Trajnimi Mbarëbotëror i Udhëheqjes – një Përqasje e Re
Në muajt në vijim, anëtarët e Kishës përqark botës do të marrin pjesë në një përqasje të re frymëzuese të Trajnimit Mbarëbotëror të Udhëheqjes.
Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të trajnimit, Trajnimi Mbarëbotëror i Udhëheqjes për këtë vit nuk do të transmetohet si një ngjarje e vetme për udhëheqësit e lagjeve dhe kunjeve. Përkundrazi, është ndarë në nëntë fragmente të shkurtra – në një DVD dhe te LDS.org – që nxit diskutimin tek të gjithë udhëheqësit, anëtarët dhe familjet gjatë gjithë këtij viti e më tej.
Pika ku do të përqendrohet trajnimi është “Forcimi i Familjes dhe i Kishës nëpërmjet Priftërisë”. Në trajnim, anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bashkë me Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe drejtuesit e përgjithshëm, japin udhëzim të frymëzuar mbi:
Mënyrën si familjet mund të gjejnë forcë dhe paqe nëpërmjet fuqisë së priftërisë.
Mënyrën si të ndihmohet çdo familje që të përjetojë bekimet e priftërisë.
Mënyrën si t’i forcojnë shtëpitë dhe familjet ata që mbajnë çelësat e priftërisë.
Mënyrën si të kryejmë shërbesë sipas mënyrave të Krishtit.
Mënyrën si t’i rrisim fëmijët në dritë e të vërtetë.
Të gjitha njësitë e Kishës do të marrin kopje të DVD-së dhe këshillave të lagjeve e kunjeve u kërkohet ta shohin të plotë. Ata më pas duhet të këshillohen së bashku rreth mënyrës si t’i ndihmojnë anëtarët e lagjes e të kunjit që të kenë dobi nga udhëzimi.
Anëtarët mund t’i shohin dhe të diskutojnë për fragmentet e ndara të DVD-së në mbledhje dhe orë mësimore. Familjet dhe individët mund t’i shohin fragmentet, së bashku me burimet shtesë për të zgjeruar studimin e tyre, te wwlt.lds.org.
Në çdo mjedis, pjesa më e fuqishme e trajnimit do të ndodhë pasi një fragment të përfundojë dhe të nisë diskutimi. Teksa udhëheqësit, anëtarët dhe familjet meditojnë, tregojnë dhe dëshmojnë rreth asaj që panë e dëgjuan, Fryma e Shenjtë do t’i frymëzojë e do t’u mësojë atyre si ta vënë në zbatim udhëzimin në rrethanat e tyre vetjake. Nëpërmjet këtyre përvojave, ky Trajnim Mbarëbotëror i Udhëheqjes do të ndihmojë që të forcohen familjet dhe Kisha anekënd botës.