Koha E PËRBASHKËT
Ne Besojmë se Familja Është Shuguruar nga Perëndia
“Familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”).
Amalikia ishte një njeri i lig. Ai u premtoi nefitëve shumë gjëra nëse do ta bënin mbret. Shumë njerëz i besuan dhe u larguan nga drejtësia.
Moroni ishte komandanti i ushtrive nefite. Ai ishte i drejtë dhe besonte në Jezu Krisht. Kur Moroni dëgjoi që shumë njerëz po drejtoheshin në rrugë të gabuar nga Amalikia, Moroni u zemërua me të. Ai e dinte se njerëzit ishin në rrezik të humbisnin lirinë.
Moroni grisi një copë të pelerinës së tij dhe shkroi në të: “Në kujtim të Perëndisë tonë, fesë sonë, lirisë sonë dhe të paqes sonë, të bashkëshorteve tona dhe të fëmijëve tanë” (Alma 46:12). Ai e nguli në majë të një shtize dhe e quajti atë titulli i lirisë. Pastaj u lut për njerëzit dhe i vizitoi ata, duke valëvitur titullin e lirisë dhe duke u bërë thirrje nefitëve të bashkoheshin me të në mbrojtje të lirisë së tyre. (Shih Alma 46:1–21.)
Ju jetoni në një kohë kur ka njerëz si Amalikia që duan të na çojnë larg zbatimit të planit të Atit Qiellor. Një nga pjesët më të rëndësishme të atij plani është familja.
Ati Qiellor do që anëtarët e Kishës ta kuptojnë planin e Tij për familjet. Presidencia e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve shkroi: “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” për të deklaruar atë që ne besojmë mbi familjet. Si edhe titulli i lirisë, proklamata mund të na nxisë të kujtojmë dhe të shpjegojmë atë që besojmë.
Aktivitet
Hiqni faqen M4 dhe ngjiteni në një letër më të trashë. Vareni proklamatën në një vend ku familja juaj mund ta shohë dhe të kujtohet për rëndësinë e forcimit të njëri-tjetrit.
Ide mbi Kohën për të Ndarë
-
“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” është një zbulesë e ditëve moderne. U thoni fëmijëve të vërejnë sa herë dëgjojnë fjalët “zbulon” ose “zbuluar” kur përsërsin së bashku nenin e nëntë të besimit. U mësoni se Perëndia vazhdon t’u zbulojë vullnetin e Tij fëmijëve të Tij. Ky komunikim nga Perëndia quhet zbulesë. U jepni një kopje të “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” çdo fëmije dhe shpjegoni se proklamata është zbulesë e dhënë në ditët tona nëpërmjet shërbëtorëve të zgjedhur të Perëndisë. Jepni në çdo klasë një fjali apo frazë të ndryshme nga proklamata me disa fjalë që mungojnë. I bëni ata të punojnë së bashku për të plotësuar mungesat me fjalët e duhura. Për shembull: është në e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij.” Ftoni secilën klasë të ngrihet dhe të recitojë frazën ose fjalinë e saj të plotësuar. Këndoni vargun e parë të “Familja Vjen prej Perëndisë” (Liahona, tetor 2008, M12–M13). Theksoni se proklamata mbi familjen është zbulesë nga Perëndia dhe ne duhet t’i kuptojmë dhe jetojmë mësimet e saj. Mblidhni kopjet e proklamatës; ju do t’i përdorni ato përsëri në javën e tretë.
-
“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” jep mësim mbi rëndësinë e martesës. Ftoni disa anëtarë të lagjes ose të degës të miratuar nga peshkopi ose nga presidenti i degës për të marrë pjesë në një panel diskutimi mbi rëndësinë e martesës (shih “Diskutimet e Panelit,” Teaching, No Greater Call [1999], f. 175–76). Qysh përpara u jepni atyre pyetjet që do t’u drejtoni. Shembuj: Si ju ka bekuar ju dhe bashkëshorten/in tuaj Ati Qiellor? A mund të tregoni një histori mbi një mësimdhënie të ungjillit që ju ka ndihmuar të jeni një bashkëshorte (ose bashkëshort) i mirë? Çfarë mund të bëjnë fëmijët tani për t’u përgatitur për t’u martuar një ditë? Ju mund të dëshironi të sugjeroni që pjesëmarrësit të rishikojnë “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës.” I lini me radhë fëmijët të zgjedhin dhe të lexojnë një pyetje. U thoni anëtarëve të panelit të zgjedhin vullnetarisht përgjigjet e tyre. Jepni dëshmi për rëndësinë e martesës në planin e Atit Qiellor.