Herët në Mëngjesin e së Dielës
Këta të rinj të Fixhit ngrihen herët dhe bëjnë një rrugë të gjatë, por ata e bëjnë detyrën e tyre me entuziazëm.
Është mbrëmje e së shtunës në Lagjen Vaila të Kunjit Nausori të Fixhit. Përgjegjësitë e ditës janë kryer dhe mbajtësit e Priftërisë Aarone janë përgatitur për Shabatin dhe tani janë mbledhur te shtëpia e Vëllait dhe Motrës Maiviriviri. Është mundësi për ta që të hanë një vakt të thjeshtë para fillimit të agjërimit të tyre – duke vijuar me gjumin e mbrëmjes mbi rrogozë në shtëpinë e familjes Maiviriviri.
Mëngjesi për këta të rinj të Priftërisë Aarone vjen herët. Shumë më përpara agimit ata ngrihen shpejt, veshin këmishët e bardha e kravatat dhe pantallonat e tyre të errëta dhe nga ora 6:00 largohen nga shtëpia e Vëllait dhe Motrës Maiviriviri dy nga dy – ashtu si misionarët. Secila nga këto dyshe ka një rrugë të veçantë për të përshkuar që të arrijë në kishë në orën 10:00, kur fillon mbledhja e priftërisë. Përgjegjësia e tyre është të ndalojnë tek shtëpia e secilit anëtar në rrugën e tyre dhe t’i ftojnë për të kontribuar me oferta agjërimi.
Këta të rinj ecin tre milje (5 km) nga shtëpia e familjes Maiviriviri, që ndodhet në njërin skaj të lagjes, deri te godina e mbledhjeve në skajin tjetër të saj. Kjo është një mundësi për të përmbushur detyrën e tyre dhe për t’i ftuar anëtarët e Kishës të marrin pjesë në punën e madhe të përkujdesjes për të vejat dhe për vëllezërit e motrat e tyre duke kontribuar me oferta agjërimi. Presidenti Alipate Tagidugu i Kunjit Nausori të Fixhit u shpreh se, si rezultat i kësaj përpjekjeje të Priftërisë Aarone, kontributet e ofertave të agjërimit u shtuan me 20 përqind.
Po aq e rëndësishme, këta të rinj kanë një mundësi për të përmbushur detyrën e tyre e për të ndihmuar që anëtarët e lagjes t’i mbajnë besëlidhjet e tyre të bëra në pagëzim:
“Pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrët e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –
Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlboheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme” (Mosia 18:8–9).
Për këta të rinj të shkëlqyer, mbledhja e ofertave të agjërimit nuk është një barrë, por një bekim. Ata veshin me gëzim këmishët e tyre të bardha dhe kravatat, me padurim ngrihen herët dhe vullnetarisht trokasin në dyert e anëtarëve në orët e para të mëngjesit për t’i ftuar që të marrin bekimet të cilat vijnë nga dhënia e ofertës bujare të agjërimit.
Ndërsa vështroja sesi këta të rinj përgatiteshin si mbajtës të priftërisë për detyrën e tyre dhe e përmbushnin atë, mendova se ç’bekim i mrekullueshëm që do të jetë për ta gjatë gjithë jetës të kuptojnë domethënien e përpjekjeve të tyre në dhënien e ftesës anëtarëve të Kishës për të ardhur më pranë Shpëtimtarit nëpërmjet dhënies së ofertave të agjërimit. Sa misionarë më të mirë që do të jenë ata dhe sa bashkëshortë e etër më të mirë që do të jenë ata si rezultat i përpjekje të tyre priftërore.
Ata do të kuptojnë më mirë këtë shkrim të shenjtë për popullin e Zotit: “Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18).