Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shtator 2010
Përgjegjësia Jonë për të Edukuar Brezin e Ri
Studiojeni këtë material dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.
Nga Shkrimet e Shenjta
Fjalët e Urta 22:6; Efesianëve 6:4; Enosi 1:1; Alma 53:20–21; 56:47; 57:27
Pa edukim, brezi ynë i ri mund të ishte në rrezikun që të bëhet si ai i përshkruar në Mosia 26. Shumë nga brezi i ri nuk besonin traditën e etërve të tyre dhe u bënë një popull i veçuar nga pikëpamja e besimit të tyre dhe qëndruan të tillë edhe më pas. Brezi ynë i ri mund të largohet po ashtu nëse nuk e kuptojnë pjesën e tyre në planin e Atit Qiellor.
Pra, çfarë është ajo çka do ta mbajë të sigurt brezin e ri? Në Kishë, ne japim mësim parime shpëtuese dhe ato parime janë parime të familjes, parimet që do ta ndihmojnë brezin e ri të formojë një familje, t’i japë mësim asaj familjeje dhe ta përgatisë atë familje për ordinancat e besëlidhjet – dhe pastaj brezi tjetër do t’i japë mësim tjetrit e kështu me radhë.
Si prindër, udhëheqës dhe anëtarë të Kishës, ne po e përgatisim këtë brez për bekimet e Abrahamit, për tempullin. Ne kemi përgjegjësinë të jemi shumë të qartë mbi pikat kyçe të doktrinës që gjenden në proklamatën mbi familjen. Mëmësia dhe atësia janë role dhe përgjegjësi të përjetshme. Secili prej nesh mbart përgjegjësinë për rolin si mashkull ose si femër sipas planit.
Ne mund ta japim mësim këtë doktrinë në çfarëdo mjedisi. Ne duhet të flasim plot respekt për martesën dhe familjen. Dhe nga shembulli ynë, brezi i ri mund të marrë shpresë dhe kuptueshmëri të madhe – jo thjesht nga fjalët që themi, por nga mënyra si e ndiejmë dhe e rrezatojmë shpirtin e familjes.
Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.
Nga Historia Jonë
Duke iu drejtuar motrave në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, më 23 shtator 1995, Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Bota ku jetojmë është një botë trazirash, vlerash të ndryshueshme. Zëra të lartë na joshin të bëjmë shumë gjëra që tradhëtojnë standardet e sjelljes të provuara nga koha”1. Presidenti Hinkli pastaj vazhdoi duke iu paraqitur motrave, Kishës dhe së fundi njerëzve kudo dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”.
Në vitet vijuese ky dokument profetik është përkthyer në shumë gjuhë dhe iu është shpërndarë udhëheqësve botërorë. Ai u kërkon qytetarëve dhe udhëheqësve qeveritarë “të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë”2.
Proklamata është bërë themeli për besimet mbi familjen të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, një deklaratë tek e cila mund të mbahemi fort dhe ta dimë se, duke jetuar sipas porosive të saj, ne po forcojmë familjet dhe shtëpitë tona.
© 2010 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/09. Miratimi për përkthim: 6/09. Përkthim i Visiting Teaching Message, September 2010. Albanian. 09369 101