Unë? Një Bari në Izrael?
Unë kam qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në mijëra vizita kujdestarie. Unë dëshmoj për derdhjet e mrekullueshme të Shpirtit që shoqërojnë ato.
Një nga praktikat që dallon Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është që barinjtë i ka nga njerëzit e thjeshtë. Ne nuk kemi kler me pagesë në lagje, degë, kunje dhe distrikte të Kishës; përkundrazi, vetë anëtarët i shërbejnë njëri-tjetrit.
Secili anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një thirrje për të qenë bari në Izrael. Barinjtë-anëtarë shërbejnë në këshilla peshkopi dhe presidenci dege, si udhëheqës të priftërisë e të shoqatave të ndihmës, si punonjës zyre dhe sekretarë, si mësues të çdo lloji – përfshirë mësues të shtëpisë e të vizitave – dhe në pozicione të tjera të panumërta.
Barinjtë e ardhur nga njerëz të thjeshtë kanë disa gjëra të përbashkëta. Secili ka dele që t’i ushqejë, t’i nxisë e t’u shërbejë. Secili thirret nga Zoti nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të caktuar. Secili është përgjegjës para Zotit për kujdestarinë e tij apo të saj si bari.
Kërkimi i Deles së Humbur
Jozef Serzh Merilus la vendlindjen e tij Haiti në moshën 19-vjeçare dhe u transferua në Republikën Domenikane në 1980-ën, në kërkim për punë. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë ai u kthye në Haiti, ra në dashuri dhe u kthye në Republikën Domenikane me nusen e tij të re, Marie Rajmonde Esterlin.
Kur filluan jetën e tyre martesore së bashku në vendin e pranuar së fundmi, Jozefi përjetoi një uri shpirtërore. Ai dhe Maria vizituan disa kisha duke kërkuar të ngopnin atë uri, por si folës të gjuhës kreole haitiane në një vend spa-njisht folës, ata kishin vështirësi të kuptonin dhe të kuptoheshin. Së fundi, ata hasën dy misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, që i ftuan në kishë. Pasi Jozefi dhe Maria kishin marrë pjesë në disa mbledhje, misionarët me durim u mësuan diskutimet e tyre në spanjisht dhe ata u pagëzuan në shtator 1997.
Jozefi u thirr të shërbente në presidencinë e Shkollës të së Dielës, pastaj si këshilltar në presidencinë e degës dhe më vonë, si president dege. Por për shkak të një vargu keqkuptimesh dhe ndjenjash të lënduara, shumë prej të cilave si rezultat i komunikimit të keq, Jozefi, Maria dhe pesë fëmijët e tyre ranë në mosaktivizim dhe në përgjithësi u harruan nga anëtarët vendorë të Kishës.
Gjatë shtatë viteve pasuese, çifti pati katër fëmijë të tjerë dhe mirëpritën një nip e një mbesë prej Haiti në shtëpinë e tyre. Përmes përpjekjeve të shumta, Jozefi arriti të fliste rrjedhshëm spanjisht e anglisht dhe filloi të jepte mësim të gjuhëve anglishte dhe kreole haitiane për një kompani vendore.
Në gusht 2007, dy udhëheqës priftërie, në procesin e kërkimit të deles së humbur të Zotit, u shfaqën tek pragu i derës së familjes. Ata zbuluan se Jozefi dhe Maria kishin ende dëshmi të ungjillit, edhe pse nuk kishin marrë pjesë në mbledhje për shtatë vjet. Udhëheqësit e ftuan familjen të kthehej në kishë, gjë që ata e bënë pikërisht të nesërmen – që të 13 ata. Ata kanë vazhduar të marrin pjesë që atëherë.
Sot Jozefi është udhëheqës i misionit të degës në Barahona, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të Republikës Domenikane. Dy bijtë e tij më të mëdhenj gjithashtu shërbejnë në udhëheqjen e degës dhe nipi i tij, një plak i saposhuguruar, është president i Të Rinjve. Kohët e fundit familja udhëtoi për në tempull, ku ata u vulosën si një familje e përjetshme.
Thjesht mendoni për këtë, 13 dele të humbura tani u gjetën sepse dy barinj-anëtarë qenë të gatshëm ta kërkonin, ta ushqenin dhe ta sillnin përsëri këtë familje në vathën e Zotit. Ata u drejtuan në këtë shtëpi tamam ashtu si ju dhe unë do të drejtohemi kur kërkojmë delet e humbura që janë përgjegjësia jonë.
Unë kam qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në mijëra vizita kujdestarie. Unë dëshmoj për derdhjet e mrekullueshme të Shpirtit që shoqërojnë ato. Unë kam parë shumë dele të humbura të kthehen dhe kam ndier gëzimin që vjen kur ata mirëpriten sërish në vathë. Unë kam parë zemra të preken, bekime të shqiptohen, lotë të derdhen, dëshmi të jepen, lutje të bëhen e të marrin përgjigje dhe dashuri të shprehet. Unë kam parë jetë të ndryshojnë.
Ushqimi i Grigjave
Dikur mes viteve 592 dhe 570 p.e.s., Perëndia i foli profetit të Tij Ezekielit, në lidhje me barinjtë e shkujdesur. Për shkak të shpërfilljes së tyre, grigja ishte shpërndarë. Për këta barinj, Zoti tha:
“Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barijve: Kështu thotë Zoti, Zoti: … A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë? …
Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën. …
… Po, delet e mija janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t’i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes.
Kështu thotë Zoti, Zoti: … nuk do t’i lë t’i kullotin delet” (Ezekieli 34:2, 4, 6, 10).
Nga shumë anë, ne jemi bërë një kishë me bazë godinën kishtare. Ne bëjmë përpjekje të mëdha për të siguruar ushqim shpirtëror dhe emocional për ata që vijnë në kishë, por si i bëhet për ata që e kanë humbur rrugën e tyre për në godinën kishtare?
Nëse unë kam marrë një thirrje për të shërbyer në Kishë, atëherë unë kam dele për të cilat kam detyrimin hyjnor që t’u jap shërbesë e t’u shërbej. Për shembull, si mësues unë jam bari jo vetëm për ata që paraqiten për klasën time por gjithashtu për ata që nuk marrin pjesë. Unë kam përgjegjësin t’i gjej ata, t’i njoh ata, të jem miku i tyre, t’u shërbej për nevojat e tyre dhe t’i sjell përsëri në vathë.
Udhëheqja e Tyre për t’i Kthyer Sërish
Si barinj-anëtarë ne do të bënim mirë të kujtonim e të meditonim mësimet në Lluka 15. Në atë kapitull Zoti na mësoi shëmbëlltyrat e deles së humbur, të dhramisë së humbur dhe të djalit plangprishës. Që të treja ato lidhen me “atë që ishte humbur” dhe që u gjet përsëri. Në shëmbëlltyrën e deles së humbur, Zoti pyet:
“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?
Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;
dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.’
Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:4–7).
Në shëmbëlltyrë, vetëm një dele u end dhe humbi, por rrallë është kështu në lagjet e degët tona. Megjithatë, zbatimi i shëmbëlltyrës mbetet i njëjtë, pavarësisht numrit të deleve që kanë humbur nga vatha.
Shëmbëlltyra nuk tregon se sa kohë duhet për procesin e kthimit. Në përpjekjet tona si barinj, disa dele do të kthehen pas një vizite të vetme, ndërsa të tjera do të kërkojnë vite nxitjeje të vazhdueshme dhe të butë.
Gjatë procesit të rigjetjes së vëllezërve e motrave tona, le të mos harrojmë se delet që po “sjellim … përsëri në vathë” janë “të shtrenjta për zemrën e Bariut”1 Ai e njeh secilën prej tyre individualisht. Ai e do secilën prej tyre me një dashuri të përsosur. Sepse ato janë të Tijat, Ai do të na udhëheqë, do të na drejtojë dhe do të na frymëzojë në atë që të themi nëse do të kërkojmë dhe pastaj do të dëgjojmë zërin e Shpirtit. Përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, shumë do të përgjigjen pozitivisht, kur ne sinqerisht e përulësisht zgjatemi për ndihmë.
I kujtofshim përgjegjësitë tona si barinj që të mund t’i japim një llogari të mirë Zotit në lidhje me kujdestarinë tonë mbi delet që Ai i ka caktuar secilit prej nesh.