2009
Të Kapemi pas Rrënjëve të Forta
Tetor 2009


Të Kapemi pas Rrënjëve të Forta

Melsida Hakobjan, Armeni

Kur isha një vajzë shkolle në Rusi, unë lexova një histori frikësuese mbi dy djem të cilëve u doli përpara një ari në pyll. Vite më vonë, pasi isha bërë mësuese, disa miq më kërkuan të shkoja me ta në një udhëtim për të mbledhur kërpudha. Pylli akoma më trembte, por pranova të shkoj me ta.

Duke u futur në pyll, unë kapa një shkop druri që të mund të mbrohesha në rast se do të më dilte përpara ndonjë ari. Miqtë e mi shpejt i gjetën kërpudhat ngjyrë kafe që po kërkonin. Unë, nga ana tjetër, po kërkoja kërpudha me majë të kuqe të ndritur, kështu që u nisa në një drejtim tjetër. Përpara se ta kuptoja unë ndodhesha vetëm.

Ndërsa isha duke kërkuar, rrëshqita dhe rashë. Shporta ime e kërpudhave fluturoi në ajër, por unë u mbajta fort tek shkopi im. Kur u përpoqa të ngrihem, vura re se toka ishte baltë dhe ngjitëse. Për tmerrin tim, kuptova se isha futur në një moçal! Çizmet e mija prej gome u mbushën me ujë dhe fillova të zhytem. Unë u përpoqa të lëviz këmbët e mija, por në vend që të çlirohesha, po futesha më thellë. Kur balta arriti në belin tim, më përfshiu një frikë e madhe.

Unë u thirra miqve të mi, por e vetmja përgjigje që dëgjova erdhi nga pilivesat zukatëse dhe bretkosat që kuaknin. Ndërsa po filloja të qaja kujtova befas nënën time. Sa herë që do të ndodhej në gjendje të keqe, ajo lutej. Ajo shpesh më ftonte të lutesha, por unë gjithnjë kundërshtoja, duke u përgjigjur: “Nuk ka Perëndi.”

Por në moçalin që po më varroste, nuk kishe çfarë të bëje tjetër veçse të luteshe dhe të thërrisje Perëndinë për ndihmë. “Nëse Ju jetoni, lutem të më ndihmoni!” Unë qava.

Thuajse menjëherë dëgjova një lloj zëri të më thoshte: “Ki besim dhe mos u tremb. Kapu pas rrënjëve të forta të pemës.”

Duke parë përreth, unë pashë rrënjën e një peme të madhe prapa meje. Duke përdorur shkopin tim, arrita të kapem në të. Diçka pastaj më dha fuqinë të dal nga moçali.

E mbuluar me baltë, unë rashë në tokë dhe falënderova Perëndinë që iu përgjigj lutjes sime. Unë tani besoja se Ai jetonte. Unë e ndjeva praninë e Tij e dëgjova zërin e Tij dhe Ai më pati dhënë fuqi të tërhiqem e të çlirohem.

Pak kohë më vonë, kur misionarët kohëplotë më mësuan se Profeti Jozef Smith kishte marrë përgjigje për lutjen e tij në Korijen e Shenjtë, unë u besova. Në fund të fundit, Perëndia i ishte përgjigjur lutjes sime në një pyll. Unë u kapa tek rrënjët e forta të ungjillit, u pagëzova shpejt më pas dhe shërbej sot në Degën e Gyumrit në Armeni.

Unë e di se Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe unë jam mirënjohëse që jam një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë jam gjithashtu mirënjohëse për shumë bekime të tjera që kam marrë nga Ati Qiellor, veçanërisht për përgjigjen e Tij ndaj lutjes së një ateisteje në pyll shumë vite më parë.

Kur balta arriti në belin tim, më përfshiu një frikë e madhe. Unë u thirra miqve të mi, por e vetmja përgjigje që dëgjova erdhi nga pilivesat zukatëse dhe bretkosat që kuaknin.