Konferenca e Përgjithshme
Rini e Parëbirnisë Fisnike
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


12:33

Rini e Parëbirnisë Fisnike

Perëndia jua mirëbeson juve, fëmijëve të besëlidhjes, të ndihmoni për veprën e Tij për t’i sjellë të gjithë fëmijët e Tij të sigurt në shtëpi tek Ai.

Plaku Stivenson, kjo është një konferencë për të mos u harruar kurrë.

Familjes sonë gjithmonë i ka pëlqyer një libërth i titulluar Children’s Letters to God [Letra të Fëmijëve drejtuar Perëndisë]. Ja tek janë disa shembuj:

“I dashur Perëndi, në vend që t’i lësh njerëzit të vdesin dhe të bësh njerëz të rinj, pse nuk mban më mirë ata që ke?”

“Si është e mundur që ti ke vetëm dhjetë rregulla, por shkolla jonë ka miliona?”

“Pse na krijove me bajame kur prapëseprapë do t’i heqim?”

Sot nuk ka kohë për t’iu përgjigjur të gjitha këtyre pyetjeve, por është një pyetje tjetër që e dëgjoj shpesh nga të rinjtë e të rejat, të cilën do të doja ta trajtoja. Nga Ulan‑Batori i Mongolisë e deri në [qytetin] Tomas të Ajdahos, pyetja është e njëjtë: “Pse? Pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të jetojnë kaq ndryshe nga të tjerët?”

E di që është e vështirë të jesh ndryshe, veçanërisht kur je i ri apo e re dhe dëshiron kaq shumë që të tjerët të të pëlqejnë. Të gjithë duan të kenë përkatësi, dhe kjo dëshirë është rritur në përmasa të pashëndetshme në botën e sotme digjitale, të mbushur me rrjete sociale dhe bullizëm në internet.

Pra, me gjithë këtë trysni, pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme vërtet jetojnë kaq ndryshe? Ka shumë përgjigje të mira: Ngaqë, fëmijë i Perëndisë jeni. Ngaqë jeni ruajtur për ditët e fundit. Ngaqë jeni një dishepull i Jezu Krishtit.

Por ato përgjigje jo gjithmonë ju veçojnë. Çdo njeri është një fëmijë i Perëndisë. Çdo njeri që ndodhet në tokë pikërisht tani, u dërgua këtu në ditët e fundit. E megjithatë jo të gjithë e jetojnë Fjalën e Urtësisë ose ligjin e dëlirësisë ashtu siç përpiqeni ta jetoni ju. Ka shumë dishepuj trima të Krishtit që nuk janë anëtarë të kësaj Kishe. Por ata nuk shërbejnë në misione dhe nuk kryejnë ordinanca në shtëpitë e Zotit në emër të paraardhësve sikurse bëni ju. Duhet të ketë më shumë arsye për këtë, dhe ka.

Sot do të doja të përqendrohesha te një arsye tjetër që ka qenë domethënëse në jetën time. Në vitin 1988, një Apostull i ri, i quajtur Rasëll M. Nelson, dha një fjalim në universitetin “Brigam Jang” të titulluar “Thanks for the Covenant” [“Faleminderit për Besëlidhjen”]. Në të, ‘asokohe Plaku’ Nelson shpjegoi se kur e përdorim lirinë tonë morale të zgjedhjes për të bërë dhe mbajtur besëlidhje me Perëndinë, ne bëhemi trashëgimtarë të besëlidhjes së përjetshme që Perëndia ka bërë me paraardhësit tanë në çdo periudhë ungjillore. E thënë ndryshe, ne bëhemi “fëmijë [të] besëlidhjes”. Kjo na veçon. Kjo na jep qasje ndaj të njëjtave bekime që morën paraardhësit dhe paraardhëset tona, përfshirë të drejtën e parëbirnisë.

Parëbirnia! Mund ta keni dëgjuar si fjalë. Ne madje këndojmë himne për të: “Rini e lindjes [/parëbirnisë] fisnike: Mos ndalo, mos ndalo, mos ndalo!” Është një fjalë bindëse. Por çfarë kuptimi ka?

Në kohët e Dhiatës së Vjetër, nëse një baba ndërronte jetë, djalit që i takonte parëbirnia ishte përgjegjës që të kujdesej për nënën dhe motrat e tij. Vëllezërit e tij merrnin trashëgiminë e tyre dhe largoheshin për të nisur jetën e tyre në botë, por djali i parëbirnisë nuk shkonte gjëkundi. Ai martohej dhe kishte familjen e vet, por qëndronte deri në fund të jetës së tij për të qeverisur çështjet e pronave të të atit. Për shkak të kësaj përgjegjësie të shtuar, atij i jepej një masë shtesë e trashëgimisë. A ishte udhëheqja dhe kujdesi për të tjerët një detyrë e rëndë? Jo, kur merr parasysh trashëgiminë shtesë që i jepej.

Sot nuk po flasim për rendin tuaj të lindjes në familjet tokësore apo rolet gjinore në Dhiatën e Vjetër. Po flasim për trashëgiminë që ju merrni si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit për shkak të marrëdhënies besëlidhëse në të cilën keni zgjedhur të hyni me Të dhe Atin tuaj në Qiell. A është e tepërt që Perëndia të presë nga ju që të jetoni ndryshe nga fëmijët e Tij të tjerë, në mënyrë që të mund t’i udhëhiqni dhe t’u shërbeni më mirë atyre? Jo, kur merrni parasysh bekimet materiale dhe shpirtërore, që ju janë dhënë.

A nënkupton e drejta juaj e parëbirnisë se jeni më të mirë se të tjerët? Jo, por nënkupton që nga ju pritet t’i ndihmoni të tjerët të jenë më të mirë. A nënkupton e drejta juaj e parëbirnisë se jeni të zgjedhur? Po, por nuk jeni zgjedhur për të sunduar mbi të tjerët; jeni zgjedhur për t’u shërbyer atyre. A është e drejta juaj a parëbirnisë provë e dashurisë së Perëndisë? Po, por më e rëndësishmja, është provë e mirëbesimit të Tij.

Është një gjë të të duan dhe komplet tjetër gjë të të mirëbesojnë. Në udhëzuesin Për Forcën e Rinisë lexojmë: “Ai ju ka dhënë bekime të mëdha, përfshirë plotësinë e ungjillit, ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që ju lidhin me Të dhe që e sjellin fuqinë e Tij në jetën tuaj. Me ato bekime vjen edhe një përgjegjësi e shtuar. Ai e di që ju mund të sillni një ndryshim në botë dhe kjo kërkon, në shumë raste, të jeni ndryshe nga bota.”

Përvoja jonë në vdekshmëri mund të krahasohet me një anije turistike në të cilën Perëndia i ka dërguar të gjithë fëmijët e Tij ndërsa udhëtojnë nga njëri breg në tjetrin. Lundrimi është i mbushur me mundësi për të mësuar, për t’u rritur, për të qenë të lumtur dhe për të përparuar, por është gjithashtu plot rreziqe. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe është i shqetësuar për mirëqenien e tyre. Ai nuk dëshiron të humbasë asnjërin prej tyre, kështu që Ai i fton ata që janë të gatshëm të bëhen anëtarë të ekuipazhit të Tij – që do të thotë ju. Për shkak të zgjedhjes suaj për të bërë dhe mbajtur besëlidhje, Ai ju ofron mirëbesimin e Tij. Ai ju mirëbeson që të jeni ndryshe, të veçantë dhe të veçuar për shkak të veprës së rëndësishme që Ai ju ka mirëbesuar të bëni.

[Pa] mendoni për këtë! Perëndia jua mirëbeson juve – nga të gjithë njerëzit në tokë – fëmijëve të besëlidhjes, anëtarëve të ekuipazhit të Tij, të ndihmoni për veprën e Tij për t’i sjellë të gjithë fëmijët e Tij të sigurt në shtëpi tek Ai. Nuk është çudi që Presidenti Brigam Jang dikur tha: “Të gjithë engjëjt në qiell po vështrojnë këtë grusht të vogël njerëzish”.

Kur shikoni përreth nëpër këtë anije turistike të quajtur tokë, mund të shihni njerëz të tjerë të ulur nëpër kolltukë duke pirë, duke luajtur bixhoz në kazino, të veshur me veshje që janë tepër të hapura, duke kaluar pafund nga një ekran tek tjetri në telefonat celularë dhe duke humbur shumë kohë me lojërat elektronike. Por në vend që ta pyesni veten: “Pse nuk mund ta bëj unë këtë?”, mund të kujtoni se nuk jeni një pasagjer i rëndomtë. Ju jeni një anëtar i ekuipazhit. Keni përgjegjësi që pasagjerët nuk i kanë. Sikurse tha dikur Motra Ardeth Kep: “Ju nuk mund të bëheni një [roje plazhi], nëse do të dukeni si të gjithë notarët e tjerë në bregdet”.

Përpara se të shkurajoheni nga të gjitha detyrimet shtesë, ju lutem, mbani mend se anëtarët e ekuipazhit marrin diçka që pasagjerët e tjerë nuk e marrin: shpërblimin. Plaku Nil L. Andersen ka thënë: “Ka një fuqi shpirtërore shpërblyese për të drejtët”, përfshirë “siguri më të madhe, konfirmim më të madh dhe vetëbesim më të madh”. Ashtu si Abrahami i lashtësisë, ju merrni lumturi dhe paqe më të madhe, drejtësi më të madhe dhe njohuri më të madhe. Shpërblimi juaj nuk është thjesht një pallat në qiell dhe rrugë të shtruara me ar. Do të ishte e lehtë për Atin Qiellor që thjesht t’ju jepte gjithçka që Ai ka. Dëshira e Tij është t’ju ndihmojë të bëheni gjithçka që Ai është. Prandaj zotimet tuaja kërkojnë më shumë [mund] prej jush, sepse kjo është mënyra se si Perëndia po ju ndihmon të arrini potencialin tuaj.

Është “shumë për ta kërkuar nga kushdo, por ju nuk jeni kushdo”! Ju jeni rini e [parëbirnisë] fisnike. Marrëdhënia juaj besëlidhëse me Perëndinë dhe Jezu Krishtin është një marrëdhënie dashurie dhe mirëbesimi, në të cilën keni qasje në një masë më të madhe te hiri i Tyre – ndihma hyjnore, dhurimi i forcës dhe fuqia aftësuese që vijnë prej Tyre. Kjo fuqi nuk është thjesht një mendim i dëshiruar, një hajmali fati apo një profeci që përmbushet vetë. Ajo është e vërtetë.

Ndërsa i përmbushni përgjegjësitë tuaja të parëbirnisë, nuk jeni kurrë vetëm. Zoti i Vreshtit punon me ju. Ju jeni duke punuar dorë për dore me Jezu Krishtin. Me çdo besëlidhje të re, dhe ndërsa marrëdhënia juaj me Të thellohet, ju e mbani njëri‑tjetrin gjithnjë e më fort derisa të jeni kapur fort së bashku. Në atë simbol të shenjtë të hirit të Tij, do të gjeni si dëshirën, edhe forcën për të jetuar saktësisht siç jetoi Shpëtimtari – ndryshe nga bota. Ju mund ta bëni këtë sepse keni në krah Jezu Krishtin!

Te 2 Nefi 2:6 lexojmë: “Kështu që, shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi”. Për shkak se Ai është plot vërtetësi, Ai ju sheh ashtu siç jeni në të vërtetë, [me] të meta, dobësi, keqardhje dhe gjithçka. Për shkak se Ai është plot hir, Ai ju sheh ashtu siç mund të jeni vërtet. Ai ju vjen në ndihmë në gjendjen tuaj aktuale që të pendoheni e përmirësoheni, t’i kapërceni [vështirësitë] e të arrini potencialin tuaj.

“Rini e [parëbirnisë] fisnike: Mos ndalo, mos ndalo, mos ndalo!” Dëshmoj se ju duan – dhe ju mirëbesojnë – sot, pas 20 vjetësh dhe përgjithmonë. Mos e shitni parëbirninë tuaj për pak supë. Mos ndërroni gjithçka për asgjë. Mos lejoni që bota t’ju ndryshojë kur keni lindur për ta ndryshuar ju botën. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.