Të Jemi të Matur Në të Gjitha Gjërat
Të mësosh të jesh i matur në të gjitha gjërat, është një dhuratë shpirtërore që mundësohet nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Jozef Smithit, Zoti udhëzoi: “Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri, duke patur besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, duke qenë i matur në gjithë gjërat, çfarëdo që do t’i besohet kujdesit të tij”1.
Udhëzimi që të jemi të matur në të gjitha gjërat, gjen zbatim tek secili prej nesh. Ç’është maturia dhe pse do të dëshironte Zoti që të jemi të matur? Një përkufizim i ngushtuar mund të ishte “të ushtrosh vetëpërmbajtje në konsumin e ushqimit dhe të pijes”. Në të vërtetë, ky kuptim i maturisë mund të ishte një recetë e mirë për mbajtjen e Fjalës së Urtësisë. Nganjëherë maturia mund të përkufizohet si “vetëpërmbajtje nga zemërimi ose të mos humbësh vetëzotërimin”. Këto përkufizime, sidoqoftë, janë vetëm disa nga mënyrat e përdorimit të kësaj fjale në shkrimet e shenjta.
Në një kuptim shpirtëror, maturia është një tipar hyjnor i Jezu Krishtit. Ai dëshiron që secili prej nesh ta zhvillojë këtë cilësi. Të mësosh të jesh i matur në të gjitha gjërat, është një dhuratë shpirtërore që mundësohet nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Kur Apostull Pali përshkroi në letrën e tij për galatasit disa fryte të caktuara të Shpirtit, ai foli për “[dashurinë, gëzimin, paqen, durimin, mirëdashjen, mirësinë, besimin, zemërbutësinë dhe vetëkontrollin]”2.
Kur Pali i shkroi Titit, duke i përshkruar tiparet e domosdoshme të një peshkopi për të ndihmuar në këtë punë, tha se peshkopi duhet “[të jetë] jo arrogant, jo zemërak, … [por] i përmbajtur”3. Të jesh i matur, do të thotë të përdorësh masë në gjithçka ose të ushtrosh vetëkontroll.
Kur Alma i Riu jepte mësime në tokën e Gideonit, ai tha:
“Unë besoj se ju nuk jeni ngritur në kryelartësinë e zemrave tuaja; po, unë besoj se ju nuk i keni vënë zemrat tuaja mbi pasuri dhe mbi gjërat e kota të botës… . ”4
“Unë do të doja që ju të jeni të përulur dhe të nënshtruar dhe të butë; të lehtë për t’u mësuar; plot durim dhe këmbëngulje; duke qenë të matur në të gjitha gjërat”5.
Në një mesazh të mëvonshëm Alma udhëzoi të birin Shiblon, dhe më tej na udhëzon të gjithëve që të “[vëmë] re të mos [ngrihemi] në krenari”6. Përkundrazi, ne duhet “të [jemi të] zellshëm dhe [të] përmbajtur në të gjitha gjërat”7. Të jemi të përmbajtur, do të thotë të shqyrtojmë shpresat dhe dëshirat tona, të jemi të zellshëm e të duruar në përpjekjen për të arritur synime të drejta.
Disa vite më parë, kur po ngisja makinën për t’u kthyer në shtëpi nga puna, një kamion i madh, që udhëtonte në drejtim të kundërt, humbi një nga gomat e rrotave të dyfishta. Goma kërceu sipër paretit ndarës të korsive tona. Ajo erdhi me të hedhura deri në krahun tim të rrugës. Makinat në të dyja drejtimet i shmangeshin, shoferët s’dinin se cilin drejtim do të merrte goma pas çdo kërcimi. Unë u shmanga majtas kur duhej të shmangesha djathtas, dhe goma e mbylli kërcimin drejt e në qoshe të xhamit tim mbrojtës.
Një mik i telefonoi bashkëshortes sime për ta njoftuar për aksidentin. Ajo më vonë më tha se mendimi i parë i saj ishin prerjet e shkaktuara nga xhami i copëtuar. Vërtet, isha i mbuluar nga copërat e thërrmuara të xhamit të thyer, por nuk pësova as gërvishtjen më të vogël. Kjo, pa dyshim, ishte jo nga aftësia ime si shofer, por më shumë ngaqë xhami i makinës sime të vogël ishte prej qelqi të kalitur.
Xhami i kalitur, sikurse çeliku i kalitur, kalon në një proces nxehjeje shumë të kontrolluar, i cili e rrit fortësinë. Kështu, kur xhami i kalitur ndodhet nën trysni, nuk thyhet lehtë në copëra majëmprehta që mund të lëndojnë.
Në të njëjtën mënyrë, një shpirt i kalitur - që është i përulur dhe plot dashuri - është gjithashtu një person me forcë të rritur shpirtërore. Me forcën e rritur shpirtërore ne jemi në gjendje të zhvillojmë vetëkontrollin dhe të jetojmë të përkorë. Mësojmë të kontrollojmë, apo të zbusim, zemërimin, kotësinë dhe krenarinë tonë. Me forcën e rritur shpirtërore ne mund të mbrohemi nga teprimet e rrezikshme dhe varësitë shkatërrimtare të botës së sotme.
Të gjithë kërkojmë paqe të mendjes dhe të gjithë dëshirojmë siguri e lumturi për familjet tona. Nëse ne kërkojmë perspektiva premtuese në këtë rënie ekonomike të vitit të kaluar, ndoshta provat me të cilat janë përballur disa, na kanë mësuar se paqja e mendjes, siguria dhe lumturia nuk vijnë nga blerja e një shtëpie apo grumbullimi i pronave për të cilat borxhi i shkaktuar është më i madh se ç’lejojnë kursimet apo të ardhurat tona.
Ne jetojmë në një botë të paduruar e të papërmbajtur, plot pasiguri dhe grindje. Ajo i ngjan komunitetit të të kthyerve në besime të ndryshme në të cilin jetonte Jozef Smithi kur ishte një djalë 14-vjeçar, i cili kërkonte përgjigjet e pyetjeve të tij. Jozefi i ri tha: “Të gjitha ndjenjat e tyre të mira për njëri-tjetrin, nëse kishin patur ndonjëherë, u humbën plotësisht në një zënie fjalësh dhe ndeshje mendimesh”7.
Siguria për familjet tona vjen nga të mësuarit e vetëkontrollit, shmangia e teprimeve të kësaj bote dhe duke qenë të matur në të gjitha gjërat. Paqja e mendjes vjen nga forcimi i besimit tek Jezu Krishti. Lumturia vjen duke qenë të zellshëm në mbajtjen e besëlidhjeve të bëra në pagëzim dhe në tempujt e shenjtë të Zotit.
Çfarë shembulli më të mirë kemi për maturinë, se Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin?
Kur zemrat tona janë nxitur në zemërim nëpërmjet debatimit dhe grindjes, Shpëtimtari na mësoi se duhet “të [pendohemi] dhe të [bëhemi] si një fëmijë i vogël”8. Ne duhet të pajtohemi me vëllain tonë dhe të vijmë drejt Shpëtimtarit me qëllim të plotë të zemrës9.
Kur të tjerët janë të ashpër, Jezusi na mësoi që “mirësia ime nuk do të largohet prej teje”10.
Kur na kundërvihet mundimi, Ai tha: “Ji i duruar në mundime, mos i shaj ata që të shajnë. Qeverise shtëpinë tënde me butësi dhe qëndro besnik.”11
Kur jemi të shtypur, ne mund të ngushëllohemi duke ditur se “ai ishte i shtypur dhe ishte i pikëlluar, por nuk e hapi gojën”12. “Me siguri, ai ka mbajtur brengat tona dhe qe i ngarkuar me dhimbjet tona.”13
Kur Jezu Krishti, më i madhi i të gjithëve, vuajti për ne aq sa i doli gjak nga çdo pór, Ai nuk shprehu gjatë vuajtjes zemërim apo sharje. Me vetëpërmbajtje, ose maturi, të pakalueshme mendimet e Tij nuk ishin për Veten, por për ju dhe mua. Dhe atëherë, me përulësi dhe plot dashuri, Ai tha: “Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”14.
Gjatë vitit që shkoi, pata privilegjin t’u jepja dëshmi shenjtorëve dhe miqve nëpër Azi për të vërtetën e Shpëtimtarit tonë dhe Rivendosjen e ungjillit. Shumica e tyre janë brezi i parë i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të cilët jetojnë atje ku Kisha është e re. Ky udhëtim i ditëve të mëvonshme në mbretërinë e tyre, të kujton atë që është përjetuar së djeshmi nga shenjtorët e parë të ditëve të mëvonshme.
Në këtë botë të mrekullueshme larmie në Azi, ku anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë një pjesëz e vogël e një përqind të popullsisë së madhe, kam arritur ta vlerësoj më shumë tiparin krishtëror të maturisë. I dua dhe i nderoj këta shenjtorë të cilët më kanë mësuar nëpërmjet shembullit se ç’do të thotë të jesh i përulur dhe plot dashuri, “duke qenë i matur në gjithë gjërat, çfarëdo që do t’i besohet kujdesit të [tyre]”15. Nëpërmjet tyre kam arritur të kuptoj më mirë dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.
Ju lë dëshminë time që Shpëtimtari jeton dhe që dhurata e Tij hyjnore e maturisë është e mundshme për çdo fëmijë të Perëndisë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.