Fëmija i Parapëlqyer i Perëndisë
Të qenit i mbushur me dashurinë e Perëndisë na mbron në stuhitë e jetës, por gjithashtu i bën çastet e lumtura edhe më të lumtura.
Përpara se të filloj, duhet t’ju them se dy prej fëmijëve të mi u kanë rënë të fikët ndërsa flisnin në foltore dhe nuk jam ndier kurrë më i lidhur me ta sesa në këtë çast. Kam më shumë në mendje sesa thjesht kapanxhën e kokës.
Familja jonë ka gjashtë fëmijë, që ndonjëherë e ngacmojnë njëri‑tjetrin duke pretenduar se janë fëmija i parapëlqyer. Secili ka arsye të ndryshme pse është i parapëlqyeri. Dashuria jonë për secilin prej fëmijëve tanë është e pastër, përmbushëse dhe e plotë. Nuk ka se si ta duam njërin më shumë se tjetrin, me lindjen e secilit fëmijë erdhi zgjerimi më i bukur i dashurisë sonë. Më së shumti e kuptoj dashurinë e Atit tim Qiellor për mua nëpërmjet dashurisë që ndiej për fëmijët e mi.
Ndërsa secili prej tyre ngre pretendimin e vet se është fëmija që e duan më shumë, mund të mendoni se në familjen tonë nuk ka pasur ndonjëherë një dhomë gjumi të parregullt. Ndjenja e të metave në marrëdhëniet midis prindit dhe fëmijës zvogëlohet kur ke në fokus dashurinë.
Në njëfarë pike, ndoshta ngaqë mund të shoh se po futemi në një trazire të pashmangshme familjare, them diçka të tillë: “Mirë, më lodhët, por nuk do t’jua them; ju e dini se cili prej jush është i parapëlqyer im”. Synimi im është që secili prej të gjashtë fëmijëve të ndihet fitimtar dhe të shmanget lufta e gjithanshme – të paktën deri herën tjetër!
Në Ungjillin e tij, Gjoni e përshkruan veten si “dishepulli, të cilin Jezusi e donte”, sikur ajo deklaratë të qe në njëfarë mënyre diçka unike. Më pëlqen të mendoj se kjo erdhi ngaqë Gjoni ndiente dashuri tejet të plotë nga Jezusi. Nefi më dha një ndjesi të ngjashme kur shkroi: “Unë ngazëllehem në Jezusin tim”. Natyrisht, Shpëtimtari po aq sa është i Nefit, është edhe i Gjonit dhe megjithatë natyra vetjake e marrëdhënies së Nefit me Jezusin “e tij” e çoi në atë përshkrim të dashur.
A nuk është e mrekullueshme që ka raste kur mund të ndiejmë që na vënë re dhe na duan kaq plotësisht dhe kaq personalisht? Nefi mund ta quajë Atë Jezusin “e tij”, po ashtu edhe ne. Dashuria e Shpëtimtarit tonë është “lloji më i lartë, më fisnik, më i fuqishëm i dashurisë” dhe Ai na e jep atë derisa të “ngop[emi]/mbushe[mi]”. Dashuria hyjnore nuk shteron kurrë dhe secili prej nesh është një bir ose bijë e Tij e dashur dhe e parapëlqyer. Dashuria e Perëndisë është ashtu si [pjesa e përbashkët e mbivendosjes së] rrathëve në diagramin e Venit, është ajo që na bashkon. Cilatdo qofshin ato pjesë tonat që duken të ndryshme, dashuria e Tij është vendi ku gjejmë bashkimin.
A është ndonjë çudi që urdhërimet më të mëdha janë të duam Perëndinë dhe të duam njerëzit rreth nesh? Kur shoh njerëz që tregojnë dashuri si të Krishtit për njëri‑tjetrin, ndiej sikur ajo dashuri përmban më shumë sesa thjesht dashurinë e tyre; është dashuri që ka edhe natyrë hyjnore brenda saj. Kur e duam njëri‑tjetrin në këtë mënyrë, sa më tërësisht dhe plotësisht që mundemi, aty përfshihet edhe qielli.
Pra, nëse dikush që e kemi për zemër, duket i larguar nga një ndjesi e dashurisë hyjnore, ne mund të ndjekim këtë model: të bëjmë gjëra që na afrojnë më pranë Perëndisë vetë ne dhe më pas të bëjmë gjëra që na afrojnë më pranë tij/saj – një thirrje kjo e pashprehur për të ardhur te Krishti.
Do të doja të mund të ulesha me ju dhe t’ju pyesja se cilat rrethana ju bëjnë ta ndieni dashurinë e Perëndisë. Cilat vargje të shkrimit të shenjtë, cilat vepra specifike shërbimi? Ku do të ishit? Çfarë muzike? Në shoqërinë e kujt? Konferenca e përgjithshme është një vend plot me mundësi për të mësuar rreth lidhjes me dashurinë e qiellit.
Por mbase ndiheni larg nga dashuria e Perëndisë. Ndoshta ka një kor zërash shkurajimi dhe errësire që ju rëndon mendimet, mesazhe që ju thonë se jeni tepër i/e lënduar dhe i/e pështjelluar, tepër i/e dobët dhe i/e shpërfillur, tepër i/e ndryshëm/me ose i/e çorientuar për ta garantuar dashurinë qiellore në çfarëdo mënyre reale. Nëse i dëgjoni ato ide, atëherë, ju lutem, mbajeni vesh këtë: ata zëra thjesht e kanë gabim. Ne mund ta shpërfillim bindshëm copëtimin e brendshëm të çfarëdo lloji [si diçka] që na shkualifikon për dashurinë qiellore, sa herë që këndojmë himnin që na kujton se Shpëtimtari ynë i dashur dhe i patëmetë zgjodhi të “vr[itej dhe] cop’t[ohej] për ne”, sa herë që marrim bukën e copëtuar. Pa dyshim, Jezusi e heq të gjithë turpin nga personat e copëtuar së brendshmi. Nëpërmjet copëtimit të Tij, Ai u bë i përsosur dhe mund të na bëjë të përsosur edhe ne pavarësisht nga copëtimi ynë i brendshëm. Të copëtuar, të vetmuar, të rrahur dhe të mavijosur si Ai, mund ta ndiejmë se jemi edhe ne, por të ndarë nga dashuria e Perëndisë, nuk jemi. “Me dashuri [t’përsosur], për njerëz t’thyer”, siç e thotë dhe kënga.
Ju mund të dini diçka të fshehtë për veten tuaj që ju bën të ndiheni se nuk mund t’ju duan. Sado të drejtë të keni për atë që dini për veten, gaboheni nëse mendoni se keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë së Perëndisë. Ndonjëherë jemi mizorë e të padurueshëm me veten në mënyra që nuk mund ta imagjinonim kurrë se do të ishim ndaj dikujt tjetër. Ka shumë për të bërë në këtë jetë nga ana jonë, por neveria ndaj vetvetes dhe vetëdënimi i turpshëm nuk janë në atë listë. Sado të shformuar që mund të ndiejmë se ne jemi, krahët e Tij nuk janë shkurtuar. Jo. Ata janë gjithnjë mjaftueshëm të gjatë që “pran’ [na] afrohe[n]” dhe e përqafojnë secilin prej nesh.
Kur nuk e ndiejmë ngrohtësinë e dashurisë hyjnore, nuk është se ajo është larguar. Perëndia e thotë me fjalët e veta se “edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria [e Tij] nuk do të largohet prej [nesh]”. Pra, thjesht për të qenë të qartë, ideja se Perëndia nuk na do më, duhet të jetë aq poshtë në listën e shpjegimeve të mundshme në jetë, saqë nuk do ta arrijmë dot derisa malet të jenë larguar dhe kodrat të jenë zhdukur!
Më pëlqen shumë kjo simbolikë e maleve si provë e realitetit të sigurt të dashurisë së Perëndisë. Kjo simbolikë e fuqishme gërshetohet në rrëfimet e atyre që shkojnë në male për të marrë zbulesë dhe në përshkrimin e Isaias për “shtëpi[në] e Zotit [që] do të vendoset në majën e maleve”. Shtëpia e Zotit është shtëpia e besëlidhjeve tona më të çmuara dhe një vend ku të gjithë ne të drejtohemi dhe të zhytemi thellë në provën e dashurisë së Atit tonë për ne. Kam shijuar gjithashtu ngushëllimin që më vjen në shpirt kur kapem fort në besëlidhjen time të pagëzimit dhe gjej dikë që po vuan nga një humbje ose pikëllim prej një zhgënjimi dhe përpiqem ta ndihmoj atë t’i përmbajë dhe t’i shqyrtojë ndjenjat e veta. A janë këto mënyra se si mund të zhytemi më shumë në hesed‑in dashurinë e çmuar besëlidhëse?
Pra, nëse dashuria e Perëndisë nuk na braktis, pse nuk e ndiejmë gjithmonë atë? Për t’i mbajtur nën kontroll pritshmëritë tuaja, ju them që nuk e di. Por të të duan pa dyshim nuk është njësoj si ta ndiesh se të duan dhe kam disa mendime që mund t’ju ndihmojnë teksa kërkoni përgjigjet tuaja për atë pyetje.
Ndoshta po luftoni me pikëllimin, depresionin, tradhtinë, vetminë, zhgënjimin ose ndërhyrje të tjera të fuqishme në aftësinë tuaj për ta ndier dashurinë e Perëndisë për ju. Nëse është kështu, këto gjëra mund ta mpijnë ose pengojnë aftësinë tonë për t’u ndier siç mund të ndiheshim po të ishte ndryshe. Të paktën për një periudhë, ndoshta nuk do të jeni në gjendje ta ndieni dashurinë e Tij dhe njohuria do të duhet të mjaftojë. Por pyes veten nëse mund të eksperimentoni, plot durim, me mënyrat e ndryshme për ta shprehur dhe marrë dashurinë hyjnore. A mund të bëni një hap prapa nga çfarëdo gjëje që keni përpara dhe ndoshta edhe një hap tjetër, edhe një tjetër, derisa të shihni një peizazh më të gjerë, gjithnjë duke e zgjeruar peizazhin më tej nëse është e nevojshme, aq sa të jeni mirëfilli duke “menduar çelestialisht”, ngaqë po shihni yjet dhe po kujtoni botët pa numër dhe nëpërmjet atyre, Krijuesin e tyre?
Kënga e zogjve, të ndierit e diellit ose të një flladi apo të shiut në lëkurën time dhe ato raste kur natyra bën që shqisat e mia të mahniten nga Perëndia – secila nga këto ka pasur një rol në lidhjen time me qiellin. Ndoshta do t’ju ndihmojë ngushëllimi i miqve besnikë. Mbase muzika? Apo shërbimi? A keni mbajtur shënime apo ditar të rasteve kur lidhja juaj me Perëndinë ka qenë më e qartë për ju? Ndoshta mund t’i ftoni ata të cilëve u mirëbesoni, që t’ju tregojnë burimet e tyre të lidhjes hyjnore ndërsa kërkoni lehtësim dhe kuptueshmëri.
Pyes veten, nëse Jezusi do të zgjidhte një vend ku ju dhe Ai mund të takoheshit, një vend në privatësi ku do të ishit në gjendje të kishit në fokus vetëm Atë, a mund ta zgjidhte Ai vendin tuaj unik të vuajtjes vetjake, vendin e nevojës suaj më të thellë, ku askush tjetër nuk mund të shkojë? Diku ku ndiheni aq i vetmuar, saqë duket se jeni vërtet krejt vetëm, por në të vërtetë nuk jeni, një vend të cilin ndoshta vetëm Ai e ka përshkuar, por që në të vërtetë e ka përgatitur tashmë për t’ju takuar atje kur të mbërrini? Nëse jeni duke pritur që Ai të vijë, a mund të jetë vallë Ai atje tashmë dhe aq afër sa ta arrini?
Nëse ndiheni të mbushur me dashuri në këtë periudhë të jetës suaj, ju lutemi, përpiquni ta mbani fort atë me aq efektshmëri sa ç’mban ujin një kullesë. Spërkateni kudo që të shkoni. Një nga mrekullitë e ekonomisë hyjnore është se kur përpiqemi ta shpërndajmë dashurinë e Jezusit, e gjejmë veten duke u mbushur si te parimi: “Ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”.
Të qenit i mbushur me dashurinë e Perëndisë na mbron në stuhitë e jetës, por gjithashtu i bën çastet e lumtura edhe më të lumtura – ditët tona të gëzuara, kur ka diell në qiell, ndriçohen edhe më shumë nga rrezet e diellit në shpirtin tonë.
Le të bëhemi “të rrënjosur dhe të themeluar” në Jezusin tonë dhe në dashurinë e Tij! Le t’i kërkojmë dhe t’i ruajmë si thesar përvojat e të ndierit të dashurisë dhe fuqisë së Tij në jetën tonë! Gëzimi i ungjillit është në dispozicion të të gjithëve: jo vetëm për të lumturit, jo vetëm për të dëshpëruarit. Gëzimi është qëllimi ynë, jo dhurata e rrethanave tona. Kemi çdo arsye të mirë për t’u “gëz[uar] dhe … mbush[ur] me dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj gjithë njerëzve”. Le të mbushemi me atë dashuri! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.