2019
Mesazhi, Kuptimi dhe Turma
Nëntor 2019


Mesazhi, Kuptimi dhe Turma

Përmes poteres dhe ritmit të pandalshëm të ditës sonë, u përpjekshim fort që ta shohim Krishtin në qendër të jetës sonë, të besimit tonë dhe të shërbimit tonë!

Vëllezër e motra, ky është Semi Ho Çingu, shtatë muajsh, që po e sheh konferencën e përgjithshme në televizor, në shtëpinë e tij, prillin e shkuar.

Semi Ho Çingu duke parë konferencën

Teksa afrohej koha për ta mbështetur Presidentin Nelson dhe Autoritetet e tjera të Përgjithshme, duart e Semit ishin të zëna duke mbajtur shishen e vet. Ndaj ai bëri me të mirën që mundi.

Semi Ho Çingu gjatë mbështetjes

Semi i jep një kuptim tërësisht të ri konceptit të votimit me këmbë.

Mirë se erdhët në këtë konferencë gjysmëvjetore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Për ta përgatitur atmosferën për një diskutim mbi kuptimin e këtyre mbledhjeve dy herë në vit, po ju kujtoj këtë skenë nga anali i Llukës në Dhiatën e Re1:

“Tani ndërsa [Jezusi] po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;

kur dëgjoi se po kalonte [një] turm[ë], pyeti çfarë ishte.

… Iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.

Atëherë ai bërtiti duke thënë: ‘O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua’.”

E befasuar nga guximi i tij, turma u përpoq ta bënte burrin të heshtte, por “ai bërtiste edhe më fort”, thuhet aty. Si rrjedhojë e ngulmimit të tij, e sollën te Jezusi, i cili e dëgjoi përgjërimin e tij besimplotë për t’ia kthyer shikimin dhe e shëroi atë.2

Mallëngjehem nga ky episod i vogël e i gjallë sa herë që e lexoj. Ne mund ta ndiejmë brengën e këtij burri. Pothuajse mund ta dëgjojmë tek bërtet për t’i tërhequr vëmendjen Shpëtimtarit. Buzëqeshim nga mospranimi i tij për të heshtur – në të vërtetë nga vendosmëria e tij për ta ngritur zërin kur gjithkush tjetër po i thoshte ta ulte. Kjo është, në vetvete, një histori e këndshme për një besim tejet të vendosur. Por si me të gjitha shkrimet e shenjta, sa më shumë e lexojmë, aq më shumë gjëra gjejmë tek ajo.

Një mendim që më lindi vetëm kohët e fundit, është se sa mirë e kuptonte ky burrë që kishte përreth tij njerëz shpirtërisht të ndjeshëm. E gjithë domethënia e kësaj historie varet nga një grusht grash dhe burrash pa emër të cilët, kur i pyeti bashkudhëtari i tyre: “Çfarë kuptimi ka kjo rrëmujë?” patën largpamjen, le ta quajmë, për ta përcaktuar Krishtin si arsyen e zhurmës; Ai ishte “Kuptimi i Personifikuar”. Ka një mësim në këtë shkëmbim të shkurtër fjalësh për të gjithë ne. Në çështjet e besimit dhe bindjes, të vjen në ndihmë t’ua drejtosh pyetjet atyre që në fakt kanë besim dhe bindje! “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër?” pyeti një herë Jezusi. “[Nëse ndodh], nuk do të bien të dy në gropë?”3

Një kërkim i tillë për besim dhe bindje është qëllimi ynë në këto konferenca dhe, duke u bashkuar me ne sot, ju do ta kuptoni se ky kërkim është një orvatje e përbashkët për shumë njerëz. Hidheni vështrimin përreth. Këtu, përreth kësaj qendre të konferencave, shihni familje të të gjitha përmasave që vijnë nga çdo anë. Miq të vjetër përqafohen në një bashkim të gëzueshëm, një kor i mrekullueshëm po bëhet gati dhe protestuesit thërrasin fjalimet e tyre të parapëlqyera. Misionarët e dikurshëm kërkojnë shokët e tyre të mëparshëm të misionit, ndërkohë që misionarët e sapokthyer kërkojë shoqëri tërësisht të reja (nëse e kuptoni për çfarë e kam fjalën!). Dhe fotografitë? Qielli na ndihmoftë! Me telefona celularë në çdo dorë, jemi shndërruar nga “çdo anëtar një misionar” në “çdo anëtar një fotograf”. Në mes të kësaj rrëmuje të këndshme, dikush me shumë të drejtë mund të pyesë: “Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo?”

Ashtu si në historinë tonë nga Dhiata e Re, ata që janë bekuar me mundësinë për të parë, do ta dallojnë se, pavarësisht nga gjithçka tjetër që mund të na japë kjo traditë e konferencës, ajo do të ketë pak ose aspak kuptim nëse nuk e gjejmë Jezusin në qendër të gjithë kësaj. Për të marrë dritën e syve që po kërkojmë, shërimin që Ai premton, rëndësinë që disi e dimë se gjendet këtu, ne duhet të çajmë përmes rrëmujës – sado e gëzueshme që është ajo – dhe ta ngulitim vëmendjen tonë tek Ai. Lutja e çdo folësi, shpresa e të gjithë atyre që këndojnë, nderimi i çdo të ftuari – të gjitha i përkushtohen ftesës së Shpirtit të Atij, Kisha e të cilit është kjo – Krishtit të gjallë, Qengjit të Perëndisë, Princit të Paqes.

Por nuk na duhet të jemi në një qendër konferencash për ta gjetur Atë. Kur një fëmijë e lexon Librin e Mormonit për herë të parë dhe i hyn në zemër guximi i Abinadit ose marshimi i 2000 djemve luftëtarë, ne mund të shtojmë butësisht se Jezusi është figura qendrore, e kudogjendur në këtë kronikë të mrekullueshme, duke qëndruar si kolos praktikisht mbi çdo faqe të tij dhe duke qenë hallka lidhëse për të gjitha figurat e tjera në të që nxitin besimin.

Po ashtu, kur një mik/e po mëson rreth besimit tonë, ajo ose ai mund të hutohet pak nga disa prej elementeve të pashoqe dhe fjalori i panjohur i praktikës sonë fetare – kufizimet në regjimin ushqimor, mjetet për mbështetjen te vetja, veprimtaritë e udhëtimeve si pionierët, pemët elektronike të familjeve, me një numër të pallogaritshëm qendrash të kunjeve ku disa pa dyshim kanë pritur t’u shërbehet një fileto viçi mesatarisht e gatuar në zgarë [ngaqë stake në anglisht ngatërrohet me biftek]. Ndaj, ndërkohë që miqtë tanë të rinj përjetojnë një mori pamjesh e tingujsh të rinj, ne duhet t’i drejtojmë përtej rrëmujës e rrëmetit dhe t’i përqendrojmë ata te kuptimi i gjithë kësaj, te zemra rrahëse e ungjillit të përjetshëm – dashuria e Prindërve Qiellorë, dhurata shlyese e një Biri hyjnor, udhërrëfimi ngushëllues i Frymës së Shenjtë, rivendosja në ditët e mëvonshme e gjithë këtyre të vërtetave e kaq shumë gjëra të tjera.

Kur dikush shkon në tempullin e shenjtë për herë të parë, ai ose ajo mund të mahnitet disi nga ajo përvojë. Puna jonë është të sigurohemi që simbolet e shenjta dhe ritet që zbulohen aty, veshjet ceremoniale dhe paraqitjet pamore, kurrë të mos e largojnë vëmendjen, por përkundrazi t’i drejtojnë njerëzit për te Shpëtimtari, të cilin kemi shkuar që ta adhurojmë atje. Tempulli është shtëpia e Tij dhe Ai duhet të jetë mbizotërues në mendjen dhe zemrën tonë – doktrina madhështore e Krishtit duhet ta përshkojë gjithë qenien tonë ashtu si përshkon ordinancat e tempullit – nga koha kur e lexojmë shkrimin mbi derën e hyrjes, deri në çastin e fundit fare që kalojmë në atë ndërtesë. Në mes të të gjitha çudive që hasim, ne duhet të shohim, mbi gjithçka tjetër, kuptimin e Jezusit në tempull.

Merreni parasysh vorbullën e nismave guximtare e të lajmërimeve të reja në Kishë gjatë këtyre muajve të fundit. Teksa i japim shërbesë njëri-tjetrit, ose e përmirësojmë përvojën tonë në Shabat, ose përqafojmë një program të ri për fëmijët dhe rininë, ne do ta humbasim arsyen e vërtetë të këtyre përshtatjeve të marra nëpërmjet zbulesës nëse i shohim si elemente të tjetërllojshme, të palidhura me njëra-tjetrën në vend që t’i shohim si një përpjekje e ndërlidhur për të na ndihmuar që të ndërtojmë me më shumë qëndrueshmëri mbi Shkëmbin e Shpëtimit tonë.4 Sigurisht, sigurisht kjo është ajo që ka për qëllim Presidenti Rasëll M. Nelson kur na bën ta përdorim emrin e Kishës që është dhënë nëpërmjet zbulesës.5 Nëse Jezusi – emri i Tij, doktrina e Tij, shembulli i Tij, natyra e Tij hyjnore – mund të jenë në qendër të adhurimit tonë, ne do ta përforcojmë të vërtetën e madhërishme që dha mësim Alma dikur: “Shumë gjëra do të vijnë; [por] vini re, një prej këtyre gjërave ka rëndësi më të madhe nga të gjitha të tjerat – … Shëlbuesi [që] jeto[n] dhe do të vijë mes popullit të tij”6.

Një mendim përmbyllës: Mjedisi kufitar ku jetonte Jozef Smithi në shekullin e 19-të ishte përflakur nga një turmë konkurruese dëshmitarësh të krishterë.7 Por në trazirën që krijuan, këta rigjallërues energjikë të fesë, për ironi, po e mbulonin pikërisht Shpëtimtarin që Jozefi i ri po e kërkonte me aq zell. Duke u ndeshur me atë që e quajti “errësirë dhe ngatërresë”8, ai u tërhoq drejt vetmisë së një korije pemësh ku pa dhe dëgjoi dëshminë më të lavdishme se çdo dëshmi tjetër që kemi përmendur këtu këtë mëngjes, që Shpëtimtari është qendra e ungjillit. Me dhuratën e një pamjeje të papërfytyruar e të papritur, Jozefi pa në vegim Atin e tij Qiellor, Perëndinë e madhërishëm të gjithësisë dhe Jezu Krishtin, Birin e Tij të përsosur e të Vetëmlindur. Pastaj Ati dha shembullin të cilin e kemi diskutuar këtë mëngjes: Ai tregoi për nga Jezusi, duke thënë: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”9 Asnjë shprehje më e shkëlqyer e identitetit hyjnor të Jezusit, të vendit të Tij të nderit në planin e shpëtimit dhe të pozicionit të Tij në sytë e Perëndisë nuk mund t’ia kalonte kurrë asaj shpalljeje të shkurtër shtatëfjalëshe.

Rrëmujë dhe pështjellim? Turma dhe grindje? Ka plot si këto në botën tonë. Njëmend, skeptikët dhe besimtarët ende debatojnë për këtë vegim dhe praktikisht për të gjitha gjërat e tjera të cilat i kam përmendur sot. Në rast se ju mund të jeni duke u stërmunduar për të parë më qartë e për të gjetur kuptim në mes të një grumbullimi mendimesh, ju drejtoj për tek i njëjti Jezus dhe jap dëshmi apostolike për përvojën e Jozef Smithit, të ardhur ashtu siç erdhi rreth 1800 vjet më parë pasi mikut tonë të verbër iu kthye shikimi në Udhën e lashtë të Jerikos. Unë dëshmoj me këta të dy dhe një mori të tjerësh përgjatë kohës që sigurisht pamja dhe tingulli më ngazëllyes në jetë janë ato të Jezusit, jo vetëm duke na kaluar pranë10, por gjithashtu dhe të ardhjes së Tij drejt nesh, duke ndaluar përkrah nesh dhe duke e bërë vendbanimin e Tij pranë nesh11.

Motra dhe vëllezër, përgjatë poteres dhe ritmit të pandalshëm të ditës sonë, u përpjekshim fort që ta shohim Krishtin në qendër të jetës sonë, të besimit tonë dhe të shërbimit tonë! Aty gjendet kuptimi i vërtetë. Dhe nëse në disa ditë largpamja jonë është e kufizuar, ose siguria jonë është venitur, ose besimi ynë po vihet në provë e po përpunohet – siç do të ndodhë me siguri – atëherë thërritshim më fort: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua”12. Ju premtoj me zjarr dhe bindje apostolike se Ai do t’ju dëgjojë dhe do të thotë, herët a vonë: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi”13. Mirë se vini në konferencën e përgjithshme! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.