Ungjilli i Vërtetë, i Kulluar dhe i Thjeshtë i Jezu Krishtit
Ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë është themeli doktrinor i dhënies së shërbesës; i të mësuarit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha; i adhurimit shpirtëror në ditën e Shabatit dhe i punës për shpëtimin.
Vëllezërit dhe motrat e mia, e kam të vështirë ta besoj se 71 vjet më parë, në vitin 1948, isha misionar në Angli dhe se 44 vjet më parë unë dhe gruaja ime, Barbara, e çuam familjen tonë në Kanada kur isha presidenti i Misionit të Torontos në Kanada. Ndërsa shërbeja atje në prill 1976, u thirra në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve dhe papritur në 1985‑ën, u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Ndryshe nga thirrjet e mia të mëparshme, që përfshinin lirim nga thirrja në të ardhmen, lirimi nga thirrja që kam tek Të Dymbëdhjetët nuk është mundësia më e mirë pikërisht tani; gjithsesi, lutem që ajo ditë të vijë vetëm pasi të kem përfunduar gjithçka që Zoti më ka thirrur të bëj.
Duke menduar për 43 vjetët e mi të fundit të shërbimit si Autoritet i Përgjithshëm dhe privilegjin që kam pasur për t’u dhënë shërbesë fëmijëve të Atit Qiellor, kam arritur të kuptoj më plotësisht se Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të gjejnë paqe, gëzim dhe lumturi në jetën e tyre.
Profeti Lehi dha mësim: “[Burrat dhe gratë] janë, që ata të mund të kenë gëzim”1. Ka shumë arsye përse mund të mos kemi paqe, gëzim dhe lumturi në këtë jetë, ku përfshihen varfëria, lufta, fatkeqësitë natyrore dhe pengesat e papritura në punësim, shëndet dhe marrëdhëniet familjare.
Por edhe pse nuk mund t’i kontrollojmë ato forca të jashtme që ndikojnë në jetën tonë këtu në tokë, kur përpiqemi fort për t’u bërë dishepuj besnikë të Zotit Jezu Krisht, ne mund të gjejmë paqe, gëzim dhe lumturi pavarësisht nga shqetësimet e botës që na shtillen.
Një nga fëmijët e mi një herë më tha: “Babi, pyes veten a do të jem ndonjëherë në gjendje t’ia dal mbanë”. U përgjigja: “Gjithçka që Ati Qiellor kërkon prej nesh është që të bëjmë çdo ditë më të mirën që mundemi”. Vëllezër e motra, bëni më të mirën që mundeni të bëni ditë për ditë, dhe përpara se ta merrni vesh, do të arrini të kuptoni se Ati juaj Qiellor ju njeh dhe se Ai ju do. Dhe kur ta merrni vesh këtë – kur ta merrni vesh vërtet – jeta juaj do të ketë qëllim e kuptim të vërtetë dhe ju do të mbusheni me gëzim e paqe.
Si Drita e Botës, Shpëtimtari tha: “Kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë”2.
“Jezu Krishti është emri që jepet nga Ati dhe nuk ka asnjë emër tjetër të dhënë, me anë të të cilit [ne] mund të shpëtohe[mi];
Prandaj, gjithë [burrat dhe gratë] duhet të marrin mbi vete emrin që është dhënë nga Ati.”3
Shkrimet e shenjta na mësojnë se Satani dëshiron t’i çojë njerëzit në errësirë. Çdo përpjekje e tij është ta shuajë dritën dhe të vërtetën e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Siç u dha mësim Lehi fëmijëve të tij, djalli “kërko[i] që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë”4. Nëse “vepra … dhe lavdia” e Atit Qiellor është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e [burrave dhe grave]”5, “vepra” e Luciferit është të bëjë të ndodhë mjerimi dhe fatkeqësia e pafundme për fëmijët e Perëndisë. Mëkati dhe shkelja e zbehin Dritën e Krishtit në jetën tonë. Kjo është arsyeja përse synimi ynë është të gëzohemi më tërësisht për Dritën e Krishtit, e cila sjell paqe, gëzim dhe lumturi.
Gjatë 18 muajve të fundit, Zoti i ka frymëzuar profetin dhe Apostujt e Tij që të zbatojnë një sërë përshtatjesh të mrekullueshme. Megjithatë, shqetësohem se qëllimet shpirtërore të këtyre përshtatjeve mund të humbasin në entuziazmin për shkak të vetë ndryshimeve.
Jozef F. Smithi tha: “Ungjilli i vërtetë, i kulluar dhe i thjeshtë i Jezu Krishtit është rivendosur. Ne jemi përgjegjës që ta ruajmë atë në tokë.”6 Ai shtoi se ungjilli i vërtetë, i kulluar dhe i thjeshtë është “doktrinat shpëtuese të Krishtit”7.
Te Nenet e Besimit, Profeti Jozef Smith dha mësim se “nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”8.
Parimet e para të ungjillit janë besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi, pagëzimi, dhurata e Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund. Vëllai i tij, Hajrëmi, dha mësim: “Predikojini ato vazhdimisht; ju do të shikoni se nga dita në ditë do t’ju zbulohen ide të reja dhe një ndriçim edhe më i madh në lidhje me këto gjëra. Ju mund t’i shtjelloni më tej ato … që t’i kuptoni qartë. Atëherë do të jeni të aftë t’i bëni ato më të qarta për t’u kuptuar prej atyre të cilëve po [u jepni mësim].”9
Mënyrat më të mira që ne t’i kuptojmë qëllimet shpirtërore të Kishës janë që t’i jetojmë mësimet e vërteta, të kulluara dhe të thjeshta të Krishtit dhe gjithashtu t’i vëmë në zbatim dy urdhërimet e mëdha të Shpëtimtarit: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde. … Duaje të afërmin tënd porsi veten.”10
Bindja ndaj këtyre dy urdhërimeve siguron një mënyrë për të përjetuar më shumë paqe dhe gëzim. Kur e duam e i shërbejmë Zotit dhe i duam e u shërbejmë të afërmve tanë, natyrshëm do të ndiejmë më shumë lumturi e cila nuk ka asnjë mënyrë tjetër më të mirë në të cilën të na vijë.
Ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë është themeli doktrinor i dhënies së shërbesës; i të mësuarit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha; i adhurimit shpirtëror në ditën e Shabatit dhe i punës për shpëtimin në të dyja anët e velit, e përkrahur në Shoqatat e Ndihmës dhe kuorumet e pleqve. Të gjitha këto gjëra bazohen tek urdhërimet hyjnore për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur të afërmit tanë. A mund të ketë diçka më themelore, më kryesore dhe më të thjeshtë sesa kjo?
Të jetuarit e planit të vërtetë, të kulluar dhe të thjeshtë të ungjillit do të na lejojë të kemi më shumë kohë për t’i vizituar vejanët, vejushat, jetimët, të vetmuarit, të sëmurët dhe të varfrit. Ne do të gjejmë paqe, gëzim dhe lumturi në jetën tonë kur i shërbejmë Zotit dhe u shërbejmë të afërmve tanë.
Përshtatjet për ditën e Shabatit që theksojnë të mësuarin dhe studimin e ungjillit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha, janë një mundësi për ta ripërtëritur shpirtin tonë dhe përkushtimin tonë ndaj Perëndisë brenda mureve të shtëpive tona. Çfarë mundet vallë të jetë më e thjeshtë, më themelore dhe më e thellë? Vëllezër e motra, a mund ta kuptoni se të mësuarit dhe mësimdhënia e ungjillit në familjet tona është një mënyrë e rëndësishme për të gjetur gëzim e lumturi në jetën tonë?
Duke folur për Shabatin, Shpëtimtari tha: “Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit”11. Ai shtoi: “Që gëzimi yt të mund të jetë i plotë … [nëpërmjet] ngazëllim[it] e lutje[s] … [ti duhet t’i] bë[sh] këto gjëra me falënderim, me zemra dhe fytyra të ngazëllyera [dhe] me një zemër të gëzuar dhe një fytyrë të ngazëllyer”12.
Ju lutem, vërini re disa nga fjalët kyç në këtë zbulesë: gëzim, ngazëllim, falënderim, zemra të ngazëllyera, zemër e gëzuar dhe fytyrë e ngazëllyer. Për mua tingëllon sikur respektimi i ditës së Shabatit duhet të sjellë buzëqeshje në fytyrat tona.
Ndërsa japim shërbesë në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë, ju lutem, mbajeni parasysh se sa thelbësore është që ta përshëndetim këdo që vjen në mbledhjet tona të Kishës, veçanërisht anëtarët e rinj dhe vizitorët. Ne të gjithë duhet të gëzohemi që këndojmë himne dhe duhet t’i dëgjojmë me kujdes fjalët e lutjeve të sakramentit me zemër dhe mendje të hapur.
Dëshmitë për besimin në mbledhjet tona të agjërimit dhe të dëshmive drejtohen nga një anëtar i peshkopatës, i cili jep një dëshmi të shkurtër që përqendrohet te plani i lumturisë dhe ungjilli i vërtetë, i kulluar dhe i thjeshtë i Krishtit. Të gjithë të tjerët duhet ta ndjekin atë shembull. Na duhet të kujtojmë se ka vende të tjera të përshtatshme për të treguar histori ose aventura udhëtimesh. Ndërsa i mbajmë dëshmitë tona të thjeshta dhe përqendrohemi tek ungjilli i Krishtit, Ai do të sigurojë ripërtëritje shpirtërore teksa ia themi ato njëri-tjetrit.
Dhënia e shërbesës së efektshme kuptohet më mirë nëpërmjet thjerrave të përqendruara te dashuria për Perëndinë dhe te dashuria për të afërmit tanë. Thënë thjesht, ne japim shërbesë sepse e duam Atin tonë Qiellor dhe i duam fëmijët e Tij. Përpjekjet tona të dhënies së shërbesës do të jenë më të suksesshme nëse e mbajmë të thjeshtë dhënien e shërbesës nga ana jonë. Gëzimi më i madh vjen nga gjërat e thjeshta të jetës, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që mos mendojmë se duhet shtuar më shumë te ndonjëra nga përshtatjet që kemi marrë për të ndërtuar besim dhe dëshmi të forta në zemrat e fëmijëve të Perëndisë.
Le të mos i ndërlikojmë gjërat me mbledhje, pritshmëri ose kërkesa të tjera. Thjeshtojeni punën. Pikërisht në atë thjeshtësi ju do të gjeni paqen, gëzimin dhe lumturinë për të cilat po flas.
Për vite të tëra, qëllimet e udhëheqjes së Kishës, siç shpallen te Manuali 2, janë përfundime që janë të qarta dhe të thjeshta, nga i cili citoj:
“Udhëheqësit inkurajojnë çdo anëtar që të marrë të gjitha ordinancat thelbësore të priftërisë, të mbajë besëlidhjet e shoqëruara me to dhe të kualifikohet për ekzaltimin dhe jetën e përjetshme. …
Të Rriturit: Inkurajojeni çdo të rritur që të jetë i denjë për të marrë ordinancat e tempullit. Jepuni mësim të gjithë të rriturve që t’i identifikojnë paraardhësit e tyre dhe të kryejnë ordinanca mëkëmbëse në tempull për ta.
Rinia: Ndihmojeni çdo të ri që të përgatitet për të marrë Priftërinë Melkizedeke, për të marrë ordinancat e tempullit dhe për të qenë i denjë që të shërbejë në një mision kohëplotë. Ndihmoni çdo të re që të përgatitet që të jetë e denjë për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta dhe për të marrë ordinancat e tempullit. Forcojeni rininë nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete kuptimplote.
Të Gjithë Anëtarët: Ndihmojini udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave ndihmëse, këshillat e lagjeve, misionarët e lagjeve dhe kohëplotë, si dhe anëtarët që të punojnë në bashkëveprim në përpjekje të baraspeshuar për të shpëtuar individët, për të forcuar familjet dhe njësitë e Kishës, për të rritur aktivitetin e priftërisë dhe për ta mbledhur Izraelin me anë të kthimit në besim, mbajtjes dhe aktivizimit. Mësojini anëtarët të sigurojnë për vete e familjet e tyre dhe për të ndihmuar të varfrit e nevojtarët sipas mënyrës së Zotit.”13
Shërbimi im në Kishë më ka bekuar me shumë përvoja të jashtëzakonshme dhe të veçanta shpirtërore. Jam dëshmitar se Zoti e drejton Kishën e Tij për të përmbushur qëllimet e Tij. Kam marrë udhërrëfim hyjnor shumë përtej aftësisë sime. Gëzimi nga të jetuarit e ungjillit për mua ka qenë i përqendruar te doktrina dhe ungjilli i vërtetë, i kulluar dhe i thjeshtë i Jezu Krishtit.
Kam shërbyer nën çelësat dhe udhëzimet e gjashtë profetëve dhe Presidentëve të Kishës, nga Spenser W. Kimballi deri te Rasëll M. Nelsoni. Unë dëshmoj se secili prej tyre ishte dhe është profet i zgjedhur i Perëndisë. Ata na kanë mësuar parimet thelbësore rreth Kishës, ungjillit dhe doktrinës së Krishtit. Presidenti Nelson po e çon përpara punën e Zotit me një ritëm marramendës. Them “marramendës” sepse ai është i vetmi nga Apostujt që është më i madh në moshë se unë dhe e kam të vështirë ta ndjek ritmin e tij. Unë jam dëshmitar se çelësat e priftërisë dhe manteli i një profeti të Perëndisë janë mbi të. Presidenti Nelson na mëson ungjillin e vërtetë, të kulluar dhe të thjeshtë të Jezu Krishtit. Jap dëshminë time se Jezusi është Krishti dhe kjo është Kisha e Tij – për të cilin unë dëshmoj me përulësi në emrin e Jezu Krishtit, amen.