer dhe burrat e gratë e drejta nga çdo kontinent dhe çdo shekull.

Në tokë ne përjetojmë gëzim dhe pikëllim ndërsa testohemi dhe sprovohemi. Fitorja jonë vjen nëpërmjet besimit te Jezu Krishti ndërsa triumfojmë mbi mëkatet, vështirësitë, tundimet, padrejtësinë dhe sfidat tona të kësaj jete në vdekshmëri.

Teksa e forcojmë besimin tonë te Jezu Krishti, ne shohim përtej mundimeve tona, drejt bekimeve dhe premtimeve të përjetësisë. Si një dritë, shkëlqimi i së cilës rritet, shpresa ndriçon botën e errësuar dhe ne shohim të ardhmen tonë të lavdishme.

Shpresa Vjen nga Perëndia

Që nga fillimi, Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur i kanë bekuar me zell të drejtët me dhuratën e vyer të shpresës.

Pasi u larguan nga kopshti, Adamit dhe Evës iu dha mësim nga një engjëll lidhur me premtimin për Jezu Krishtin. Dhurata e shpresës hodhi dritë në jetën e tyre. Adami shpalli: “Sytë e mi u hapën dhe në këtë jetë unë do të kem gëzim”. Eva foli për “gëzimin e shëlbimit [të tyre], dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve”.

Ashtu siç i solli shpresë Fryma e Shenjtë Adamit, fuqia e Shpirtit të Zotit hedh dritë te besnikët sot, duke ua ndriçuar realitetin e jetës së përjetshme.

Shpëtimtari na dërgon një Ngushëllues, Frymën e Shenjtë, një shoqërues që sjell besim, shpresë dhe paqe “jo si e jep bota”.

“Në botë”, – tha Shpëtimtari, – “do të keni mundime, por merrni zemër [mbani një ndriçim të shpresës], unë e munda botën!”

Në kohë vështirësish, ne zgjedhim t’i mirëbesojmë Zotit me besim. Ne lutemi në heshtje: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”. Ne ndiejmë miratimin e Zotit për gatishmërinë tonë të duruar dhe presim paqen e premtuar që Zoti do ta dërgojë në kohën që zgjedh Ai.

Apostulli Pal dha mësim: “Perëndia i shpresës [do] t’ju mbushë me … gëzim … dhe paqe … , që të keni mbushulli në shpresë”, [që të jeni] “të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime”, “me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë”.

Një Mësim Shprese

Profeti Moroni e përjetoi vetë pasjen e shpresës te Krishti gjatë mundimeve. Ai shpjegoi situatën e tij të dhembshme:

“Jam vetëm. … Nuk kam … as ku të shkoj.”

“Nuk e bëj veten të njohur … përndryshe, ata do të më shkatërronin.”

Me aq mjeshtëri, në këtë orë të errët dhe të vetmuar, Moroni shënon fjalët e të atit lidhur me shpresën.

“Në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë.”

“Për çfarë duhet të keni shpresë?… Ju … duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme.”

Vëllezërit dhe motrat e mia, shpresa është një dhuratë e gjallë, një dhuratë që shumëfishohet ndërsa ne e rritim besimin tonë te Jezu Krishti. “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen.” Ne e ndërtojmë këtë siguri, pjesët ndërtuese të provave të besimit tonë, nëpërmjet lutjes, besëlidhjeve të tempullit, zbatimit të urdhërimeve, ushqyerjes vazhdimisht me shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve bashkëkohore, marrjes së sakramentit, shërbimit ndaj të tjerëve dhe adhurimit çdo javë me bashkëshenjtorët tanë.

Një Shtëpi Shprese

Për ta përforcuar shpresën tonë në një kohë që shtohet ligësia, Zoti e ka udhëzuar profetin e Tij që ta mbushë tokën me tempujt e Tij.

Ndërsa hyjmë në shtëpinë e Zotit, ne ndiejmë Shpirtin e Perëndisë që vërteton shpresën tonë.

Tempulli dëshmon për varrin bosh dhe se jeta përtej velit vazhdon për të gjithë.

Për ata që nuk kanë një shok apo shoqe të përjetshme, ordinancat konfirmojnë fuqimisht se çdo person i drejtë do të marrë çdo bekim të premtuar.

Ka shpresë madhështore ndërsa një çift i ri gjunjëzohet në altar për t’u vulosur, jo vetëm për kohën, por për përjetësinë.

Ka një pafundësi shprese për ne në premtimet e bëra ndaj pasardhësve tanë, pavarësisht nga rrethanat e tyre aktuale.

Nuk ka dhembje, as sëmundje, as padrejtësi, as vuajtje, asgjë që mund ta errësojë shpresën tonë, kur besojmë dhe mbahemi fort te besëlidhjet tona me Perëndinë në shtëpinë e Zotit. Ajo është një shtëpi drite, një shtëpi shprese.

Kur Hiqet Dorë nga Shpresa

Derdhim lot pikëllimi ndërsa shohim trishtimin dhe dëshpërimin tek ata që nuk kanë shpresë te Krishti.

Kohët e fundit vëzhgova nga larg një çift që më përpara kishte besim te Krishti, por më pas vendosi të hiqte dorë nga besimi i vet. Ata ishin të suksesshëm në botë dhe gjenin kënaqësi në intelektin e tyre dhe në refuzimin e besimit të tyre.

Gjithçka dukej mirë derisa bashkëshorti, ende i ri dhe energjik, u sëmur papritmas dhe vdiq. Si një eklips i diellit, ata e kishin bllokuar dritën e Birit dhe rrjedhoja ishte një eklips i shpresës. Bashkëshortja, në mosbesimin e saj, tani ndihej e çorientuar, e papërgatitur e plot dhembje, e paaftë për të ngushëlluar fëmijët e saj. Intelekti i vet i kishte thënë se jeta e saj ishte përsosurisht në rregull derisa papritmas nuk mundej ta shihte më të nesërmen. Dëshpërimi i saj solli errësirë dhe pështjellim.

Shpresë në Tragjeditë Zemërcoptuese

Më lejoni ta vë në kontrast dëshpërimin e saj të dhembshëm me shpresën e një familjeje tjetër te Krishti gjatë një kohe pikëllimi.

Njëzet e një vjet më parë, djali i porsalindur i nipit tim, Ben Andersenit, dhe gruas së tij, Robit, u dërgua me urgjencë me helikopter nga komuniteti i tyre i fermerëve në Ajdaho për në Solt-Lejk-Siti. Mbërrita në spital dhe Beni më shpjegoi ndërlikimet e rënda, kërcënuese për jetën, në zemrën e foshnjës së tyre. I vendosëm duart mbi kokën e vogël të Treit. Zoti e bekoi që të vazhdonte të jetonte.

Trei iu nënshtrua një operacioni në zemër javën e parë të jetës së tij dhe operacione të tjera vijuan. Ndërsa vitet kalonin, u bë e qartë se Treit do t’i duhej të bënte një transplant zemre. Megjithëse veprimtaritë e tij fizike ishin të kufizuara, besimi i tij u zgjerua. Ai shkroi: “Nuk kam ndier kurrë keqardhje për veten time, sepse e kam ditur gjithmonë rëndësinë e pasjes së besimit te Jezu Krishti dhe të një dëshmie për planin e shpëtimit”.

Trei Anderseni

Trei mbante në telefonin e tij këtë citim të mirënjohur nga Presidenti Nelson: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”.

Trei Anderseni

Trei shkroi: “Kam dëshiruar gjithmonë të shërbej në një mision me kohë të plotë, por … mjekët e mi nuk më lejojnë të shërbej në një mision deri të paktën një vit pas transplantit. … E kam vendosur besimin tim te Jezu Krishti.”

Trei u emocionua që u pranua në degën e financës, për kontabilitet, në “UBJ” që do të nisë këtë semestër, por u emocionua edhe më shumë nga fundi i korrikut kur mori telefonatën e shumëpritur që të shkonte në spital për transplantin e zemrës.

“Edhe një vit”, – tha Trei, – “dhe do të shkoj në mision.”

Pritshmëritë ishin të mëdha teksa hyri në sallën e operacionit. Megjithatë, gjatë operacionit pati ndërlikime fatale dhe Trei nuk u përmend më kurrë.

Nëna e tij, Robi, tha: “E premtja ka qenë dita më zemërcoptuese … duke u përpjekur të kuptonim se çfarë ndodhi. … Kisha qëndruar zgjuar deri vonë duke u përpjekur të shkoqitja gjithçka. … Por të shtunën, u zgjova me një ndjenjë gëzimi absolut. Nuk ishte thjesht paqe; nuk ishte mospranim i realitetit. Ndjeva gëzim për tim bir dhe ndjeva gëzim si nëna e tij. … Beni ishte ngritur shumë më herët se unë dhe kur më në fund patëm mundësinë të flisnim, Beni ishte zgjuar pikërisht me të njëjtën ndjenjë.”

Robi dhe Ben Anderseni

Beni shpjegoi: “Më erdhi një qartësi në shpirt ndërsa Perëndia më mësoi nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë. U zgjova në orën 4:00 të mëngjesit dhe u mbusha me paqe dhe gëzim të papërshkrueshëm. Si është e mundur kjo? … Ikja e Treit nga kjo jetë është shumë e dhembshme dhe ia ndiej shumë mungesën, por Zoti nuk na lë pa ngushëllim. … Pres me padurim një ribashkim të gëzueshëm.”

Premtimi i Shpresës

Trei kishte shënuar në ditarin e tij këto fjalë nga fjalimi i Presidentit Nelson në konferencën e përgjithshme: “Nuk duket e mundshme të ndieni gëzim kur fëmija juaj vuan nga një sëmundje e pashërueshme ose kur humbisni punën tuaj apo kur bashkëshorti/ja ju tradhton. Sidoqoftë, ai është pikërisht gëzimi që ofron Shpëtimtari. Gëzimi i Tij është i vazhdueshëm, duke na siguruar se ‘mjerimet [tona] do të jenë veçse një çast i shkurtër’ [Doktrina e Besëlidhje 121:7] dhe do të shenjtërohen për përfitimin tonë.”

Vëllezër e motra, paqja që kërkoni, mund të mos vijë aq shpejt sa dëshironi, por ju premtoj se, kur i mirëbesoni Zotit, paqja e Tij do të vijë.

E ushqefshim besimin tonë të vyer, duke shkuar përpara me një ndriçim të përkryer të shpresës! Dëshmoj se shpresa jonë është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Nëpërmjet Tij, të gjitha ëndrrat tona të drejta do të realizohen. Ai është Perëndia i shpresës, triumfi i shpresës. Ai jeton dhe Ai ju do. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  2. Rasëll M. Nelson, “E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6–7.

  3. “A e keni vënë re në shkrimet e shenjta se shpresa rrallëherë qëndron e vetme? Shpresa shpesh lidhet me besimin. Shpresa dhe besimi zakonisht lidhen me dashurinë hyjnore. Pse? Sepse shpresa është thelbësore për besimin; besimi është thelbësor për shpresën; besimi dhe shpresa janë thelbësore për dashurinë hyjnore (shihni te 1 Korintasve 13:13, Alma 7:24, Ethëri 12:28, Doktrina e Besëlidhje 4:5). Këto e mbështetin njëra-tjetrën si këmbët në një stol me tri këmbë. Të trija lidhen me Shëlbuesin tonë.

    Besimi [i ka rrënjët] te Jezu Krishti. Shpresa e ka qendrën te Shlyerja e Tij. Dashuria hyjnore manifestohet në ‘dashuri[në] e pastër [të] Krishtit’ (shihni te Moroni 7:47). Këto tri cilësi gërshetohen si fijet në një kabëll dhe mund të mos dallohen gjithmonë saktësisht. Së bashku, ato bëhen kordoni ynë që na lidh me mbretërinë çelestiale” (Russell M. Nelson, “A More Excellent Hope” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 janar 1995], f. 3, speeches.byu.edu).

  4. Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Hope” [“Shpresa”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  5. “Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë, … madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë, shpresë e cila vjen nga besimi dhe shërben si një spirancë për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur” (Ethëri 12:4).

  6. Plaku Diter F. Uhtdorf tha: “Më lejoni ta pranoj se depresioni dhe sfida të tjera të vështira mendore dhe emocionale janë të vërteta dhe përgjigjja nuk është thjesht: ‘Përpiqu të jesh më i lumtur’. Qëllimi im sot nuk është t’ua ul vlerën apo rëndësinë çështjeve të shëndetit mendor. Nëse përballeni me sfida të tilla, unë pikëllohem me ju dhe qëndroj përkrah jush. Për disa njerëz, gjetja e gëzimit mund të përfshijë kërkimin e ndihmës nga profesionistë të trajnuar të shëndetit mendor, të cilët ia kushtojnë jetën ushtrimit të mjeshtërisë së tyre tejet të rëndësishme. Duhet të jemi mirënjohës për një ndihmë të tillë” (“Një Gëzim më i Lartë”, Liahona, maj 2024, f. 66).

  7. Ati ynë Qiellor ka shpallur se vepra e Tij dhe lavdia e Tij është të bëjë të ndodhë jeta jonë e përjetshme (shihni te Moisiu 1:39).

  8. Shihni te Moisiu 5.

  9. Moisiu 5:10.

  10. Moisiu 5:11.

  11. Shihni te Moisiu 5:9.

  12. Gjoni 14:27.

  13. Gjoni 16:33.

  14. Shihni te Lluka 22:42.

  15. Romakëve 15:13.

  16. Romakëve 12:12.

  17. Romakëve 15:13.

  18. Mormoni 8:5.

  19. Moroni 1:1.

  20. Moroni 7:42.

  21. Moroni 7:41.

  22. Hebrenjve 11:1. Te Përkthimi prej Jozef Smithit lexojmë: “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, prova e gjërave që nuk shihen” (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, Përkthimi prej Joseph Smith‑it). Ne e shohim sigurinë e besimit tonë te bekimet që u vijnë atyre, të cilët i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Zotin.

  23. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82.

  24. Fjalim i dhënë nga Robi Anderseni në funeralin e të birit, Trei Andersenit, 12 gusht 2024. Trei e bëri operacionin e tij më 31 korrik 2024. Ai e la këtë jetë më 3 gusht 2024.

  25. Fjalim i dhënë nga Ben Anderseni në funeralin e të birit, Trei Andersenit, 12 gusht 2024.

  26. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, f. 82.

  27. Shihni te 2 Nefi 31:20. Shpresa për të cilën flet Nefi, është e përkryer dhe e ndritshme, sepse është e përqendruar te Krishti. Ai është i përkryer dhe Shlyerja e Tij, e cila ofron këtë shpresë të ndritshme, është gjithashtu e përkryer.