2019
Mirësia e Menjëhershme e Perëndisë
maj 2019


Mirësia e Menjëhershme e Perëndisë

Edhe kur jemi duke pritur me durim për Zotin, ka disa bekime të caktuara që na vijnë menjëherë.

Shumë vite më parë, djali ynë pesëvjeçar erdhi tek unë dhe shpalli: “Babi, kam kuptuar diçka. Kam kuptuar se së shpejti për ty është një kohë shumë e gjatë për mua.”

Kur Zoti ose shërbëtorët e Tij thonë gjëra si: “Sepse jo shumë ditë nga sot” ose “Nuk është e largët koha”, në të vërtetë kjo mund të nënkuptojë një jetë të tërë ose më gjatë.1 Koha e Tij dhe shpesh realizimi i kohës së Tij janë të ndryshme nga tonat. Durimi është kyçi. Pa të, ne as nuk mund të zhvillojmë, as nuk mund të shfaqim besim te Perëndia, besim i cili çon drejt jetës dhe shpëtimit. Por mesazhi im sot është që, edhe kur jemi duke pritur me durim për Zotin, ka disa bekime të caktuara që na vijnë menjëherë.

Kur Alma dhe populli i tij u kapën robër nga lamanitët, ata u lutën për çlirim. Ata nuk u çliruan menjëherë, por ndërkohë që pritnin me durim për çlirimin, Zoti u tregoi mirësinë e Tij nëpërmjet disa bekimeve të menjëhershme. Ai menjëherë ua zbuti zemrat lamanitëve kështu që ata nuk do t’i vritnin. Ai gjithashtu e forcoi popullin e Almës dhe i lehtësoi barrët e tyre.2 Kur më së fundi u çliruan, ata udhëtuan për në Zarahemla ku ia treguan përvojën e tyre një publiku të habitur. Njerëzit në Zarahemla u mrekulluan “dhe … kur menduan mbi mirësinë e menjëhershme të Perëndisë dhe fuqinë e tij në shpëtimin e Almës dhe të vëllezërve të tij nga … robëria, ata ngritën zërat e tyre dhe i dhanë falënderime Perëndisë”3.

Mirësia e menjëhershme e Perëndisë u vjen të gjithë atyre që ia kërkojnë Atij me bindje të vërtetë dhe qëllim të plotë të zemrës. Kjo përfshin ata që luten me brengosje të sinqertë kur çlirimi duket kaq i largët dhe vuajtja duket e zgjatur, madje duke u shtuar.

Kështu ishte me një profet të ri në moshë, i cili vuajti pothuajse deri në mbarim, në lagështinë dhe ftohtësinë e një burgu, përpara se të thërriste më së fundi: “O Perëndi, ku je ti? … Për sa kohë do të frenohet dora jote … ? Po, O Zot, për sa kohë … ?”4 Si përgjigje, Zoti nuk e çliroi menjëherë Jozefin, por Ai menjëherë i shpalli paqen.5

Perëndia gjithashtu jep shpresë të menjëhershme për çlirimin përfundimtar.6 Pavarësisht nga çfarë ndodh, pavarësisht nga ku ndodh, në Krishtin dhe nëpërmjet Krishtit ka gjithmonë shpresë që po buzëqesh shndritshëm përpara nesh.7 Pikërisht përpara nesh.

Për më tepër, Ai ka premtuar: “Dashuria ime nuk do të largohet prej teje”8.

Mbi gjithçka, dashuria e Perëndisë është e menjëhershme. Si Pali, edhe unë dëshmoj se asgjë nuk mund të “na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin”9. Madje mëkatet tona, edhe pse mund të na veçojnë nga Shpirti i Tij për një kohë, nuk mund të na veçojnë nga vazhdueshmëria dhe menjëhershmëria e dashurisë së Tij hyjnore ngaqë është Ati ynë.

Këto janë disa nga udhët dhe mënyrat me anë të të cilave “ai [na] bekon menjëherë”10. Tani, për t’i bërë këto parime të tanishme dhe domethënëse për ne, unë do t’ju tregoj përvojat e dy grave, jeta e të cilave qëndron si dëshmi e mirësisë së menjëhershme të Perëndisë.

Që kur ishte adoleshente e re, Emilia u ndesh me abuzimin me drogën. Eksperimentimi çoi drejt zakonit dhe zakoni më së fundi u ngurtësua në një varësi që e mbajti atë rob për vite, pavarësisht nga periudhat rastësore kur ndihej mirë me shëndet. Emilia me kujdes e fshehu problemin e vet, veçanërisht pasi u bë bashkëshorte dhe nënë.

Fillimi i çlirimit të saj nuk u duk aspak si çlirim. Në një çast, Emilia po bënte një vizitë mjekësore rutinë dhe në çastin pasues befas po e çonin me ambulancë drejt një godine spitalore. Ajo filloi të shqetësohej plot panik teksa mendoi se do të ndahej nga fëmijët e saj, burri i saj, shtëpia e saj.

Atë natë, e vetme në një dhomë të ftohtë e të errët, Emilia u mblodh kruspull në shtrat dhe qau me dënesë. Aftësia e saj për të arsyetuar u pakësua derisa më së fundi, e pushtuar nga ankthi, frika dhe errësira shtypëse në atë dhomë dhe në shpirt, Emilia me të vërtetë mendoi se do të vdiste atë natë. E vetmuar.

Në atë gjendje të dëshpëruar Emilia disi e përmblodhi fuqinë që të ngrihej nga shtrati dhe të binte në gjunjë. Pa ndonjë shtirje që kishte qenë nganjëherë pjesë e lutjeve të mëparshme, Emilia tërësisht iu dorëzua Zotit teksa u përgjërua me dëshpërim: “I dashur Perëndi, kam nevojë për Ty. Të lutem, më ndihmo. Nuk dua të jem vetëm. Të lutem, më bëj t’ia dal mbanë kësaj nate.”

Dhe menjëherë, siç kishte bërë me Pjetrin e lashtësisë, Jezusi ia zgjati dorën e Tij dhe e zuri shpirtin e saj që po mbytej.11 Emilia u mbush me një qetësi, kurajë, siguri dhe dashuri mrekulluese. Dhoma nuk ishte më e ftohtë, ajo e dinte se nuk ishte më vetëm dhe për herë të parë që kur ishte 14 vjeçe, Emilia e dinte se gjithçka do të ishte në rregull. Teksa “u zgjua … në Perëndi[në]”12, Emilia ra në gjumë plot paqe. Dhe kështu ne shohim që “në qoftë se ju do të pendoheni dhe nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja, plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju”13.

Familje tek tempulli

Shërimi dhe çlirimi përfundimtar i Emilisë kërkoi një kohë të gjatë – muaj me trajtim, trajnim dhe këshillim, gjatë të cilëve ajo u mbështet dhe nganjëherë u mbart nga mirësia e Tij. Dhe ajo mirësi vazhdoi me të teksa hyri në tempull me bashkëshortin dhe fëmijët e saj për t’u vulosur së bashku përgjithmonë. Ashtu si populli i Zarahemlës, Emilia tani jep falënderime teksa reflekton mbi mirësinë e menjëhershme të Perëndisë dhe fuqinë e Tij në çlirimin e saj nga robëria.

Tani, nga jeta e një besimtareje tjetër të guximshme. Më 27 dhjetor 2013, Alisia Shroder me gëzim i ftoi brenda miqtë e saj, Shon dhe Sharla Kilkotin, të cilët u shfaqën papritur te dera e shtëpisë së saj. Shoni, i cili ishte edhe peshkopi i Alisias, i dha celularin e vet dhe me zë serioz i tha: “Alisia, ne të duam. Nevojitet që ta marrësh këtë telefonatë.”

Bashkëshorti i Alisias, Marioja, ishte në telefon. Ai ishte në një zonë të izoluar me disa prej fëmijëve të tyre në një udhëtim të shumëpritur me automobila dëbore. Kishte ndodhur një aksident i tmerrshëm. Marioja ishte dëmtuar rëndë dhe biri i tyre 10‑vjeçar, Kejlëbi, kishte ndërruar jetë. Kur Marioja plot lot i tha Alisias për vdekjen e Kejlëbit, ajo u godit nga një habi dhe tmerr që pak prej nesh do ta njohin ndonjëherë. Ajo ra përtokë. E paralizuar nga ankthi i papërshkrueshëm, Alisia as nuk mund të lëvizte dhe as nuk mund të fliste.

Peshkopi dhe Motra Kilkot me të shpejtë e ngritën dhe e mbajtën atë. Ata vajtuan dhe u hidhëruan thellësisht së bashku për ca kohë. Më pas Peshkopi Kilkot ofroi t’i jepte Alisias një bekim.

Çfarë ndodhi më pas është e papërfytyrueshme pa njëfarë të kuptuari për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe mirësinë e menjëhershme të Perëndisë. Peshkopi Kilkot me butësi i vendosi duart mbi kokën e Alisias dhe, me zërin që i dridhej, filloi të fliste. Alisia dëgjoi dy gjëra si të ishin thënë nga Perëndia Vetë. Së pari, ajo dëgjoi emrin e saj, Alisia Suzën Shroder. Pastaj ajo dëgjoi peshkopin të kërkonte autoritetin e Perëndisë së Plotfuqishëm. Në atë çast – me thjesht shqiptimin e emrit të saj dhe me fuqinë e Perëndisë – Alisia u mbush me paqe, dashuri, ngushëllim dhe në njëfarë mënyre gëzim të papërshkrueshëm. Dhe ai gëzim ka vazhduar të jetë me të.

Tani, sigurisht, Alisia, Marioja dhe familja e tyre ende vajtojnë dhe i merr malli për Kejlëbin. Është e vështirë! Sa herë që flas me të, sytë e Alisias mbushen me lot teksa më tregon se sa shumë e do djalin e saj dhe sa shumë e merr malli për birin e saj të vogël. Dhe sytë e saj mbeten të përlotur kur tregon se si Çliruesi i Madh e ka mbështetur përmes çdo pjesëze të përvojës së saj të hidhur, duke filluar me mirësinë e Tij të menjëhershme gjatë dëshpërimit të saj më të thellë dhe duke vazhduar tani me shpresën e shndritshme të një bashkimi të ëmbël që do të ndodhë “jo shumë ditë nga sot”.

E kuptoj se nganjëherë përvojat e jetës krijojnë pështjellim dhe trazirë që mund ta bëjnë të vështirë për të marrë, kuptuar ose ruajtur llojin e ndihmës që iu erdhi Emilisë dhe Alisias. Kam kaluar edhe vetë kohë të tilla. Unë dëshmoj se, gjatë kohëve të tilla, thjesht ruajtja jonë është një shfaqje e dhembshur dhe e fuqishme e mirësisë së menjëhershme të Perëndisë. Mbani mend, Izraeli i lashtë u çlirua më së fundi “nga i njëjti Perëndi që i kishte ruajtur”14 ditë për ditë.

Unë jap dëshmi se Jezu Krishti është Çliruesi i Madh dhe në emrin e Tij unë premtoj se kur ktheheni tek Ai me bindje të vërtetë dhe qëllim të plotë të zemrës, Ai do t’ju çlirojë nga gjithçka që kërcënon ta zvogëlojë apo shkatërrojë jetën ose gëzimin tuaj. Ai çlirim mund të kërkojë më shumë kohë nga sa do t’ju pëlqente – ndoshta një jetë të tërë ose më gjatë. Prandaj, për t’ju dhënë ngushëllim, guxim e shpresë, për t’ju mbështetur dhe forcuar deri në atë ditë të çlirimit përfundimtar, unë ju shpreh lavdërim për mirësinë e menjëhershme të Perëndisë dhe ju dëshmoj për të në emrin e Jezu Krishtit, amen.