Dita Ime më e Mirë e Punës!
Kur mësoni ta doni dhe ta çmoni punën, ju gjeni gjithashtu një burim të madh gëzimi.
Disa vjet më parë, e pashë veten në një auditor në Kolegjin Çërçill të Universitetit të Kembrixhit në Angli për një mbledhje vjetore për kompaninë për të cilën punoja. Në atë rast, pata privilegjin të merrja nga presidenti dhe drejtuesi ekzekutiv (CEO) botëror i kompanisë një çmim në emër të skuadrës sime për punën e shkëlqyer që bëmë atë vit.
Ndërsa drejtues të kompanisë nga anembanë botës, që përfaqësonin 80 000 punëtorë, duartrokitën dhe e lavdëruan skuadrën tonë për arritjen tonë, unë mendova: “Kjo duhet të jetë dita ime më e mirë e punës!” Atmosfera e atij çasti ishte e gëzueshme.
Buka e Ndarë
Por pastaj mendja më ktheu në ditën time të parë të punës afro 40 vjet më parë. Babai im kishte në pronësi një furrë buke dhe piqte bukë që shpërndahej në shumë dyqane të vogla ushqimore në qytetin tonë në Brazilin jugor. Kur isha fëmijë i vogël, këmbëngulja vazhdimisht që im atë të më merrte që të punoja me të. Një ditë më në fund ai pranoi!
Nëna ime më qepi një përparëse të vogël të bardhë e një kapele furrtari, dhe unë e im atë shkuam te furra e bukës. Së bashku, e përziem dhe e përgatitëm brumin, i dhamë atij formën e bukës dhe i vendosëm bukët në furrën me tulla. Kur buka mbaroi së pjekuri, ne përdorëm një lopatë të gjatë druri për ta tërhequr me kujdes atë. Ne pritëm disa sekonda, pastaj e ndamë një nga bukët ende të ngrohta. Kishte shije të mrekullueshme!
Pasi reflektova, vendosa që marrja e një çmimi në Kembrixh ishte dita ime e dytë më e mirë e punës. Dita më e mirë dhe më e lumtur e punës ishte në një ambient shumë më të përulur: një furrë e vogël buke pa spektatorë apo brohoritje në këmbë. Isha vetëm unë dhe babi im. Atë ditë, ai më mësoi ta doja dhe ta vlerësoja punën dhe më ndihmoi të ndieja gëzimin e bërjes së diçkaje nga e para me vetë duart e mia. Mësova se puna e palodhur i jep kënaqësi si trupit, edhe shpirtit.
Puna Është një Bekim
Kur Zoti i tha Adamit dhe Evës: “Do të hash bukën me djersën e ballit” (Zanafilla 3:19), u duk sikur Ai po i ndëshkonte. Në të vërtetë, Ai po u jepte atyre mundësinë të përjetonin ndjesinë e gëzueshme dhe plotësuese të të bërit të mbështetur te vetja, të sigurimit për vetë dëshirat dhe nevojat e tyre.
Shumë prej nesh e shohin punën vetëm si një mënyrë për të siguruar materialisht për veten dhe familjen tonë ose ndoshta si një mënyrë për të arritur një pozitë shoqërore duke mbajtur një titull luksoz pune. Por akoma më e rëndësishme, Perëndia do që ne të punojmë në mënyrë që të mund të fitojmë një ndjesi të fortë arritjeje kur i përmbushim detyrat, krijojmë diçka të re, e përtërijmë dhe përmirësojmë atë që ekziston tashmë, dhe i shtojmë vlerë botës në të cilën jetojmë.
Duke folur në aspektin shpirtëror, një jetë e përqendruar tek ungjilli e përfshin përherë punën. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Një jetë e shenjtëruar është e mbushur me punë, ndonjëherë e përsëritur, ndonjëherë e përulur, ndonjëherë e pavlerësuar, por gjithmonë punë që përmirëson, rregullon, mbështet, ngre, shërben, frymëzon”1.
Kur ishit fëmijë, ndoshta ju kanë pyetur: “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” Gjatë viteve tuaja të adoleshencës, ajo pyetje ka shumë të ngjarë që do të ndryshojë në: “Çfarë do të studiosh në kolegj?”
Pasion, Nder dhe Qëllim
Çfarëdo profesioni që të vendosni të përqafoni, në çfarëdo drejtimi pune mund të përfundoni, përpiquni ta bëni punën tuaj me pasion, nder dhe qëllim. Ju duhet të punoni palodhur dhe të përpiqeni përherë të arrini rezultatet më të mira. Pasja e këtij qëndrimi në raport me punën do t’ju ndihmojë të arrini siguri materialisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Mundësia për të punuar është një bekim nga Zoti. Kur mësoni ta vlerësoni dhe ta doni punën, ju do të gjeni lumturinë e qëllimin që vjen nga mbështetja te vetja.
Ende mund ta dëgjoj duartrokitjen dhe fjalët nxitëse që vinin nga auditori në Universitetin e Kembrixhit, por më e shtrenjtë për mua është kujtimi i ditës te furra e bukës me babin tim dhe aroma e atyre bukëve kur dolën nga furra.