Historia e Kishës
“Arti Sjell Tjetër Ndjesi”


“Arti Sjell Tjetër Ndjesi”

Më 2 shkurt 2018, anëtarët e Kishës organizuan një ekspozitë fotografike dhe një natë për ndarjen e çmimeve në galerinë e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ekspozita fotografike, e titulluar “Ikonografia Bashkëkohore”, kremtoi mënyrat se si njerëzit e përjetuan adhurimin dhe frymëzimin në mënyrë që të ndërtonin ura ndërmjet pasioneve dhe këndvështrimeve të ndryshme në shoqërinë shqiptare.

“Qëllimi i ekspozitës ishte të eksploroheshin mënyrat e ndryshme se si adhurojnë njerëzit”, tha Blerina Agalliu, Drejtore e Kishës për Çështjet me Publikun në Shqipëri, e cila hapi ekspozitën.

“Ne u përpoqëm ta bënim atë të gjerë, në mënyrë që individët që nuk ishin të besimit tonë, do të ndiheshin të mirëpritur për të qenë pjesë [e tij]”, tha Obri Mema, përgjegjësja e ekspozitës. “Ekspozita është një përpjekje për të bashkuar formimet e ndryshme, për të kremtuar udhëkryqet e përbashkëta të formave të ndryshme të adhurimit. Nëpërmjet fotografive ne shpresojmë të ndërtojmë ura midis fesë dhe ateizmit, pasioneve dhe këndvështrimeve të ndryshme.”

Në lidhje me fotografinë, Kisha i dha çmimin “Vlerat Familjare” Fondacionit “Fundjava Ndryshe”, i cili u ofroi ndihmë anëtarëve më të varfër të shoqërisë dhe organizoi vullnetarë në komunitet për të ndërtuar shtëpi për ta. “Puna e kësaj organizate në shërbim të familjeve shqiptare tregon se ka një mënyrë më të mirë për ta thyer ciklin e varfërisë dhe vuajtjes”, tha Blerina. “Ne i përkrahim përpjekjet dhe synimet e kësaj organizate dhe e lavdërojmë atë për zotimin, mirëdashjen dhe përkushtimin e saj.” Ekspozita fotografike përfshiu një mur të mbuluar me fotografi të stilit dokumentar të punës së Fondacionit.

Përpara ekspozitës, Blerina, Obri dhe shenjtorë të tjerë vendas të ditëve të mëvonshme organizuan një darkë për fotografët fitues dhe përfaqësuesit e fondacionit. “Të gjithë u mblodhëm bashkërisht dhe hëngrëm një vakt të mrekullueshëm së bashku me këta individë për të kremtuar talentet e tyre dhe gjërat që kishin arritur”, tha Obri.

Pamja
spektator i ikonografisë bashkëkohore

Një spektator duke parë ekspozitën.

Pothuajse 300 njerëz morën pjesë në natën e hapjes së ekspozitës në Tiranë. Pas një muaji në Tiranë, ekspozita u zhvendos në Durrës dhe Pogradec. “Ajo që më befasoi më shumë, është [se] me shumë pak reklamë, pati shumë interesim”, tha Obri. “Të gjithë u bashkuam dhe ne ishim një komunitet, pavarësisht nga feja.”

Shenjtorët në Shqipëri zhvilluan një ekspozitë dhe ceremoni të përngjashme të ndarjes së çmimeve të komunitetit në vitin e mëparshëm, por paraqiti vepra arti në vend të fotografisë. Artistë nga Kisha dhe nga komuniteti më i gjerë bënë kërkesë për shfaqjen e titulluar “Ngjyrat e Familjes Sime”. U pranuan më shumë se 75 vepra, të krijuara nga thuajse 45 artistë.

Në të dyja shfaqjet ishin të pranishëm jo vetëm njerëz të rastit dhe anëtarë të komunitetit vendor, por edhe zyrtarë qeveritarë, anëtarë të parlamentit dhe anëtarë të tjerë të shquar të shoqërisë.

“Ishte një përvojë shumë e bukur për mua”, tha Blerina, “sepse evidentuam talentet e pjesëmarrësve dhe u dhamë atyre mundësinë për të paraqitur punën e tyre me kënaqësi.”

“Arti ka një mënyrë për të na bashkuar dhe për të shprehur gjëra që nuk mund t’i shprehim në mënyra të tjera”, tha Obri. “Të gjitha mënyrat e tjera, si të kënduarit, janë të vlefshme. Por arti sjell një tjetër ndjesi dhe nxjerr në pah një komunitet të ndryshëm.”

Shtyp në Letër