“Unë Jam”
Dashuria hyjnore e Krishtit, e dukshme në besnikërinë e plotë ndaj vullnetit hyjnor, vijoi dhe vazhdon të vijojë.
Është dita e Shabatit dhe ne jemi mbledhur për të folur për Krishtin dhe faktin që u kryqëzua. E di, jeton Shëlbuesi im.
Merreni parasysh këtë skenë nga java e fundit e jetës në vdekshmëri të Jezusit. Ishte mbledhur një turmë që përfshinte ushtarë romakë, të armatosur me shkopinj e me shpata në brez. I udhëhequr nga të dërguarit e krerëve të priftërinjve me pishtarë në duar, ky grup i zellshëm nuk po shkonte të pushtonte një qytet. Sonte ata po kërkonin vetëm një burrë, një njeri që nuk dihej të mbante armë, të kishte bërë stërvitje ushtarake ose të kishte marrë pjesë ndonjëherë në dyluftim fizik në gjithë jetën e Tij.
Kur ushtarët u afruan, Jezusi, në një përpjekje për të mbrojtur dishepujt e Tij, doli përpara dhe tha: “‘Kë kërkoni?’ Ata iu përgjigjën: ‘Jezusin Nazareas’. Jezusi u tha atyre: ‘Unë jam!’ … Sapo ai u tha atyre: ‘Unë jam’, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.”
Për mua, ky është një nga rreshtat më emocionues në të gjithë shkrimin e shenjtë. Ndër të tjera, më thotë drejtpërdrejt se thjesht të qenit në praninë e Birit të Perëndisë – Jehovës të madhërishëm të Dhiatës së Vjetër dhe Bariut të Mirë të Dhiatës së Re, i cili nuk mban armë të asnjë lloji – që thjesht të dëgjuarit e zërit të këtij Strehimi kundër Stuhisë, të këtij Princi të Paqes mjafton për t’i bërë kundërshtarët të pengohen duke u tërhequr, të bien të ngatërruar mbi njëri‑tjetrin duke bërë që i gjithë grupi të dëshirojë që t’i ishin caktuar detyra në kuzhinë atë natë.
Vetëm pak ditë më parë, kur Ai kishte hyrë në qytet ngadhënjimtar, “gjithë qyteti [ishte] ngrit[ur] në këmbë”, – thotë shkrimi i shenjtë, duke pyetur: “Kush është ky?” E vetmja gjë që mund të mendoj, është se “Kush është ky?” është pyetja që po bënin tani ata ushtarë të hutuar!
Përgjigjja për atë pyetje nuk mund të ishte në pamjen e Tij, sepse Isaia kishte profetizuar rreth shtatë shekuj më parë se ai “nuk kishte figurë[,] as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim”. Sigurisht që nuk ishte në veshjet e Tij luksoze ose në pasurinë e madhe vetjake, prej të cilave nuk kishte asnjërën. Nuk mund të ishte nga ndonjë përgatitje profesionale në sinagogat e zonës, sepse ne nuk kemi asnjë provë që Ai studioi ndonjëherë në ndonjërën prej tyre, megjithëse edhe në rininë e Tij ai mund t’i ngatërronte skribët dhe doktorët e ligjit që ishin jashtëzakonisht të përgatitur, duke i mahnitur me doktrinën e Tij “si një që k[ishte] autoritet”.
Nga ai mësim në tempull deri tek hyrja e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem dhe ky arrestim përfundimtar e i pajustifikuar, Jezusi u vu zakonisht në situata të vështira, shpesh dinake në të cilat Ai qe gjithmonë ngadhënjyes, fitore për të cilat nuk kemi ndonjë shpjegim përveç ADN‑së hyjnore.
Prapëseprapë gjatë historisë, shumë njerëz e kanë thjeshtuar, madje ia kanë ulur vlerën përfytyrimit tonë për Të dhe dëshmisë së Tij për atë që Ai ishte. Ata e kanë zvogëluar ndershmërinë e Tij duke e quajtur thjesht maturi, drejtësinë e Tij thjesht zemërim, mëshirën e Tij thjesht tolerancë. Ne nuk duhet të [bëhemi] fajtorë për variante të tilla të thjeshtuara të Tij, të cilat i shpërfillin volitshëm mësimet që na duken të parehatshme. Ky “thjeshtëzim” ka qenë i vërtetë edhe në lidhje me virtytin e Tij kulmor, përcaktues – dashurinë e Tij.
Gjatë misionit të Tij në vdekshmëri, Jezusi dha mësim se kishte dy urdhërime të mëdha. Ato janë dhënë mësim në këtë konferencë dhe do të jepen mësim përgjithmonë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd… [dhe] duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nëse duam ta ndjekim me besnikëri Shpëtimtarin në këto dy rregulla thelbësore dhe të lidhura pazgjidhshmërisht, ne duhet t’i përmbahemi fort asaj që Ai tha në të vërtetë. Dhe ajo që Ai tha në të vërtetë, ishte: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Të njëjtën mbrëmje, Ai tha se ne duhej ta “doni[m] njëri-tjetrin, sikurse [Ai na] ka… dashur”.
Në ato shkrime të shenjta, ato frazat kualifikuese që përcaktojnë dashurinë e vërtetë si të Krishtit, së cilës nganjëherë i referohemi si dashuri hyjnore, janë absolutisht thelbësore.
Çfarë përkufizojnë ato? Si deshi Jezusi?
Së pari, Ai deshi “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën [e Tij]”, gjë që i dha aftësinë për të shëruar dhembjen më të thellë dhe për të shpallur realitetin më të vështirë. Shkurt, Ai është personi që mundej të administronte hirin dhe në të njëjtën kohë të këmbëngulte tek e vërteta. Sikurse tha Lehi në bekimin e të birit, Jakobit: “Shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi”. Dashuria e Tij lejon një përqafim zemërdhënës kur është i nevojshëm dhe një kupë të hidhur kur duhet të gëlltitet. Pra, ne përpiqemi të duam – me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – sepse ajo është mënyra se si Ai na do ne.
Karakteristika e dytë e dashurisë hyjnore dhe të shenjtë të Jezusit, ishte bindja e Tij ndaj çdo fjale që dilte nga goja e Perëndisë, duke e përputhur përherë vullnetin dhe sjelljen e Tij me atë të Atit të Tij Qiellor.
Kur Ai mbërriti në këtë hemisferë perëndimore pas Ringjalljes së Tij, Krishti u tha nefitëve: “Vini re, unë jam Jezu Krishti. … Unë kam pirë nga ajo kupë e hidhur që Ati më dha … kështu unë kam plotësuar vullnetin e Atit … që nga fillimi.”
Nga një pafundësi mënyrash se si Ai mund ta kishte paraqitur veten, Jezusi e bëri këtë duke shpallur bindjen e Tij ndaj vullnetit të Atit – megjithëse jo shumë kohë më parë, në kohën kur Ai kishte nevojë më tepër, ky Bir i Vetëmlindur i Perëndisë ishte ndier i braktisur plotësisht nga Ati i Tij. Dashuria hyjnore e Krishtit, e dukshme në besnikërinë e plotë ndaj vullnetit hyjnor, vijoi dhe vazhdon të vijojë, jo vetëm në ditët e lehta dhe të rehatshme, por veçanërisht në ato më të errëtat dhe më të vështirat.
Jezusi ishte një “njeri i dhembjeve”, – thonë shkrimet e shenjta. Ai përjetoi trishtim, lodhje, zhgënjim dhe vetmi torturuese. Në këto kohë dhe në të gjitha, dashuria e Jezusit nuk dështon dhe as e Atit të Tij. Me një dashuri të tillë të pjekur, të llojit që mishëron, fuqizon dhe jep, nuk do të dështojë as e jona.
Pra, nëse ndonjëherë sa më shumë që përpiqeni, aq më të vështira duken se bëhen [gjërat]; nëse, pikërisht teksa po përpiqeni të punoni mbi kufizimet dhe mangësitë tuaja, gjeni dikë ose diçka të vendosur për ta sfiduar besimin tuaj; nëse, ndërsa punoni me përkushtim, ende ndieni se ju pushtojnë çaste frike, mos harroni se kështu ka qenë për disa njerëz mrekullisht besnikë në çdo epokë të kohës. Mos harroni gjithashtu se ka një forcë në univers të vendosur për të kundërshtuar çdo gjë të mirë që përpiqeni të bëni.
Pra, si në bollëk, dhe në varfëri, si në vlerësimin veças, dhe në kritikën publike, si në elementet hyjnore të Rivendosjes, dhe në dobësitë njerëzore që do të jenë pashmangshmërisht pjesë e saj, ne qëndrojmë [besnikë] në këtë drejtim me Kishën e vërtetë të Krishtit. Pse? Sepse, ashtu si Shëlbuesi ynë, ne hodhëm firmën për të gjithë kursin, që nuk mbaron pas testit të parë e të shkurtër hyrës, por deri në provimin përfundimtar. Gëzimi në këtë gjë qëndron te fakti se Drejtori i Shkollës na i dha të gjitha përgjigjet haptas përpara se të fillonte kursi. Për më tepër, ne kemi një mori mësuesish që na i kujtojnë këto përgjigje në ndalesa të rregullta përgjatë udhës. Por sigurisht, asnjëra nga këto nuk funksionon mirë nëse vazhdojmë ta lëmë orën e mësimit.
“Kë kërkoni?” Me gjithë zemrën tonë ne përgjigjemi: “Jezusin Nazareas”. Kur Ai thotë: “Unë jam”, ne e përkulim gjurin dhe rrëfejmë me gojën tonë se Ai është Krishti i gjallë, se vetëm Ai shleu për mëkatet tona, se Ai po na mbartte edhe kur mendonim se na kishte braktisur. Kur të qëndrojmë përpara Tij dhe të shohim plagët në duart dhe këmbët e Tij, do të fillojmë të kuptojmë se çfarë donte të thoshte për Të që të mbante mëkatet tona dhe të njihej me pikëllimin, të ishte plotësisht i bindur ndaj vullnetit të Atit të Tij, gjithçka nga dashuria e kulluar për ne. T’i njohim të tjerët me besimin, pendimin, pagëzimin, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe marrjen e bekimeve tona në shtëpinë e Zotit – këto janë “parimet dhe ordinancat” themelore që zbulojnë në fund dashurinë tonë për Perëndinë dhe të afërmin dhe karakterizojnë me gëzim Kishën e vërtetë të Krishtit.
Vëllezër dhe motra, dëshmoj se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mjeti që Perëndia ka siguruar për ekzaltimin tonë. Ungjilli që ajo jep mësim, është i vërtetë dhe priftëria që e përligj atë, nuk është derivat. Dëshmoj se Rasëll M. Nelsoni është një profet i Perëndisë tonë, siç ishin pararendësit e Tij dhe siç do të jenë pasrendësit e Tij. Dhe një ditë, ai udhërrëfim profetik do ta udhëheqë një brez për të parë Lajmëtarin tonë të Shpëtimit të zbresë si “vetëtima … nga lindja” dhe ne do të thërrasim: “Jezusi Nazareas!” Me krahët e shtrirë përgjithmonë dhe me dashuri të pashtirur, Ai do të përgjigjet: “Unë jam”. Kështu premtoj me fuqinë dhe autoritetin apostolik të emrit të Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.