Pyetje & Përgjigje
“Në familjen time jam më i vogli me shumë vite diferencë. Ndihem përherë mënjanë nga veprimtaritë dhe bisedat e vëllezërve e motrave të mia. Çfarë mund të bëj që të përmirësoj marrëdhënien tonë?”
Kjo sfidë mund të jetë një mundësi për t’ua bërë të ditur vëllezërve e motrave tuaja se ju dëshironi të ndiheni më i përfshirë në jetën e tyre. Ndoshta ata nuk e dinë se ju ndiheni i lënë mënjanë. Ju gjithashtu mund të bisedoni me prindërit tuaj për këtë. Ata do të kenë disa ide të mira.
Sugjerojuni vëllezërve e motrave tuaja disa aktivitete që mund t’i bëni bashkë me ta dhe mendoni për tema për të cilat mund t’u flisni atyre. Mbani në mendje programet dhe interesat e tyre kur të planifikoni mënyra për të kaluar kohë me ta. Dëgjimi i tyre dhe paraqitja e interesit për aktivitetet e tyre jo vetëm që do të përmirësojë marrëdhënien tuaj me ta por edhe do t’ju ndihmojë të mësoni. Ata po kalojnë gjëra që ju mund t’i kaloni pas disa vitesh.
Kujtoni sa të rëndësishme janë familjet në planin e Atit Qiellor. Nëse luteni për ndihmën e Tij, Ai mund t’ju frymëzojë me ide për të përmirësuar marrëdhënien tuaj me vëllezërit e motrat tuaja. Kini kurajë të veproni sipas nxitjeve që merrni.
Bisedoni me Ta
Në familjen time, unë jam më e vogla me shumë vite diferencë, por ajo që kam zbuluar është se vëllezërit e motrat e mia dëshirojnë të më njohin po aq sa unë dëshiroj t’i njoh ata. Vëllezërit e motrat tuaja ndoshta do të kënaqen nëse ju iu telefononi thjesht për të biseduar apo i ftoni që të hani jashtë ndonjëherë. Tregojuni atyre se çfarë po ndodh në jetën tuaj. Do të ketë shumë kuptim për ata që ju ndiheni mjaftueshëm rehat sa të ndani mendimet e ndjenjat tuaja me ta. Gjithashtu flisni me ta për tema shpirtërore. Do t’ju ndihmojë të afroheni jo vetëm me ta por edhe me Atin tuaj Qiellor.
Kelsi H., 16 vjeçe, Alberta, Kanada
Të Jeni një Shembull i Mirë
Edhe unë e kam provuar këtë situatë të vështirë. Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të jemi një shembull për vëllezërit e motrat tona më të mëdhenj. Në këtë mënyrë, dashuria e paqja mund të banojnë mes nesh. Ne duhet t’ua themi atyre se sa shumë i duam dhe duhet të përpiqemi të jemi të bashkuar si familje. Shpejt a vonë ata do ta kuptojnë se sa shumë i duam. E di se këto gjëra do të funksionojnë hap pas hapi.
Ádám B., 16 vjeç, Gyor-Moson-Sopron, Hungari
Kaloni Kohë së Bashku
Nganjëherë është e vështirë të kalojmë kohë me vëllezërit e motrat më të mëdhenj për shkak të shkollës dhe aktiviteteve të tjera të përditshme. Por kur të mundeni, thjesht shkoni e flisni me ta, tregojuni atyre për ditën tuaj dhe shihni se çfarë po bëjnë. Nëse po përjetoni shqetësime për diçka, mund të kërkoni mendimin e tyre kështu që ata ta dinë se ju i vlerësoni idetë e tyre. Trajtojini ata në atë mënyrë si do të dëshironit që ata t’ju trajtonin juve. Ju mund të luani dhe të kaloni kohë së bashku – kjo ndihmon shumë. Ju gjithashtu duhet t’ua thoni atyre se sa shumë i doni. Por më e rëndësishmja, lutuni. Ati Qiellor do t’ju ndihmojë gjithmonë.
Katerina M., 14 vjeçe, Ajdaho, SHBA
Trajtojini Ata me Mirësi
Si fëmija më i vogël i familjes sime, nganjëherë ndihem mënjanë nga veprimtaritë dhe bisedat e vëllezërve e motrave të mia dhe për mua kjo është lënduese. Por kur mendoj për Jezu Krishtin, e kuptoj se, duke ndarë vlera të përbashkëta me familjen time, ne mund të forcojmë e nxisim njëri-tjetrin. Trajtoni gjithkënd me mirësi dhe dinjitet. Tregoni interesim për ta dhe bëjuani të ditur se shqetësoheni për ta.
Jozef M., 16 vjeç, Leite, Filipine
Kënaquni me Çdo Çast së Bashku
Nganjëherë ndihem i harruar sepse motrat e mia kanë aktivitetet e tyre, ashtu si dhe prindërit e mi. Me kalimin e kohës, kam arritur të kuptoj se të gjithë ata më duan mua dhe nuk është se nuk dëshirojnë të kalojnë kohë me mua, por se çdo situatë e ka një kohë. Është e rëndësishme të kënaqeni me çdo çast që mund të jeni me ta, të qeshni, të jeni të sjellshëm, të jeni të dashur dhe, mbi të gjitha, t’u tregoni atyre dashurinë tuaj. Është e rëndësishme që ju të luteni dhe t’i kërkoni Atit tonë t’ju ndihmojë të jeni pranë vëllezërve e motrave tuaja. Ai do t’ju dëgjojë e ndihmojë.
Roberto S., 18 vjeç, Santiago, Kili
Kaloni Kohë Duke Biseduar
Unë jam më e vogla e shtatë fëmijëve. Kur isha më e vogël, u ndieva e lënë mënjanë, por gjithashtu kuptova se ata më duan, edhe më shumë nga sa e mendoja. Ndoshta ju nuk mund të lidheni me ta tamam tani, por koha më e mirë që kam kaluar me vëllezërit e motrat e mia ishte duke biseduar. Unë e kuptova se ata kishin mjaft besim tek unë dhe është ende kështu. Që të bisedoja me ta, unë do të përpiqesha t’i ndihmoja ata për detyrat e tyre, të isha e mirë me ta, të shmangia inatosjen me ta dhe të bashkohesha me ta që ata të mund të më ndihmonin. Kjo më ndihmoi të ndihesha e përfshirë dhe se më donin.
Maria H., 19 vjeçe, Qyteti i Meksikos, Meksikë