Konferenca e Përgjithshme
Perëndia i Do të Gjithë Fëmijët e Tij
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


9:37

Perëndia i Do të Gjithë Fëmijët e Tij

Jezu Krishti gjithmonë na thërret dhe Ai na përdor ne, shërbëtorët e Tij të zakonshëm, që të ndihmojmë t’i sjellim fëmijët e Tij tek Ai.

Çfarë dëshiron prej jush Ati ynë Qiellor? A e kuptoni se kur ishit në ekzistencën tuaj para lindjes, Ati Qiellor po ju përgatiste për jetën tuaj në tokë? Duke u folur të rinjve e të rejave, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta … skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare”. Për shkak se jemi ruajtur për këto ditë të mëvonshme, është vendimtare që ne të mësojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit.

Zoti Jezu Krisht është Bariu i Mirë dhe Ai e njeh kopenë e Tij, dhe kopeja e njeh Bariun e saj, sepse “ai i thërret delet e tij me emër”. Ai gjithmonë na thërret dhe Ai na përdor ne, shërbëtorët e Tij të zakonshëm, që të ndihmojmë t’i sjellim fëmijët e Tij tek Ai.

Para ca kohësh, një president kunji dhe unë po vizitonim anëtarë të Kishës në një lagje vendore banimi. Pasi mbaruam vizitat tona të planifikuara, presidenti i kunjit më pyeti a mund të shkonim të vizitonim edhe një familje tjetër. Ai pati një mbresë se duhej të flisnim me ta.

Trokitëm në derë dhe e hapi një motër. Ajo më pa, por nuk e dinte kush isha, kështu që nuk reagoi shumë. E drejtova dorën nga presidenti i kunjit, i cili e përshëndeti me emër. Posa e dëgjoi dhe e pa, ajo u gëzua. Duke qëndruar aty te dera, të dy u përqafuan dhe qanë së bashku. Kjo përcaktoi gjendjen shpirtërore të vizitës sonë. Nuk e dinim që ajo motër kishte bërë kimioterapi një ditë më parë. Ajo ndihej tepër e pafuqishme për t’u kujdesur për djalin e saj në moshë madhore. Kështu, e ndihmova presidentin e kunjit ta vishte djalin e saj dhe e vendosëm në karrocën e tij të invalidit. I dhamë për të ngrënë ato që kishte sjellë pak më herët një motër tjetër e ëmbël nga lagjja e Kishës dhe e ndihmuam për detyra të tjera. Përpara se të largoheshim nga shtëpia e tyre, ne mundëm t’i bekonim ata.

Gjithçka që më kalonte në mendje gjatë kësaj vizite, ishte një pohim se Jezu Krishti i do ata thellësisht. Ai i kupton ata dhe e njeh personalisht dhembjen prej situatës së tyre të veçantë. Pothuajse e gjithë vizita u zhvillua në heshtje. Në këtë rast, nuk dhamë një predikim të madh ose nuk folëm për shkrimin tonë të shenjtë të parapëlqyer, por Zoti na bekoi bollshëm me Shpirtin e Tij.

Një nga arsyet më të mëdha pse Ati juaj Qiellor ju dërgoi këtu në këtë kohë, është që ju të mund të përmbushni potencialin tuaj të plotë. Materiali Predikoni Ungjillin Tim na mëson se, si dishepuj të Krishtit, ne duhet ta shmangim krahasimin e vetvetes me njëri‑tjetrin. Aftësitë tuaja shpirtërore janë unike, vetjake dhe të lindura dhe Ati juaj Qiellor dëshiron t’ju ndihmojë që t’i zhvilloni ato. Do të jetë gjithmonë dikush që mund ta ndihmoni të ndiejë dashurinë e Atit tuaj Qiellor. Potenciali juaj është hyjnor. Ndërsa është pa dyshim e rëndësishme që të përgatiteni për të pasur sukses në këtë botë shumë konkurruese, një nga misionet tuaja vendimtare gjatë gjithë jetës suaj është të bëheni një dishepull i Jezu Krishtit dhe të ndiqni mbresat nga Shpirti. Ndërsa e bëni këtë, Perëndia do t’jua bekojë jetën, Ai do të bekojë familjen tuaj të tanishme ose të ardhshme dhe Ai do të bekojë jetën e fëmijëve të Tij të cilët ju takoni.

Jetojmë në një kohë mundësish të mëdha. Ndonëse përballemi me shumë vështirësi, e di që ato janë pjesërisht aty për të na lejuar të ndihmojmë të tjerët të ndiejnë dashurinë e Atit tonë Qiellor. Presidenti Nelson dha mësim: “Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota”. Ne kemi privilegjin të kujdesemi për njerëzit që kanë nevojë për një dorë ndihme, një përqafim, një ndjenjë ngushëllimi, ose thjesht që të qëndrojmë pranë tyre në heshtje. Nëse mund të ndihmojmë për lehtësimin e barrëve të tyre, qoftë edhe vetëm për një çast, atëherë do të jemi në gjendje të shohim shfaqjet madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit në jetën e tyre.

Si dishepuj të Jezu Krishtit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të sjellin një ndryshim pozitiv në botë. Ne mund të ofrojmë një ndjenjë gëzimi që pasqyrohet në pamjen tonë, një gëzim që e shprehim me fjalë dashurie dhe vepra mirësie. Le të jemi fqinj të mirë, punëdhënës të mirë, punonjës të mirë! Le të përpiqemi fort të jemi të krishterë të mirë në çdo kohë!

Zoti e ka rivendosur ungjillin e Tij me ordinancat e domosdoshme, në mënyrë që fëmijët e Atit Qiellor të mund të kenë të gjitha premtimet që na lidhin me Të. Duke i ndihmuar motrat dhe vëllezërit tanë në sfidat e tyre të përditshme, le të kujtojmë gjithashtu që t’i ndihmojmë të bëjnë dhe t’i mbajnë këto premtime të shenjta me Atin e tyre Qiellor, në mënyrë që Ai në këmbim të mund t’u premtojë atyre bekimet më të bollshme për këtë jetë dhe për përjetësinë. Këto premtime bëhen të mundura vetëm nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit dhe çelësave të Tij të priftërisë.

Me fjalë të tjera, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Disa prej nesh devijojnë nga shtegu herë pas here dhe prandaj duhet të kujtojmë se për Atin tonë Qiellor, ne kemi gjithmonë mundësinë e kthimit. Edhe nëse rruga jonë nuk është më e përsosura, Shpëtimtari na kujton gjithmonë: “Kurdoherë që pendohe[mi] dhe kërko[jmë] ndjesë me dëshirë të sinqertë, [ne do të] fale[mi]”.

Një nga dredhitë e kundërshtarit sot është të na bëjë të mendojmë dhe të besojmë se nuk ka asnjë mënyrë se si të ndryshojmë ose se nuk kemi më shpresë. Ky mendim shkatërrues bën që shumë prej nesh të ndalojnë së përpjekuri dhe ky është çasti kur dashuria jonë, fjalët tona kurajëdhënëse dhe përkrahëse, koha jonë dhe ndihma jonë, mund t’i japin dikujt shpresë të mjaftueshme për t’u përpjekur edhe një herë.

Ndoshta po mendoni: “Po mirë, po mua kush po më jep shërbesë?” Duke shkuar dhe duke bekuar jetën e vëllezërve e motrave tona, ne do të mbledhim dëshmi që do të na e mbushin jetën me besim te Zoti Jezu Krisht. Këto dëshmi do të na gjallërojnë për të bërë edhe vetë një përpjekje më shumë. Shpirti i Shenjtë do të na gjallërojë dhe do të na ndihmojë me dëshmi të përtërira për të vazhduar nëpër vështirësitë dhe sprovat tona vetjake. Sa herë që kërkojmë të bekojmë jetën e të tjerëve, Zoti ka mëshirë edhe më shumë për ne; Ai na forcon dhe na ndihmon në jetën tonë.

Ju lutem, kujtoni se Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari juaj dhe ju kupton personalisht. Ai e di se çfarë do të thotë të të duhet të përmbushësh një thirrje dhe të lësh gjërat pas për të ndihmuar fëmijët e Perëndisë. Ai ka fuqinë t’ju bekojë në çdo gjë, nëse besoni tek Ai dhe nuk dyshoni.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në atë ditë kur një udhëheqës priftërie pati një mbresë që ne të vizitonim një nënë dhe të birin që nuk i kishim në planin tonë, unë shpall se Perëndia e dinte se ata kishin nevojë për ne. Dhe në fund, isha unë ai që mori shërbesë. Atë ditë, mora një nga mësimet më të mëdha të dashurisë së Shpëtimtarit për ne.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Ai jeton, se Ai jetoi dhe vdiq për ju dhe mua dhe se Ai u ringjall për ju dhe mua, në mënyrë që ne të mund të synojmë për ribashkime çelestiale plot gëzim me ata që janë tashmë në anën tjetër të velit. E di që Ai na kupton ju dhe mua në mënyrë të përsosur. Ai e kupton çdo çast tonin të vështirë dhe Ai ka fuqinë të na ndihmojë në ato momente kur ndihemi më të cenueshëm. Unë e di se Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor iu shfaqën Jozef Smithit për të rivendosur ungjillin në këto ditë. Unë e di se profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, është një profet i Zotit dhe unë dëshmoj për këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.