Mesazh i Presidencisë së Parë
Zhvillimi i Cilësive si të Krishtit
Gjatë jetës time profesionale si pilot në linjat ajrore, ndonjëherë pasagjerët më kanë vizituar në kabinën time të aeroplanit. Ata kanë pyetur për shumë çelësa, instrumenta, sisteme dhe procedura dhe se si e gjithë kjo paisje teknike do të bënte që një aeroplan i tillë, gjigand dhe i mrekullueshëm, të fluturonte.
Unë do t’u shpjegoja se duhet një projekt i shkëlqyer aerodinamik, shumë sisteme dhe programe ndihmëse, si dhe motora të fuqishëm për ta sjellë një makinë të tillë fluturuese në nivelin e detyrës për të krijuar rehati dhe siguri për ata që fluturojnë.
Për të thjeshtuar shpjegimin tim duke u përqendruar në gjërat themelore, unë do të shtoja se gjithçka ju duhet është një shtyrje e fuqishme përpara, një ngritje e fuqishme lart si dhe një pozicionim korrekt i aeroplanit dhe të gjitha ligjet e natyrës do ta çojnë avionin e linjës dhe pasagjerët e tij të sigurt nëpër kontinente dhe oqeane, mbi male të lartë dhe shtrëngata të rrezikshme për në destinacionin e tyre.
Duke medituar mbi përvojat e mija me ata vizitorë, mua më ka shkuar shpesh në mend se qenia anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na fton të bëjmë pyetje të ngjashme. Cilat janë gjërat thelbësore, parimet themelore të anëtarësisë tonë në mbretërinë e Perëndisë në tokë? Pasi është thënë dhe bërë gjithçka, çfarë do të na shpjerë vërtet neve në kohëra të nevojave më të mëdha në destinacionin tonë të dëshiruar të përjetësisë?
Thelbi i Pandryshueshëm i Ungjillit
Kisha, me gjithë strukturën organizative dhe programet e saj ofron shumë veprimtari të rëndësishme për anëtarët, të cilat synojnë të ndihmojnë familjet dhe individët t’i shërbejnë Perëndisë dhe njëri-tjetrit. Ndonjëherë, sidoqoftë, mund të duket sikur këto programe dhe veprimtari janë më pranë zemrës dhe shpirtit tonë se sa doktrinat dhe parimet thelbësore të ungjillit. Procedurat, programet, politikat dhe modelet e organizimit janë të dobishme për përparimin tonë shpirtëror këtu në tokë, por të mos harrojmë se ato janë gjëra që ndryshohen.
Në të kundërtën, thelbi i ungjillit — doktrina dhe parimet — nuk do të ndryshojnë kurrë. Të jetuarit sipas parimeve themelore të ungjillit do të sjellë forcë, fuqi dhe besim shpirtëror tek vetja në jetën e të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.
Besimi është një parim i tillë fuqie. Ne kemi nevojë për këtë burim force në jetën tonë. Perëndia punon nëpërmjet forcës, por kjo forcë ushtrohet zakonisht si përgjigje e besimit tonë. “Besimi pa vepra është i vdekur” (Jakobi 2:20 [Bibla]). Perëndia punon sipas besimit të fëmijëve të Tij.
Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Unë u mësoj atyre parimet e drejta dhe ata drejtojnë vetveten”1. Për mua, ky mësim është mrekullisht i drejtpërdrejtë. Kur përpiqemi të kup-tojmë, të përvetësojmë dhe të jetojmë me parime të drejta të ungjillit, ne do të bëhemi më të aftë për t’u mbështetur shpirtërisht tek vetja. Parimi i mbështetjes shpirtërisht tek vetja buron nga një doktrinë themelore e Kishës: Perëndia na ka dhuruar të drejtën e zgjedhjes së lirë. Unë besoj se kjo e drejtë morale e zgjedhjes është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij, që vjen pas vetë jetës.
Kur unë studjoj dhe mendoj mbi të drejtën morale të zgjedhjes së lirë dhe të rrjedhimeve të saj të përjetshme, unë kuptoj se ne me të vërtetë jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë dhe prandaj duhet të veprojmë sipas kësaj. Ky kuptim më kujton gjithashtu se si anëtarë të Kishës së Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne jemi pjesë e një familjeje të madhe mbarëbotërore shenjtorësh.
Struktura organizative e Kishës lejon një përshtatshmëri të madhe lidhur me madhësinë, modelin e rritjes dhe nevojat e kongregacioneve tona. Aty është njësia bazë programore me një strukturë shumë të thjeshtë organizimi dhe me më pak mbledhje. Ne kemi gjithashtu lagje të mëdha me burime të mëdha organizative për t’i shërbyer njëri-tjetrit. Të gjitha janë krijuar brenda programeve të frymëzuara të Kishës për të ndihmuar anëtarët “[të vijnë] te Krishti dhe [të përsosen] në të” (Moroni 10:32).
Të gjitha këto variante të larmishme janë të barabarta në vlerën e shenjtë sepse doktrina e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është e njëjtë në secilën njësi. Unë dëshmoj si dëshmitar i shuguruar i Zotit Jezu Krisht se Ai jeton, se ungjilli është i vërtetë dhe se ai jep përgjigjet për të gjitha sfidat vetiake dhe kolektive që fëmijët e Perëndisë kanë në këtë tokë sot.
Forca e Besimtarit
Në vitin 2005, bashkëshortja dhe unë vizituam anëtarë të Kishës në shumë vende nëpër Europë. Në disa pjesë të Europës, Kisha ishte e pranishme prej shumë vitesh, madje qysh prej 1837-ës. Në Europë ka një trashëgimi të madhe anëtarësh besnikë. Tani ne kemi mëse 400.000 anëtarë në këtë kontinent. Kur shohim te të gjithë brezat që kanë emigruar nga Europa në Amerikë gjatë shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, ky numër i përgjithshëm mundet të shumëfishohet lehtësisht disa herë.
Përse kaq shumë anëtarë besnikë i lanë vendet e tyre në ato ditë të hershme të Kishës? Mund të përmenden shumë arsye: për t’i shpëtuar persekutimit, për të ndihmuar Kishën në Amerikë, për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike, për të qenë më pranë një tempulli dhe shumë të tjera.
Europa akoma ndien rrjedhimet e këtij eksodi. Por forca që vjen nga disa breza besnikë të anëtarëve të Kishës tani po bëhet më e dukshme. Ne shohim më shumë të rinj dhe të reja dhe më shumë çifte të rriturish që shërbejnë në misione për Zotin; ne shohim më shumë martesa në tempuj; ne shohim më shumë besim dhe kurajo te anëtarët për të përhapur ungjillin e rivendosur. Midis njerëzve të Europës dhe të shumë pjesëve të tjera të botës, ka një vakum shpirtëror të mësimeve të vërteta të Krishtit. Ky vakum duhet, mund dhe do të mbushet me mesazhin e ungjillit të rivendosur kur anëtarët tanë të mrekullueshëm jetojnë dhe shpallin këtë ungjill me më shumë kurajo dhe besim.
Me shtrirjen e Kishës në Europë, ka vende ku Kisha është e pranishme prej jo më shumë se 15 vitesh. Gjatë vizitës tonë në 2005-ën, unë fola me një president misioni që shër-bente në vendin e tij në Rusi, i cili kishte qenë anëtar prej vetëm 7 vitesh. Ai më tregoi: “Në të njëjtin muaj që u pagëzova pata thirrjen si president dege.” A ndihet ai ndonjëherë i dërrmuar? Sigurisht! A përpiqet ai të zbatojë të gjithë serinë e programeve të Kishës? Fatmirësisht, jo! Si u rrit ai kaq i fuqishëm në një kongregacion të tillë të vogël në një kohë kaq të shkurtër? Ai shpjegoi: “Unë e dija me gjithë shpirtin tim se Kisha ishte e vërtetë. Doktrina e ungjillit më mbushi mendjen dhe zemrën. Kur u bashkuam me Kishën, ne u ndiem pjesë e një familjeje. Ne ndiem ngrohtësi, besim dhe dashuri. Ne ishim vetëm pak, por të gjithë ne u përpoqëm të ndjekim Shpëtimtarin.”
Anëtarët mbështesnin njëri-tjetrin, bënin më të mirën që mundeshin dhe e dinin se Kisha ishte e vërtetë. Nuk ishte organizata që e kishte tërhequr atë, por drita e ungjillit dhe kjo dritë i forcoi ata anëtarë të mirë.
Në shumë vende Kisha është akoma në fillimet e saj dhe gjendja organizative është ndonjëherë larg së qeni e përsosur. Sidoqoftë, anëtarët mund të kenë një dëshmi të përsosur të së vërtetës në zemrat e tyre. Kur anëtarët qëndrojnë në vendin e tyre dhe ndërtojnë Kishën, megjithë sfidat dhe vështirësitë ekonomike, brezat e ardhshëm do të jenë mirënjohës për ata pionierë kurajozë të ditëve të sotme. Ata i përgjigjen thirrjes së dashur të Presidencisë së Parë drejtuar në 1999:
“Në ditët tona, Zoti e ka parë të përshtatshme të japë bekime të ungjillit, duke përfshirë edhe një numër të shtuar tempujsh, në shumë vende të botës. Prandaj, ne dëshirojmë të përsërisim këshillën e kahershme për anëtarët e Kishës që të qëndrojnë në vendet e tyre më mirë se sa të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara…
Kur anëtarët kudo nëpër botë qën-drojnë në vendet e tyre, duke punuar për të ndërtuar Kishën në vendet e tyre të lindjes, bekime të mëdha do të vijnë tek ata personalisht dhe te Kisha kolektivisht.”2
Më lejoni të shtoj disa fjalë paralajmëruese për ata që jetojnë në lagje dhe kunje të mëdha. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që qendra e dëshmisë tonë të mos vendoset në përmasën sociale të komunitetit të Kishës apo në veprimtaritë, programet dhe organizatat e mrekullueshme të lagjeve dhe të kunjeve. Të gjitha këto gjëra janë të rën-dësishme dhe të vlefshme për t’i patur — por ato nuk mjaftojnë. Madje edhe miqësia nuk mjafton.
Siguria në Bindje
Ne njohim se jetojmë në një kohë trazirash, shkatërrimi dhe luftrash. Ne dhe shumë të tjerë ndiejmë fort nevojën për një “mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun” (DeB 115:6). Si e gjejmë një vend të tillë sigurie? Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) na mësoi: “Siguria jonë qëndron në virtytin e jetës tonë. Forca jonë qëndron në drejtësinë tonë.”3
Kujtoni me mua se si Jezu Krishti i udhëzoi Apostujt e Tij, qartë dhe direkt, në fillim të shërbesës së Tij tokësore: “[Ejani,] ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Kjo ishte gjithashtu fillimi i shër-besës së Dymbëdhjetë Apostujve dhe unë dyshoj se ata kishin një ndjesi pamjaftueshmërie. Më lejoni të sugjeroj se Vetë Shpëtimtari na jep këtu një mësim mbi doktrinën dhe përparësitë thelbësore në jetë. Individualisht, ne kemi nevojë së pari “të ndjekim Atë,” dhe kur ne bëjmë këtë, Shpëtimtari do të na bekojë tej kapaciteteve tona që të bëhemi çka Ai do që ne të bëhemi.
Të ndjekim Krishtin do të thotë të bëhemi më shumë si Ai. Do të thotë të mësojmë nga karakteri i Tij. Si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, ne kemi forcën të mishërojmë cilësi si të Krishtit në jetën dhe në karakterin tonë. Shpëtimtari na fton të mësojmë ungjillin e Tij nëpërmjet të jetuarit të mësimeve të Tij. Të ndjekësh Atë do të thotë të zbatosh parimet e drejta dhe pastaj të dëshmosh për vete bekimet që pasojnë. Ky proces është shumë kompleks dhe shumë i thjeshtë njëkohësisht. Profetë antikë dhe modernë e kanë përshkruar atë me dy fjalë: “Mbani urdhërimet” — asgjë më shumë, asgjë më pak.
Zhvillimi i cilësive si të Krishtit në jetën tonë nuk është një detyrë e lehtë, veçanërisht kur largohemi nga gjërat e përgjithshme e abstragimet dhe fillojmë të ndeshemi me jetën reale. Prova vjen në praktikimin e asaj që ne shpallim. Prova me realitetin vjen kur cilësitë si të Krishtit duhet të bëhen të dukshme në jetën tonë — si bashkëshort ose bashkëshorte, si baba ose nënë, si bir ose bijë, në miqësitë tona, në punësimin tonë, në biz-nesin tonë dhe në dëfrimin tonë. Ne mund të dallojmë rritjen tonë, ashtu si ata që janë rreth nesh, kur ne gradualisht rritim aftësinë tonë “për të vepruar gjithë shenjtëri përpara [Tij]” (DeB 43:9).
Shkrimet e shenjta përshkruajnë një numër cilësish si të Krishtit që ne duhet t’i zhvillojmë gjatë jetës tonë. Ato përfshijnë njohuri dhe përulësi, dhembshuri dhe dashuri, bindje dhe zell, besim dhe shpresë (shih DeB 4:5–6). Këto cilësi vetiake të karakterit janë të pavarura nga statusi organizativ i njësisë tonë të Kishës, apo nga gjendja ekonomike, gjendja jonë familjare, kultura, raca, apo gjuha. Cilësitë si të Krishtit janë dhurata nga Perëndia. Ato nuk mund të zhvillohen pa ndihmën e Tij.
Besimi tek Fuqia e Tij
Ndihma e vetme që na duhet të gjithëve na është dhënë falas nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Të kesh besim tek Jezu Krishti dhe tek Shlyerja e Tij do të thotë të mbështetesh tërësisht tek Ai — duke besuar në fuqinë, zgjuarësinë dhe dashurinë e Tij të pafund. Cilësitë si të Krishtit vijnë në jetën tonë kur ne përdorim drejt lirinë tonë të zgjedhjes. Besimi në Jezu Krisht çon në veprim. Kur ne kemi besim në Krisht, ne i besojmë Zotit aq sa të mbajmë urdhërimet e Tij — madje edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet për to. Në kërkimin për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari, ne kemi nevojë të rivlerësojmë rregullisht jetën tonë dhe të mbështetemi, nëpërmjet shtegut të pendesës së vërtetë, në meritat e Jezu Krishtit dhe të bekimeve të Shlyerjes së Tij.
Zhvillimi i cilësive si të Krishtit mund të jetë një proces i dhimbshëm. Ne duhet të jemi të gatshëm të pranojmë drejtim dhe korrigjim nga Zoti dhe shërbëtorët e Tij. Nëpërmjet konferencave të rregullta mbarëbotërore të Kishës, për shembull, me muzikën dhe mesazhin e tyre, ne ndiejmë dhe marrim forcë shpirtërore, drejtim dhe bekim “nga lart” (DeB 43:16). Është një kohë kur zëri i frymëzimit dhe i zbulesës vetiake do të sjellë paqe në shpirtin tonë dhe do të na mësojë se si t’i ngjajmë më shumë Krishtit. Ky zë do të jetë po aq i ëmbël sa edhe zëri i një miku të dashur dhe do të mbushë zemrat tona kur ato janë sa duhet të penduara.
Duke u bërë më shumë si Shpëtimtari, ne do të rritemi në aftësinë tonë për të patur “mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Romakëve 15:13). Ne do të “lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe do të kërko[jmë] gjërat e një më të mire”(DeB 25:10).
Kjo më çon mua përsëri tek analogjia ime me aerodinamikën. Unë fola mbi përqendrimin tek gjërat themelore. Cilësitë si të Krishtit janë gjërat themelore. Ato janë parimet themelore që do të krijojnë erën poshtë krahëve tanë. Kur ne zhvillojmë në jetë cilësi si të Krishtit, hap pas hapi, ato do të “[na] ngre[në] si mbi krahët e shqiponjave” (DeB 124:18). Besimi në Jezu Krisht do të na japë forcë dhe një shtytje të fuqishme përpara; shpresa e palëkundur dhe aktive do të na japë një ngritje të fuqishme lart. Të dyja, besimi dhe shpresa, do të na çojnë përmes oqeaneve të tundimeve, mbi male pikëllimesh dhe do të na kthejnë të sigurt në shtëpinë dhe destinacionin tonë të përjetshëm.