2007
Fuqia e Perëndishmërisë Manifestohet në Tempujt e Perëndisë
Nëntor 2007


Fuqia e Perëndishmërisë Manifestohet në Tempujt e Perëndisë

Fuqia e perëndishmërisë manifestohet tek të gjithë njerëzit të cilët … bëjnë besëlidhjet e shenjta me Atin tonë Qiellor.

Të dashur vëllezër dhe motra, një nga gjërat, për të cilat i jam më shumë mirënjohës Atit tim Qiellor, është mundësia që kam patur të punoj për 15 vite si regjistrues në Tempullin e Meksikos të Qytetit të Meksikos. Në këtë vend të shenjtë, si në të gjithë tempujt, ordinancat kryhen për të gjallët dhe për të vdekurit nëpërmjet fuqisë së priftërisë. Në vitin 1832, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me priftërinë:

“Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (DeB 84:19-20).

Unë kam patur përvoja të mrekullueshme brenda mureve të tempullit që e vërtetojnë këtë.

Në vitin 1993, pasi kisha shërbyer si president i Misionit Tukstala Gutierres të Meksikos, ne udhëtuam familjarisht për të vizituar prindërit e mi, që jetonin në Meksikën veriore. Gjatë udhëtimit, ne bisedonim mbi gëzimin që sjell shërbimi për Zotin dhe shikimin e ndryshimit tek njerëzit që kishin pranuar ungjillin gjatë tre viteve kur ne ishim në mision. Ne po komentonim për këta njerëz që ishin pagëzuar, konfirmuar dhe kishin marrë priftërinë dhe për ata që ne e dinim se kishin shkuar në tempull dhe ishin vulosur si familje përjetësisht.

Djali im më i vogël bëri një pyetje që më bëri të mendohem: “Babi, a je vulosur ti me prindërit e tu?” Unë i thashë se ngaqë babai im kishte qenë më pak aktiv për shumë vite, ai dhe mamaja ime nuk ishin vulosur në tempull. Për ta ndihmuar atë të bëhej aktiv, unë mendova një plan. Ai përfshinte fëmijët e mi dhe unë u shpjegova se si do ta aktivizonim: Çdo të dielë, babai im ngrihej herët që të çonte nënën time dhe motrën në kishë, pastaj kthehej në shtëpi, priste që të mbaronin shërbesat dhe shkonte përsëri për t’i marrë. Kështu unë caktova fëmijët e mi të shkonin tek ai dhe t’i thoshin: “Gjysh, a do të na bësh një nder?” E dija se përgjigja e tij do të ishte: “Çfarëdo që të dëshironi, fëmijët e mi.” Atëherë ata do t’i kërkonin që të shkonte me ta në kishë dhe të qëndronte me ta që të mund të dëgjonte dëshmitë e tyre. Ishte e diela e parë e muajit. Unë gjithashtu e dija se babai im do të nxirrte çfarëdo justifikimi për të mos shkuar, kështu që planifikova të futem në dhomë për të ndihmuar fëmijët e mi ta bindnin.

Koha erdhi shpejt për ta vënë planin në zbatim. Vajza ime, Suzana, iu afrua babait tim dhe i kërkoi favorin. Shumë i sigurtë, babai i tha asaj se ai do të bënte gjithçka të mundur për ta. Pastaj erdhi ftesa për të shkuar në kishë dhe pikërisht siç e kisha parashikuar unë, ai përdori këtë justifikim: “Unë nuk mundem sepse nuk kam bërë as dush.” Atëhere bashkëshortja ime dhe unë që ishim fshehur pas derës, bërtitëm: “Ne do të të presim!”

Kur e kuptuam se ai nuk po vendoste, bashkëshortja ime dhe unë u futëm në dhomë dhe së bashku me fëmijët tanë filluam të këmbëngulim: “Dush! Dush!” Pastaj ndodhi ajo që prisnim. Babai im erdhi me ne, ai qëndroi për shërbesat, dëgjoi dëshmitë e fëmijëve të mi, zemra e tij u zbut dhe qysh nga ajo e dielë ai nuk mungoi kurrë në kishë. Muaj më vonë, në moshën 78 vjeç, ai dhe nëna ime u vulosën dhe ne, fëmijët e tij, u vulosëm me ta.

Unë e di se në saje të fuqisë së manifestimit të perëndishmërisë në ordinancat e tempullit, unë mundem tani të ribashkohem me prindërit e mi për të gjithë përjetësinë, madje edhe pas vdekjes.

Shumë herë ne nuk e kuptojmë plotësisht domethënien e ordinancave të tempullit, derisa të kemi njohur dëshpërimin ose të kemi kaluar një përvojë që mund të kishte qenë në kulm dëshpëruese, po të mos njihnim planin e shpëtimit.

Kur bashkëshortja ime dhe unë kishim vetëm një vit e gjysmë të martuar, ajo ishte gati për lindjen e fëmijës tonë të parë. Ne kishim vendosur se duhet ta lindte fëmijën në kolonitë Çiuaua, ku kishte lindur edhe ajo vetë. Në atë kohë unë po punoja në Qytetin e Meksikos dhe ne vendosëm që ajo duhet të ishte atje një muaj përpara datës së lindjes. E planifikuam që unë të shkoja më vonë.

Data e lindjes arriti. Unë isha në punë kur më erdhi një thirrje telefonike nga vjehrri. Lajmi ishte i mirë: “Oktaviano, gruaja jote lindi dhe ju keni tani një vajzë të vogël që është e mrekullueshme.” Kështu, i lumtur, fillova ta njoftoj këtë tek miqtë dhe tek shokët e punës, që më kërkonin pastaj çokollata për të festuar lindjen e së voglës time.

Ditën tjetër unë fillova të shpërndaj çokollata nëpër të katër katet e godinës së zyrave tona. Kur arrita në katin e dytë, unë mora një tjetër thirrje telefonike nga vjehrri. Këtë radhë lajmi ishte i ndryshëm: “Oktaviano, gruaja jote është shkëlqyeshëm, por vajza jote vdiq. Funerali do të bëhet sot dhe ti nuk ke kohë të vish. Çfarë do bësh?” Unë i kërkova të flas me Rozën, bashkëshorten time dhe pastaj e pyeta nëse ajo ishte mirë. Ajo u përgjigj se ishte shumë mirë, nëse unë do të isha shumë mirë. Atëherë ne folëm mbi planin e shpëtimit, duke kujtuar këtë shkrim të shenjtë:

“Dhe unë gjithashtu vura re se të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (DeB 137:10).

Unë e pyeta atë: “A e beson ti këtë?” Dhe ajo tha: “Po, e besoj.” Pastaj unë u përgjigja: “Ne duhet të jemi të lumtur atëherë. Unë të dua. Dhe nëse je dakord, do të marr pushimet brenda dy javësh, do të kaloj ca kohë me ty dhe do të kthehemi bashkë në Meksiko.”

Ne e dinim se një ditë ne do të bashkohemi përsëri me bijën tonë, sepse ne ishim vulosur me anë të fuqisë së priftërisë në tempull. Ne e mbyllëm bisedën në telefon dhe unë rifillova të shpërndaj çokollatat në ndërtesën time të zyrave.

Duke më parë të veproj kështu, një nga bashkëpunëtorët e mi u befasua dhe më pyeti si mund ta bëja këtë pas një lajmi të tillë të tmerrshëm. Unë u përgjigja: “Nëse keni tre orë të lira, unë mund të të shpjegoj përse nuk po ndihem tepër i dëshpëruar dhe lidhur me njohurinë time mbi atë çka ndodh pas vdekjes.” Ai nuk kishte tre orë të lira në atë moment, por i pati më vonë. Ne e mbaruam bisedën pas katër orësh. Ai e pranoi ungjillin dhe së bashku me nënën dhe vëllanë e tij u pagëzua në Kishë pasi dëgjoi mësimet nga misionarët.

Unë e di se në saje të fuqisë së perëndishmërisë të manifestuar në ordinancat e tempullit, unë do të jem në gjendje të njoh bijën time. Unë do ta përqafoj atë dhe ne do të jemi me të përjetësisht, pikërisht ashtu siç jemi tani me tre fëmijët tanë që jetojnë.

Unë gëzohem në fjalët e Malakias:

“Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.

Ai do të bëjë që zemrat e etërve t’u kthehen bijve dhe zemrat e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë” (Malakia 4:5-6).

Kjo priftëri i bën të mundura familjet e përjetshme. Ajo më lejon mua, një bir, të kthej zemrën time nga babai, që vdiq vitin e kaluar, dhe të jem i qetë në shpresën time nëpërmjet Shpëtimtarit se unë do ta shoh përsëri atë. Kjo priftëri më lejon mua, si baba, të kthej zemrën time nga dy fëmijët tanë që vdiqën që foshnja dhe të jem i qetë në shpresën time nëpërmjet Shpëtimtarit se unë do t’i njoh ata dhe ata do ta dinë se unë isha ati i tyre tokësor, ndërsa unë do t’i shoh në sy dhe do t’u them se i dua. Kjo është priftëria, që më ka lejuar të shoh në shenjtërinë e tempullit, se si fuqia e perëndishmërisë manifestohet tek të gjithë njerëzit të cilët, pasi ushtrojnë besim te Krishti, duke u penduar për mëkatet e tyre dhe duke kërkuar me zjarr për lumturi, vijnë të bëjnë besëlidhjet e shenjta me Atin tonë Qiellor dhe marrin ordinancat e Tij të shenjta që lidhin në tokë dhe po ashtu në qiell.

Unë e dua punën e tempullit. Unë e di se Perëndia jeton, se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se Presidenti Gordon B. Hinkli është një profet i vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.