Mirë se Vini në Kishën e Gëzimit
Për shkak të jetës dhe misionit shëlbues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund – dhe duhet – të jemi njerëzit më të gëzuar në tokë!
U pagëzova në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në vigjilje të Krishtlindjes së vitit 1987, thuajse 37 vjet më parë. Ajo qe një ditë vërtet e mrekullueshme në jetën time dhe në rrugëtimin tim të përjetshëm dhe jam thellësisht mirënjohës për miqtë që e përgatitën udhën dhe më çuan në ujërat e asaj lindjeje të re.
Pavarësisht nëse pagëzimi juaj ishte dje apo vite më parë, qoftë nëse takoheni në një ndërtesë të madhe shumëlagjëshe të Kishës apo nën një strehëzë kashte, qoftë nëse e merrni sakramentin në kujtim të Shpëtimtarit në tajlandisht apo suahilisht, dua t’ju them: “Mirë se vini në kishën e gëzimit!” Mirë se vini në kishën e gëzimit!
Kisha e Gëzimit
Në saje të planit të dashur të Atit tonë Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij dhe për shkak të jetës dhe misionit shëlbues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund – dhe duhet – të jemi njerëzit më të gëzuar në tokë! Madje kur stuhitë e jetës në një botë shpesh të trazuar na godasin, ne mund të kultivojmë një ndjesi në rritje e të qëndrueshme gëzimi dhe paqeje të brendshme për shkak të shpresës sonë te Krishti dhe kuptueshmërisë sonë për vendin tonë vetjak në planin e bukur të lumturisë.
Apostulli i Zotit me kohë më të gjatë në detyrë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka folur për gëzimin që vjen nga një jetë e përqendruar te Jezu Krishti në gati çdo fjalim që ka mbajtur që kur u bë President i Kishës. Ai e përmblodhi kaq thelbësisht: “Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. … Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Jezu Krishti është gëzim!”
Ne jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Ne jemi anëtarë të kishës së gëzimit! Gëzimi ynë si popull nuk duhet të jetë askund më i dukshëm sesa kur mblidhemi së bashku çdo Shabat në mbledhjet tona të sakramentit për të adhuruar burimin e gjithë gëzimit! Këtu grumbullohemi me familjet e lagjeve dhe degëve tona për të kremtuar sakramentin e Darkës së Zotit, çlirimin tonë nga mëkati e vdekja dhe hirin e fuqishëm të Shpëtimtarit! Këtu vijmë për të përjetuar gëzimin, strehimin, faljen, falënderimet dhe përkatësinë që gjenden nëpërmjet Jezu Krishtit!
A është kjo frymë e gëzimit kolektiv te Krishti ajo që gjeni? A është kjo ajo që sillni? Ndoshta mendoni se kjo nuk ka të bëjë shumë me ju vetë, ose ndofta thjesht jeni mësuar me mënyrën se si janë bërë gjërat përherë. Por ne të gjithë mund të kontribuojmë, pavarësisht nga mosha apo thirrja jonë, për t’i bërë mbledhjet tona të sakramentit një orë të mbushur me gëzim, të përqendruar te Krishti, mikpritëse sa më s’ka, të gjallëruara nga një frymë nderimi plot gëzim.
Nderim Plot Gëzim
Nderim plot gëzim? Ju mund të pyesni: “A ekziston një gjë e tillë?” Në fakt, po. Ne e duam, e nderojmë dhe e respektojmë thellësisht Perëndinë tonë dhe nderimi ynë rrjedh nga një shpirt që gëzohet në dashurinë, mëshirën dhe shpëtimin e pamasë të Krishtit! Ky nderim plot gëzim ndaj Zotit duhet t’i karakterizojë mbledhjet tona të shenjta të sakramentit.
Megjithatë, për shumë njerëz, nderimi nënkupton vetëm këtë: të mbledhim fort krahët në kraharor, të përkulim kokën, të mbyllim sytë dhe të qëndrojmë palëvizur – pafundësisht [e pafundësisht]! Kjo mund të jetë një mënyrë e dobishme për t’ua mësuar të vegjëlve energjikë, por ndërsa rritemi dhe mësojmë, le të kuptojmë se nderimi është shumë më tepër se kaq. A do të ishim të tillë po të ishte Shpëtimtari me ne? Jo, pasi “ka shumë gëzim në praninë [e Tij]”!
Epo, për shumë prej nesh, ky shndërrim në shërbesat tona të sakramentit do të kërkojë ushtrim.
Frekuentimi kundrejt Adhurimit
Ne nuk mblidhemi në Shabat thjesht për të marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit dhe për ta shënuar të kryer te lista. Ne mblidhemi së bashku për të adhuruar. Ka një ndryshim domethënës midis të dyjave. Të frekuentosh do të thotë të jesh i pranishëm. Por të adhurosh është që ta përlëvdojmë dhe admirojmë me qëllim Perëndinë tonë në një mënyrë që na shndërron!!
Në Podium dhe në Bashkësi
Nëse po mblidhemi në kujtim të Shpëtimtarit dhe shëlbimit që Ai e ka bërë të mundur, fytyrat tona duhet të pasqyrojnë gëzimin dhe mirënjohjen tonë! Plaku F. Encio Bushe njëherë tregoi historinë kur ishte president dege dhe një djalë i vogël në bashkësi e pa në podium dhe pyeti me zë të lartë: “Çfarë po bën aty ai njeri me atë fytyrë të ngrysur?” Ata që ulen në podium – folësit, udhëheqësit, koret – dhe ata që mblidhen në bashkësi, i kumtojnë njëri‑tjetrit këtë: “Mirë se vini në kishën e gëzimit!”, nëpërmjet shprehjeve të tyre të fytyrës!
Këndimi i Himneve
Kur këndojmë, a po bashkohemi për të përlëvduar Perëndinë dhe Mbretin tonë, pavarësisht nga cilësia e zërave tanë apo thjesht po i murmuritim fjalët apo nuk po këndojmë fare? Shkrimet e shenjta shënojnë se “kënga e të drejtëve është një lutje për [Perëndinë]”, në të cilën Atij i kënaqet shpirti. Pra, le të këndojmë! Dhe ta përlëvdojmë Atë!
Bisedat dhe Dëshmitë
Ne i përqendrojmë bisedat dhe dëshmitë tona tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe frytet e të jetuarit me përulësi të ungjillit të Tyre, fryte që janë të “ëmbël[a] mbi çdo gjë që është e ëmbël”. Më pas, njëmend “ushqehe[m]i … madje derisa të ngope[m]i, që të mos ke[m]i uri, as … etje” dhe barrët tona bëhen më të lehta nëpërmjet gëzimit të Birit.
Sakramenti
Pika qendrore dhe e lavdishme e shërbesave tona është bekimi dhe marrja e vetë sakramentit, bukës dhe ujit që përfaqësojnë dhuratën shlyese të Zotit tonë dhe gjithë qëllimin e mbledhjes sonë. Kjo është “një kohë e shenjtë e ripërtëritjes shpirtërore”, kur dëshmojmë sërish që jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe të bëjmë përsëri besëlidhjen për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.
Në disa periudha të jetës, mund t’i qasemi sakramentit me zemër të brengosur dhe barrë munduese. Në raste të tjera, vijmë të çliruar dhe të lehtësuar nga shqetësimet dhe telashet. Ndërsa e dëgjojmë me vëmendje bekimin e bukës dhe ujit dhe i marrim ato shenja të shenjta, mund të ndiejmë që të reflektojmë mbi flijimin e Shpëtimtarit, agonitë e Tij në Gjetseman, vuajtjen e Tij në kryq dhe brengat e dhembjet që Ai duroi për ne. Pikërisht kjo do të na e lehtësojë shpirtin, ndërsa i lidhim vuajtjet tona me të Tijat. Herë të tjera, do të ndiejmë të mrekullohemi me mahnitje plot mirënjohje për gëzimin e “mrekulluesh[ëm] dhe … të ëmbël”, nga ajo që dhurata madhështore e Jezusit ka bërë të mundur në jetën tonë dhe në përjetësitë tona! Do të gëzohemi për atë që ende do të vijë, ribashkimin tonë të çmuar me Atin tonë të dashur dhe Shpëtimtarin e ringjallur.
Mund të kemi qenë të kushtëzuar nga mendimi se qëllimi i sakramentit është të ulemi në stol duke menduar vetëm për të gjitha mënyrat se si i kemi katranosur gjërat në javën e mëparshme. Por le të bëjmë të kundërtën e kësaj praktike. Në qetësi, mund të përsiatim për mënyrat e shumta se si e kemi parë Zotin të na qëndrojë pranë pa pushim me dashurinë e Tij të mrekullueshme atë javë! Mund të reflektojmë mbi atë se çfarë do të thotë të “zbulo[sh] gëzimin e pendimit të përditshëm”. Ne mund të japim falënderime për rastet kur Shpëtimtari u bë pjesë e betejave tona dhe ngadhënjimeve tona dhe të rasteve kur e ndiem hirin, faljen dhe fuqinë e Tij duke na dhënë forcë për t’i kapërcyer vështirësitë tona dhe për t’i mbajtur barrët tona me durim e me kurajë.
Po, ne përsiatim për vuajtjet dhe padrejtësitë që i janë shkaktuar Shëlbuesit tonë për mëkatin tonë dhe kjo vërtet sjell reflektim të kthjellët. Por herë‑herë përqendrimi ynë mbetet aty – te kopshti, në kryq, brenda varrit. Nuk arrijmë të zhvendosemi lart te gëzimi prej varrit që hapet me shpërthim, mposhtjes së vdekjes dhe fitores së Krishtit mbi gjithçka që mund të na pengojë të fitojmë paqe dhe rikthim në shtëpinë tonë qiellore. Pavarësisht nëse derdhim lot trishtimi apo lot mirënjohjeje gjatë sakramentit, le ta bëjmë me mrekullim plot mahnitje për lajmin e mirë të dhuratës së Atit – Birin e Tij!
Prindër me Fëmijë që Janë të Vegjël ose Kanë Nevoja të Veçanta
Tani, për prindërit e fëmijëve që janë të vegjël ose kanë nevoja të veçanta, shpesh nuk ka diçka të tillë si kohë qetësie dhe reflektimi të heshtur gjatë sakramentit. Por, në çaste të vogla gjatë gjithë javës, mund ta jepni mësim me anë të shembullit dashurinë, mirënjohjen dhe gëzimin që ndieni për Shpëtimtarin dhe prej Tij ndërsa kujdeseni vazhdimisht për qengjat e Tij të vegjël. Asnjë përpjekje në këtë kërkim nuk shkon dëm. Perëndia është kaq shumë i vetëdijshëm për ju.
Këshillat e Familjeve, të Lagjeve dhe Degëve
Po kështu edhe në shtëpi, mund të fillojmë t’i rritim shpresat dhe pritshmëritë tona për kohën tonë në kishë. Në këshillat e familjeve, mund të diskutojmë se si çdo individ mund të kontribuojë në mënyra kuptimplota për t’i mirëpritur të gjithë në kishën e gëzimit! Mund të planifikojmë dhe presim që të kemi një përvojë plot gëzim në kishë.
Këshillat e lagjeve dhe degëve mund të parafytyrojnë dhe të krijojnë një kulturë nderimi plot gëzim për orën tonë të sakramentit, duke përcaktuar hapa praktikë dhe sugjerime pamore për të ndihmuar.
Gëzimi
Gëzimi përjetohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Për disa, mund të jenë përshëndetjet me gjallëri te dera. Për të tjerë, mund të jetë ndihma në heshtje ndaj njerëzve që të ndihen rehat, duke u buzëqeshur dhe ulur pranë tyre me një zemër mirëdashëse e të hapur. Për ata që ndihen të lënë mënjanë ose të pavënë re, ngrohtësia e kësaj mirëseardhjeje do të jetë vendimtare. Në fund të fundit, mund të pyesim veten se si do të donte Shpëtimtari që të ishte ora jonë e sakramentit. Si do të donte Ai të mirëpritej e ushqehej shpirtërisht secili prej fëmijëve të Tij dhe të tregohej kujdes e dashuri për secilin prej tyre? Si do të donte Ai të ndiheshim kur të vinim për t’u përtërirë nëpërmjet të kujtuarit dhe adhurimit të Tij?
Përfundimi
Në fillim të rrugëtimit tim të besimit, gëzimi te Jezu Krishti ishte zbulimi im i parë i madh dhe e ndryshoi botën time. Nëse ende nuk e keni zbuluar këtë gëzim, nisuni në kërkim të tij. Kjo është një ftesë për të marrë dhuratën prej Shpëtimtarit të paqes, dritës dhe gëzimit – për t’u ngazëlluar me të, për t’u mrekulluar me të dhe për t’u gëzuar me të çdo Shabat.
Amoni në Librin e Mormonit shpreh ndjenjat e zemrës sime kur thotë:
“Tani, a nuk kemi shkak të gëzohemi? Po, unë ju them juve se nuk pati kurrë njerëz që të kishin shkak kaq të madh të gëzoheshin sa ne, që kur filloi bota; po, dhe gëzimi im më ngre, madje deri në mburrje në Perëndinë tim; pasi ai ka gjithë fuqinë, gjithë diturinë dhe gjithë zgjuarsinë; ai kupton të gjitha gjërat dhe është një Qenie e mëshirshme, derisa të shpëtojë ata që do të pendohen dhe do të besojnë në emrin e tij.
Tani, në qoftë se kjo është mburrje, kështu unë do të mburrem; pasi kjo është jeta ime dhe drita ime, … gëzimi im dhe falënderimi im i madh.”
Mirë se vini në kishën e gëzimit! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.