2009
Bekimet e Shërbesës
Tetor 2009


Bekimet e Shërbesës

Anëtarët e Kishës bekojnë jetë dhe forcojnë dëshmi kur ndjekin shembullin e Shpëtimtarit të shërbesës ndaj të tjerëve.

Shërbesa shembullore e Presidentit Tomas S. Monson njihet mirë mes anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për më shumë se gjashtë dekada ai ka ndihmuar ata në nevojë, duke u dhënë ngushëllim dhe paqe individëve të panumërt dhe duke u shërbyer personalisht të sëmurëve dhe të pikëlluarve.1

“Sot ka zemra për t’i gëzuar, ka veprime për t’i kryer – madje shpirtra të çmuar për t’i shpëtuar”, ka deklaruar Presidenti Monson. “I sëmuri, i lodhuri, i urituri, i ftohuri, i fyeri, i vetmuari, i moshuari, endacaku, të gjithë thërrasin për ndihmë.”2

Në shërbesën e tij vetjake, Presidenti Monson ka treguar ndryshimin midis administrimit dhe shërbesës. Anëtarët e Kishës administrojnë programe dhe ordinanca, por ata u shërbejnë individëve, duke i dashur e duke u shkuar në ndihmë. Duke i ndihmuar të tjerët, Presidenti Monson ka ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, i cili “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” (Marku 10:45).

Ashtu si ilustrojnë katër ndodhitë në vijim, shenjtorët e ditëve të mëvonshme që [shkojnë] dhe [bëjnë] kështu” (Lluka 10:37) bekojnë të tjerët, Kishën dhe vetveten.

Samaritania me Brumin e Petullave

Shërimi im pas një operacioni të vogël nuk qe aq i lehtë sa e kisha pritur. Por si presidentja e Shoqatës së Ndihmës së lagjes, ndieja se duhet t’u jepja ndihmë të tjerëve, jo ta kërkoja atë. Të hënën në mëngjes, tri ditë pas operacionit tim, më duhej të ngrija nga gjumi shtatë fëmijë dhe t’i përgatisja për shkollë. Po vrisja mendjen nëse do të më duhej të mbaja në shtëpi bijën më të madhe që të më ndihmonte për foshnjën.

Ndërsa këto mendime më shkuan në mendje, ra zilja e derës. Viki Udard, këshilltarja ime e parë dhe një mikeshë e mirë, kishte ardhur për të ndihmuar. Ajo njoftoi se kishte ardhur për të bërë petulla. Kishte një tas me brumë në dorë dhe pyeti se ku mund të gjente një tigan. Fëmijët u lumturuan.

Pas mëngjesit, Viki i çoi fëmijët në shkollë, pastroi dhe mori foshnjën në shtëpinë e saj deri në kohën e dremitjes së tij në mesditë. Më vonë, kur e pyeta se kush po kujdesej për vetë fëmijët e saj të vegjël, ajo më tha se bashkëshorti i saj kishte marrë nja dy orë leje nga puna që ajo të mund të më ndihmonte mua.

Shërbimi i Vikit dhe i bashkëshortit të saj atë ditë më lejuan të mblidhja forcat dhe kontribuan për shërimin tim.

Beverli Ashkroft, Arizonë, SHBA

Më të Voglit të Këtyre

Një ditë, kur isha e vetme në shtëpi me birin tim më të vogël, rrëshqita në një hap dhe rashë. Dhimbja e barkut që vijoi, vazhdoi për disa ditë, kështu që shkova të më vizitonte një doktor.

Isha shtatzënë në atë kohë dhe analizat treguan se më ishte shkëputur placenta. Kjo gjendje kërkoi pushim të plotë, ose mund të humbisja foshnjën.

U shqetësova sepse kishim tre fëmijë të vegjël dhe nuk kishim mundësi të paguanim për ndihmë. Megjithatë, motrat e degës sonë e zbuluan gjendjen time dhe, pa ua kërkuar, më erdhën në ndihmë. Ato u organizuan në tre grupe që më ndihmuan në mëngjes, pasdite dhe mbrëmje.

Ato erdhën që të lanin, të hekurosnin, të gatuanin, të pastronin dhe të ndihmonin fëmijët e mi për detyrat e tyre të shtëpisë. Një motër që quhej Rut, që qe pagëzuar në Kishë në kohën kur unë isha ngujuar në shtrat, u bë e mirënjohur në shtëpinë tonë. Ruti, infermiere, më ndihmoi natën dhe më bëri injeksionet e nevojshme.

Nuk më duhej të kërkoja ndonjë gjë; këto motra i parashikuan nevojat e mia dhe u kujdesën për gjithçka. Kur kishin më tepër ndihmë se ç’u duhej, një motër do të ulej e do të më bënte shoqëri. Ato e bënë këtë për tre muaj.

Këto motra më dhanë forcë, dashuri dhe përkushtim. Ato dhanë nga koha dhe talentet e tyre. Ato bënë sakrifica që të ishin aty. Ato asnjëherë nuk kërkuan ndonjë gjë si këmbim. Ato më deshën dhe shërbyen, duke ndjekur shembullin e Zotit, që na mësoi: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40).

Enilce do Rosio Ferreira da Silva, Paraná, Brazil

Thjesht Sillmë Rrobat e Tyre

Kur bashkëshorti im, Brendon, qe në Orlando në Florida për punë, ai u zgjua një natë me temperaturë të lartë dhe vështirësi frymëmarrjeje. Ai thirri një ambulancë që ta çonte në spital, ku mësoi se kishte një rast serioz pneumonie.

Meqenëse Brendoni dhe unë kishim bij të mitur, unë nuk mund të shkoja menjëherë nga shtëpia jonë në Pensilvani për në Floridë. I telefonova Brendonit çdo ditë, duke shpresuar që të përmirësohej që të mund të kthehej tek ne.

Megjithatë, gjendja e Brendonit u përkeqësua. Kur një infermiere në spital më nxiti të shkoja në spital sa më shpejt të ishte e mundur, fillova të mendoj se cili mund të qe në gjendje të kujdesej për djemtë tanë.

Nëna ime ra dakord të merrte leje nga puna dhe tha se do të vinte sa më shpejt që të mundej, por avioni ku duhej të hipja, nisej përpara se të arrinte ajo. U telefonova disa mikeshave për të parë nëse ato mund të mbikëqyrnin djemtë derisa të arrinte nëna ime. Një mikeshë nga Shoqata e Ndihmës, Xheki Olds, tha se do të ishte e lumtur t’i mbikëqyrte ata.

“Thjesht sillmë rrobat e pelenat e tyre”, tha ajo, “dhe do t’i mbaj unë për gjithë ditët që do të të duhet të shkosh.”

Fillova të kundërshtoj sepse kjo motër, me tre fëmijë për vete, kishte një jetë të zënë me punë, por ajo këmbënguli. Kur i zbrita djemtë tanë nga makina pak më vonë, ajo më ngushëlloi duke thënë: “Mos u shqetëso për ata. Shqetësohu që ta përmirësosh Brendonin dhe ta sjellësh në shtëpi. Jam kujdesur për fëmijë të mitur më parë.”

E dija atëherë se djemtë do të ishin të sigurt, të gëzuar dhe për ta do të kujdeseshin mirë, siç u kujdesën. Unë qeshë në gjendje të qëndroja me bashkëshortin tim, që qe seriozisht i sëmurë në kohën kur arrita në spital. Por pas disa ditësh, ai qe mjaftueshëm mirë sa të kthehej në shtëpi.

Jam mirënjohëse për një mike të mirë që u përgjigj – shumë më tepër nga sa do t’i kisha kërkuar asaj – dhe na shërbeu në një kohë nevoje.

Keli Parks, Pensilvani, SHBA

Shërbim Pranë një Shtrati

Vëllai Anderson, 35-vjeçari energjik, president i Të Rinjve të lagjes, ishte ai lloj udhëheqësi të rinjsh që gjithkush e admiroi: misionar i kthyer, baba i pesë fëmijëve, pronar biznesi, i ri në zemër. Por tani ai kishte leuçemi. Pasi mori këtë lajm nga peshkopi, Rajën Hill, ndihmësi i parë i kuorumit të priftërinjve, u hodh në veprim, duke i telefonuar çdo prifti aktiv dhe më pak aktiv në kuorumin e tij.

“Ne do të shkojmë në spital që të shohim Vëllain Anderson. Na duhet gjithësecili. A mund të vish?” përsëriti ai gjatë çdo telefonate.

“Nuk jam i sigurt nëse mund të vij”, tha një prift. “Mund të më duhet të punoj.”

“Atëherë do të presim derisa të mbarosh punën”, u përgjigj Rajëni. “Kjo është diçka që duhet ta bëjmë së bashku.”

“OK”, tha anëtari i kuorumit. “Po shoh nëse mund ta ndërroj turnin me dikë tjetër.”

Të 11 priftërinjtë shkuan në spital. Ata që qenë më pak aktivë dhe ata që nuk kishin humbur asnjëherë ndonjë mbledhje të diele, ishin atje. Së bashku, ata qeshën, e qanë, e u lutën, e bënë plane për të ardhmen. Në muajt në vijim, ata programuan kohë për t’i fërkuar këmbët Vëllait Anderson kur qarkullimi i tij i gjakut qe i vështirë, dhuruan me radhë pllakëza gjaku gjatë sesioneve dy orëshe që ai të merrte vetëm nga gjaku i tyre, dhe madje udhëtuan 20 milje (32 km) një natë mbrëmjeje shkolle me shoqërueset e tyre (përfshirë dy të reja që nuk ishin anëtare të Kishës) për tek shtrati i tij në spital që ai të mund të ndante përvojat e tyre të shkollës së mesme.

Në ditët e tij të fundit, Vëllai Anderson u kërkoi atyre të shërbenin misione, të martoheshin në tempull dhe të mbanin kontakte me njëri-tjetrin. Më shumë se një duzinë vitesh më vonë, të kthyer në shtëpi nga misionet e tyre, të martuar në tempull dhe duke krijuar vetë familjet e tyre, ata ende kujtojnë këto përvoja shpirtërore shërbimi të çasteve vendimtare së bashku me udhëheqësin e tyre të dashur.

Norman Hill, Teksas, SHBA

Shënime

  1. Shih Kuentin L. Kuk, “Vërini Veshin Fjalëve të Profetëve”, Liahona, maj 2008, f. 49–50.

  2. Thomas S. Monson, “Your Jericho Road,” Tambuli, shtator 1989, f. 6.

Ilustrimet nga Gregg Thorkelson