Konferenca e Përgjithshme
Bij dhe Bija të Perëndisë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


9:58

Bij dhe Bija të Perëndisë

Ne besojmë vërtet se të gjithë ne jemi me plot kuptimin e fjalës fëmijë të Perëndisë dhe, për këtë shkak, ne kemi potencialin për t’u bërë si Ai.

Sot, do të doja të trajtoja një nga të vërtetat më të lavdishme, më të gëzueshme dhe më të fuqishme të ungjillit që Perëndia ka zbuluar. Ndërkaq, si për ironi, është një e vërtetë për të cilën jemi kritikuar. Një përvojë që pata disa vite më parë, e thelloi ndjeshëm vlerësimin tim për këtë të vërtetë të ungjillit.

Si përfaqësues i Kishës, njëherë u ftova në një konferencë fetare ku u njoftua se që nga ai moment do t’i njihnin si të vlefshme të gjitha pagëzimet e kryera nga pothuajse të gjitha kishat e tjera të krishtera, për aq kohë sa ordinanca bëhej me ujë dhe në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë. Më pas u shpjegua se kjo rregullore nuk gjente zbatim për pagëzimet e kryera nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pas konferencës munda të rrëmoja më thellë për arsyet e këtij përjashtimi duke komunikuar me drejtuesin përgjegjës të atij njoftimi. Patëm një bashkëbisedim të mrekullueshëm e të thellë.

Shkurt, ai më shpjegoi se ai përjashtim kishte të bënte kryesisht me bindjet tona të veçanta rreth Kreut‑Perëndi, të cilit besimet e tjera të krishtera i referohen shpesh si Trini. I shpreha vlerësimin tim që gjeti kohën të më shpjegonte bindjet e tij dhe rregulloren e kishës së tij. Në fund të bashkëbisedimit tonë, u përqafuam dhe më pas u përshëndetëm.

Ndërsa meditova më vonë mbi diskutimin tonë, ajo që tha ky udhëheqës për shenjtorët e ditëve të mëvonshme se nuk e kuptonin atë që ai iu referua si “misteri i Trinisë”, më mbeti në mendje. Për çfarë e kishte fjalën? Epo, kishte të bënte me kuptueshmërinë tonë për natyrën e Perëndisë. Ne besojmë se Perëndia Ati “është një njeri i ekzaltuar” me një “trup [të lavdishëm] prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; [dhe] Biri gjithashtu”. Prandaj, çdo herë që flasim për natyrën e Perëndisë, në njëfarë mënyre po flasim edhe për vetë natyrën tonë.

Kjo është e vërtetë jo vetëm sepse të gjithë ne jemi bërë “sipas shëmbëlltyrës [së Tij] dhe në ngjasim me [Të]”, por edhe sepse, siç e shënoi psalmisti, Perëndia tha: “Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit”. Kjo për ne është një doktrinë e çmuar e risjellë tani me ardhjen e Rivendosjes. Për ta përmbledhur, nuk është asgjë më shumë ose më pak se ajo që na mësojnë misionarët tanë në mësimin e parë, paragrafi i parë, rreshti i parë: “Perëndia është Ati ynë Qiellor[,] … ne jemi fëmijët e Tij”.

Tani, ju mund të thoni: “Shumë njerëz besojnë se ne jemi fëmijë të Perëndisë”. Po, kjo është e vërtetë, por kuptueshmëria e tyre mund të jetë paksa më ndryshe nga nënkuptimi i domethënies së tij më të thellë që ne pohojmë. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ky mësim nuk është metaforik. Përkundrazi, ne besojmë vërtet se të gjithë ne jemi me plot kuptimin e fjalës fëmijë të Perëndisë. Ai është “Ati [i] shpirtrave [tanë]”6 dhe, për këtë shkak, ne kemi potencialin për t’u bërë si Ai, gjë që duket se është e pakonceptueshme për disa.

Kanë kaluar tashmë mbi 200 vjet që kur Vegimi i Parë hapi dyert për Rivendosjen. Në atë kohë, i riu Jozef Smith kërkoi udhërrëfim nga qielli për të ditur se me cilën kishë të bashkohej. Nëpërmjet zbulesës që mori atë ditë, dhe në zbulesat e mëvonshme që iu dhanë, Profeti Jozef mori njohuri mbi natyrën e Perëndisë dhe marrëdhënien tonë me Të si fëmijë të Tij.

Për këtë shkak, ne mësojmë më me qartësi se Ati ynë Qiellor na e ka mësuar këtë doktrinë të çmuar që nga fillimi. Më lejoni të përmend të paktën dy përvoja nga shkrimet e shenjta për ta ilustruar këtë.

Mund t’ju kujtohen udhëzimet e Perëndisë drejtuar Moisiut, siç janë shënuar te Perla me Vlerë të Madhe.

Ne lexojmë se “Perëndia i foli Moisiut, duke thënë: Vër re, unë jam Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm, dhe i Pafundëm është emri im”. Me fjalë të tjera: “Moisi, unë dua që ti të dish se cili jam”. Më pas Ai shtoi: “Dhe, vër re, ti je biri im”. Më tej Ai tha: “Dhe unë kam një punë për ty, Moisi, biri im; dhe ti je në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit tim”. Dhe më pas, në përfundim, Ai e mbylli me: “Dhe tani, vër re, këtë gjë të vetme unë të tregoj ty, Moisi, biri im.

Duket që Perëndia ishte i vendosur t’i mësonte Moisiut të paktën një mësim: “Ti je fëmija im”, të cilën Ai e përsëriti të paktën tri herë. Ai madje nuk mund ta përmendte emrin e Moisiut pa shtuar menjëherë se ai ishte biri i Tij.

Megjithatë, pasi Moisiu mbeti vetëm, ai u ndje i dobët sepse nuk ishte më në praninë e Perëndisë. Ky qe momenti kur Satani erdhi ta tundonte. A mund të shihni një model këtu? Gjëja e parë që ai tha, ishte: “Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua”.

Në këtë kontekst, kërkesa e Satanit për ta adhuruar atë mund të ketë qenë veçse një shpërqendrim. Një tundim serioz për Moisiun në atë çast dobësie ishte që të pështjellohej dhe të besonte se ai ishte vetëm një “bir i njeriut” dhe jo një fëmijë i Perëndisë.

“Dhe ndodhi që Moisiu hodhi vështrimin mbi Satanin dhe tha: Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë, në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit të tij.” Fatmirësisht, Moisiu nuk u pështjellua dhe nuk e lejoi veten të shpërqendrohej. Ai e kishte marrë mësimin se cili ishte në të vërtetë.

Rrëfimi i radhës gjendet te Mateu 4. Studiuesit e kanë titulluar këtë “tri tundimet e Jezusit”, a thua se Zoti u tundua vetëm tri herë, gjë që natyrisht nuk është kështu.

Qindra litra bojë janë përdorur për të shpjeguar kuptimin dhe përmbajtjen e këtyre tundimeve. Siç e dimë, kapitulli fillon duke shpjeguar se Jezusi kishte shkuar në shkretëtirë “dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria”.

Tundimi i parë i Satanit me gjasë do të ketë pasur të bënte vetëm me plotësimin e nevojave fizike të Zotit. “Thuaj që këta gurë të bëhen bukë”, – e sfidoi ai Shpëtimtarin.

Një joshje e dytë mund të ketë pasur të bënte me tundimin për Perëndinë: “Hidhu poshtë, sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty’”.

Së fundi, tundimi i tretë i Satanit i referohej aspiratave dhe lavdisë së botës. Pasi ia tregoi Jezusit “të gjitha mbretëritë e botës …, [Satani] i tha: ‘Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron’”.

Në të vërtetë, tundimi i fundit i Satanit mund të ketë pasur më pak të bëjë me ato tre provokime specifike dhe më shumë me tundimin ndaj Jezu Krishtit për të vënë në dyshim natyrën e Tij hyjnore. Të paktën dy herë, joshjes i parapriu akuza sfiduese nga Satani: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë” – nëse e beson vërtet këtë, atëherë bëj këtë ose atë.

Ju lutem, vini re se çfarë kishte ndodhur fill përpara se Jezusi të shkonte në shkretëtirë për të agjëruar dhe për t’u lutur – ne gjejmë rrëfimin e pagëzimit të Krishtit. Kur Ai doli nga uji, erdhi “një zë nga qielli që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur’”.

A e shohim lidhjen këtu? A mund të dallojmë një model këtu?

Nuk është çudi që sa herë na mësohet për natyrën dhe fatin tonë hyjnor, kundërshtari i çdo drejtësie na tundon t’i vëmë ato në dyshim.

Sa të ndryshme do të ishin vendimet tona po ta dinim vërtet se kush jemi realisht!

Ne jetojmë në një botë sfiduese, një botë ku po shtohet rrëmuja, ku njerëzit e nderuar përpiqen fort të paktën t’ia vënë theksin dinjitetit tonë njerëzor, ndërkohë që i përkasim një kishe dhe përqafojmë një ungjill që e ngre vizionin tonë dhe na fton drejt një natyre hyjnore.

Urdhërimi i Jezusit për të qenë “të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati [ynë], që është në qiej”, është një pasqyrim i qartë i pritshmërive të Tij të larta dhe i mundësive tona të përjetshme. Tani, asnjë nga këto nuk do të ndodhë brenda natës. Sipas fjalëve të Presidentit Xhefri R. Holland, do të ndodhë “përfundimisht”. Por premtimi është se nëse “[vijmë] te Krishti”, ne do të “përsos[emi] në të”. Kjo kërkon shumë punë – jo thjesht një punë çfarëdo, por një punë hyjnore. Punën e Tij!

Tani, lajmi i mirë është se është pikërisht Ati ynë në Qiell që ka thënë: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.

Ftesa e Presidentit Nelson “mendoni çelestialisht”, nënkupton një kujtues të mrekullueshëm të natyrës, origjinës dhe pikëmbërritjes sonë të mundshme hyjnore. Ne mund ta fitojmë [mbretërinë] çelestiale vetëm nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Satani e joshi Jezusin me të njëjtin tundim që nga fillimi e deri në fund të shërbesës së Tij në tokë. Mateu shënoi se ndërsa Jezusi qe i varur në kryq, ata “që kalonin andej e fyenin, … duke thënë: … ‘Në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi’”. Lavdi i qoftë Perëndisë që nuk ua vuri veshin, por përkundrazi, na siguroi udhën që ne të marrim të gjitha bekimet çelestiale!

Le ta kujtojmë gjithmonë: një çmim i madh u pagua për lumturinë tonë!

Unë dëshmoj bashkë me Apostullin Pal se “vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.