Konferenca e Përgjithshme
Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Shpirtërore
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


12:27

Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Shpirtërore

Pyetjet tona të çiltra për ungjillin mund t’u japin mundësi Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të na ndihmojnë të rritemi.

E di se kjo mund të vijë si e papritur, por jam aq e rritur sa të kujtoj kur na u mësua në shkollë se kishte nëntë planetë në sistemin tonë diellor. Njërit prej atyre planetëve, Plutonit, iu vu emri nga një vajzë 11-vjeçare, Vënisha Bërni, nga Oksfordi i Anglisë, pas zbulimit të tij në vitin 1930. Deri në vitin 1992, Plutoni besohej se ishte objekti më i largët në sistemin tonë diellor. Gjatë asaj kohe, në klasat e shkollave dhe në panairet e shkencës ishte e zakontë të gjenim modele prej letre të bëra nga fëmijë të sistemit planetar, secili duke e paraqitur pozicionin e Plutonit në kufirin që njihej. Shumë shkencëtarë besonin se përtej atij cepi, sistemi i jashtëm diellor përbëhej nga një hapësirë e zbrazët.

Sidoqoftë, një pyetje e vazhdueshme mbeti brenda komunitetit shkencor lidhur me origjinën e një lloji të veçantë komete që astronomët e gjurmonin rregullisht. Ajo pyetje vazhdoi për dekada të tëra përpara zbulimit të një zone tjetër të largët të sistemit tonë diellor. Me njohurinë e kufizuar që patën, shkencëtarët i përdorën ato dekada ndërmjetëse për të arritur përparime të rëndësishme teknologjike që lanë vend për studime dhe eksplorime të mëtejshme. Zbulimi i tyre i rëndësishëm më së fundmi e riformoi zonën tonë planetare dhe si rrjedhojë solli që Plutoni të zinte një vend të ri në këtë zonë të re të hapësirës dhe të sistemit tonë diellor të përbërë nga tetë planetë.

Një shkencëtar drejtues që studionte planetët, dhe kërkuesi kryesor për misionin e hapësirës të quajtur “Horizontet e Reja”, i caktuar me detyrën për eksplorimin e Plutonit nga afër, tha këtë gjë rreth kësaj përvoje: “Mendonim se e kuptonim gjeografinë e sistemit tonë diellor. S’e kuptonim. Mendonim se e kuptonim sasinë e planetëve në sistemin tonë diellor. Dhe e kishim gabim.”

Ajo që më habit rreth kësaj periudhe të historisë së eksplorimit të hapësirës, janë disa ngjashmëri dhe dallime kyç midis ndjekjes metaforike të zgjerimit të horizonteve shkencore dhe udhëtimit që ne, si fëmijë të Perëndisë, e ndërmarrim për të kërkuar përgjigje për pyetjet tona shpirtërore. Në veçanti, si mund t’u përgjigjemi kufijve të të kuptuarit tonë shpirtëror dhe si ta përgatitim veten për fazën e ardhshme të rritjes vetjake, si dhe se ku mund të drejtohemi për ndihmë.

Rresht pas Rreshti

Bërja e pyetjeve dhe kërkimi për domethënie janë një pjesë e natyrshme dhe e zakonshme e përvojës sonë në vdekshmëri. Me raste, mospasja gati e përgjigjeve të plota mund të na sjellë në buzë të kuptueshmërisë sonë dhe ato kufizime mund të na duken acaruese ose mbingarkuese. Mrekullisht, plani i Atit Qiellor për lumturinë për të gjithë ne është hartuar që të na ndihmojë të përparojmë pavarësisht nga kufizimet tona dhe të përmbushim atë që mund ta përmbushim vetë, madje pa një njohuri të plotë të të gjitha gjërave. Plani i Perëndisë është i mëshirshëm kundrejt kufizimeve tona njerëzore; ai na jep Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, që të jetë Bariu ynë i Mirë, dhe na frymëzon që ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të zgjedhur Atë.

Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim se “bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie”, por përkundrazi “është një pararendëse e rritjes”. Duke folur drejtpërdrejt për përpjekjen tonë vetjake si kërkues të së vërtetës, profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë mësim se ne duhet të kemi “një dëshirë të thellë” dhe “të kërko[jmë] me një zemër të sinqertë [dhe] me qëllim të vërtetë duke pasur besim në [Jezu] Krisht”. Ai më tej na ka mësuar se “‘qëllim i vërtetë’ do të thotë që dikush me të vërtetë po synon të ndjekë drejtimin hyjnor të dhënë”.

Përpjekja jonë vetjake për t’u rritur në urtësi mund të na bëjë që t’i shqyrtojmë pyetjet tona, të ndërlikuara ose jo, nëpërmjet thjerrave të shkakut dhe pasojës, duke kërkuar e dalluar modele dhe më pas duke formuar përshkrime që i japin formë të kuptuarit tonë dhe që i mbushin boshllëqet e perceptuara në njohuri. Megjithatë, kur e marrim në shqyrtim kërkimin tonë për njohuri shpirtërore, këto procese plot mendim mund të jenë të dobishme në disa raste, por veç e veç mund të jenë të paplota teksa shohim për të dalluar gjëra që lidhen me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, ungjillin e Tyre, Kishën e Tyre dhe planin e Tyre për të gjithë ne.

Mënyra e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij për të na e dhënë urtësinë e Tyre, i jep përparësi të ftuarit të fuqisë së Frymës së Shenjtë për të qenë mësuesi ynë personal teksa e vëmë Jezu Krishtin në qendër të jetës dhe të kërkimit tonë besnik për përgjigjet e Tyre dhe domethënien e Tyre. Ata na ftojnë ta zbulojmë të vërtetën nëpërmjet kohës së përkushtuar, të shpenzuar për studimin e shkrimit të shenjtë dhe për të kërkuar të vërtetën e zbuluar në ditët e mëvonshme për ditën tonë dhe kohën tonë, të dhënë nga profetët dhe apostujt e ditëve të sotme. Ata na nxitin plot zell që të shpenzojmë kohë të rregullt adhuruese në shtëpinë e Zotit dhe të biem në gjunjë në lutje “që të marrim informacion nga qielli”. Premtimi i Jezusit ndaj njerëzve të pranishëm për të dëgjuar Predikimin e Tij në Mal, është i vërtetë për ne në kohën tonë, po ashtu siç ishte gjatë shërbesë së Tij tokësore: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”. Shpëtimtari ynë na siguron se “Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë”.

Metoda e Zotit për mësimdhënien është “rresht pas rreshti, parim pas parimi”. Mund të na kërkohet të “shpresoj[m]ë te Zoti” në hapësirën midis të kuptuarit të tanishëm dhe atij që do të marrim në vijim. Kjo hapësirë e shenjtë mund të jetë një vend ku mund të ndodhë procesi më i madh i të mësuarit shpirtëror, vendi ku mund të “[vijojmë] me durim” kërkimin tonë më të zellshëm dhe të ripërtërijmë forcën tonë që të vazhdojmë t’i mbajmë premtimet e shenjta që ia kemi bërë Perëndisë nëpërmjet besëlidhjes.

Marrëdhënia jonë besëlidhëse me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin sinjalizon qytetarinë tonë triumfuese në mbretërinë e Perëndisë. Për të banuar atje kërkohet përputhja e jetës sonë me parimet hyjnore dhe bërjen e përpjekjes për t’u rritur shpirtërisht.

Bindja

Një parim kryesor i dhënë mësim gjatë gjithë Librit të Mormonit, është se kur fëmijët e Perëndisë zgjedhin të tregojnë bindje dhe t’i mbajnë besëlidhjet, ata marrin udhërrëfim dhe drejtim të vazhdueshëm shpirtëror. Zoti na ka thënë se, nëpërmjet bindjes dhe zellit, ne mund të fitojmë njohuri dhe inteligjencë. Ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë nuk hartohen që të jenë një pengesë në jetën tonë, por një portë e fuqishme drejt zbulesës vetjake dhe edukimit shpirtëror. Presidenti Nelson ka dhënë mësim të vërtetën thelbësore se “zbulesa nga Perëndia është gjithmonë e pajtueshme me ligjin e Tij të përjetshëm” dhe, për më tepër, “kurrë nuk bie në kundërshtim me doktrinën e Tij”. Bindja juaj e vullnetshme ndaj urdhrave të Perëndisë, pavarësisht se nuk keni njohuri të plotë për arsyet e Tij, ju vendos në shoqërimin e profetëve të Tij. Moisiu 5 na jep mësim rreth një ndërveprimi të veçantë midis Adamit dhe një engjëlli të Zotit.

Pasi Zoti u dha Adamit dhe Evës “urdhërime, që ata duhej ta adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre, dhe t’i ofronin të parëlindurit e tufave të tyre si flijim për Zotin”, shkrimet e shenjta thonë se “Adami iu bind urdhërimeve të Zotit”. Ne vazhdojmë të lexojmë se “pas shumë ditësh një engjëll i Zotit iu shfaq Adamit, duke thënë: Përse ia ofron flijimet Zotit? Dhe Adami i tha atij: Nuk e di, përveçse që Zoti më urdhëroi.

Bindja e Adamit i parapriu të kuptuarit të tij dhe e përgatiti që të merrte njohuri të shenjtë se ai po merrte pjesë në një simbol të shenjtë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Bindja jonë e përulur, po ashtu, do të shtrojë udhën për dallimin shpirtëror të udhëve të Perëndisë dhe qëllimit të Tij hyjnor për secilin prej nesh. Përpjekja për ta rritur bindjen tonë na sjell më pranë Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, sepse bindja ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Tij është në fakt krijimi i një lidhjeje me Të.

Përveç kësaj, besnikëria jonë ndaj njohurisë dhe urtësisë që kemi trashëguar tashmë nëpërmjet zbatimit tonë besnik të parimeve të ungjillit dhe besëlidhjeve të shenjta, është përgatitja thelbësore për gatishmërinë tonë për të marrë dhe për të qenë kujdestarë të komunikimeve nga Shpirti i Shenjtë.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë burimi i gjithë së vërtetës dhe e japin urtësinë e Tyre lirisht. Gjithashtu, të kuptuarit se nuk zotërojmë ndonjë njohuri vetjake, të pavarur nga Perëndia, mund të na ndihmojë të dimë se te kush të drejtohemi dhe ku ta vendosim mirëbesimin tonë kryesor.

Mirëbesimi i Thellë

Tregimi i Dhiatës së Vjetër për Naamanin, udhëheqësin ushtarak që u shërua prej lebrës nga profeti Elise, është një tregim veçanërisht i parapëlqyer i imi. Tregimi ilustron se si besimi i qëndrueshëm i një “vajz[e] të vogël” e ndryshoi drejtimin e jetës së një burri dhe, për të gjithë besimtarët, zbuloi shtrirjen e mëshirës së Perëndisë ndaj atyre që e vënë mirëbesimin e tyre tek Ai dhe profeti i Tij. Ndonëse pa emër, kjo vajzë e vogël gjithashtu ndihmoi për ta rritur kuptueshmërinë tonë. Besimi i Naamanit ndaj dëshmisë së saj e frymëzoi që t’ia bënte kërkesën e tij për shërim shërbëtorit të zgjedhur të Perëndisë.

Reagimi i Naamanit ndaj udhëzimeve të profetit Eliseu për t’u larë në lumin Jordan ishte në fillim skeptike dhe me indinjatë. Por një ftesë për të që të ishte i bindur ndaj këshillës së profetit, hapi udhën për shërimin e tij dhe të kuptuarit e tij të beftë se Perëndia është i vërtetë.

Ne mund të zbulojmë se disa nga kërkesat tona shpirtërore kanë përgjigje që dallohen në mënyrë të arsyeshme dhe mund të mos krijojnë parehati të madhe për ne. Ose, si Naamani, ne mund të zbulojmë se nevoja të tjera janë më sfiduese dhe mund të krijojnë ndjenja të vështira dhe të ndërlikuara brenda nesh. Ose, e ngjashme me përshkrimin e konkluzioneve të hershme të astronomëve rreth sistemit tonë diellor, në kërkimin tonë për të vërtetë shpirtërore, ne mund të arrijmë në interpretime më pak të sakta nëse mbështetemi vetëm në të kuptuarit tonë të kufizuar vetjak, një pasojë hidhëruese dhe e paqëllimshme, e cila mund të na çojë larg nga shtegu i besëlidhjeve. Dhe për më tepër, disa pyetje mund të vazhdojnë derisa Perëndia, i cili “ka gjithë fuqinë” dhe “gjithë diturinë dhe gjithë zgjuarsinë”, i cili i “kupton të gjitha gjërat” në mëshirën e Tij, siguron ndriçim nëpërmjet besimit tonë tek emri i Tij.

Paralajmërimi ynë domethënës nga rrëfimi i Naamanit është se të kundërshtuarit e bindjes ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë mund ta zgjatë ose vonojë rritjen tonë. Jemi të bekuar që e kemi Jezu Krishtin si Shëruesin tonë Mjeshtër. Bindja ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë mund të hapë udhën për Shpëtimtarin tonë që të sigurojë të kuptuarit dhe të shëruarit që Ai e di se na nevojiten, në përputhje me planin e mjekimit të dhënë me recetë nga Ai për ne.

Plaku Riçard G. Skot dha mësim se “kjo jetë është një përvojë e një mirëbesimi të thellë – mirëbesim në Jezu Krishtin, mirëbesim në mësimet e Tij, mirëbesim në aftësinë tonë, siç udhëhiqemi nga Shpirti i Shenjtë, për t’iu bindur atyre mësimeve që të jemi të lumtur tani dhe për një ekzistencë të përjetshme plot qëllim dhe shumë të lumtur. Të mirëbesosh do të thotë të bindesh me dëshirë, pa e ditur mbarimin që nga fillimi (shihni te Fjalët e Urta 3:5–7). Në mënyrë që të jepni fryt, mirëbesimi juaj te Zoti duhet të jetë më i fuqishëm dhe më i durueshëm sesa vetëbesimi juaj te ndjenjat dhe përvojat tuaja vetjake.”

Plaku Skot vazhdon: “Të ushtroni besim do të thotë të mirëbesoni se Zoti e di atë që po bën me ju, dhe se Ai mund ta përmbushë atë për të mirën tuaj të përjetshme, edhe pse ju nuk mund ta kuptoni mënyrën se si Ai mund ta bëjë atë”.

Dëshmia Përmbyllëse

Miq të dashur, unë dëshmoj se pyetjet tona të çiltra për ungjillin mund t’u japin mundësi Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të na ndihmojnë të rritemi. Përpjekja ime vetjake për të kërkuar përgjigje nga Zoti për vetë pyetjet e mia shpirtërore, të së shkuarës dhe të së tashmes, më ka lejuar ta përdor hapësirën midis të kuptuarit tim dhe atij të Perëndisë për të ushtruar bindje ndaj Tij dhe besnikëri ndaj njohurisë shpirtërore që zotëroj aktualisht.

Dëshmoj se vënia e mirëbesimit tuaj tek Ati Qiellor dhe profeti i Tij, të cilin Ai e ka dërguar, do t’ju ndihmojë që të lartësoheni shpirtërisht dhe do t’ju shtyjë përpara drejt horizontit të zgjeruar të Perëndisë. Epërsia juaj do të ndryshojë sepse ju do të ndryshoni. Perëndia e di se sa më lart që të jeni, aq më larg mund të shihni. Shpëtimtari ynë ju fton që ta bëni atë ngjitje. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.