Ndjekja e Krishtit
Si ndjekës të Krishtit, ne japim mësim e dëshmojmë për Jezu Krishtin, Modelin tonë të Përsosur. Prandaj le ta ndjekim Atë duke hequr dorë nga grindja.
Këtë vit miliona njerëz janë frymëzuar nga plani i studimit të ungjillit, i njohur sipas ftesës së Shpëtimtarit: “Eja, më ndiq”. Ndjekja e Krishtit nuk është një praktikë rastësore ose episodike. Është një zotim i vazhdueshëm dhe një mënyrë jetese që duhet të na udhërrëfejë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet. Mësimet e Tij dhe shembulli i Tij përcaktojnë shtegun për çdo dishepull të Jezu Krishtit. Të gjithë ftohen në këtë shteg, sepse Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai, “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë”.
I.
Hapi i parë i ndjekjes së Krishtit është t’i bindemi atij që Ai e përcaktoi si “urdhërimi i madh i ligjit”:
“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”
Urdhërimet e Perëndisë sigurojnë forcën udhërrëfyese dhe të qëndrueshme në jetën tonë. Përvojat tona në vdekshmëri janë si djali i vogël dhe babai i tij duke ngritur një balonë në një ditë me erë. Ndërkohë që balona ngrihej më lart, erërat e bënin të tërhiqte spangon lidhëse në dorën e djalit të vogël. I papërvojë me forcën e erërave të vdekshmërisë, ai propozoi ta priste spangon që balona të ngrihej më lart. Ati i tij i urtë e këshilloi të mos e priste, duke shpjeguar se spangoja është ajo që e mban balonën në vend kundrejt erërave të vdekshmërisë. Nëse nuk e mbajmë nën kontroll spangon, balona nuk do të ngrihet më lart. Ajo do të merret tutje nga këto erëra dhe në mënyrë të pashmangshme do të rrëzohet përtokë.
Ajo spango thelbësore përfaqëson besëlidhjet që na lidhin me Perëndinë, Atin tonë Qiellor, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Kur i nderojmë ato besëlidhje duke i zbatuar urdhërimet e Tyre dhe duke e ndjekur planin e Tyre për shëlbimin, bekimet e premtuara prej Tyre na aftësojnë për të fluturuar drejt lartësive çelestiale.
Libri i Mormonit shpesh shpall se Krishti është “drita e botës”. Gjatë shfaqjes së Tij te nefitët, Zoti i ringjallur e shpjegoi atë mësim duke u thënë: “Unë kam vendosur një shembull për ju”. “Unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë.” Ai është modeli ynë shembullor. Ne mësojmë atë që ka thënë dhe ka bërë Ai nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta dhe ndjekjes së mësimeve profetike, sikurse na ka nxitur të bëjmë Presidenti Rasëll M. Nelson. Në ordinancën e sakramentit ne besëlidhim çdo ditë Shabati se “gjithmonë [do] ta kujtoj[m]ë atë e [do] të zbatoj[m]ë urdhërimet [e Tij]”.
II.
Në Librin e Mormonit, Zoti na dha bazat e asaj që Ai e quajti “doktrina e Krishtit”. Këto janë besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi, pagëzimi, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, durimi deri në fund dhe bërja si një fëmijë i vogël, që do të thotë t’i mirëbesojmë Zotit dhe t’u nënshtrohemi të gjitha gjërave që Ai i kërkon prej nesh.
Urdhërimet e Zotit janë dyllojëshe: të përhershme, si doktrina e Krishtit, dhe të përkohshme. Urdhërimet e përkohshme janë ato që janë të domosdoshme për nevojat e Kishës së Zotit ose për besimtarët në rrethana të përkohshme, por që nuk përdoren më kur mbaron nevoja. Një shembull i urdhërimeve të përkohshme janë udhëzimet e Zotit ndaj udhëheqjes së hershme të Kishës për t’i shpërngulur shenjtorët nga Nju‑Jorku në Ohajo, në Misuri, në Ilinois dhe përfundimisht për ta udhëhequr eksodin e pionierëve drejt Perëndimit Malor. Megjithëse vetëm të përkohshme, kur ishin ende në fuqi, këto urdhërime u dhanë që njerëzit t’u bindeshin.
Për disa urdhërime të përhershme është dashur një periudhë e konsiderueshme kohore që të mbaheshin gjerësisht. Për shembull, predikimi i famshëm i Presidentit Lorenco Snou mbi ligjin e së dhjetës theksoi një urdhërim të dhënë më parë, por që akoma nuk po mbahej gjerësisht nga anëtarët e Kishës. Pati nevojë për ritheksim në rrethanat e atëhershme me të cilat u përball Kisha dhe anëtarët e saj. Shembujt e kohëve të fundit të ritheksimeve gjithashtu kanë qenë të nevojshme për shkak të rrethanave aktuale me të cilat po përballen shenjtorët e ditëve të mëvonshme ose Kisha. Këto përfshijnë proklamatën mbi familjen, të shpallur nga Presidenti Gordon B. Hinkli një brez më parë dhe thirrjen e kohës së fundit nga Presidenti Rasëll M. Nelson që Kisha të bëhet e njohur me anë të emrit të saj të dhënë nëpërmjet zbulesës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
III.
Një tjetër prej këtyre mësimeve të Shpëtimtarit tonë duket se kërkon ritheksim në rrethanat e kohës sonë.
Kjo është koha e shumë fjalëve të ashpra dhe therëse në komunikimet publike dhe nganjëherë edhe brenda familjeve tona. Dallime të mprehta lidhur me çështje të normave publike shpesh rezultojnë në veprime armiqësie, madje urrejtjeje, në marrëdhëniet publike e personale. Kjo atmosferë armiqësie nganjëherë madje e paralizon aftësinë për marrjen e vendimeve ligjore për çështje me rëndësi ku shumica e qytetarëve shohin një nevojë të ngutshme për njëfarë veprimi në interes të publikut.
Çfarë duhet të japin mësim dhe të bëjnë ndjekësit e Krishtit në këtë kohë të komunikimeve helmatisëse? Cilat ishin mësimet dhe shembujt e Tij?
Është domethënëse që mes parimeve të para të cilat Jezusi i dha mësim kur iu shfaq nefitëve, ishte të shmangnin grindjen. Ndonëse Ai e dha mësim këtë në kontekstin e mosmarrëveshjeve për doktrinën fetare, arsyet që Ai i dha qartësisht, gjejnë zbatim në komunikimet dhe marrëdhëniet në politikë, në normat publike dhe në marrëdhëniet familjare. Jezusi dha mësim:
“Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.
Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken.”
Në pjesën tjetër të shërbesës së Tij mes nefitëve, Jezusi dha mësim urdhërime të tjera që lidhen ngushtë me moslejimin e grindjes nga ana e Tij. E dimë nga Bibla se Ai e kishte dhënë më përpara mësim secilën prej këtyre në Predikimin e Tij të madhërishëm në Mal, zakonisht në pikërisht po atë gjuhë që Ai më vonë e përdori me nefitët. Do të citoj gjuhën e njohur nga Bibla:
“Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”.
Ky është njëri nga urdhërimet më të mirënjohura të Krishtit, më revolucionari dhe më i vështiri për t’u ndjekur. Prapëseprapë ai është pjesë themelore e ftesës së Tij për të gjithë njerëzit, që ta ndjekin Atë. Siç dha mësim Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei: “Nuk ka mënyrë më të mirë për ta shfaqur dashurinë për Perëndinë sesa të tregoni dashuri vetëmohuese për bashkëqeniet tuaja”.
Ja dhe një mësim tjetër themelor nga Ai që është modeli ynë shembullor: “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.
Paqebërës! Sa do të ndryshonin marrëdhëniet personale po të hiqnin dorë ndjekësit e Krishtit nga fjalët e ashpra dhe therëse në të gjitha komunikimet e tyre!
Në konferencën e përgjithshme vitin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson na dha këto sfida:
“Një nga mënyrat më të thjeshta për ta dalluar një pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, është se sa me dhembshuri ai person i trajton njerëzit e tjerë. …
… Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë paqebërës.
… Një nga mënyrat më të mira se si mund ta nderojmë Shpëtimtarin, është të bëhemi një paqebërës/e.”
Për ta përmbyllur me mësimet e tij: “Grindja është një zgjedhje. Paqebërja është një zgjedhje. Ju keni lirinë tuaj të zgjedhjes që të zgjidhni grindjen ose pajtimin. Ju nxit të zgjidhni që të jeni paqebërës, tani e përgjithmonë.”
Kundërshtarët e mundshëm duhet t’i fillojnë diskutimet e tyre duke përcaktuar pikat e përbashkëta për të cilat që të gjithë janë dakord.
Për ta ndjekur Modelin tonë të Përsosur dhe profetin e Tij, na nevojitet të ushtrojmë atë që njihet gjerësisht si Rregulla e Artë: “Gjithçka … që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët”. Na nevojitet t’i duam dhe t’u bëjmë mirë të gjithëve. Na nevojitet të shmangim grindjen dhe të jemi paqebërës në të gjitha komunikimet tona. Kjo nuk do të thotë që të bëjmë lëshime ndaj parimeve dhe përparësive tona, por që ta ndalim sulmin me egërsi ndaj të tjerëve për parimet dhe përparësitë e tyre. Kjo është ajo që bëri Modeli ynë i Përsosur gjatë shërbesës së Tij. Ky është shembulli që na dha Ai, kur na ftoi ta ndjekim Atë.
Në këtë konferencë katër vjet më parë, Presidenti Nelson na dha një sfidë profetike për vetë kohën tonë:
“A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër?”
Si ndjekës të Krishtit, ne japim mësim e dëshmojmë për Jezu Krishtin, Modelin tonë të Përsosur. Prandaj le ta ndjekim Atë duke hequr dorë nga grindja. Teksa ndjekim rregulloret vetjake të parapëlqyera në ndërveprimet publike, u kualifikofshim për bekimet e Tij duke përdorur gjuhën dhe metodat e paqebërësve! Në familjet tona dhe në marrëdhënie të tjera personale, e shmangshim atë që është e ashpër dhe urryese! Bëfshim përpjekje që të jemi të shenjtë, si Shpëtimtari ynë, në emrin e shenjtë të të Cilit unë dëshmoj dhe e kërkoj bekimin e Tij për të na ndihmuar që të jemi shenjtorë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.