2009
Një Popull që Shkon në Tempull
Tetor 2009


Një Popull që Shkon në Tempull

Historia familjare, shoqërimi dhe pagëzimi për të vdekurit i frymëzojnë anëtarët e rritur të marrin indaumentin e tyre të tempullit.

Geri dhe Xhenifer Taker kishin një ëndërr. Që të dy dëshironin një familje të përjetshme. Por Xheniferi thuajse e kishte humbur shpresën. Shtegu për ta arritur atë ëndërr udhëhiqte përmes tempullit, diçka për të cilën Geri nuk ishte gati.

Pastaj peshkopi i tyre u frymëzua me një ide që do t’i ndihmonte Takerët – ashtu si dhe shumë të tjerë në Lagjen Thri Forks, Kunji Bozman Montana – të arrinin ëndrrën e një familjeje të përjetshme. Disa vite më parë Peshkopi Aaron Baçuk qe në një mbledhje për peshkopë dhe të kthyer të rinj në kunj. I Shtatëdhjeti i Zonës që po kryesonte pyeti një anëtar të ri: “A keni qenë në tempull për të kryer pagëzime për të vdekurit?” Ai kishte qenë.

Peshkopi Baçuk nuk kishte menduar kurrë të çonte të rritur pa indaument në tempull. Javën vijuese ai caktoi një takim me Tempullin në Billings Montana që të rritur të lagjes së tij të kryenin pagëzime për të vdekurit. Vizita në tempull qe një sukses dhe në muajt që pasuan, pleqtë dhe priftërinjtë e lartë në lagje shoqëruan të rritur të tjerë pa indaument për në tempull. “Rezultoi të ishte një përvojë shumë shpirtërore për ta, që shtoi dëshirën dhe zotimin e tyre për të marrë indaumentet e tyre”, thotë Peshkopi Baçuk.

Përgatitja

Për t’u përgatitur, anëtarë të rritur punuan me peshkopin për t’u bërë të denjë për të frekuentuar tempullin. Pastaj ata shkuan në klasën e përgatitjes për tempull. Interesimi i tyre për klasën vërtet shkon në kulm pasi ata kryejnë pagëzime për të vdekurit. Ata zbulojnë se të flasësh për tempullin në klasë është një gjë, por të ndiesh vërtet Shpirtin e Zotit tempull është diçka tjetër.

“Të kesh mundësinë ta çosh dikë në tempull, që mund të mos jetë i përgatitur për besëlidhje të tjera por që ende mund të ketë një përvojë duke marrë pjesë në ordinanca, është e madhe”, thotë Peshkopi Baçuk. “Mendoj se përshtatet me ndjenjën që Kisha po përpiqet të përçojë në broshurën e saj të përgatitjes për tempull: ‘Ejani në tempull!’”1

Presidenti i kuorumit të pleqve të Lagjes Thri Forks, Dejvid Bojd thotë se frekuentimi i tempullit për të kryer pagëzime e bën të prekshëm një synim: “Ata fillojnë të shohin mundësinë që mund të marrin vetë indaumentet e tyre. Shumë prej tyre as nuk kanë vënë këmbën në terrenin e tempullit më parë, kështu që këto udhëtime pagëzimi të të rriturve ua japin anëtarëve atë mundësi.”

Shumë anëtarë të aktivizuar së fundmi në lagje kryejnë pagëzime për të vdekurit përpara se të marrin vetë indaumentet e tyre. “Nuk qe kurrë një çështje denjësie”, thotë Peshkopi Baçuk. “Qe një çështje përgatitjeje. Disa qenë të denjë dhe të përgatitur për të bërë pagëzime por nuk qenë të përgatitur mendërisht apo shpirtërisht për të marrë besëlidhjet e indaumentit.” Për burrat, është gjithashtu një kohë për t’u përgatitur për të marrë Priftërinë Melkizedeke.

Historia familjare gjithashtu e nxit punën e tempullit. Anëtarë të lagjes, si Leri dhe Karolin Ajzom, punojnë në qendrën e historisë familjare të lagjes për të siguruar qindra emra familjesh. Këto tri përpjekje – klasa e përgatitjes për tempull, historia familjare dhe adhurimi në tempull – funksionojnë së bashku. Ata që bëjnë histori familjare ngazëllehen të sigurojnë emra për ata që shkojnë në tempull. Anëtarët që shkojnë në tempull ngazëllehen të bëjnë punë tempulli për vetë paraardhësit e tyre dhe për ata të bashkëanëtarëve të lagjes së tyre. Dhe qenia në tempull i motivon anëtarët të përgatiten të kthehen në tempull.

Në pak vitet e fundit, 22 anëtarë të Lagjes Thri Forks kanë shkuar në klasën e përgatitjes për tempull dhe 14 prej tyre filluan të frekuentojnë rregullisht tempullin që të kryenin pagëzime për të vdekurit. Pastaj, pasi përfunduan klasën, 13 prej këtyre 14-ve morën vetë indaumentet e tyre. Disa prej tyre qenë beqarë ose të ve, por të tjerë, si Geri dhe Xhenifer Taker, u vulosën si një familje.

Shoqërimi

Geri u bashkua me Kishën në vitin 1992, nja dy muaj përpara se ai dhe Xheniferi të martoheshin. Ajo ishte tashmë anëtare. Por puna me orë të gjata dhe shoqëria me miq të gabuar e bënë të vështirë që Geri të mbetej aktiv në Kishë, edhe me mbështetjen e bashkëshortes së tij. Ai thotë se kaloi shumë vite “duke përtypur duhan e duke përdorur fjalë vulgare”.

Kur u lind bija e tyre, Kodi, Motra Taker u përpoq ta rriste atë në ungjill duke e çuar në kishë edhe pse Vëllai Taker nuk donte asnjë material të Kishës në shtëpi. Edhe pse e nxiti familjen e tij që të frekuentonte kishën, ai nuk e frekuentoi. Kur Kodi mbushi tetë vjeç, atë e pagëzoi një misionar, jo i ati i saj. Vëllai Taker thotë: “Jam shumë i lumtur që isha atje, por ka një keqardhje shumë të madhe – që e vështrova në vend që të merrja pjesë në të.”

Në vitet vijuese, shoqërimi e ndihmoi Gerin të kthehej tek aktiviteti në Kishë. Xheniferi do të ftonte anëtarë të lagjes apo misionarë për drekë, duke e ditur se kjo do t’u jepte atyre një mundësi për të biseduar me Gerin. Ai është mirënjohës për ata anëtarë dhe misionarë që qenë një ndikim i mirë mbi të.

Dejl Prajs, për shembull, mësoi në shtëpi nënën e Xheniferit dhe u njoh në atë mënyrë me Gerin e Xheniferin. Kur Vëllai Prajs vizitoi Vëllain Taker, ata nuk folën për ungjillin në fillim. Ata folën për një interes të përbashkët: gjuetinë. Prajsët gjithashtu u ulën me Takerët në aktivitetet e lagjes, u sollën atyre ushqime nga rezerva e tyre ushqimore kur Vëllai Taker qe pa punë dhe u dhanë mjaltë të prodhuar prej vetë koshereve të tyre. Mjalti është përbërësi i parapëlqyer i Takerëve për të lyer bukën e thekur. Ajo dhuratë e vogël, siç e përshkruan Vëllai Prajs atë, ishte “për të ëmbëlsuar marrëdhënien”.

Bërja e Gjërave të Vogla e të Thjeshta

Këshilla prej presidentit të tyre të kunjit gjithashtu i ndihmoi Takerët. Presidenti Dejvid Hip u kërkoi anëtarëve të kunjit të bënin “shtatë gjëra të vogla e të thjeshta”: (1) Lexoni shkrimet e shenjta personalisht çdo ditë; (2) lexoni shkrimet e shenjta të paktën pesë ditë në javë si familje; (3) bëni lutje vetjake çdo mëngjes e mbrëmje; (4) bëni lutje familjare çdo mëngjes e mbrëmje; (5) frekuentoni kishën çdo të dielë si familje; (6) mbani mbrëmje familjare në shtëpi çdo mbrëmje të hëne; dhe (7) frekuentoni tempullin çdo muaj.

Geri mund ta shihte se këto gjëra do ta ndihmonin familjen e tij të ishte më e bashkuar – diçka që ai e dëshironte shumë fort – kështu që Takerët filluan të bënin lutje familjare, studim të shkrimit të shenjtë dhe mbrëmje në shtëpi. Këto përpjekje e ndihmuan Gerin ta mirëpriste ftesën e peshkopit të tij për t’u përgatitur për të shkuar në tempull.

Në janar 2006 Takerët po merrnin pjesë në një mbrëmje shpirtërore në shtëpinë e peshkopit. Peshkopi Baçuk e tërhoqi mënjanë Gerin dhe i foli atij për tempullin. Tamam atje, Geri i dha peshkopit kutinë e tij me duhan për përtypje, që të mos mund të vazhdonte të ishte një tundim për të. Ai pati shumë pyetje për peshkopin atëherë dhe në intervistat pasuese. Peshkopi theksoi jetesën sipas besëlidhjeve që Geri kishte bërë në pagëzim, që të mund të ishte i denjë për Shpirtin.

Takerët filluan të shkojnë në klasat e përgatitjes për tempull dhe Xheniferi filloi të frekuentonte tempullin me lagjen e saj çdo muaj, për të kryer pagëzime për të vdekurit. Geri po punonte që të bëhej i denjë për të shkuar. Bija e tyre, Kodi, që atëherë ishte 11 vjeçe, qe e ngazëllyer që do të ishte në gjendje të shkonte së shpejti në tempull që të kryente pagëzime. Kur ajo mbushi 12 vjeç, Geri qe në gjendje të shkonte në tempull me të. Ishte hera e parë që secili prej tyre kishte qenë në tempull.

Kodi thotë: “Ishte e mrekullueshme. Atje ka shumë paqe. Babi im shkoi, kështu që qe një gjë edhe më e madhe.” Geri thotë se ai ndjeu “paqe dhe gëzim të pabesueshëm atë herë të parë”.

Të dielën tjetër në klasën e përgatitjes për tempull, Geri qe një njeri i ndryshëm. “Ai kishte ndier ndikimin e Shpirtit”, thotë Motra Elna Skofild, që ka dhënë mësim në atë klasë për disa vite. Geri qëndroi pas mësimit për të bërë pyetje. Ai e kishte ndier Shpirtin në tempull dhe dëshironte të kthehej – jo thjesht që të kryente pagëzime por që të merrte indaumentin e tij dhe të vulosej me familjen e tij.

Muajin tjetër Takerët e frekuentuan sërish tempullin me peshkopin dhe anëtarë të tjerë të lagjes.

Kapërcimi i Sprovave

Në javët përpara se Vëllai dhe Motra Taker të merrnin indaumentet e tyre dhe të vuloseshin, ata ndien kundërvënien e kundërshtarit. Geri po bënte përparim, por ende kishte dyshime mbi denjësinë e tij për të qenë në tempull. Ëndrra e tyre për një familje të përjetshme qe pranë, por e ndienin të paarritshme. Takerët e dinin se duhet të luteshin së bashku më shpesh, duke kërkuar forcë. “Ne gjithmonë e morëm atë në formën e paqes dhe sigurimit qetësues se të gjitha gjërat janë në duart e Zotit”, thotë Motra Taker. “Edhe në kohën kur ne ecëm brenda tempullit, Shpirti i Tij qetësues qe me të gjithë familjen tonë.”

Pasi Geri dhe Xheniferi morën indaumentet e tyre, ata u gjunjëzuan në dhomën e vulosjes me fëmijët e tyre, Kodi dhe Garet, të veshur në të bardha. Kur gjashtëvjeçari Garet pa mamin e tij që po qante, ai u zgjat që t’i fshinte lotët nga faqet. Geri e Kodi po qanin nga gëzimi gjithashtu. Edhe vulosësi qe i emocionuar.

Takerët thonë se familja e tyre tani gëzon marrëdhënie më të forta dhe komunikim më të mirë. Geri thotë: “Ne jemi më të lumtur. Gruaja ime dhe unë jemi më të bashkuar dhe fëmijët tanë e shohin këtë.” Geri ndien se është një shembull më i mirë për anëtarët e familjes së tij që nuk janë anëtarë të Kishës dhe shpreson se familje të tjera në lagjen e tij do të dëshirojnë po ato bekime që Zoti i ka dhënë Takerëve përmes tempullit.

Shënim

  1. Shih Preparing to Enter the Holy Temple (broshurë, 2002), f. 1.

Majtas: Fotografi e Tempullit të Billings në Montana nga Steve Bunderson; fotografi e pagëzimores së Tempullit të Billings në Montana nga Norman Childs; djathtas: Fotografi nga Drake Busath, © Busath Photography

Të lumtur që ndodhen në Tempullin e Billings në Montana në ditën e vulosjes së tyre, janë Geri, Xhenifer, Kodi dhe Garet Taker.

Anëtarë të Lagjes Thri Forks udhëtojnë me makina rregullisht për dy orë e gjysmë që të shërbejnë në Tempullin e Billings në Montana. Disa prej atyre që marrin pjesë janë të rritur që kryejnë pagëzime për të vdekurit ndërsa ata dhe bashkëshortet e tyre përgatiten të marrin indaumentet e tyre dhe të vulosen.

Fotografi me lejen dashamirëse të Takërve