2019
Një Model Më i Shenjtë Shërbimi
Korrik 2019


Një Model Më i Shenjtë Shërbimi

Nga një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, “Një Tipar Dallues i Kishës së Vërtetë dhe të Gjallë të Zotit”, dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho më 6 maj 2018.

E ndjekshim Krishtin e gjallë me më shumë gatishmëri, me më shumë efektshmëri, teksa përpiqemi fort të bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë nëpërmjet dhënies së shërbesës siç do ta jepte Ai.

young men helping flood cleanup

Ilustrimet nga Kelley McMorris

Kur isha 15 ose 16 vjeç, isha tepër i përqendruar te vetja dhe, si shumë prej nesh në adoleshencën tonë, isha i paqëndrueshëm, i pasigurt dhe i cenueshëm. U ndjeva i humbur, i ndrojtur dhe i ngathët. Nuk ndihmonte fakti që prindërit e mi jetonin larg në Arabinë Saudite ndërkohë që unë isha në një shkollë me konvikt në një pjesë të izoluar të bregdetit të Anglisë. Për sa i përket shkollës, Hoguortsi me Pitonin do të kishin qenë më mikpritës.

Moti i keq ishte i zakonshëm përgjatë atij bregdeti, por një dimër, një stuhi veçanërisht e fuqishme fryu përmes Detit Irlandez me erëra të forta që kishin fuqinë e uraganit. Gati 5 000 shtëpi u përmbytën, ushqimet po mbaroheshin dhe njerëzit mbetën të izoluar, pa energji elektrike apo mjete për t’i ngrohur e ndriçuar shtëpitë.

Kur përmbytja filloi të pakësohej, shkolla na dërgoi që të ndihmonim për pastrimin. U habita që përjetova një shkatërrim të tillë natyror kaq pranë vetes. Kudo kishte ujë e baltë. Fytyrat e njerëzve që ishin përmbytur, ishin të zbehta e të pikëlluara. Ata nuk kishin fjetur për ditë të tëra. Unë dhe shokët e mi të shkollës iu futëm punës, duke i zhvendosur plaçkat e lagura në katet më sipër dhe duke hequr tapetin që ishte prishur nga përmbytja.

Por ajo që më goditi më shumë, ishte atmosfera shoqërore që u krijua. Pati një ndjenjë të mrekullueshme, të përzemërt midis njerëzve të bashkuar nga një kauzë e denjë në rrethana sfiduese. Më vonë reflektova se të gjitha ato ndjenja pasigurie, të cilat zakonisht zinin kaq shumë vend në mendimet e mia si adoleshent, u larguan teksa u përfshiva në këtë përpjekje të madhe për t’i ndihmuar fqinjët tanë.

Zbulimi se ndihma për të tjerët ishte ilaçi ndaj gjendjes sime të zymtë, të përqendruar te vetja, duhej të kishte qenë shndërrues. Por nuk ishte, sepse zbulimi nuk pati aq shumë ndikim sa duhej dhe nuk arrita të reflektoja më me maturi për atë që kishte ndodhur. Ajo kuptueshmëri erdhi më vonë.

Ftesa për të Dhënë Shërbesë

people ministering

Fotografi e nënës dhe bijës nga Linda Jean Purnell

Po e shqyrtoja këtë gjë gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2018 teksa dëgjova një thirrje të përsëritur për të dhënë shërbesë ashtu siç jep shërbesë Shpëtimtari – dhe ta bëjmë këtë për shkak të dashurisë, duke pranuar se të gjithë ne jemi fëmijë të Atit tonë Qiellor.

Ne do të shërbejmë jo ngaqë shërbimi ynë po merret parasysh dhe po matet, por ngaqë e duam Atin tonë në Qiell dhe nxitemi prej një qëllimi më të lartë e më fisnik – duke i ndihmuar miqtë tanë të gjejnë e të qëndrojnë në shtegun që çon drejt Tij. Ne i duam të afërmit tanë dhe u shërbejmë atyre, sikurse do ta bënte Jezusi nëse do të ishte në vendin tonë, duke u përpjekur me të vërtetë që ta përmirësojmë jetën e njerëzve dhe t’i lehtësojmë barrët e tyre. Kjo është mënyra se si rrjedh gëzimi dhe përmbushja afatgjatë, si për dhënësin dhe për marrësin, ndërkohë që përhapim frytet e njohjes dhe ndjesisë për vlerën tonë të pafundme dhe për dashurinë e përjetshme të Perëndisë për secilin prej nesh.

“Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre”, tha Presidenti Rasëll M. Nelson. “Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij, do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”1

E di se, në qoftë se ia vëmë veshin kësaj thirrjeje për të dhënë shërbesë, ne kemi mundësinë të ngrihemi mbi vetveten; të rritemi në besim, vetëbesim e lumturi; dhe ta mposhtim përqendrimin te vetja jonë dhe ndjenjën e boshllëkut dhe të zymtësisë që vjen me të.

Dhënia e Shërbesës na Shndërron

Bukuria e kësaj lloj shërbese është se ajo i ndihmon të tjerët, por gjithashtu na shndërron ne duke na larguar nga shqetësimet, frika, ankthet dhe dyshimet tona. Fillimisht shërbimi ndaj të tjerëve thjesht na e tërheq vëmendjen nga vetë problemet tona, por shpejt ai kthehet në diçka shumë më të lartë e më të bukur. Ne fillojmë të përjetojmë dritë dhe paqe, thuajse pa e kuptuar atë. Ne qetësohemi, ndiejmë ngrohtësi dhe ngushëllohemi. Dhe dallojmë një gëzim që nuk vjen në asnjë mënyrë tjetër.

Siç e shpjegoi Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985): “Jeta e begatë, e përmendur në shkrimet e shenjta, është përmbledhja shpirtërore që arrihet duke shumëfishuar shërbimin tonë ndaj të tjerëve dhe duke i investuar talentet tona në shërbim të Perëndisë dhe të njeriut.” Ai shtoi: “Ne bëhemi më të pavarur kur u shërbejmë të tjerëve – vërtet, është më e lehtë ta ‘gjejmë’ veten, sepse ka shumë më tepër te ne për të gjetur!”2

Një Thirrje nga Mësuesi

Christ with fishermen

Krishti dhe Peshkatarët, nga J. Kirk Richards

Kur Shpëtimtari i thirri Pjetrin, Andrean, Jakobin dhe Gjonin që ta ndiqnin, ndryshimi i drejtimit dhe përqendrimit të tyre ishte i menjëhershëm: “Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën” (Mateu 4:20).

Por pasi Shpëtimtarin e morën prej tyre në mënyrën më mizore, ata u kthyen te peshkimi, tek ajo gjë që mendonin se e dinin. Në një rast, Shpëtimtari i ringjallur erdhi tek ata ndërsa peshkonin më kot.

“Dhe ai u tha atyre: ‘Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni’. E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve” (Gjoni 21:6).

Kjo ishte një provë se Ai jo vetëm që nuk e kishte humbur aspak fuqinë e Tij, por edhe një pamje shumë e qartë se ata po kërkonin në vendin e gabuar dhe po përqendroheshin te gjëja e gabuar. Teksa hëngrën peshq së bashku në bregdet, Shpëtimtari e pyeti Pjetrin tri herë a e donte Atë. Çdo herë, dhe me një ndjenjë në rritje të ankthit, Pjetri u përgjigj se e donte. Pas çdo përgjigjeje të Pjetrit, Jezusi i kërkoi Pjetrit t’i ushqente delet e Tij. (Shih Gjoni 21:15–17.)

Përse e pyeti Shpëtimtari Pjetrin tri herë a e donte ai Atë? Pjetri qe thirrur më parë për ta ndjekur Jezusin dhe ai ishte përgjigjur menjëherë, duke e lënë pas peshkimin. Por kur Jezusi u mor prej tyre, Pjetri u brengos; ai u ndje i humbur. U kthye tek e vetmja gjë që mendonte se e dinte – peshkimi. Tani, Jezusi donte që Pjetri ta dëgjonte me të vërtetë Atë dhe ta kuptonte rëndësinë e ftesës këtë herë. Atij i nevojitej që Pjetri ta kuptonte se çfarë do të thoshte të ishte një dishepull dhe ndjekës i Krishtit të ringjallur, tani që Ai nuk do të ishte më fizikisht përkrah tyre.

Çfarë dëshironte Zoti nga Pjetri? Ai donte që Pjetri t’i ushqente delet e Tij, qengjat e Tij. Kjo ishte puna që kishte nevojë për veprim. Pjetri e dalloi këtë thirrje të dhembshur, të drejtpërdrejtë nga Mësuesi i tij dhe Apostulli kryesues u përgjigj, me guxim dhe pa frikë, duke ia dhënë pjesën tjetër të jetës së vet shërbesës në të cilën ishte thirrur.

Filloni me Lutje

Ne kemi një Apostull tjetër kryesues në tokë sot. Presidenti Nelson po na jep juve dhe mua ftesën që t’i ushqejmë delet e Jezusit. Me gjithë shpërqendrimet përreth nesh dhe kaq shumë gjëra që janë më pak të rëndësishme, të cilat kërkojnë vëmendjen tonë, sfida është që t’i përgjigjemi kësaj ftese dhe të veprojmë – praktikisht të bëjmë diçka, me të vërtetë të sjellim një ndryshim dhe të jetojmë ndryshe.

Pyetja juaj tani mund të jetë: “Ku të filloj?”

Filloni me lutje. Presidenti Nelson na ka nxitur të “shtrihe[m]i përtej aftësisë s[onë] të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake”3. Pyeteni Atin tuaj në Qiell se çfarë mund të bëni dhe për kë. Përgjigjjuni cilësdo mbrese që merrni, pavarësisht se sa e parëndësishme mund të duket. Veproni sipas saj. Çdo veprim i vogël mirësie bën që ne të shohim tek të tjerët dhe sjell bekimet e veta. Mund të jetë një mesazh dashamirës, i papritur ndaj dikujt. Ndoshta është një lule, disa biskota ose një fjalë e mirë. Ndoshta është pastrimi i një kopshti ose lëndine, larja e disa rrobave, larja e një makine, kositja e barit, pastrimi i dëborës ose thjesht të dëgjuarit.

Sikurse Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ka thënë: “Nganjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore dhe heroike që të ‘llogaritet’ si shërbim ndaj të afërmve tanë. Sidoqoftë, veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët – si edhe te ne vetë.”4

Ju mund të ngurroni për ta hedhur hapin e parë, të bindur se nuk keni kohë ose nuk mund të sillni vërtet një ndryshim, por ju do të mahniteni se çfarë mund të bëjë edhe diçka e vogël. Presidenti Nelson ka paraqitur një model më të lartë e më të shenjtë të shërbimit për ju dhe mua. Kur të reagojmë, ne do të zbulojmë se sa përmbushës, çlirues dhe qetësues është ai për ne dhe mënyrën se si mund të jemi shtysë për të sjellë ndryshim e ngushëllim në jetën e të tjerëve.

Me raste, të tilla si ato pas përfundimit të një misioni, ne mund të tundohemi të themi: “Epo, e bëra. Le të shërbejë dikush tjetër. Kam nevojë për pushim.” Por dhënia e vërtetë e shërbesës nuk ndalon. Është një mënyrë jetese. Ne mund të bëjmë një ndërprerje nga veprimtaritë tona të rregullta dhe pushimet për t’u shplodhur dhe përtërirë, por përgjegjësia jonë besëlidhëse për ta dashur njëri‑tjetrin siç na ka dashur Ai ne dhe për t’i ushqyer delet e tij, nuk ka ndërprerje.

Shërbesa e Kishës Mbarëbotërore

service

Fotografi e MJEKUT dhe pacientit duke u përqafuar nga Wendy Gibbs Keeler

Jam shumë krenar që i përkas një Kishe që e vë në praktikë dhënien e shërbesës. Vetëm në 2017‑ën, anëtarët tanë dhuruan mbi 7 milionë orë pune vullnetare duke rritur, korrur dhe shpërndarë ushqim për të varfrit e nevojtarët. Kisha siguroi ujë të pastër për gjysmë milioni njerëz dhe karrige me rrota për 49 000 njerëz në 41 vende. Vullnetarët siguruan syze dhe shërbime të oftalmologjisë dhe trajnuan 97 000 përkujdesës për njerëzit që kanë probleme me shikimin në 40 vende. Tridhjetë e tre mijë punonjës të kujdesit shëndetësor u trajnuan për përkujdesje ndaj nënave dhe foshnjave në 38 vende. Për të mos i përmendur Duart Ndihmëtare ku, në vitet e fundit, qindra mijëra prej njerëzve tanë kanë dhuruar miliona orë shërbimi. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit hidhen në veprim për t’i ndihmuar njerëzit e ndikuar nga fatkeqësi të mëdha e të vogla, si edhe për t’i përmirësuar lagjet e banimit dhe komunitetet e tyre.

Nisma e sapokrijuar e Kishës JustServe [Vetëm Shërbe], që rendit mundësi shërbimi, tashmë ka mbi 350 000 vullnetarë të regjistruar, të cilët kanë kontribuar miliona orë shërbimi në komunitetet e tyre vendore.5

Kjo është një Kishë veprimi. Kjo është ajo që bëjmë. Kjo është ajo që bëni. Qoftë ky një tipar përcaktues se kush jeni.

Tri Lloje Shërbimi

Do të doja të theksoja tri lloje të zgjeruara shërbimi në të cilat secili prej nesh ka mundësinë të përfshihet.

1. Lloji i shërbimit që caktohemi ose ftohemi ta kryejmë si përgjegjësi në kishë. Do të përpiqemi fort për llojin e shërbesës që ruhet si thesar, [dhe] që nuk matet, ku mendojmë, lutemi dhe i ndihmojmë ata për të cilët na është dhënë përgjegjësia të kujdesemi.

2. Lloji i shërbimit që zgjedhim ta bëjmë sipas vetë dëshirës sonë. Ky është një zgjerim i llojit të parë, i cili do të vërshojë në të gjitha veprimet dhe ndërveprimet tona të përditshme, teksa kërkojmë në mënyrë më të vetëdijshme që ta harrojmë vetveten dhe të kthehemi drejt të tjerëve. Nuk ka një detyrë formale, por ne nxitemi nga një dëshirë për ta ndjekur Krishtin, duke e filluar nëpërmjet të qenit më dashamirës dhe më të vëmendshëm ndaj njerëzve përreth nesh.

3. Shërbimet publike. Kur është e përshtatshme, përfshihuni në politikë me syrin drejtuar te shërbimi dhe ngritja e individëve dhe komuniteteve. Shmangiuni përçarjeve në politikë që janë bërë kaq të polarizuara, të ashpra dhe shkatërrimtare nëpër komunitete, vende dhe kontinente. Bashkohuni me politikanë të tjerë që po gjejnë një kauzë të përbashkët për t’u sjellë shërim jetëve të turbulluara brenda vetë juridiksionit të tyre dhe më tej. Ju mund të jeni një zë baraspeshe dhe arsyeje, duke e përkrahur drejtësinë në të gjitha aspektet e shoqërisë. Ka një nevojë në rritje që ju t’ia jepni energjinë tuaj kësaj lloj përfshirjeje të denjë qytetare.

Ne Mund ta Ndryshojmë Vetë Botën Tonë

Kur lexojmë lajmet, mund të ndiejmë sikur bota po bëhet edhe më e keqe. Nëse secili prej nesh vepron në mënyra të mëdha e të vogla çdo ditë, ne mund ta ndryshojmë vetë botën tonë dhe atë të njerëzve përreth nesh. Teksa i shërbeni fqinjit tuaj dhe shërbeni me fqinjin tuaj në komunitetin tuaj, ju do të zini miq që kanë të njëjtën dëshirë si ju për të ndihmuar. Këto do të bëhen miqësi të forta, duke ndërtuar ura mes kulturave dhe besimeve fetare.

Nëse do t’i përgjigjeni ftesës për të dhënë shërbesë siç bën Jezusi, ju do të shndërroheni, duke u bërë edhe më shumë vetëmohues. Ju do të zbuloni gëzimin që vjen nga dhënia e shërbesës sipas mënyrës së Shpëtimtarit, duke lënë pas ankthet e pasiguritë tuaja dhe zymtësinë që vjen nga paaftësitë që i mendoni për veten tuaj.

Ndoshta, një emër ose një kauzë ju ka ardhur në mendje. Kjo mund të jetë një ftesë nga Shpirti dhe ndoshta e keni marrë atë më parë. Ndihmoni, vëzhgoni dhe lartësoni. Zgjidhni t’i përgjigjeni kësaj ftese dhe të luteni sot që të dini se çfarë mund të bëni. Kur i shihni dhe i ndieni bekimet që kjo ju sjell juve dhe atyre të cilëve u jepni shërbesë, ju vërtet do të doni ta bëni këtë një model të përditshëm.

Përpjekja jonë më e madhe dhe më e mirë është ta përhapim dritën, shpresën, gëzimin dhe qëllimin e ungjillit të Jezu Krishtit me të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë ata të gjejnë shtegun drejt shtëpisë. Ndihma, shërbimi dhe dhënia e shërbesës ndaj tyre janë shfaqje të ungjillit në veprim. Teksa e bëjmë këtë një mënyrë jetese, ne do të zbulojmë se ajo të përmbush në mënyrë të pashoqe dhe është mënyra se si mund ta gjejmë paqen dhe gëzimin që mund të na ketë shpëtuar.

Kjo është mënyra se si jetoi Shpëtimtari dhe kjo është arsyeja përse Ai jetoi – që të siguronte balsamin e përsosur dhe shërimin përfundimtar me anë të dhuratës së Tij të madhërishme, të pafundme, shlyese për ju dhe për mua. E ndjekshim Krishtin e gjallë me më shumë gatishmëri, me më shumë efektshmëri, teksa përpiqemi fort të bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë nëpërmjet dhënies së shërbesës siç do ta jepte Ai.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 68–69.

  2. Spencer W. Kimball, “The Abundant Life”, Ensign, korrik 1978, f. 3.

  3. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95.

  4. Xhin B.Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104.

  5. Shih JustServe.org. Është në dispozicion në Amerikën Veriore dhe po provohet në Meksikë, Mbretërinë e Bashkuar, Porto‑Riko dhe Australi.