Konferenca e Përgjithshme
Në Hapësirën e Jo Shumë Viteve
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


16:16

Në Hapësirën e Jo Shumë Viteve

Nëse nuk jemi besnikë e të bindur, ne mund ta shndërrojmë bekimin e begatisë të dhënë nga Perëndia në një mallkim kryelartë që na bën të devijojmë dhe të shpërqendrohemi.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, i ulur në podium sot, e kam parë këtë Qendër të Konferencave të mbushur tri herë, për herë të parë që nga COVID‑i. Ju jeni dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit që keni shumë dëshirë për të mësuar. Ju lavdëroj për besnikërinë tuaj. Dhe ju dua.

Presidenti Ezra Taft Benson shërbeu si Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Ditëve të Mëvonshme nga nëntori i vitit 1985 deri në maj të vitit 1994. Isha 33 vjeç kur Presidenti Benson u bë Presidenti i Kishës dhe 42 vjeç kur ai ndërroi jetë. Mësimet dhe dëshmia e tij ndikuan tek unë në mënyra të thella e të fuqishme.

Një nga tiparet dalluese të shërbesës së Presidentit Benson, ishte përqendrimi i tij te qëllimi dhe rëndësia e Librit të Mormonit. Ai e theksoi në mënyrë të përsëritur se Libri i Mormonit “është guri kyç i besimit tonë – guri kyç i dëshmisë sonë, guri kyç i doktrinës sonë dhe guri kyç në dëshmimin tonë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë”. Ai i theksoi shpesh mësimet dhe paralajmërimet rreth mëkatit të kryelartësisë që gjenden në këtë dëshmi të ditëve të mëvonshme për Jezu Krishtin.

Një mësim i veçantë nga Presidenti Benson ndikoi jashtë mase tek unë dhe vazhdon të ndikojë te studimi që i bëj Librit të Mormonit. Ai tha:

“Libri i Mormonit … u shkrua për kohën tonë. Nefitët nuk e patën kurrë librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte paracaktuar për ne. Mormoni shkroi afër fundit të qytetërimit nefit. Nën frymëzimin e Perëndisë, i cili i sheh të gjitha gjërat që nga fillimi, [Mormoni] përmblodhi anale qindravjeçare, duke zgjedhur histori, fjalime dhe ngjarje që do të ishin më të dobishmet për ne.”

Presidenti Benson vazhdoi: “Secili nga shkrimtarët e mëdhenj të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm. Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të ishin me vlerën më të madhe për ne, a nuk është ajo mënyra se si duhet ta studiojmë ne Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyesim veten tonë vazhdimisht: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin që ta përfshijë [këtë rrëfim] në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga [kjo këshillë] që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe epokë?’”

Pohimet e Presidentit Benson na ndihmojnë të kuptojmë se Libri i Mormonit nuk është kryesisht një anal historik që sheh nga e shkuara. Përkundrazi, ky vëllim i shkrimit të shenjtë sheh nga e ardhmja dhe përmban parime, paralajmërime dhe mësime të rëndësishme që synojnë rrethanat dhe sfidat e kohës sonë. Prandaj, Libri i Mormonit është një libër rreth së ardhmes sonë dhe kohës në të cilën jetojmë dhe asaj që do të jetojmë më tej.

Lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa marrim në shqyrtim tani mësime që janë me vend për ne sot nga libri i Helamanit në Librin e Mormonit.

Nefitët dhe Lamanitët

Anali i Helamanit dhe i bijve të tij përshkruan një popull që po priste lindjen e Jezu Krishtit. Gjysma e shekullit e treguar në analin e shkrimit të shenjtë e vë theksin te kthimi në besim dhe te drejtësia e lamanitëve dhe te ligësia, braktisja dhe neveritë e nefitëve.

Një sërë krahasimesh dhe ballafaqimesh mes nefitëve dhe lamanitëve nga ky anal i lashtë janë tejet udhëzuese për ne sot.

“Lamanitët, pjesa më e madhe e tyre, u bënë një popull i drejtë, kaq sa drejtësia e tyre ia kaloi asaj të nefitëve, për shkak të vendosmërisë së tyre dhe vazhdimësisë së tyre në besim.

[Dhe] kishte shumë nga Nefitët që ishin bërë të ashpër dhe të papenduar, dhe shumë të ligj, kaq sa hodhën poshtë fjalën e Perëndisë dhe të gjitha predikimet dhe profecitë që u bënë mes tyre.”

“Dhe kështu, ne shohim se Nefitët filluan të binin në mosbesim dhe të rriteshin në ligësi dhe neveri, ndërsa Lamanitët filluan të rriteshin jashtëzakonisht shumë në njohurinë e Perëndisë së tyre; po, ata filluan të zbatonin statutet dhe urdhërimet e tij dhe të ecnin me vërtetësi dhe drejtësi para tij.

Dhe kështu ne shohim se Shpirti i Zotit filloi të largohej nga Nefitët, për shkak të ligësisë dhe të ngurtësimit të zemrave të tyre.

Dhe kështu, ne shohim se Zoti filloi të derdhte mbi Lamanitët Shpirtin e tij, për shkak të lehtësisë dhe të vullnetit të tyre për të besuar në fjalët e tij.”

Ndoshta ana më tronditëse dhe kthjelluese e kësaj të tatëpjete [që përfundoi] në braktisje nga nefitët, është fakti se “të gjitha këto paudhësi erdhën tek ata në hapësirën e jo shumë viteve”.

Nefitët u Larguan nga Perëndia

Si mund të bëhej i ngurtësuar dhe i lig një popull që dikur ishte i drejtë, në një periudhë kaq të shkurtër kohore? Si mund ta harronin njerëzit kaq shpejt Perëndinë që i kishte bekuar me aq bollëk?

Në një mënyrë të fuqishme dhe të thellë, shembulli negativ i nefitëve është udhëzues për ne sot.

“Kryelartësi[a] … filloi të hynte … në zemrat e njerëzve që pretendonin të bënin pjesë në kishën e Perëndisë … për shkak të pasurive të tyre jashtëzakonisht të mëdha dhe të begatisë së tyre në tokë.”

“Zemrat [e tyre] i k[anë] vënë mbi pasuritë dhe mbi gjërat e kota të kësaj bote” “për atë kryelartësi që k[anë] lejuar të hyjë në zemrat [e tyre], që [i] ka ngritur përtej asaj që është e mirë, për shkak të pasurive [të tyre] jashtëzakonisht të mëdha!”

Zërat e lashtë prej pluhurit na përgjërohen sot që të nxjerrim këtë mësim të përhershëm: begatia, zotërimet materiale dhe rehatia përbëjnë një përzierje të fuqishme që mund ta shtyjë edhe të drejtin të pijë helmin shpirtëror të kryelartësisë.

Kur e lejojmë kryelartësinë të na hyjë në zemër, kjo mund të bëjë që ne të tallemi me atë që është e shenjtë, të mos besojmë në shpirtin e profecisë dhe zbulesës, t’i shkelim me këmbë urdhërimet e Perëndisë, të mohojmë fjalën e Perëndisë, t’i dëbojmë, t’i përqeshim dhe të themi fjalë të rënda kundër profetëve dhe të harrojmë Zotin, Perëndinë tonë dhe të mos “dëshiroj[më] që Zoti, Perëndia [ynë] i cili [na] ka krijuar, të sundojë dhe të mbretërojë mbi [ne]”.

Ndaj, nëse nuk jemi besnikë e të bindur, ne mund ta shndërrojmë bekimin e begatisë të dhënë nga Perëndia në një mallkim kryelartë që na bën të devijojmë dhe të shpërqendrohemi nga të vërtetat e përjetshme dhe përparësitë jetike shpirtërore. Ne përherë duhet të bëjmë rojë kundër ndjesisë së ekzagjeruar e të nxitur nga kryelartësia të rëndësisë vetjake, kundër vlerësimit të gabuar të vetëmjaftueshmërisë dhe të marrjes me veten në vend të shërbimit ndaj të tjerëve.

Teksa përqendrohemi me kryelartësi te vetja, ne gjithashtu prekemi nga verbëria shpirtërore dhe humbasim shumë, shumicën ose ndoshta të gjitha gjërat që po ndodhin brenda nesh dhe përreth nesh. Nuk mund të shohim te Jezu Krishti dhe të përqendrohemi tek Ai si “shenj[a]” nëse shohim vetëm veten.

Një verbëri e tillë shpirtërore gjithashtu mund të shkaktojë që ne të largohemi nga udha e drejtësisë, të largohemi në shtigje të ndaluara dhe të humbasim. Ndërsa ne verbërisht “kthe[hemi] në udhët [tona]” dhe ndjekim devijime shkatërruese, kemi prirjen të mbështetemi tek të kuptuarit tonë, të mburremi në fuqinë tonë dhe të varemi nga urtësia vetjake.

Samuel Lamaniti e përmblodhi shkurt largimin e nefitëve nga Perëndia: “Ju keni kërkuar gjithë ditët e jetës suaj atë që nuk mund ta kishit dot; dhe ju keni kërkuar lumturi duke bërë paudhësi, gjë e cila është në kundërshtim me natyrën e asaj drejtësie që është në Udhëheqësin tonë të madh dhe të Përjetshëm”.

Profeti Mormoni vërejti: “Shumica e njerëzve … qëndrua[n] në krenarinë dhe në ligësinë e tyre dhe pjesa më e vogël … ec[ën] më me kujdes para Perëndisë”.

Lamanitët u Kthyen te Perëndia

Në Librin e Helamanit, drejtësia në rritje e lamanitëve përbën një dallim të ndjeshëm me rënien e shpejtë shpirtërore të nefitëve.

Lamanitët u kthyen te Perëndia dhe u sollën në njohurinë e së vërtetës duke besuar mësimet në shkrimet e shenjta dhe ato të profetëve, duke ushtruar besim te Zoti Jezu Krisht, duke u penduar për mëkatet dhe duke përjetuar një ndryshim të madh të zemrës.

“Prandaj, të gjithë ata që kanë arritur në këtë pikë, ju e dini vetë, janë të vendosur dhe të paepur në besimin dhe në gjënë me të cilën ata janë bërë të lirë.”

“Shikoni se pjesa më e madhe e [lamanitëve] janë në shtegun e detyrës së tyre dhe ecin me kujdes para Perëndisë dhe përpiqen të zbatojnë urdhërimet e tij dhe statutet dhe gjykimet e tij. …

…. [Ata] po përpiqen me zell të vazhdueshëm, që të mund të sjellin mbetjen e vëllezërve të tyre në njohurinë e së vërtetës.”

Për pasojë, “drejtësia [e lamanitëve] ia kaloi asaj të nefitëve për shkak të vendosmërisë së tyre dhe të qëndrueshmërisë së tyre në besim”.

Një Paralajmërim dhe një Premtim

Moroni deklaroi: “Vini re, Zoti më ka treguar gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme në lidhje me atë që do të vërtetohet së shpejti, në atë ditë kur këto gjëra të dalin në dritë mes jush.

Vini re, unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja.”

Ju lutem, mbajeni mend se Libri i Mormonit sheh nga e ardhmja dhe përmban parime, paralajmërime dhe mësime të rëndësishme të synuara për mua dhe ju në rrethanat dhe sfidat e kohës sonë të tashme.

Braktisja mund të ndodhë në dy nivele bazë: në nivel institucional dhe individual. Në nivel institucional, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk do të humbasë nëpërmjet braktisjes apo të merret nga toka.

Profeti Jozef Smith shpalli: “Standardi i së vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; … e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”.

Në nivel individual, secili prej nesh duhet të “ruh[et] nga krenaria, që të mos bëhe[mi] si nefitët e lashtësisë”.

Më lejoni t’ju sugjeroj që, nëse ju ose unë besojmë se jemi mjaftueshëm të fortë dhe këmbëngulës për ta shmangur arrogancën e kryelartësisë, atëherë ndoshta jemi duke vuajtur tashmë nga kjo sëmundje vdekjeprurëse nga ana shpirtërore. E thënë thjesht: Nëse ju ose unë nuk besojmë se mund të prekemi nga kryelartësia dhe prej saj, atëherë jemi të cenueshëm dhe në rrezik shpirtëror. Në hapësirën e jo shumë ditëve, javëve, muajve ose viteve, ne mund ta humbasim të drejtën e parëbirnisë sonë shpirtërore për shumë më pak se një tas me supë.

Megjithatë, nëse ju ose unë besojmë se mund të prekemi nga kryelartësia dhe prej saj, atëherë do t’i bëjmë vazhdimisht gjërat e vogla dhe të thjeshta që do të na mbrojnë dhe do të na ndihmojnë të bëhemi “si një fëmijë, [të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne]”. “Të bekuar janë ata që përulen, pa qenë të detyruar të përulen.”

Kur e ndjekim këshillën e Presidentit Benson dhe e pyetim veten pse Zoti e frymëzoi Mormonin të përfshinte në përmbledhjen e Librit të Helamanit tregimet, porositë dhe paralajmërimet që përfshiu, ju premtoj se do ta dallojmë zbatueshmërinë e këtyre mësimeve në kushtet specifike të jetës sonë individuale dhe të familjeve tona sot. Teksa e studiojmë dhe e përsiatim këtë anal të frymëzuar, ne do të bekohemi me sy për të parë, veshë për të dëgjuar, mendje për të rrokur dhe zemër për të kuptuar mësimet që duhet të nxjerrim që të “ruh[emi] nga krenaria që të mos bie[m] në tundim”.

Dëshmoj gëzueshëm se Perëndia, Ati i Amshuar, është Ati ynë. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur dhe i Dashur. Ai është Shpëtimtari ynë. Dëshmoj se, ndërsa ecim në butësinë e Shpirtit të Zotit, ne do ta shmangim dhe mposhtin kryelartësinë dhe do të kemi paqe në Të. Kështu dëshmoj, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.