2018
Ndërtimi i Marrëdhënieve Kuptimplota
Gusht 2018


Ministering

Parime të Dhënies së Shërbesës, Gusht 2018

Ndërtimi i Marrëdhënieve Kuptimplota

Aftësia jonë për t’u kujdesur për të tjerët rritet kur kemi marrëdhënie kuptimplota me ta.

Ftesa për t’u dhënë shërbesë të tjerëve është një mundësi për të ndërtuar marrëdhënie përkujdesjeje me ta – atë lloj marrëdhënieje që do t’i bënte të ndiheshin mirë për ta kërkuar ndihmën tonë ose për ta pranuar atë. Kur e kemi bërë përpjekjen për ta zhvilluar atë lloj marrëdhënieje, Perëndia është në gjendje ta ndryshojë jetën në të dyja anët e marrëdhënies.

“Unë vërtet besoj se nuk ka ndryshim thelbësor pa marrëdhënie thelbësore”, tha Sheron Iubanku, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Dhe që veprimet tona të shërbimit të jenë shndërruese në jetën e të tjerëve, tha ajo, ato duhet ta “kenë rrënjën në dëshirën e sinqertë për të shëruar dhe dëgjuar, dhe bashkëpunuar, dhe respektuar”1.

Marrëdhëniet kuptimplota nuk janë taktika. Ato ndërtohen mbi dhembshurinë, përpjekjet e sinqerta dhe “dashuri[në e] pashtirur” (DeB 121:41)2.

Mënyra për t’i Ndërtuar dhe Forcuar Marrëdhëniet

“Ne [i] ndërtojmë kët[o] marrëdhënie me njerëzit një e nga një”, tha Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.3 Teksa përpiqemi fort të ndërtojmë marrëdhënie kuptimplota me ata të cilëve u japim shërbesë, Fryma e Shenjtë mund të na udhërrëfejë. Sugjerimet vijuese bazohen në një model që e dha Plaku Uhtdorf.4

  • Mësoni rreth tyre.

    Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim: “Ju nuk mund t’u shërbeni mirë atyre që nuk i njihni mirë”. Ai sugjeroi që t’i dini emrat e secilit pjesëtar të familjes dhe të jeni në dijeni për ngjarje të rëndësishme të tilla si ditëlindjet, bekimet, pagëzimet dhe martesat. Kjo siguron mundësinë që të shkruani një shënim ose të bëni një telefonatë për ta përgëzuar një pjesëtar të familjes për një arritje ose përmbushje të veçantë.5

  • Kaloni kohë së bashku.

    Një marrëdhënieje i duhet kohë për t’u zhvilluar. Kërkoni mundësi për të mbajtur kontakt. Studimet tregojnë se fakti që t’ua bëni të ditur njerëzve se kujdeseni për ta, është thelbësor për marrëdhënie të shëndetshme.6 Bisedoni shpesh me ata që jeni thirrur t’u shërbeni. Flisni me ta në Kishë. Përdorini çfarëdo mjetesh të tjera që vlejnë – të tilla si posta elektronike, Facebook‑u, Instagram‑i, Twitter‑i, Skype‑i, telefonatat apo dërgimi i një kartoline. Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për fuqinë e shprehjeve të thjeshta dhe krijuese të dashurisë dhe përkrahjes: “Shpesh do të hapja shkrimet e mia të shenjta … dhe do të gjeja një shënim të dashur e mbështetës [që bashkëshortja ime,] Zhanina, [e kishte futur pa u ndier] nëpër faqe. … Ato shënime të çmuara … vazhdojnë të jenë një thesar i paçmueshëm ngushëllimi dhe frymëzimi.”7

    Gjithashtu, kujtohuni se duhen dy veta për të pasur një marrëdhënie. Ju mund të ofroni dashuri dhe miqësi, por marrëdhënia nuk do të zhvillohet nëse oferta nuk pranohet dhe nuk bëhet e ndërsjellë. Nëse individi tjetër duket mospranues, mos e detyroni të hyjë në marrëdhënie. Jepini kohë atij ose asaj që t’i shohë përpjekjet tuaja të sinqerta dhe, nëse është e nevojshme, këshillohuni me udhëheqësit tuaj a duket ende e mundur ose jo një marrëdhënie kuptimplotë.

  • Komunikoni me përkujdesje.

    Ndërtimi i marrëdhënieve kuptimplota kërkon që ne të shkojmë përtej gjërave sipërfaqësore. Komunikimi sipërfaqësor është plot me biseda për gjëra të parëndësishme, për programet e ditës, motin dhe çështje të tjera të vogla, por nuk përfshin shfaqjen e ndjenjave, besimeve, synimeve dhe shqetësimeve të domosdoshme për të bërë lidhje më kuptimplota. Ati Qiellor e ka bërë modelin e këtij lloji më kuptimplotë të komunikimit duke ia treguar ndjenjat dhe planet e Tij Birit të Vet (shih te Gjoni 5:20) dhe neve nëpërmjet profetëve të Tij (shih tek Amos 3:7). Duke ia treguar njëri‑tjetrit ngjarjet e përditshme dhe sfidat e jetës, siç udhërrëfehemi nga Shpirti, ne fitojmë vlerësim për njëri‑tjetrin teksa gjejmë interesa të përbashkëta dhe tregojmë përvoja.

    Të dëgjuarit është pjesë jetike e komunikimit të faktit se ju përkujdeseni.8 Kur dëgjoni me kujdes, mundësia juaj për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti, rritet teksa ju merrni kuptueshmëri dhe ide për nevojat e tyre dhe teksa ata e ndiejnë se i duan, i kuptojnë dhe janë të sigurt.

  • Vlerësojini dallimet e po ashtu të përbashkëtat.

    “Disa njerëz … besojnë se Kisha dëshiron ta krijojë çdo anëtar sipas një kallëpi të vetëm – që çdo anëtar duhet të duket, të ndiejë, të mendojë dhe të sillet si çdo anëtar tjetër”, tha Plaku Uhtdorf. “Kjo do të binte në kundërshtim me gjeninë e Perëndisë, i Cili e krijoi çdo njeri të ndryshëm nga vëllai i tij, çdo bir të ndryshëm nga babai i tij. …

    Kisha fuqizohet kur ne përfitojmë nga kjo shumëllojshmëri dhe e nxitim njëri‑tjetrin t’i zhvillojmë dhe t’i përdorim talentet tona për të nxitur dhe forcuar bashkëdishepujt tanë.”9

    Për t’i dashur të tjerët ashtu si Perëndia na do ne, kërkohet që të përpiqemi t’i shohim të tjerët ashtu si i sheh Perëndia. Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim: “Ne duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i parë [të tjerët] jo siç janë në këtë çast, por si mund të bëhen”10. Ne mund të lutemi për ndihmë që t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Perëndia. Teksa i trajtojmë të tjerët duke u bazuar në potencialin e tyre për rritje, ata me gjasë do t’i tejkalojnë pritshmëritë tona.11

  • Shërbejuni atyre.

    Jini të ndjeshëm ndaj nevojave të atyre që u jepni shërbesë, dhe jini të gatshëm të jepni nga koha dhe talentet tuaja, qoftë në kohë nevoje ose thjesht sepse për ju ka rëndësi. Ju mund t’u gjendeni atyre që të siguroni ngushëllim, përkrahje dhe ndihmën e nevojshme kur ka një rast të ngutshëm, sëmundje apo gjendje urgjente. Por në mjaft marrëdhënie ne jemi reagues ndaj asaj që po ndodh. Perëndia na e dha lirinë e zgjedhjes që ne të mund të veprojmë në vend që të veprohet mbi ne (shih 2 Nefi 2:14). Pikërisht ashtu si dha mësim Apostulli Gjon që ne e duam Perëndinë sepse Ai na deshi i pari (shih te 1 Gjon 4:19), kur të tjerët e ndiejnë dashurinë tonë të sinqertë nëpërmjet veprimeve tona të shërbimit, kjo mund t’i zbutë zemrat dhe ta rritë dashurinë dhe mirëbesimin.12 Kjo krijon një spirale në rritje të veprimeve të sjellshme, që mund të ndërtojnë marrëdhënie.

Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Dha Shpëtimtari

Jezu Krishti ndërtoi marrëdhënie kuptimplota me dishepujt e Tij (shih Gjoni 11:5). Ai i njihte ata (shih Gjoni 1:47–48). Ai kaloi kohë me ta (shih Lluka 24:13–31). Komunikimi i tij shkoi përtej gjërave sipërfaqësore (shih Gjoni 15:15). Ai i vlerësoi ndryshimet e tyre (shih Mateu 9:10) dhe e pa potencialin e tyre (shih Gjoni 17:23). Ai i shërbeu gjithkujt, edhe pse Ai ishte Zoti i të gjithëve, duke thënë se Ai nuk kishte ardhur që t’i jepnin shërbesë por që të jepte shërbesë (shih Marku 10:42–45).

Çfarë do të bëni ju për të ndërtuar marrëdhënie më të forta me ata të cilëve jeni thirrur t’u shërbeni?

Shënime

  1. Sharon Eubank, në “Humanitarian Acts Must Be Rooted in Relationship, Sharon Eubank Says”, mormonnewsroom.org.

  2. Shih “Parime të Dhënies së Shërbesës: Shtrijeni Dorën e Ndihmës me Dhembshuri”, Liahona, korrik 2018, f. 6–9.

  3. Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Liahona, nëntor 2010, f. 22.

  4. Shih Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, f. 22.

  5. Shih Ezra Taft Benson, “To the Home Teachers of the Church”, Ensign, maj 1987, f. 50.

  6. Shih Charles A. Wilkinson dhe Lauren H. Grill, “Expressing Affection: A Vocabulary of Loving Messages”, në Making Connections: Readings in Relational Communication, red. Kathleen M. Galvin, bot. 5‑të (2011), f. 164–173.

  7. Riçard G. Skot, “Bekimet e Përjetshme të Martesës”, Liahona, maj 2011, f. 95‑96.

  8. Shih “Parime të Dhënies së Shërbesës: Pesë Gjëra që i Bëjnë Dëgjuesit e Mirë”, Liahona, qershor 2018, f. 6–9.

  9. Diter F. Uhtdorf, “Katër Tituj”, Liahona, maj 2013, f. 59.

  10. Tomas S. Monson, “Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Liahona, nëntor 2012, f. 69.

  11. Shih Terence R. Mitchell dhe Denise Daniels, “Motivation”, në Handbook of Psychology, vëll. 12, red. Walter C. Borman dhe të tjerë (2003), f. 229.

  12. Shih Edward J. Lawler, Rebecca Ford dhe Michael D. Large, “Unilateral Initiatives as a Conflict Resolution Strategy”, Social Psychology Quarterly, vëll. 62, nr. 3 (shtator 1999), f. 240–256.