Konferenca e Përgjithshme
Gëzimi i Shëlbimit Tonë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


12:9

Gëzimi i Shëlbimit Tonë

Dashuria dhe fuqia e Jezu Krishtit mund ta shpëtojë secilin prej nesh nga gabimet, dobësitë dhe mëkatet e veta dhe të na ndihmojë të bëhemi diçka më shumë.

Rreth 10 vjet më parë, ndjeva mbresën që të pikturoja një portret të Shpëtimtarit. Megjithëse jam piktore, m’u duk detyrë e rëndë. Si do ta pikturoja unë një portret të Jezu Krishtit që rrokte Shpirtin e Tij? Nga t’ia filloja? Ku do ta gjeja kohën?

Me gjithë pyetjet, vendosa të vijoja me tej dhe të mirëbesoja se Zoti do të më ndihmonte, por më duhej t’i përvishesha punës dhe t’ia lija mundësitë Atij. U luta, përsiata, bëra kërkime dhe skica dhe u bekova duke gjetur ndihmë dhe burime. Ajo që qe një kanavacë e bardhë, nisi të bëhej diçka më tepër.

Pikturë e Shpëtimtarit në proces e sipër.

Procesi nuk qe i lehtë. Nganjëherë nuk kishte pamjen që shpresoja. Nganjëherë kishte çaste hedhjesh peneli dhe idesh të frymëzuara, dhe shumë herë m’u desh ta provoja përsëri e përsëri.

Kur mendova se piktura me bojëra vaji qe më në fund e përfunduar dhe e tharë, nisa t’i vendosja llak për ta mbrojtur nga ndotja dhe pluhuri. Ndërsa e bëja, vura re se flokët në pikturë filluan të ndryshonin, të leroseshin e të prisheshin. Shpejt e kuptova se e kisha vendosur llakun më shpejt nga sa duhej, ajo pjesë e pikturës qe ende e patharë!

Kisha fshirë me plot kuptimin e fjalës një pjesë të pikturës sime me llakun. O, sa m’u pikëllua zemra! U ndjeva sikur sapo kisha shkatërruar atë që Perëndia më kishte ndihmuar të bëja. Qava dhe u ndjeva keq përbrenda. Në dëshpërim e sipër, bëra atë që do të bënte kushdo në një situatë si kjo: i telefonova nënës sime. Ajo me mençuri dhe qetësi tha: “Nuk do të të kthehet më ajo që kishe, por bëj më të mirën që mundesh me atë që ke”.

Pikturë e përfunduar e Shpëtimtarit.

And I Partook [Dhe Unë Mora Pjesë], nga Kristin M. Yee

Ndaj u luta e u përgjërova për ndihmë dhe pikturova gjatë natës për t’i ndrequr gjërat. Më kujtohet se e pashë pikturën në mëngjes; dukej më mirë se më përpara. Si qe e mundur ajo? Ajo që mendova se ishte një gabim i pandreqshëm, qe një mundësi që dora e Tij e mëshirshme të shpërfaqej. Ai nuk kishte mbaruar punë me pikturën dhe as me mua. Çfarë gëzimi dhe lehtësimi ma mbushi zemrën! E përlëvdova Zotin për mëshirën e Tij, për këtë mrekulli, e cila jo vetëm e shpëtoi pikturën, por më mësoi më shumë rreth dashurisë dhe fuqisë së Tij për ta shpëtuar secilin prej nesh nga gabimet, dobësitë dhe mëkatet e veta dhe për të na ndihmuar të bëhemi diçka më shumë.

Ashtu sikurse thellësia e mirënjohjes sime për Shpëtimtarin u shtua teksa Ai më ndihmoi mëshirshëm që ta riparoja pikturën “e pariparueshme”, ashtu është përforcuar edhe dashuria dhe mirënjohja ime për Shpëtimtarin teksa kam kërkuar të punoj me Të për dobësitë e mia dhe për të marrë falje për gabimet. Do t’i jem mirënjohëse përgjithmonë Shpëtimtarit tim për faktin që mund të ndryshoj dhe të pastrohem. Ai e ka fituar zemrën time dhe shpresoj të bëj atë që Ai do të donte të bëja dhe të bëhesha.

Pendimi na lejon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe ta njohim e ta duam Atë në mënyra që përndryshe nuk do t’i dinim kurrë. Për gruan që vajosi këmbët e Shpëtimtarit, Ai tha: “Mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak”. Ajo e deshi Jezusin shumë ngaqë Ai e kishte falur atë për shumë gjëra.

Një lehtësim dhe shpresë e tillë gjendet te njohuria se mund ta provojmë përsëri, sikurse dha mësim Plaku Bednar, se ne mund të marrim një heqje të vazhdueshme të mëkateve tona nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë teksa pendohemi vërtet dhe sinqerisht.

Fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit është një nga bekimet më të mëdha që na premtohet prej besëlidhjeve tona. Përsiatni për këtë ndërsa merrni pjesë në ordinanca të shenjta. Pa të, nuk do të mund të ktheheshim në shtëpi, në praninë e Atit tonë në Qiell dhe të atyre që duam.

E di se Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është i fuqishëm për të na shpëtuar. Si Biri i Perëndisë, i cili shleu për mëkatet e botës dhe dha jetën e Vet dhe e mori atë përsëri, Ai mban fuqinë e shëlbimit dhe ringjalljes. Ai e ka bërë të mundur pavdekësinë për të gjithë dhe jetën e përjetshme për ata që e zgjedhin Atë. E di se, nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, ne mund të pendohemi, të pastrohemi e të shëlbohemi vërtet. Është një mrekulli fakti që Ai na do ju dhe mua në këtë mënyrë.

Ai ka thënë: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?” Ai mund t’jua shërojë vendet e “shkatërr[uara]” të shpirtit, vendet e thara, të ashpërsuara dhe të shkretuara nga mëkati dhe pikëllimi dhe ta “bëjë shkretëtirën [tuaj] si Edenin”.

Ashtu sikurse ne nuk mund ta kuptojmë agoninë dhe thellësinë e vuajtjes së Krishtit në Gjetseman dhe në kryq, ashtu “nuk mund t’i matim caqet e as ta konceptojmë thellësinë e faljes hyjnore”, të mëshirës dhe dashurisë së Tij.

Ndonjëherë mund të ndieni se nuk është e mundur të shëlboheni, se ndoshta jeni një përjashtim për dashurinë e Perëndisë dhe për fuqinë shlyese të Shpëtimtarit për shkak të atij mundimi që po kaloni ose prej asaj që keni bërë, por ju dëshmoj se nuk jeni më poshtë nga sa mund të arrijë Mësuesi. Shpëtimtari “zbriti nën gjithçka” dhe është në një pozitë hyjnore që t’ju ngrejë e t’ju tërheqë nga humnera më e errët dhe t’ju nxjerrë në “dritën e tij të mrekullueshme”. Nëpërmjet vuajtjeve të Tij, Ai i ka hapur një udhë secilit prej nesh që t’i mposhtim dobësitë dhe mëkatet vetjake. “Ai ka gjithë fuqinë të shpëtojë çdo njeri që beson në emrin e tij dhe sjell fryt që i përshtatet pendimit.”

Ashtu sikurse u desh punë dhe përgjërim për ndihmë nga qielli që ta riparoja pikturën, duhet punë, sinqeritet në zemër dhe përulësi për të sjellë “fryt që i përshtatet pendimit”. Këto fryte përfshijnë ushtrimin e besimit dhe mirëbesimit tonë te Jezu Krishti dhe te flijimi i Tij shlyes, ofrimin e një zemre të thyer dhe shpirti të penduar ndaj Perëndisë, rrëfimin dhe braktisjen e mëkatit, rikthimin në gjendjen e mëparshme të asaj që është dëmtuar me aq sa mundemi dhe bërjen çmos për të jetuar me drejtësi.

Për t’u penduar dhe ndryshuar vërtet, ne së pari duhet të “bind[emi] për mëkatet tona”. Një njeri nuk e sheh nevojën për të marrë mjekim përveç nëse e kupton se është sëmurë. Mund të ketë raste kur mund të mos jemi të gatshëm të vështrojmë brenda vetes dhe të shohim atë që ka nevojë vërtet për shërim e riparim.

Në shkrimet e C. S. Luisit, Asllani ia parashtron këto fjalë një njeriu që qe zënë në kurth nga vetë skemat e tij: “O, [njerëzim] me sa zgjuarsi e mbron veten [nga] gjithçka që mund të të bëjë mirë”.

Po ju dhe unë nga çfarë po e mbrojmë veten prej atyre gjërave që mund të na bëjnë mirë?

Le të mos e mbrojmë veten nga e mira me të cilën Perëndia dëshiron të na bekojë, nga dashuria dhe mëshira që Ai dëshiron që ne të ndiejmë, nga drita dhe njohuria që Ai dëshiron të na japë, nga shërimi që Ai e di se na nevojitet me gatishmëri, nga marrëdhëniet më të thella besëlidhëse që Ai synon për të gjithë bijtë dhe bijat e Tij.

Lutem që të mund t’i hedhim tutje “armët e luftës” që i kemi ngritur me ose edhe pa vetëdije për t’u mbrojtur nga bekimet e dashurisë së Perëndisë. Armët e krenarisë, egoizmit, frikës, urrejtjes, fyerjes, vetëkënaqjes, gjykimit të padrejtë, xhelozisë, të çdo gjëje që do të na pengonte ta duam Perëndinë me gjithë zemër dhe t’i mbajmë të gjitha besëlidhjet me Të.

Teksa i jetojmë besëlidhjet tona, Zoti mund të na japë ndihmën dhe fuqinë që na nevojitet për t’i dalluar si dhe për t’i mposhtur dobësitë tona, përfshirë parazitin shpirtëror të krenarisë. Profeti ynë ka thënë:

“Pendimi është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi”.

“Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.”

Si me pikturën time, Zoti nuk ka mbaruar punë me ne kur bëjmë një gabim, as nuk zhduket kur ligështohemi. Nevoja jonë për shërim dhe ndihmë nuk është një barrë për Të, por vetë arsyeja pse Ai erdhi. Shpëtimtari Vetë tha:

“Vini re, unë erdha në botë që t’i sjell shëlbim botës, për ta shpëtuar botën nga mëkati”.

“Krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë.”

“Pra, ejani, ejani ju që jeni të lodhur, të munduar e të trishtuar, ejani dhe lërini punët tuaja e gjeni prehje tek Ai që ju do më shumë se të gjithë. Merreni zgjedhën e Tij mbi vete, pasi Ai është zemërbutë dhe i përulur nga zemra.”

Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ju shohin. Jua njohin zemrën. Ata interesohen për atë që interesoheni ju, përfshirë njerëzit që doni.

Shpëtimtari mund të shëlbojë atë që kishte humbur, përfshirë marrëdhëniet e prishura e të krisura. Ai hapi një udhë që gjithçka e rënë të shëlbohej, që të frymonte jetë në atë që dukej e pajetë dhe e pashpresë.

Nëse po vuani nga një situatë që mendoni se duhej ta kishit kapërcyer deri tani, mos hiqni dorë. Jini të duruar me veten, mbajini besëlidhjet, pendohuni shpesh, kërkoni ndihmë nga udhëheqësit sipas nevojës dhe shkoni në shtëpinë e Zotit sa më rregullisht që të mundeni. Mbajini vesh dhe vërjuani veshin nxitjeve që ju dërgon Ai. Ai nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij besëlidhëse me ju.

Ka pasur marrëdhënie të vështira e të ndërlikuara në jetën time nga të cilat jam munduar dhe kam kërkuar sinqerisht t’i përmirësoj. Nganjëherë, jam ndier sikur po dështoja në të shumtën e rasteve. Vrisja mendjen: “A nuk i ndreqa gjërat herën e fundit? A nuk e mposhta vërtet dobësinë time?” Kam mësuar me kalimin e kohës se jo detyrimisht është defekti im; përkundrazi, ka shpesh më shumë gjëra me të cilat duhet punuar dhe për të cilat nevojitet më shumë kohë për t’u shëruar.

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Sigurisht që Zoti i buzëqesh dikujt që dëshiron të vijë me denjësi te gjykimi, që punon me vendosmëri ditë për ditë për ta zëvendësuar dobësinë me fuqi. Pendimi i vërtetë, ndryshimi i vërtetë mund të kërkojë përpjekje të përsëritura, por në një përpjekje të tillë ka diçka përpunuese dhe të shenjtë. Falja dhe shërimi hyjnor rrjedhin mjaft natyrshëm te një shpirt i tillë.”

Çdo ditë është një ditë e re e mbushur me shpresë dhe mundësi për shkak të Jezu Krishtit. Çdo ditë, ju dhe unë mund të arrijmë të njohim, sikurse shpalli Nënë Eva “gëzimin e shëlbimit tonë”, gëzimin e të bërit të plotë, gëzimin e të ndierit të dashurisë së pashtershme të Perëndisë për ju.

Unë dëshmoj se Ati ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ju duan. Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i gjithë njerëzimit. Ai jeton. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, rripat e mëkatit dhe vdekjes u këputën përgjithmonë, me qëllim që ne të mund të jemi të lirë të zgjedhim shërimin, shëlbimin dhe jetën e përjetshme me njerëzit që i duam. Dëshmoj për këto gjëra në emrin e Tij, të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Mateu 19:26.

  2. “Kur bëjmë besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire. Në hebraisht, ajo dashuri besëlidhëse quhet hesed (חֶסֶד)” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 5).

  3. “Kur ju dhe unë gjithashtu hyjmë në atë shteg, ne kemi një mënyrë të re jetese. Si rrjedhojë krijojmë një marrëdhënie me Perëndinë që e lejon Atë të na bekojë dhe të na ndryshojë. Shtegu i besëlidhjeve na udhëheq që të kthehemi tek Ai. Nëse e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, ajo besëlidhje do të na çojë gjithnjë e më pranë Tij. Të gjitha besëlidhjet kanë si qëllim që të jenë lidhëse. Ato krijojnë një marrëdhënie me lidhje të përjetshme” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 5).

  4. Shihni tek Alma 26:35–36.

  5. Shihni tek Alma 22:18: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”.

  6. Lluka 7:47; shihni edhe vargjet 37–50.

  7. Duke folur për sakramentin, Plaku Dejvid A. Bednar tha:

    “Ndërsa përgatitemi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe marrim pjesë në këtë ordinancë të shenjtë me një zemër të thyer e shpirt të penduar, atëherë premtimi është që ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne. Dhe nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund ta mbajmë një heqje të mëkateve tona” (“Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Liahona, maj 2016, f. 61–62).

    “Në procesin e ardhjes te Shpëtimtari dhe rilindjes shpirtërore, marrja e fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë në jetën tonë krijon mundësinë e një pastrimi të vazhdueshëm të shpirtit tonë nga mëkati. Ky bekim i gëzueshëm është jetik ngaqë ‘asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë’ [1 Nefi 10:21]” (“Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, f. 61).

    Dejvid A. Bednar, në një seminar për udhëheqësit e misionit në vitin 2023 dha mësim: “Dhe nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund të mbajmë një heqje të mëkateve tona. Pra, ungjilli i Jezu Krishtit siguron mundësi të dyta, të treta, të katërta dhe të pafundme për të mbajtur një heqje të mëkateve tona” (në Rachel Sterzer Gibson, “Teach to Build Faith in Jesus Christ, Elder Bednar Instructs”, Church News, 23 qershor 2023, thechurchnews.com).

  8. “Profeti Jozef Smith e përmblodhi shkurtimisht rolin thelbësor të ordinancave të priftërisë në ungjillin e Jezu Krishtit: ‘Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave’ [Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi (2009), f. 100]. Kjo thënie lehtësisht e kuptueshme thekson rolet si të Frymës së Shenjtë, ashtu edhe të ordinancave të shenjta në procesin e rilindjes shpirtërore. …

    Ordinancat e shenjta janë thelbësore në ungjillin e Shpëtimtarit dhe në procesin e ardhjes tek Ai dhe të kërkimit të rilindjes shpirtërore. …

    Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të administruara në Kishën e rivendosur të Zotit, janë shumë më tepër sesa kryerje rituale apo simbolike. Përkundrazi, ato përbëjnë kanalet e autorizuara nëpërmjet të cilave bekimet dhe fuqitë e qiellit mund të rrjedhin brenda jetës sonë individuale. …

    Ordinancat e marra dhe të nderuara me integritet moral janë të domosdoshme për marrjen e fuqisë së shenjtërisë dhe të gjitha bekimeve të vëna në dispozicion nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit” (Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, f. 59–60).

  9. Shihni te Gjoni 10:17–18; 3 Nefi 9:22.

  10. Shihni te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Gjoni 1:16; Jakobi [LiM] 6:9; Moisiu 1:39.

  11. Shihni tek Alma 12:33–34.

  12. Shihni te Gjoni 3:16.

  13. 3 Nefi 9:13.

  14. “Unë ju përgjërohem që të vini tek Ai që Ai të mund t’ju shërojë ju nga mëkati kur pendoheni. Ai do t’ju shërojë nga trishtimi dhe frika. Ai do t’ju shërojë nga plagët e kësaj bote” (Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127).

  15. Isaia 51:3, shihni edhe tek Isaia 58:10–12; Ezekiel 36:33–36.

  16. James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 265.

  17. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 5–7; shihni edhe poshtëshënimet nr. 2 dhe 3 në këtë mesazh.

  18. Doktrina e Besëlidhje 88:6; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 122:7–9.

  19. 1 Pjetër 2:9; shihni edhe tek Alma 26:16–17.

  20. Alma 12:15; theksimi i shtuar.

  21. Shihni tek Alma 34:17.

  22. Shihni te 2 Korintasve 7:10; 3 Nefi 9:15–22.

  23. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:43; 64:7.

  24. Shihni te Mosia 27:32–37; Alma 26:30.

  25. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:32.

  26. Shihni tek Alma 24:8–10.

  27. Shihni te Robert L. Millet, Becoming New: A Doctrinal Commentary on the Writings of Paul (2022), f. 26.

  28. C. S. Lewis, The Magician’s Nephew (1955), f. 185.

  29. Shihni te Mosia 4:6–9.

  30. Shihni tek Alma 12:9–10; 26:22; 3 Nefi 26:9.

  31. “Shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 11; shihni edhe poshtëshënimet nr. 2 dhe 3 në këtë mesazh).

  32. Shihni tek Alma 24:17–19.

  33. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 67:10.

  34. Shihni te Jakobi [LiM] 4:13. “Ata të cilët nuk i shohin dobësitë e tyre, nuk përparojnë. Dijenia juaj për dobësitë vetjake është një bekim pasi ju ndihmon të qëndroni të përulur dhe ju bën të ktheheni te Shpëtimtari. Shpirti jo vetëm që ju ngushëllon, por Ai është gjithashtu mjeti nëpërmjet të cilit Shlyerja bën një ndryshim pikërisht në karakterin tuaj. Më pas gjërat e dobëta bëhen të forta” (Henri B. Ajring, “Unë Po Ju Lë Paqen”, Liahona, maj 2017, f. 16).

  35. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68.

  36. “Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese. Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim” (Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–94).

  37. 3 Nefi 9:21.

  38. 3 Nefi 9:14.

  39. Shihni tek Erik Dewar, “Come Find His Rest” (këngë, 2024); shihni edhe te Mateu 11:28–30.

  40. Shihni te Ligji i Përtërirë 30:20; Gjoni 11:25; Ethëri 3:14; Doktrina e Besëlidhje 88:6, 13.

  41. “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ja ku është premtimi im. Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni fort te shufra e hekurit, sesa adhurimi në tempull aq rregullisht sa ta lejojnë rrethanat tuaja. Asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë teksa hasni mjegullat e errësirës së botës. Asgjë nuk do ta përforcojë më shumë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij ose t’ju ndihmojë ta kuptoni planin e madhërishëm të Perëndisë. Asgjë nuk do ta qetësojë më shumë shpirtin tuaj gjatë kohëve të dhembjes. Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt. Asgjë!” (Rasëll M. Nelson, “Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë”, Liahona, maj 2024, f. 122)

  42. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, f. 5.

  43. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, f. 127; shihni edhe poshtëshënimin nr. 14 në këtë mesazh.

  44. D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Liahona, nëntor 2011, f. 39.

  45. Moisiu 5:11.

  46. Shihni te 2 Nefi 2:26–28.