Konferenca e Përgjithshme
Groposja e Armëve Tona të Rebelimit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


13:12

Groposja e Armëve Tona të Rebelimit

E groposshim – shumë, shumë thellë – çfarëdo elementi rebelimi kundër Perëndisë në jetën tonë dhe e zëvendësofshim atë me një zemër të gatshme dhe një mendje të gatshme!

Libri i Mormonit shënon se afërsisht 90 vjet përpara lindjes së Krishtit, bijtë e mbretit Mosia filluan atë që do të ishte një mision 14‑vjeçar te lamanitët. Përpjekje të pasuksesshme ishin bërë gjatë shumë brezave për ta sjellë popullin lamanit në një besim në doktrinën e Krishtit. Megjithatë, këtë herë, nëpërmjet ndërhyrjeve mrekullibërëse të Shpirtit të Shenjtë, mijëra lamanitë u kthyen në besim dhe u bënë dishepuj të Jezu Krishtit.

Ne lexojmë: “Dhe me aq siguri sa Zoti jeton, po me kaq siguri të gjithë ata që besonin, ose të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë, që bën mrekulli në ta – po, unë ju them se sikurse Zoti jeton, po kështu të gjithë Lamanitët që besuan në predikimin e tyre dhe që u kthyen në besim te Zoti, nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre”.

Çelësi i kthimit të qëndrueshëm në besim të këtij populli jepet në vargun vijues: “Pasi ata u bënë një popull i drejtë; ata ulën armët e rebelimit të tyre dhe nuk luftuan më kundër Perëndisë, as kundër ndonjërit prej vëllezërve të tyre”.

Kjo referencë për “armët e rebelimit” ishte si në kuptimin e drejtpërdrejtë, edhe atë figurativ. Nënkuptonte shpatat e tyre dhe armë të tjera lufte, por edhe mosbindjen e tyre ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij.

Mbreti i këtyre lamanitëve të kthyer në besim, e shprehu në këtë mënyrë: “Dhe tani vini re, vëllezërit e mi, e gjitha që ne mund të bënim, … ishte të pendoheshim për të gjitha mëkatet dhe vrasjet tona të shumta që kishim bërë dhe të bënim që Perëndia të na i hiqte ato nga zemrat tona, pasi kjo ishte e gjitha që mund të bënim që të pendoheshim mjaftueshëm para Perëndisë, që ai të hiqte njollën tonë.

Vini re fjalët e mbretit – pendimi i tyre i sinqertë kishte çuar jo vetëm në faljen e mëkateve të tyre, por Perëndia gjithashtu hoqi nga zemra e tyre njollën e atyre mëkateve dhe madje dëshirën për të mëkatuar. Siç e dini, në vend që të rrezikonin ndonjë rikthim të mundshëm në gjendjen e tyre të mëparshme të rebelimit kundër Perëndisë, ata i groposën shpatat e tyre. Ndërsa i groposën armët e tyre fizike, me zemra të ndryshuara, ata groposën edhe prirjen e tyre për të mëkatuar.

Ne mund të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë ne për ta ndjekur këtë model, për të “ul[ur] armët e rebelimit [tonë]”, çfarëdo qofshin ato, dhe për t’u bërë aq “[të] kthye[r] në besim te Zoti”, saqë njolla e mëkatit dhe dëshira për mëkat të hiqen nga zemra jonë dhe të mos heqim dorë kurrë nga besimi ynë.

Rebelimi mund të jetë aktiv ose pasiv. Shembulli klasik i rebelimit të qëllimshëm është Luciferi, i cili, në botën para lindjes, e kundërshtoi planin e Atit për shëlbimin dhe mblodhi edhe të tjerë për ta kundërshtuar atë gjithashtu “dhe, në atë ditë, shumë e ndoqën atë”. Nuk është e vështirë të dallohet ndikimi i rebelimit të tij të vazhdueshëm në kohën tonë.

Treshja e paudhë e antikrishtëve në Librin e Mormonit – Sheremi, Nehori dhe Korihori – siguron një studim klasik të rebelimit aktiv kundër Perëndisë. Teza mbisunduese e Nehorit dhe Korihorit ishte se nuk ka mëkat; prandaj, nuk ka nevojë për pendim dhe nuk ka Shpëtimtar. “Çdo njeri përparo[n] sipas gjenisë së tij dhe … çdo njeri fito[n] sipas fuqisë së tij; dhe çdo gjë që një njeri bë[n] nuk [është] krim.” Antikrishti e refuzon autoritetin fetar, duke i karakterizuar ordinancat dhe besëlidhjet si shfaqje “që u krijuan nga priftërinjtë e vjetër, për të pasur pushtet dhe autoritet mbi ta”.

Uilliam<nb/>W. Felpsi

Një shembull i ditëve të mëvonshme i rebelimit të qëllimshëm me një fund më të lumtur është historia e Uilliam W. Felpsit. Felpsi iu bashkua Kishës në vitin 1831 dhe u emërua si tipograf i Kishës. Ai redaktoi disa botime të hershme të Kishës, shkroi himne të shumta dhe shërbeu si shkrues për Jozef Smithin. Fatkeqësisht, ai u kthye kundër Kishës dhe Profetit, madje deri në atë pikë sa të jepte dëshmi të rreme kundër Jozef Smithit në një gjykatë të Misurit, gjë që kontribuoi në burgosjen e Profetit atje.

Më vonë, Felpsi i shkroi Jozefit duke i kërkuar falje. “E njoh gjendjen time, ju e dini atë dhe Perëndia e di atë dhe unë dëshiroj të shpëtohem nëse miqtë e mi do të më ndihmojnë.”

Në përgjigje Profeti i shkroi: “Është e vërtetë që ne kemi vuajtur shumë si pasojë e sjelljes sate. … Gjithsesi, kupa u pi, vullneti i Atit tonë Qiellor u krye dhe ne jemi ende gjallë. … “[Lëre tani], vëlla i dashur, meqenëse kaloi kjo luftë, sepse miqtë e fillimit, janë përsëri miq në fund.”

Me pendim të sinqertë, Uilliam Felpsi groposi “armët e [veta të] rebelimit” dhe u mirëprit edhe një herë në shoqërim të plotë, për të mos hequr kurrë më dorë nga besimi i tij.

Ndoshta forma më tinëzare e rebelimit kundër Perëndisë, sidoqoftë, është varianti pasiv – shpërfillja e vullnetit të Tij në jetën tonë. Shumë njerëz që nuk do ta çonin kurrë nëpër mend rebelimin aktiv, mundet sërish ta kundërshtojnë vullnetin dhe fjalën e Perëndisë duke ndjekur rrugën e tyre pa e konsideruar drejtimin hyjnor. Më kujtohet kënga që u bë e famshme vite përpara nga këngëtari Frenk Sinatra, me vargun e spikatur: “E bëra sipas mënyrës sime”. Sigurisht, në jetë ka plot hapësirë për parapëlqime vetjake dhe zgjedhje individuale, por, kur bëhet fjalë për çështjet e shpëtimit dhe jetës së përjetshme, kënga për temën tonë duhet të jetë: “E bëra sipas mënyrës së Perëndisë”, sepse në të vërtetë nuk ka mënyrë tjetër.

Merrni, fjala vjen, shembullin e Shpëtimtarit lidhur me pagëzimin. Ai iu nënshtrua pagëzimit si një demonstrim besnikërie ndaj Atit dhe si shembull ndaj nesh:

“Ai u tregon fëmijëve të njerëzve se, sipas mishit, ai përul veten para Atit dhe i dëshmon Atit se ai do të jetë i bindur ndaj tij, në zbatimin e urdhërimeve të tij. …

Dhe ai u tha fëmijëve të njerëzve: Më ndiqni mua. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, a mund ta ndjekim ne [Jezusin], në qoftë se nuk jemi të gatshëm t’u bindemi urdhërimeve të Atit?”

Nuk ka “sipas mënyrës sime” nëse do të ndjekim shembullin e Krishtit. Përpjekja për të gjetur një drejtim tjetër drejt qiellit është si kotësia e të punuarit për Kullën e Babelit, në vend që të kërkosh Krishtin dhe shpëtimin e Tij.

Shpatat dhe armët e tjera që lamanitët e kthyer në besim i groposën, ishin armë rebelimi për shkak të mënyrës se si ata i kishin përdorur. Po ato lloj armësh në duart e bijve të tyre, që u përdorën në mbrojtje të familjes dhe lirisë, nuk ishin aspak armë rebelimi kundër Perëndisë. E njëjta gjë ishte [gjithashtu] e vërtetë për ato lloj armësh në duart e nefitëve: “Ata nuk luftonin për mbretëri ose pushtet, por po luftonin për shtëpitë e tyre dhe liritë e tyre dhe bashkëshortet e tyre, dhe fëmijët e tyre, dhe për gjithçka që kishin, po, për ritet e tyre të adhurimit dhe kishën e tyre”.

Në të njëjtën mënyrë, ka gjëra në jetën tonë që mund të jenë neutrale apo edhe në thelb të mira, por që, nëse përdoren në mënyrë të gabuar, bëhen “armë … rebelimi”. Fjalët tona, për shembull, mund të lartësojnë ose të poshtërojnë. Siç e tha Jakobi:

“Kurse gjuhën [duket sikur] asnjë nga njerëzit s’mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.

Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.

Nga e nj[ë]jta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.”

Ka shumë përmbajtje në diskutimet publike dhe personale sot që janë djallëzore dhe dashakeqe. Ka shumë bashkëbisedime me natyrë vulgare dhe profane, edhe midis të rinjve. Ky lloj fjalori, është një “armë … rebelimi” kundër Perëndisë, “plot me helm vdekjeprurës”.

Merrni parasysh një shembull tjetër të diçkaje që në thelb është e mirë, por që mund të kthehet kundër udhëzimeve hyjnore – karriera e një personi. Dikush mund të gjejë kënaqësi të vërtetë në një profesion, zanat ose shërbim dhe të gjithë ne përfitojmë nga ajo që kanë arritur dhe krijuar njerëz të përkushtuar dhe të talentuar në shumë fusha përpjekjesh.

Megjithatë, është e mundur që përkushtimi ndaj karrierës të mund të bëhet fokusi parësor i jetës së dikujt. Atëherë gjithçka tjetër bëhet dytësore, duke përfshirë çdo kërkesë që Shpëtimtari mund të bëjë për kohën dhe talentin e një njeriu. Për burrat, si edhe për gratë, heqja dorë nga mundësi të përligjshme për martesë, mosarritja për t’u kapur pas bashkëshortit/es dhe për ta lartësuar atë moralisht, mosarritja për t’i edukuar fëmijët, apo edhe shmangia e qëllimshme e bekimit dhe përgjegjësisë së rritjes së fëmijëve vetëm për hir të përparimit në karrierë, mund ta shndërrojë arritjen e lavdërueshme në një formë rebelimi.

Një shembull tjetër ka të bëjë me qenien tonë fizike. Pali na kujton se ne duhet ta përlëvdojmë Perëndinë si në trup, ashtu edhe në shpirt dhe se ky trup është tempulli i Frymës së Shenjtë, “të cilin e ke[m]i nga Perëndia, dhe se nuk i përk[asim] vetvetes”. Prandaj, ne kemi një interes të përligjur për të shpenzuar kohë duke u kujdesur për trupin tonë sa më mirë të mundemi. Pak prej nesh do ta arrijnë kulmin e rezultateve që kemi parë së fundmi në arritjet e atletëve olimpikë dhe paralimpikë, dhe disa prej nesh po përjetojnë efektet e plakjes, ose atë që Presidenti M. Rasëll Ballard e quajti “perçinat që lirohen”.

Sidoqoftë, besoj se Krijuesi ynë kënaqet kur bëjmë çmos për t’u kujdesur për dhuratën e Tij të mrekullueshme, trupin fizik. Do të ishte një shenjë rebelimi të përdhosësh apo të fëlliqësh trupin e njeriut, ose të abuzosh me të, ose të mos arrish të bësh çmos për të ndjekur një mënyrë jetese të shëndetshme. Në të njëjtën kohë, kotësia dhe fiksimi pas fizikut, pamjes apo veshjes së njeriut mund të jetë një formë rebelimi në ekstremin tjetër, duke e shtyrë njeriun të adhurojë dhuratën e Perëndisë në vend të Perëndisë.

Në fund, groposja e armëve tona të rebelimit kundër Perëndisë thjesht do të thotë t’u nënshtrohemi nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë, të zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”. Do të thotë ta vendosim urdhërimin e parë të parin në jetën tonë. Do të thotë ta lejojmë Perëndinë të triumfojë. Nëse dashuria jonë për Perëndinë dhe vendosmëria jonë për t’i shërbyer Atij me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë bëhen kriteri matës me anë të të cilit i gjykojmë të gjitha gjërat dhe marrim të gjitha vendimet tona, do t’i kishim groposur armët tona të rebelimit. Me anë të hirit të Krishtit, Perëndia do t’i falë mëkatet dhe rebelimet tona të së kaluarës dhe do ta heqë nga zemra jonë njollën e atyre mëkateve dhe rebelimeve. Me kalimin e kohës, Ai madje do të na e heqë çdo dëshirë për keq, siç bëri me ata lamanitë të kthyer në besim në të kaluarën. Për rrjedhojë, as ne “nuk [do të] h[eqim] dorë kurrë nga besimi” ynë.

Groposja e armëve tona të rebelimit çon drejt një gëzimi të pashoq. Bashkë me të gjithë ata që janë kthyer ndonjëherë në besim te Zoti, ne do të “s[illemi] t[ë] këndoj[m]ë [këngën e] dashurisë shëlbuese”. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Shëlbuesi ynë, kanë vërtetuar zotimin e Tyre të pafundmë për lumturinë tonë përfundimtare nëpërmjet dashurisë më të thellë dhe sakrificës. Ne e përjetojmë dashurinë e Tyre çdo ditë. Sigurisht që ne mund t’u përgjigjemi me vetë dashurinë dhe besnikërinë tonë. E groposshim – shumë, shumë thellë – çfarëdo elementi rebelimi kundër Perëndisë në jetën tonë dhe e zëvendësofshim atë me një zemër të gatshme dhe një mendje të gatshme! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.